Mbi krijimtarinë e Anton Gojçajt - nga Ndue Ukaj dhe Nuhi Ismajli

Në foto anash: Ndue Ukaj dhe Anton Gojçaj


Romani Passio i Anton Gojçajt

Ndue Ukaj

Një studiues i madh frankofon, Tvetan Todorov, në librin Letërsia në rrezik, ndër të tjera shkruan se “si filozofia dhe shkencat humane, letërsia është mendim dhe njohje e botës psikike dhe shoqërore në të cilën jetojmë”. Duke qenë e tillë, letërsia bëhet fusha më e veçantë e komunikimit njerëzor, sepse vepra letrare vjen nga shpirti dhe ka destinim shpirtin, do thoshte esteti e filozofi Friedrich Hegel. Letërsia komunikon të bukurën përmes ndjenjave më sublime të shpirtit. Të bukurën si komponente esenciale të letërsisë e transfiguron në art shkrimtari, Anton Gojçaj, i cili tanimë është emër i sprovuar në shumë fusha të letrave shqipe. Autor që shkruan poezi, që kultivon zhanrin e tregimit, romanin, kritiken letrare, studiues i mirëfilltë letrar e eseist i shkëlqyer, ai ravijëzohet në letrat shqipe, me portretin e një krijuese me tipare të shumëfishta e vlera të gjithmbarshme, që di të mishëroj të bukurën me fjalën artistike, brenda një konteksti specifik kulturor e letrar.

Në romanin Passio (Gjergj Fishta, 2009), Anton Gojcaj ndërton tekstin si një realitet kulturor për të cilën gjë bie në një mendje e gjithë bashkësia e lexuesve (Umberto Eco). Autori shpërthen në këtë tekst letrar me tërë origjinalitetin e tij letrar. Teksti karakterizohet nga një narracion i përpunuar, një stil mjeshtëror, brendapërbrenda një fabule dinamik dhe një gjuhë atributive e konstruktuar me trajta rrëfimtare brilante. Romani ka një titull simbolik, që ngërthen një shënjues të letërsisë së tij, jetën si pasion dhe artin si pasion. Janë këto dy strumbullarë që kombinohen me mjeshtëri dhe që funksionalizojnë tiparet e një proze të realizuar mjeshtërisht, ku vihen në kontrast të thellë krizat identitare të njeriut. Autori empirik, duke u nisur nga jeta prej së cilës rrethohet, shpërthen në shkrimin fiksional, për të pikasur një personazh tragjik, rrugët e së cilit konstruktohen nëpërmjet shenjave dramatike, që vijnë si reminishencë nga ëndrra e personazhit hero të romanit, atëherë kur piktori Jozef Montanara (Zef Gjoni) ishte në kulmet e artit si piktor dhe atij i shfaqet në ëndërr, momenti më tragjik i jetës së tij: vrasja e babait, mu në natën e ngjalljes së Jezu Krishtit, simbolikë kjo e funksionalizuar dhe realizuar me mjeshtri nga autori, madje edhe si dimension filozofik i intertekstit letrar. Diskursi fiksional i autorit, mvishet nga tiparet e fuqishme të diskursit biblik e oral, i cili intencë ka funksionin edukativ të letërsisë, një katharsisi letrar të nënkuptueshëm.

