RECENSION
Interpretimi si komunikim
(Prend Buzhala, Kode poetike të mbijetesës shpirtërore, Argeta – LMG, Tiranë, 2009.)
Pena e Prend Buzhalës nënvizon tipare të niveleve të ndryshme analitike: leksemat, (sintakso-)stilemat, semantemat, frazeologjinë, teknikat narrative, kompozicionin, metaforikën, psikologjinë e personazheve, filozofinë e brendshme të romaneve që trajton etj.. Ai vëren se intrigat e romaneve të Anton Nikë Berishës janë më shumë “të brendshme”, sesa shthurje kompozicionale, se autori edhe kur për kryepersonazhe merr personalitete të njohura historike, siç janë Pjetër Bogdani dhe Nëna Tereze, nuk shkruan biografi të romanizuara, por romane (në trajta të “biofiksionit”) , duke i përkufizuar me termat bioroman dhe bioprozë.
Anton Gojçaj
Libri (monografi e llojit të vet) ”Kode poetike të mbijetesës shpirtërore” hapet me fjalinë: “Anton Nikë Berisha hyn ndër figurat epiqendrore të Letërsisë Shqipe”, pra një pikënisje që përngjan në një përfundim, çka tërheq pas vetes nevojën që kjo pastaj edhe të eksplikohet, në formën e një projekti serioz. Ky lloj fillimi mund të kuptohet si një vend i përgjithshëm (topos), një vlerësim tani më i konsoliduar në qarqet e miljeut letrar e kulturor ku kjo thuhet, që në të vërtetë edhe duhet të ketë qenë mendimi bazë për këtë konstatim.
Përveç titullit libri ka edhe një nëntitull shpjegues: “Mbi romanet për të rritur të Anton Nikë Berishës”. Në shkrimin “Në vend të hyrjes” (Bukuria e të shkruarit) studiuesi (interpretuesi) jep, në mënyrë të ngjeshur, të dhëna të përgjithshme për “një kosmogoni të tërë letrare” që ka pas vetes Anton Nikë Berisha, një autor jashtëzakonisht pjellor (mëse 50 vepra të botuara), me interesime dhe kontribute të shumanshme, si në lëmë të fjalës diskursive (studime dhe kritikë), ashtu edhe në lëmë të fjalës artistike (për fëmijë dhe të rritur).
Pjesën e parë të librit, “Qasje të veçanta dhe të pasura studimore”, unë e pashë si njëfarë vazhdimi plotësues, të zgjeruar, të pjesës hyrëse. Atz autori e komenton më gjerësisht krijimtarinë, në radhë të parë atë diskursive, të A.N. Berishës, me ç’rast e identifikon si interpretues, kritik dhe teoricien letrar, por edhe si autor monografish, hartues antologjish, hulumtues të letërsisë arbëreshe, studiues të veprës së Nënës Terezë dhe po ashtu edhe si njërin “ndër studiuesit më cilësorë të letërsisë sonë gojore”. Anton N. Berisha prezantohet edhe si përkthyes i zellshëm, ku spikat përkthimi nga gjermanishtja i njërës nga veprat më të lashta të letërsisë botërore “Epi i Gilgameshit”, por edhe i disa veprave të tjera të letërsisë së përbotshme.
Pjesa e dytë, të cilën autori e titulloi “Romani si shqiptim dhe ndërtim poetik i botës” është pjesa që për nga substanca, përmbajtja, përkon drejtpërdrejt me temën kryesore, të shprehur përmes nëntitullit të librit, që nuk shtjellon asnjë nga segmentet e lartpërmendura në pjesën e parë, por merret me krijimtarinë artistike, katër romanet e A. N. Berishës (Bimorja, 1993, Gjin Bardhela i arbëresh & Etja e gurëzuar, 2002, Nëna e Dritës, 2004, Ferri i Lodhur, 2007), që sipas studiuesit përmbajnë elemente realiste, moderne dhe postmoderne. Këto romane ai i përgjithëson si “sinteza”, kështu: në “Bimorja” – “ zëri i Pjetër Bogdanit, nuk është zë vetëm i rezistencës shqiptare të atij shekulli. Ai depërton si zë edhe në shekullin tonë”, “Gjin Bardhela...” – komunikon “etjen dhe gjakimin e pashuar për idealitet, për të qenë i lidhur me rrënjët, për ta parë të realizuar qenien e qenësisë arbërore/arbëreshe”, në romanin “Nëna e Dritës”, përveç se autori arrin “mjeshtërisht ta japë nuancimin psikologjik të Nënës” (Terezë) – “paraqitet kategoria tematike-nocionore e dilemës”, ndërsa në “Ferri i lodhur” – “tragjedia e Sutës është e shumëfishtë, është tragjedia që e përjetoi Kosova”.
