DY LIBRA TË RINJ TË PROFESOR DOKTOR PALOKË BERISHES
Frute të punës gjysmëshekullore në fushën e shkencës
( Vështrim për librat “Punime nga shkencat humanitare” dhe “Marrëdhëniet ndërmjet nxënësit dhe mësimdhënësit në procesin mësimor”, Bashkimit i krijuesve shqiptarë në Malin e Zi, 2011, Ulqin)
Këta dy libra paraqesin njëfarë rrumbullakësimi të natyrshëm të të gjithë karrierës së Palokë Berishës si pedagog, studiues dhe intelektual.
Thonë se një krijues gjatë gjithë jetës shkruan një libër të vetëm dhe kjo nuk vlen vetëm për krijuesit e veprave të artit, por edhe për ata në fushën e shkencës. Keta dy libra, e sidomos ai me titullin “Punime nga shkencat humanitare”, më duket se e vërtetojnë një shembull të tillë edhe në veprimtarinë e studiuesit në fjalë.
Libri “Punime nga shkencat humanitare”, i botuar me ndihmën financiare të Fondit për pakica, është i ndarë në gjashtëmbëdhjetë kapituj. Në fund autori ka vendosur edhe regjistrin e emrave dhe përmbajtjen e librit. Pas kapitullit të parë, ku autori ka futur recensionet e akademik dr. Jashar Rexhepagiqit dhe dr. Hajrullah Koliqit, pastaj dy shkrime të dr. Nail Dragës, një shkrim tjetër i prof. dr. Hajrullah Koliqit dhe një recension shterues të prof.dr. Vehbi Hotit, vijojnë nëntë kapituj që kanë për tematikë shkollat dhe arsimin e shqiptarëve në Mal të Zi, prej fillimeve e deri në vitet e para të shekullit XXI. Kapitujt e mëpastajmë dallojnë për nga tematika, dhe kanë të bëjnë me pedagogjinë e konvikteve, pastaj me figurën e intelektualit dhe mësimdhënësit Gjergj Gjokaj, me Tringë Smajlen, me “Ditën e mësuesit“, “28 Nëntorin“ etj. etj.
Prof. dr. Palokë Berisha nuk ka kurrfarë dyshimi përsa i përket lidhjes së natyrshme dhe të logjikshme ndërmjet popullsisë së lashtë ilire dhe shqiptarëve të sotëm, prandaj edhe shpalosjen e qëndrimeve të veta e nis pikërisht me ilirët, më saktësisht rolit që i kanë dhënë ilirët edukates qysh në shekujt para lindjes së Krishtit. Autori është i mendimit se shkollat në gjuhën latine, që i hapën, siç shprehet ai, sunduesit romakë, kanë qenë të nivelit të njëjtë me ato të qyteteve romake të asaj kohe. Ardhja e fiseve sllave, duke filluar nga shekulli VI, pati për pasojë që ndikimit të kulturave romake e bizantine t’i shtohet edhe ndikimi (gjithnjë e më i forte) i kulturës sllave. Studiuesi Berisha i mbështetur në dëshminë e Gulielm Adaes nga viti 1332 logjikon që ata njerëz të cilët kanë përdorë shkronja latine në librat e shkruar në gjuhën e vet amtare duhet të kenë ndjekur mësimet e shkrim-leximit në njëfarë fomre tv rasimit, qoftë edhe në manastire e kuvende kishtare, pra ekziston mundësia që të ketë pasur edhe në shekullin XIV, ose edhe më heret, njëfarë tipi të shkollës në gjuhën të cilën sot e quajmë - shqipe. Pushtimi osman, me natyrën e vet transformuese për popujt që pushtoi dhe kulturat e tyre, e ka ndërprerë atë ecuri historike të shkollave shqipe, nëse ato kanë ekzistuar edhe më parë. Megjithëse edhe këtu te ne festohet 7 Marsi si “Dita e mësuesit”, në përkujtim të datës së hapjes së shkollës në Korçë, në vitin 1887, studiuesi Palokë Berisha në librin e vet më të fundit, thekson se në fakt shkollat shqipe kanë ekzistuar edhe para asaj date dhe përmend konkretisht shkollën e Kurbinit të vitit 1632, të Pdhamës në vitin 1638 etj. etj. Në periudhën e Perandorisë Osmane u hapën mejtepe dhe medrese, shkolla këto të llojit të vet, por në gjuhë të huaja. Natyrisht që banorët e trevave që i fokuson drejtpëdrejtë studiuesi ndanë fatin e bashkëkombësve gjatë shekujve, fakt që vlen edhe kur flitet për arsimin.