Kodet tematike e ligjërimore, shtresohen rreth plagës së mërgimit, si një temë e lashtë e letërsisë shqipe, trajtuar kurdoherë në nga pena të shumta. Portreti i kryepersonazhit të këtij romani është kompleks. Ai është piktor me famë botërore, jeton në një metropol botëror, sikurse është Neë Yorku. I pamartuar, me disa flirte dashurore, ai bënë jetë prej artisti tipik, madje me dëshirën që të harrojë të kaluarën, mirëpo i ndodh e kundërta, ëndrra e kthen në realitet. Dhe këto lufta identitare bëhet e fuqishme, shpërthyese, drithëmuese, dramatike, me të cilën autori ndërton përplot sekuenca narrative të jashtëzakonshme. Jozefi, i cili Nuk Qesh Kurrë, fillon të trandet, tallazet e shpirtit të tij kërkojnë interpretimin e ëndrrës, ndërsa interpretimi i saj e kthen në identitet, në kërkim të shenjave të tij. Dhe pastaj zëri i fuqishëm, sugjestionues, por edhe melankolik „Zef Kthehu“ ja zgjon kujtimet e fashitura në kohë dhe fillon të kërkon vetveten. Kërkimi i vetvetes në variante të ndryhem narrative, e përcjell personazhin në gjitha nivelet e jetës, pas ëndrrës deri te rikthimi në Malësi, takimi me të ëmën, martesa, lindja e një djali dhe kontinuiteti i vazhdimësisë identitare. Përmes këtij epilogu moral, autori përveç se përçon ide e mesazhe morale, riciklon dimensionet filozofike të zhbërjes së identitetit dhe rrezikut nga kjo dukuri.

Romani ka një fubulë e cila menjëherë lexuesin e fut në vorbullën e narracionit. Kemi një rrëfim në qendër të ngjarjes, in medias res. Dhe e gjitha në roman fillon me një ëndërr, prej së cilës shtresohet vorbulla e një rrëfimi dramatik. Autori funksionalizon motivet e lashta për ëndrrat si topose sinjifikative, ndërkaq një interelacion komunikues kulturor, teksti e ndërton me ëndrrat biblike, si topose komunikuese që prodhojnë kode të veçanta semiotike e ligjërimore. Jozef Montanara, larg atdheut, tek flinte, i selitet ngjarja më tragjike e jetës së tij, e cila lidhet me gjakun, më familjen, atëherë kur në prag të festave të ringjalljes së Krishtit, i vritet babai, nga armiqtë e Malësisë, që lehtë kuptohet që ishin armiq të etnisë së tij. Për t’ia shpëtuar Qengjin Zefit të vogël, babai i tij vritet. Këtu, figura e Qengjit bëhet shënjues i letërsisë së Antonit, një simbol me kuptime ekoivoke, që si topos tematik e figurë letrare, në variante të ndryshme bartet edhe në zhanrin e tregimit të autorit. Me këtë karakteristika ligjërimore e estetike, ndërlidhet figura e qengjit të dashur të personazhit dhe në mënyrë implicite, e autorit empirik. Përmes këtyre sekuencave narrative, autori rikontekstualizon diskursin biblik për qengjin biblik, si topos tematik dhe si materie stilistike, e motivueshme për të konotuar idetë letrare. Qengji, në kuptimin e parë, shënjon kafshën e bukur, së dyti simbolikën kristiane, si arkitekt e arkiligjërim biblik që shenjon martirizimin e Krishtit në Kryq, sikurse qengj i pafajshëm për fajet e botës. Si figurë kryetipre letrare, sipas Northrop Frajit, qengji është evokim për Jezusin qe flijohet për mëkatet e njerëzimit. Dhe rikujtimi i kësaj figure nënkupton ringjalljen. Kjo intencë letrare në prozën e Gojcajt del e hapur, autori e sfidon personazhin e tij me një sekuencë jetësore të kahershme, që kishte lënë vragë të hapura diku në qenien e tij. Andaj, pas shumë sfilitjeve dhe tundimeve, personazhi realizon thirrjen që i bëhet në ëndërr dhe kthehet, si një determinim i intencës autoriale.

Nëpërmjet personazhit Jozef Montanaro (Zef Gjoni), autori portretizon njeriun e kohës së tij, të goditur nga plaga e detyrueshme e mërgimit, në të cilën shenjat identitare rrezikohen të shuhen. Mirëpo, duke e trajtuar këtë temë kaq komplekse shqiptare, e veçanërisht për Malësinë, autori përçon mesazhe të fuqishme, që triumfojnë me epilogun e romanit, ku ndjehet fuqishëm një katharsis letrar sugjestionues. Në këtë roman, autori me një realizëm magjik, përmes një narracioni shpërthyes, të qetë, por dridhmues, e shtreson toposin e mërgimit dhe krizën identitare si temë të fuqishme narrative, përmes trajtave të rrëfimit modern, ku pikasën trajtat e realizimit magjik të prozës.

