NË
1700-VJETORIN E EDIKTIT TË MILANOS
Kur të krishterët fituan lirinë
Konstandini
i Madh, perandori romak me origjinë ilire (lindi në Naisus të Dardanisë
antike), i njohur edhe si themeluesi i Konstandinopojës - Stambollit të sotëm,
lejoi në vitin 313 që besimtarët e krishterë të gëzojnë të drejtën ta ushtrojnë
lirisht besimin e vet, njësoj si edhe besimtarët e feve të tjera të kohës në
Perandorinë Romake.
Anton Gojçaj
Sivjet në botë
kremtohet një jubile i rrallë, 1700-vjetori i Ediktit të Milanos. Bazuar te
faktet historike, shqiptarët e sotëm, të cilët e ndiejnë veten si pasardhës të
ilirëve të lashtë, kanë arsye që kësaj date t'i kushtojnë vëmendje për disa
arsye, jo vetëm fetare, por ata këtë jubile po e kalojnë disi në heshtje, të
mos them me indiferencë.
Çfarë ka ndodhur
në vitin 313, që e shënon gjithë bota dhe që edhe ne kemi arsye (dhe detyrim
civilizues) ta kujtojmë me më shumë respekt, sot?
Konstandini i
Madh, perandori romak me origjinë ilire (lindi në Naisus të Dardanisë antike),
i njohur edhe si themeluesi i Konstandinopojës - Stambollit të sotëm, lejoi që
besimtarët e krishterë ta gëzojnë të drejtën të ushtrojnë lirisht besimin e
vet, njësoj si besimtarët e feve të tjera të kohës në Perandorinë Romake. Të
krishterët mundën të dalin nga katakombet dhe fituan gjithashtu të drejtën për
të ndërtuar tempujt, kishat e veta. Në Ediktin e Milanos, përveç tjerash
shkruan:
" Kur
ne, Konstandini dhe Licini perandor, jemi takuar në Milano dhe kemi diskutuar
rreth të mirës dhe sigurisë publike dhe na është dukur se, ndër gjërat që do të
mund t'i sillte përparësi njerëzimit, nderimi që i dhurohet Hyjnisë meritonte
vëmendjen tonë kryesore, dhe se do të ishte e drejtë që t'u jepet të
Krishterëve dhe të gjithë të tjerëve liria që ta ndjekin fenë e cila u duket më
e preferueshme, kështu që, Hyji që gjendet në selinë qiellore, mund të jetë
ndaj nesh dhe ndaj të nënshtruarëve tanë, i mirë dhe i volitshëm. (....)
4. Prandaj, ju bëjmë me dije që, pa marrë parasysh urdhëresat e
mëparshme lidhur me të Krishterët, të gjithë atyre që vendsin ta ndjekin këtë
fe, duhet t'u mundësohet kjo në liri të plotë dhe nuk duhet të jenë të trazuar
në asnjë mënyrë. "
(përkthimi i don Lush Gjergjit).
Edikti i Milanos
fakton se feja e krishterë deri në vitin 313 ishte e ndaluar brenda kufijve të
Perandorisë Romake dhe se legalizimi i saj nuk nënkuptonte ndalimin e feve të
tjera. Vërteton po ashtu se krishterimi nuk u bë menjëherë feja (e vetme)
zyrtare e Perandorisë. Edikti vetëm u dha krishterëve të drejtën që edhe ata të
gëzojnë të drejtat e barabarta me besimtarët e feve të tjera të kohës. Pra, Edikti
vetëm e legalizoi krishterimin. Mirëpo, pas kësaj date bota nuk qe më e njëjta.
Ndikimi i krishterimit kapi dimensione europiane por edhe botërore (në shoqëri,
filozofi, shkencë dhe sidomos në arte). Feja e krishterë paraqet njërën nga
shtyllat identitare të civilizimit euro-perëndimor për gati dy mijë vite, pa i
mohuar edhe kontributet e proveniencave të tjera. Gjatë dy mileniumeve janë
bërë edhe veprime të këqija në emrin e krishterimit, për çka papa Gjon Pali II,
si prijës i Kishës Katolike, kërkoi falje publikisht.
Fakti se
perandori Konstandin (274-337) ishte nga Dardania, domethënë ilir, lë shteg për
ta kuptuar këtë hap të tij jo vetëm si gjest diplomatik të një prijësi pragmatik,
i cili merr vendime të dobishme për Perandorinë përballë sfidave të kohës, por
edhe në një drejtim tjetër. Konstandini vinte nga një trevë (Dardania) ku
krishterimi veç kishte lëshuar rrënjë dhe të cilin ky, ndoshta, e njihte mirë. Shën
Pali që në shekullin e parë, në rrugën e vet drejt Romës, predikoi "lajmin
e gëzueshëm" edhe në trevat e banuara me ilirë. Në Letrat e apostujve, më
saktësisht në letrën e Palit drejtuar romakëve shkruan: " Kështu,
qysh prej Jeruzalemit e për qark në Iliri e kam përhapur Ungjillin e Krishtit"
(Bibla, Ferizaj 1994, f. 1606 - përthyes dom Simon Filipaj), kurse në letrën
dërguar Titit, kemi një dëshmi tjetër: "Kur ta dërgoj te ti
Arteminin, hiq e eja te unë në Nikopol, sepse atje vendosa ta kaloj dimrin."