Kur flet për arsimin në trevat e banuara nga shqiptarët, që sot jane pjesë e territorit të shtetit malazias, Berisha konstaton se deri në vitin 1916 mësimi institucional, kur është mbajtur ndopak, është zhvilluar në gjuhë të huaja, serbisht e turqisht. Në Malin e Zi të periudhës 1878-1913 arsimi në gjuhën shqipe nuk ishte i lejuar.
Shkollat e para laike, në gjuhën shqipe në këto vise, u hapën me ardhjen e austrohungarezëve. Okupimi i Malit të Zi nga austriakët, për ironi të historisë, solli frymë të re dhe përmes shkollave shqipe me mësues edhe nga Zara e Kroacisë, u dhuroi një perspektivë dhe ide të re popullsisë autoktone që fliste një gjuhë të lashtë, por të ndryshme nga gjuhët sllave.
Hapja e shkollave në gjuhën serbe, para dhe sidomos pas Luftës së Parë Botërore kishte dy faqe të ndryshme: njëra ishte pozitive, arsimimi i një komuniteti, në thelbin e vet është diçka pozitive, pavarësisht në ç’gjuhë bëhet, kurse në anën tjetër, nëse hapja e shkollave nuk bëhet për motive thjesht humanitare e arsimore, por është pjesë e një projekti që mision prioritar kishte asimilimin e një komuniteti, atëherë dhurata e arsimimit shndërrohet në një kalë troje të sofistikuar. Mbase nje intrepretim i tillë i gjërave rri pas vendimit të banorëve të Malit të Hotit për të refuzuar hapjen e shkollës në gjuhën serbe, ndërmjet dy luftrave botërore. Palokë Berisha nxjerr përfundimin se shkollat fillore në gjuhën serbe i kanë kontribuar asimilimit të shqiptarëve në disa treva në Mal të Zi.
Jugosllavia e re, socialiste, solli çeljen e shkollave me mësim në gjuhën shqipe në një numër të konsiderueshëm. Mirëpo, edhe kjo periudhë i kishte peripecitë e veta. Vërtet nuk mund të mos pranohet se gjuha shqipe fitoi statusin e gjuhës së arsimit institucional por, njëkohësisht, mësuesit e zellshëm bashkë me bukën që siguronin me punën e ndershme, i shtroheshin një trysnie dhe përndjekjeje të vazhdueshme të shërbimeve të pushtetit komunist, sepse qëllimet e programet e ndryshme asimiluese kishin mbijetuar, ndonëse të fshehura pas retorikës ideologjike. Lidhur me këtë periudhë, në punimin që i kushtohet Ditës së mësuesit, studiuesi i veçon dy periudha të rënda e me plot rreziqe për mësuesit shqiptarë në Malin e Zi të atyre viteve, periudhën e viteve 1955-1957, kurse periudha tjetër e mbrapshtë për shkollat, nxënësit dhe mësimdhënësit shqiptarë në Malin e Zi ishte ajo e viteve 1981-1999, kur një numër i mësimdhënësve në Ulqin i larguan nga procesi mësimor, disa nxënësve, siç thuhet në libër, ua ndërruan me dhunë mbiemrat dhe në fund u akuzuan edhe tekstet shkollore në gjuhën shqipe për “përmbajtjen irredentiste”.
Palokë Berisha është një vjelës i palodhshëm dhe përpunues i vëmendshëm i fakteve, një gjurmues këmbëngulës që ndjek me fanatizëm profesional projektin e vet, duke qenë tërë kohën i vetëdijshëm për vështirësitë dhe peripecitë me të cilat mund të përballet. Ngacmimi i paevitueshëm i politikave të qarqeve të caktuara që decenie me radhë ushtruan presion e trysni ndaj arsimit shqip dhe protagonistëve të tij të dalluar në këto vise nuk e stepi studiuesin, përkundrazi ai sikur në këtë ballafaqim të pabarabartë sikur nganjëherë shndërrohet nga hulumtuesi në dvshmitar, nga kronikani në avokat i të drejtës së popullit të vet për arsimim në gjuhën amtare. Vepron kështu i bindur në shenjtërinë e profesionit mësues dhe në idealet që e shtyjnë përpara. Rrezikon studiuesi iritimin, reagimin, mospajtimin afatshkurtër të ndonjë lexuesi, por këtë e bën, besj unë, për hir të vlerave të larta, afatgjata, për shoqërinë. Prof.dr. Vehbi Hoti kështu e formulon këtë tipar të studiuesit Palokë Berisha: “Karakteristikë e punës studimore e botuese e prof.dr. Palokë Berishës është guximi qytetar dhe intelektual për të gjurmuar fakte e të dhëna të sakta e reale, për t’i thënë gjërat troç, ashtu siç janë, t’i thotë të vërtetat açik qoftë për të mire a qoftë për të keq, qoftë positive apo negative.”