Ky roman i Gojcajt, ashtu sikurse i gjithë prodhimi i tij letrar, e perceptojnë artin si kulturë, që rolin edukativ e kanë në vete- siç do të shkruante Arshi Pipa. Dhe në këtë roman, ashtu sikurse në gjithë krijimtarinë e tij, Gojcaj përçon mesazhe të fuqishme kulturore e edukative, të cilat realizohen përmes katharsisit letrar, si element i fuqishëm i letërsisë së tij.




VËSHTRIM

Vepër me vlerë për letërsinë dhe kulturën

(Anton Gojçaj, “Shija e librit (recensione, interpretime, ese”), AIKD, Prishtinë, 2009).

Anton Gojçaj (1966) është poet, tregimtar, romansier, por edhe personalitet i fuqishëm studiuesi. Si studiues, Gojçaj ka publikuar shkrimet e tij qysh si student, për të vazhduar më pas me publikimet e tij nëpër gazetat e revistat e ndryshme dhe me veprat e tij komplete, si: “Tema e heroit nacional në letërsi” (2004), “Fakticiteti në letërsi – proza letrare e Anton Harapit” (2007) dhe “Shija e librit (recensione, intepretime, ese…)” (2009), të cilat dëshmojnë formimin e lartë, prirjen dhe seriozitetin shkencor të tij. Vepra “Shija e librit “ është vepra e gjashtë, në radhën e veprave të botuara të këtij krijuesi, një vepër mjaft e vëllimshme dhe mjaft e larmishme për nga problematika e trajtuar.