Buzhala argumenton se proza e A. N. Berishës “është një ars combinatoria” d.m.th “me mundësi të pafund të kombinimeve...”. Ai romanet që shtjellon i shikon së pari si “struktura të mëvetësishme dhe unike gjuhësore”, por pastaj edhe në lidhshmëri të pashkëputshme me opusin e përgjithshëm të autorit, në kontekstin letrar nacional e universal, duke pasur parasysh edhe kuadrin e gjerë jashtëletrar (artistik, historik, politik etj.).
Pena e Prend Buzhalës nënvizon tipare të niveleve të ndryshme analitike: leksemat, (sintakso-)stilemat, semantemat, frazeologjinë, teknikat narrative, kompozicionin, metaforikën, psikologjinë e personazheve, filozofinë e brendshme të romaneve që trajton etj. Ai vëren se intrigat e romaneve të Berishës janë më shumë “të brendshme”, sesa shthurje kompozicionale, se autori edhe kur për kryepersonazhe merr personalitete të njohura historike, siç janë Pjetër Bogdani dhe Nëna Tereze, nuk shkruan biografi të romanizuara, por romane (në trajta të “biofiksionit”) , duke i përkufizuar me termat bioroman dhe bioprozë.
Tema arbëreshe e preokupon A. Berishën në projektet e tij studimore, por edhe në një roman (Gjin Bardhela...) dhe Buzhala në këtë rast tërheq një paralele interesante: “Atë që s’ka arritur ta paraqesë përmes Fjalës Diskursive, do ta artikulojë dhe do ta nuancojë përmes Fjalës Artistike”. Kuptuar ndryshe, jo vetëm që fjala diskursive e shpjegon fjalën artistike, por edhe fjala artistike, në raste të caktuara, e plotëson fjalën diskursive. Kjo duket më e përligjshme kur autori i caktuar merret me të dyja paralelisht.
Prend Buzhala është një interpretues i zellshëm dhe i hapur, i pajisur me kulturë respektabile dhe i furnizuar me aparaturën e duhur terminologjike. Argumentet për dukuritë dhe tiparet e ndryshme që identifikon i mbështet shpesh në mendimet dhe idetë e shumë autoriteteve të huaja (U. Eco, C. J. Ducasse, S. Chatman, M. Glowinski, R. Barthes, W. Booth, R. Alter, R. Baron, Platoni, J. Chevalier, A Gherbrant etj. etj.).
Duke ndjekur rrugën e interpretimit, pra të mbushjes së teksteve letrare që trajton me kuptime të reja, Buzhala nuk ka vërejtje, nuk përmend diçka që i pëlqen më pak apo që nuk i pëlqen... Vetëm në një vend gjeta gjurmë të një “mëdyshjeje” të mundshme, por edhe ajo, për mendimin tim, me vetëpërmbajtje maksimale, duke lënë hapur mundësinë që zgjidhja e autorit megjithatë të jetë poetikisht e arsyeshme dhe që madje të vlerësohet si një “magji tekstore”... Fjala është për “mbishtresat e lartësuara intelektualiste” të disa personazheve të romanit “Ferri i lodhur”, si dhe për “ndërthurjen në botën dhe karakterin e personazhit të Sutës” që “është e pazakonshme për moshën e saj të re”, të cilat mund të aludojnë në – teprime në sensin e masës dhe të një lëshimi eventual në pikëpamjen e koherencës logjike...
Romanet e Anton Nikë Berishës te Prend Buzhala kanë gjetur lexuesin e vet të denjë dhe një interpretues shumë dashamirë të kalibrit që shumë autorë të tjerë vetëm mund ta ëndërrojnë, kurse libri “Kode poetike të mbijetesës shpirtërore” mund të shërbejë si një mostër e komunikimit me letërsinë bashkëkohore.
Prend Buzhala (1951, Çabiq – Klinë) deri tash ka botuar një numër të konsiderueshëm librash.
Poezi: O amë, o amë, 1995, Për kë bie këmbanë e re, 1998, Shtatë seanca pranë Apokalipsit, 1998.
Kritika, studime: Metafora e vendlindjes, 1999, Përqasje estetike, 2000, Ex libris I, 2003, Odeoni i fjalës, 2003, Shkrimtari pranë buzëqeshjes, 2005, Muza e zemrës, 2006, Temë dhe tekst, 2006, Muza e kujtesës, 2007, Aty ku krizat i besohen engjëllit, 2008, Res Publica e shkrimtarit, 2008.
Roman: Moisiu fluturonte me qerren e zjarrtë, 2003.
Publicistikë: Lartësimi i lirisë, 2002.