Metoda e studiuesit është deduktive. Ai çdo problem, çdo temë e shikon, e shtjellon në një plan të gjerë, duke shkuar nga e përgjithshmja drejt individuales, nga kornizat historike mijëvjeçare drejt thelbit të çështjes që dëshiron ta ndriçojë në periudhën historike konkrete. Për shembull, në punimin kushtuar Tringë Smajles, ai para se të merret drejtpërdrejt me figurën historike të heroinës nga Gruda, përshkruan statusin dhe rolin që kishte femra në motmote, prej kohëve ilire e deri sot, pastaj flet për bajraktarët e Grudës, në mënyrë të veçantë për Smajl Martinin dhe Dedë Nikën Ivezaj, kurse konkretisht për Tringën flet pas 11 faqesh teksti hyrjeje, dhe I kushton 6 faqe tekst, 290-295, për të përfunduar sërish me një përgjithësim që shtrihet nga shekulli VIII para epokës sonë e deri në luftën e fundit në dy dekadat e fundit të shekullit XX, pra një shtrirje shumë e gjerë në histori dhe gjeografi.
Ndodh që të njëjtat informacione të përmenden në kapituj të ndryshëm, por kjo ngjan për arsyen se libri nuk u shkrua me një frymë as nuk është produkt i një projekti të mëvetësishëm, por është rezultat i punës shumëvjeçare, gjysmëshekullore, të profesorit dhe rrjedhojë e faktit se libri paraqet një përmbledhje studimesh, kumtesash, të lexuara dhe botuara në kohë dhe vende të ndryshme..
Duke pasur parasysh se dy librat kapin gati 600 faqe tekst, do të ishte e habitshme sikur të mos provokonin edhe reagime, madje edhe ndonjë polemikë, të kësaj apo asaj natyre. Vlera e një libri studimor edhe konsiston pikërisht në shprushjen e debateve, diskutimeve, të cilat për çastin mund të jenë edhe të nxehta, por duke ruajtur dinjitetin e çdo pjesëmarrësi apo të përmenduri, pra të përthirren dukuritë e jo individët. Te libri “Marrëdhëniet ndërmjet nxënësit dhe mësimdhënësit në procesin mësimor” që pas fjalës së autorit dhe hyrjes ka katër kapituj studimorë që shtjellojnë tematikën e titullit të librit, pastaj referencat dhe në fund literaturën… Palokë Berisha së pari konstaton se bazuar në eksperiencën e tij 50 vjeçare në procesin mësimor ka ardhur në përfundimin se mëse 95 % e mësuesve kanë respektuar kërkesat e parimit të humanizmit, por diku tjeter me keqardhje shton se “Mjerisht, një numër i vogël mësimdhënësish të ndikuar prej faktorëve objektive dhe subjektive shkelën (…) etikën e mësimdhënësit duke shëmtuar bukurinë e profesionit të mësimdhënësit.“
Në këtë libër autori sjell 36 shembuj ilustrues (jo të lavdishëm) nga praktika e përditshme në procesin mësimor në trevat tona dhe në Kosovë, sidomos në periudhën e monizmit, si psh. – nxënësi rrahet deri në alivanosje, nxënësit dënohen për pjesëmarrje në festat fetare, mësimdhënësi dhe nxënësi shpallin mejdan, mësimdhënësi nuk e njeh lëndën që e jep, mësimdhënësi përbuzë gjuhën amtare, mësimdhënësi bixhozxhi, mësimdhënësi alkoolist, mësimdhënësi dhe politika, mësimdhënësi dhe Lahuta e Malcis etj. etj. Por ka edhe shembuj kur nxënësit torturojnë mësimdhënësin…
Duhet theksuar se mësimdhënësit negativë të këtyre shembujve lihen anonimë, sepse qëllimi i studiuesit të mirëfilltë nuk mund të jenë individët, por vetëm dukuritë të cilat duhet të jenë gjithnjë e më të rralla, në mos të zhduken përgjithmonë nga procesi mësimor.
Anton Gojçaj
0 comments:
Post a Comment