Nuhi Ismajli

Pas fjalës hyrëse mjaft koncize, ku tregohet për kohën e shkrimeve, vendin e botimit të tyre dhe qëndrimin e autorit ndaj veprave që trajton, vepra është e ndarë në pesë kaptina, në të cilat trajtohen çështje të ndryshme letrare, gjuhësore, historike, kulturore, filozofike, estetike, psikologjike, gjeografike etj. Është interesant se titujt e kapitujve, sikurse edhe titulli i veprës, shprehin qëndrimin subjektiv të autorit ndaj veprave që trajton, natyrën, llojet dhe format e shkrimeve që trajtohen, po edhe të shkrimeve që krijohen. Në kapitullin e parë ( “Me zemër” ), i cili titullohet, ndër të tjera, duke pasur parasysh natyrën e poezisë lirike, Gojçaj ka zgjedhur të shprehë mbresat dhe vlerësimet e tij për poezinë e veprave të ndryshme, të autorëve shqiptarë, siç është poezia e veprës së Gjekë Marinajt, Xhevdet Bajrajt, Arben Idrizit, Halil Matoshit, Nokë Sinishtajt, Teola Shkodrës, Lumnije Hoxhës, Ndue Ukajt, Nikollë Berishajt, Hajredin Kovaçit e Rrok Berishajt, por edhe për poezinë e veprave të ndryshme të autorëve botërorë, siç është poezia e veprës së Ch. Bukovski dhe ajo e veprës së E. Paundit. Gojçaj është studiues, i cili, jo vetëm në bazë të dijes dhe mendjes së studiuesit, por edhe të zemrës së ndjeshme të poetit dhe ndjenjës së kultivuar poetike të tij, arrin të analizojë e interpretojë, të vërejë e të shquajë, dhe të shqiptojë atë që është qenësore, karakteristike, vlerë ose e metë e një poeti. Në kapitullin e dytë (“Me shpirt”), Gojçaj trajton veprat e ndryshme në prozë, të autorëve shqiptarë, si veprën e I. Kadaresë, të A. Plasarit, R. M. Shalës, A. N. Berishës, K. F. Shabanit, F. Camajt, A. Bishës, A. Gjuravçajt e I. Berjashit, dhe veprat në prozë të autorëve botërorë, si veprën e I. Zvevos dhe të G. Grassit. Autori flet për elementet e ndryshme të veprave, si temën, idetë, stilin etj., për të veçuar prirjet e posaçme të krijuesit dhe veçoritë karakteristike të veprave si dhe vlerat e tyre.Në pjesën e tretë të veprës (“Me tru”), kanë zënë vend trajtimet dhe vlerësimet e A. Gojçat për disa nga veprat diskursive për letërsinë, të autorëve, si: A. Berishaj, B. Çapriqi, N. Ukaj, K. Shala, A. Çapaliku e N. Krasniqi. Interpretimet dhe vlerësimet e rëndësishme të këtij kapitulli, dëshmojnë njëherazi përgatitjen e formimin e lartë shkencor të A. Gojçajt dhe aftësinë e tij për t’u marrë edhe me veprat më të rëndësishme e më të vështira të shkencës së letërsisë. Formimi i lartë, jo vetëm letrar, kultura dhe horizonti i gjerë e i gjithanshëm i diturive i kanë dhënë mundësi Gojçat që me mjaft kompetencë shkencore të merret edhe me vepra të fushave të ndryshme të dijes. Kështu, në kapitullin e katërt të veprës (“Menyja mikste “), ai meret me vlerësimi e veprës socio-linguistike të H. Shabanit, me vlerësimin e veprës gjeografike të dr. N. Dragës, me vlerësimin e veprën së historisë fetare të N. Ukgjinit, me vlerësimin e veprës etnografike të M. Nikës, me vlerësimin e veprës historiko-letrare të S. Malohoxhiqit dhe me vlerësimin e veprës psikologjike të don N. Gjolajt.Erudicioni letrar, filozofik e estetik, i kanë mundësuar A. Gojçajt të merret edhe me trajtimin e çështjeve të ndryshme të letërsisë, të filozofisë e të estetikë dhe të realizojë ese të bukura për poezinë e B. Çapriqit e të H. Shabanit, për baladën“Dikur në vjeshtë” të Dh. Qiriazit, për veprën filozofike ”Bashkëpirja” (Gostia) të Platonit dhe për pikëpamjet estetike të shën Toma Akuinit. Në këto ese ku autori dëshmon erudicionin, forcën e analizës e të interpretimit, forcën e shprehjes dhe të ndërtimit të tekstit të bukur, merret me trajtimin e mjaft veçorive të poezisë së B. Çapriqit, ndër të cilat edhe me figuracionin dhe semantikën e tij, por, veçmas, me filozofinë apo, siç e quan autori, metafizikën e udhëtimit të poezisë së B. Çapriqit; me poezinë e H. Shabanit, karakteristikat dalluese të saj (melankolia, natyra bregdetare, ironia therrëse, komponenta e meditacionit, frymëzimet poetike erotike dhe dallimet e trajtimit të erotikës, sipas veprave, leksiku i florës e faunës bregdetare, gjuha poetike, stili i rrjedhshëm etj.); me natyrën e baladës, temën e dashurisë dhe mënyrën e trajtimit të saj në veprën “Dikur në vjeshtë” të Dh. Qiriazit, si dhe mospajtimin me vlerësimin injorues të saj; me trajtimin e