(Bibla, Ferizaj 1994, f. 1685). Nikopoli ishte emri i një qyteti antik në Epir,
në hapësirën afër Prevezës së sotme.
Shembujt e
lartshënuar rrëzojnë një tezë të lakuar jo rrallë në debatet tona, që duke u
përsëritur shpesh pretendon të shndërrohet në një opinion të përgjithshëm, që
thot se krishterimin në këto treva e prunë dhe e imponuan pushtuesit romakë. E
vërteta është se deri në vitin 313 të krishterët ishin të përndjekur dhe të
persekutuar, ndëshkoheshin pa mëshirë, u hidheshin bishave të uritura në arenë,
mu nga romakët... Kryeapostulli, shën Pjetri por edhe shën Pali, përfunduan si
martirë, u vranë në Romë. Logjika e bazuar në faktografi thot se mesazhet
ungjillore që shpërndau shën Pali, më pastaj edhe nxënësit e tij, më parë i
përqafoi populli i nënshtruar, pra ilirët që ishin skllevër dhe të pushtuar,
sesa romakët, që ishin sundues. Shpresa për jetën e amshuar dhe shpërblimi në
formën e Parajsës, pas vdekjes, që premtonte Ungjilli, si kompensim për
vuajtjet dhe mundimet e pamerituara në këtë jetë, mund të ketë qenë më tepër se
një ngushëllim për të shtypurit dhe të privuarit nga liria. Krishterimi në
trevat ilire u përhap jo me zjarrin dhe shpatën romake, sepse romakët nuk e
predikonin por e luftonin krishterimin. Pas vitit 313 krishterimi vazhdoi të
përhapej në Perandorinë Romake, pjesë e së cilës ishte edhe Ilirikumi ose tokat
e banuara me ilirë, por tani në liri dhe pa kërcënimin e kurrfarë rreziku.
Krishterimi është
i pranishëm në trevat e Ballkanit (dhe Shqipërisë) qysh në shekullin e parë,
pra dy mijë vite, pa ndërprerje deri në ditën e sotme. Popullsia e këtij rajoni
ka filluar ta pranojë këtë fe ndër të parat në gjithë Perandorinë. Nuk e bënë
romakët konvertimin e ilirëve nga paganë në të krishterë, por e kundërta, një
perandor romak me origjinë ilire e legalizoi krishterimin në gjithë Peraadorinë,
thënë figurativisht – një ilir ia hapi derën "krishterizimit" të
Perandorisë Romake.
Këto data është
mirë që të shënohen, jo me qëllimin për të provokuar ndenjat e besimtarëve të
feve të tjera, apo të ateistëve, por thjesht për të mos lejuar që gjysmë të
vërtetat dhe falsifikimet ta deformojnë ecurinë e gjërave, sepse deformimi i së
kaluarës çon në deformimin e ardhmërisë. Shqiptarët e të gjitha trevave (vetëm
në Shqipëri është bërë një simpozium, por edhe ai pa shumë publicitet) sikur
nuk po e çmojnë shumë të rëndësishme ta kujtojnë me respektin që u takon
vendimin historik të perandorit romak me origjinë ilire. Serbia ndërkaq,
megjithëse në kohën kur lindi dhe jetoi Konstandini, sipas të dhënave
historike, sllavët ende nuk kishin ardhur në trevat e shtetit të sotëm të
Serbisë, këtë jubile po e shënojnë duke organizuar një sërë aktivitetesh lidhur
me Konstandinin dhe Ediktin e Milanos, si ekspozita të ndryshme tematike,
shfaqje teatri, konkurs për filma të vizatuar në këtë temë, filma dokumentarë e
madje - mediat serbe shkruajnë për një film artistik me buxhetin prej mëse 100
milion dollarësh që do t'i besohet një regjisori të njohur nga Holivudi
(lakohet emri i Xhejms Kamerunit), duke shpallur botërisht se personalitetin
dhe veprimtarinë e Konstandinit të Madh e vlerësojnë dhe e konsiderojnë pjesë
të trashëgimisë së vet kulturore, qoftë edhe për faktin se ai ka lindur në
Naisus (Nishi i sotëm në Serbi).
Kush provon ta
mjegullojë apo ta falsifikojë burimin e të vërtetës mund ta ketë për synim ta
ndërrojë edhe objektiv(itet)in e saj. Në anën tjetër, ata që vetë rrinë
duarkryq dhe indiferentë në raport me një ngjarje me rëndësi epokale, siç është
Edikti i Milanos, nuk e di sa kanë të drejtë morale të kritikojnë të tjerët
qoftë për shtrembërime faktesh, qoftë për përvetësime me prapavijë politike.
Është mirë që ata
të cilët kanë dije dhe ndershmëri morale t’i orientojnë njerëzit herë pas here
kah burimi, që aty t'i lajnë sytë nga ndotjet e kohëve dhe të kujdesen së bashku
për higjienën historike dhe të trashëgimisë, vazhdimësi dhe pjesë e së cilës edhe
shqiptarët pretendojmë të jenë.