erosit në veprën “Bashkëpirja” (Gostia) të Platonit, teknikën e ndërtimit të rrëfimit, analizën e ligjëratave, pikëpamjeve të Platonit për erosin dhe vlerësimin e veprës “Bashkëpirja” të Platonit, si “zbërthim brilant i misterit të erotikës në jetën njerëzore dhe elozh dashurisë dhe pavdekësisë…, një elozh të lartë dritës së mendjes njerëzore” (f. 231); me probleme të artit, letërsisë, filozofisë dhe të estetikës së Mesjetës dhe sidomos me pikëpamjet estetike të shën Toma Akuinit. Siç shihet, vepra “Shija e librit” është një vepër me vlerë të madhe për letërsinë dhe kulturën përgjithësisht në të cilën janë trajtuar veprat e gjinive, llojeve e formave të ndryshme (poezi, prozë, tekste diskursive etj.); vepra fushash të ndryshme: letrare (letërsi kombëtare, letërsi botërore, letërsi për të rritur, letërsi për fëmijë), vepra gjuhësore, filozofike, historike, religjioze, gjeografike, psikologjike etj. , për të cilat gjithnjë është shprehur fjala me peshë e shkencëtarit. Shkrimet e Gojçajt për letërsinë tregojnë formimin e lartë letrar të tij, kulturën e gjerë e të thellë letrare, shijen dhe ndjenjën e shkrimtarit të talentuar e të formuar. A. Gojçaj nuk bën improvizime pa vlerë dhe teori personale. Shkrimet e tij ai i mbështet në dijet e qëndrueshme e të sprovuara, në aftësinë, përvojën dhe etikën e shkencëtarit të aftë e të arsyeshëm për t’u marrë me vlerësime kompetente të veprave të mëdha të letërsisë kombëtare e botërore. Veç kësaj, vepra e tij “Shija…” nuk sjell vetëm trajtimin dhe vlerësimin e rëndësishëm të veprave të ndryshme, me të cilat merret në kuadër të veprës së vet, po edhe informacionet e gjera e të thella diturore të fushave të ndryshme, me të cilat merret. Shkrimet e A. Gojçajt për letërsinë nuk priren kah një kritikë e ashpër, kritikë e shikimit të të metave. Ai, siç thekson në parathënie, nuk ka pretenduar të shkruajë kritikë letrare, por vetëm përshtypjet e tij personale për disa vepra, të cilat e kanë joshur për “këtë” apo “atë” (f. 6), apo të bëjë një debat për veprat, i cili “nuk i dëmton, por i aktualizon” ato (f. 6). Ajo është kështu një kritikë dashamirëse, kritikë e afirmimit të vlerave, sipas së cilës, A. Gojçaj i qaset veprës me dashamirësi e butësi, duke marrw leximin “si njëfarë “shujte shpirtërore”, kurse recensionin si një dolli përshëndetëse për librin” (f. 6). Por, shprehja e përshtypjeve personale, apo debati i cili nuk dëmton, po aktualizon veprat, e cila vjen si porosi për përsosjen e mëtejshme të artit, nuk nënkupton krejtësisht mungesën e kritikës, po një qëndrim dhe vlerësim të sinqertë të studiuesit dhe vlerësimin kritik objektiv, i cili nuk mungon në vepër. Gjuha e shkrimeve të veprës “Shija e librit “, synon gjithnjë saktësinë dhe fuqinë e shprehjes, të realizuara qoftë përmes gjuhës shkencore, qoftë përmes gjuhës artistike. Prandaj, varësisht se ç’dominon në tekstet që trajton (përmbajtja, lloji, forma) ose tekstet që krijon, autori përdor gjuhën e tij përmes së cilës saktëson shkencorisht ose artistikisht. Refleksionet, mendimet dhe vlerësimet e tij për veprat A. Gojçaj i shpreh përmes një gjuhe të përshtashme shkencore. Ai përdor terminologjinë e nevojshme e të saktë dhe formulimet e fuqishme gjuhësore. Stili i tij ka saktësinë, forcën, sugjestivitetin. Anton Gojçaj është studiues, por është edhe poet. Prirja e tij si poet ndjehet edhe në kuadër të shkrimit shkencor për letërsinë dhe në esetë e tij. Shpesh, në shkrimin e tij, ai shpreh edhe ndjenjën e strukturuar përmes shprehjes së bukur poetike. Por, shprehja e ndjenjës dhe përdorimi i gjuhës poetike, në kuadër të shkrimit diskursiv të Gojçajt, është gjithnjë me masë dhe nuk e cenon aspak natyrën shkencore të shkrimit të tij. Autori, shfrytëzon shprehjen poetike për të nyjtuar ndjenjën e cila është si rezultat i përjetimit të veprës që trajton dhe si plotësim ose si përmbyllje e mendimit të tij shkencor për të. Prandaj, ndjenja dhe shprehja poetike e bëjnë edhe më të plotë gjykimin e autorit për veprën, ndërsa shkrimin e tij më të fuqishë dhe më të bukur.Prandaj, vepra “Shija e librit…” me shumësinë, larminë e peshën e çështjeve të trajtuara si dhe me nivelin e trajtimit tyre, dëshmon, ndër të tjera, se Anton Gojçaj, pa dyshim, bën pjesë në radhën e studiuesve më të spikatur shqiptarë sot.


ANTON GOJÇAJ - Poetry

ANTON GOJÇAJ

Half of the World

I feel sorry that I cannot sing as the stars do
I feel sorry that I cannot be silenced as the stars do

to see you as the star wherever I go
because you are a star
to see me as a star wherever I may go
although I am not a star

(translated by Fadil Bajraj)


The Energy of Poetry

the world needs
another world

the rays of distant stars
a way for the heart of origin
words floating through the oceans
searching the colony of art

is it a blaze of the sea
or a mist hiding the truth
the universe needs
another vers

(translated by Fadil Bajraj)



Time of the Heart

Penelope loved Odysseus so much
she waited for him 20 years

a step she didn’t take
after him
though

neither did I dive
into the Heraclitus river
nor did you swim to the shore

a corpless bird
on a branch at Eden is tree
sings in absolute silence
out our forever never again

but once
one time
you were everything

let Heraclitus be right
but Penelopes is arguments
have been proved straight from
the Olympus parliament

Odysseus still has
faith in Homer

(translated by Nik Leshai)


The Miracle Being Alive

in Prishtina streets
I studied fear
While being chased by police
I called on America


when I saw flowers
near tanks sprouting
I cursed Europe
prayed for Albania

for the friends I had then
I’m conquered by nostalgia
No, we did not perform miracles
it’s a miracle we’re alive

(translated by Nik Leshai)

ANTON GOJÇAJ - Poezi

ANTON GOJÇAJ


HERET BËHET VONË

VRAPO E DASHURA IME

buka jonë e bardhë

përngjasim vetëtime

më shpejt se yjtë e hëna

vrapo e dashura ime

shirat në ty lahen

flakërojnë vegime

dhelpër është klepsidra

vrapo e dashura ime

pritjen zgjat thëllimi

ngutuni gëzime

heret bëhet vonë

vrapo e dashura ime

24 ORË

mirëmëngjes e dashur

drita vjen nga gjinjtë

në shkretëtirën pagane

ujësjellës të rinj

mirëdita e dashur

sot rash në provim

zjarret tua vajzë

vadisin shiun tim

mirëmbrëma e dashur

e nesërmja është ve’

shumë yje ka gjithësia

ekzistojmë vetëm ne

VAJZA QË ECËN

ME OMBRELLË NËPËR BORË

sa shumë që duheshim

atë mbrëmje me bore

si s’ta bëra me dorë

si s’ma bëre me dorë

kur luheshim qiellorë

me djallëzoren ironi

si s’ma bëre me sy

si s’ta bëra me sy

do të duhemi përsëri

netëve pa orë

do të vishemi me florë

do të shkrihemi në bore

GJUHA SHQIPE ËSHTË E BUKUR

gjuha shqipe është e bukur

se ajo e flet

kur hap sytë si kroje të thella

kësaj toke i përngjet

brekë me yje ajo vesh’

pa turpin gënjeshtar

rock and roll këndon vallëzon

vajza ujëvarë

bora shkrihet prej

buzëqeshjes së saj

do të vdisja krejt pa lidhje

të më qajë ajo pastaj

AS PO AS JO

një vjershë asgjë e re as e jashtëzakonshme

miliona vjersha janë shkruar edhe një le të shkruhet

në sallën e madhe vetëm kujtoj ëndrrën e pamortshme

zoti duhet të jetë pikëlluar që na i përzieu gjuhët

një zog tragjikomik humbi këngën në ujëvarë

peshkut të artë duke dashur adhurim t’i shfaqë

ndjenjëkulluar harroi i ngrati se rrjedhja s’ka të ndalë

peshku shkoi ai mbeti lumturia zgjati kaq

ku shkëlqeu njëherë premtimi për humbësin ideal

si t ë mos kishte ngjarë kurrë një mrekulli

djaj të lëngët rrëzohen thik pikat e lumit fatal

o s’kam çka të bëj veç të thërmohem në njëqind mij’

MREKULLIA E EKZISTENCËS

rrugëve të prishtinës

studiova frikën

policët kah më ndiqnin

thërrisja amerikën

lulet kur i shihja

pranë tankeve si mbijnë

e shaja europën

lutesha për shqipërinë

për miqtë e mi të atëhershëm

më pushton një mallë

jo nuk bëmë çudira

çudi që jemi gjallë

LARGIMI ISHTE VEÇ FILLIMI I KTHIMIT

lindën e vdiqën shumë ndërkohë

as hartat s’janë si dikur

unë desha një tjetër vajzë

dhe ti a thua ke burrë

je trashur sipas zërit të botës

ke shtuar në masë ke humbur në shpirt

edhe njerëzit atje vuajnë akoma

në këtë botë vuajnë më të mirët

vendi shenjt e ruan sekretin

muzikë të devotshme ku zemrat dirigjuan

kush s’e njeh pikëllimin s’ia di jetës lezetin

ne tepër u deshëm dhe dot nuk ndryshuam

SHPIRTI

ti nuk je më emri që ke qenë

as pyetja as përgjigjja as unaza e besës

unë jam dikush tjetër se ti më ke lënë

vitet tek unë kanë peshën e vesës

pse më ther në gjoks fajin e ka koha

pa mish do të mbetet ‘i here rrethi i diellit

republikae dëshprimit mëe gjerë seç e besova

mos e festo urrejtje heshtjen e rebelit

mos më shlyej nga libri sot po të qes be

njëkohësisht jam hije edhe lëndë drite

ardhja e feniksit nis me një rrufe

dhe ushqehet me thërrime metafizike

NJERIU I MIRË

kurrë s’më ke munguar kështu si sonte

larg nënës pa të dashurën larg atdheut pa miq

shkarravit vargje pa kuptim mjerë kush u besonte

shpellave të kohëve përplasem lakuriq

ujqit janë shumuar dhe kanë mallë për ty

fotografohen për gazeta merren me politikë

mish qengji drekojnë verë të kuqe pijnë

me sex makina luajnë dhe çmallen me muzikë

dikush sonte pa një pikë loti qan përnjëmend

as i lirë as në burg as dhëndërr as murg

ulurin nëpër shi kërkon profilin tënd

poet është ndoshta po ndoshta edhe vetë ujk

RRËFIMI I NJË LYPËSI TË ÇUDITSHËM

unë kurrë s’kam pasur gjë

vazhdoj të jetoj në pritje

i vogël i padenjë për të fshehtat

i mbrami në çdo renditje

unë kurrë s’kam lypur shumë

para as nam as titull

tepër ndoshta pata veç gjumë

dhe ndonjë yll të fikur

unë kurrë diçka nuk bëra

që të mos e shkruaj këtë këngë

sytë po m’i vret rëra

tash po i fshij me mëngë

BUZËQESHJA E GJELBËR

bari është i gjelbër

si buzëqeshja e motrës

si vajzë e puthur së pari

para se t’i çelë sytë sërish

bari është i gjelbër

si thellësi e detit

mozaik në qiell netësh poetike

krejt lumturia tokësore kjo është

dhe nyje tragjike

në brigjet e lumenjve të rinisë

bari gjithmonë është i gjelbër

REGËTIMË

nuk qajnë kambanat

vetëm pranvera vonohet

për bashkimin tonë

që nuk po realizohet

më e dashura ime

GJYSMA E BOTËS

më vjen keq që nuk di të këndoj si yjet

më vjen keq që nuk di të hesht si yjet

si yllin të të shoh ngado që të shkoj

se yll je

si yllin të më shohësh ngado që të shkoj

megjithëse nuk jam yll

ENERGJIA E POEZISË

botës i duhet

edhe një botë

rrezet e yjve të largët

rrugë për në zemrën e zanafillës

fjalët notojnë oqeaneve

në kërkim të mundësisë së re

për koloninë e artit

është shkëlqim i artit

a mjegull që e fsheh të vërtetën

universit i duhet

edhe një vers

PA

po ata sy

në po atë baltë

po ajo pike

e vogël në hartë

por

pa

pa

pa