PJESË TË KRIJIMTARISË SË ANTON GOJÇAJ-t NË GJUHË TË HUAJA


PJESË TË KRIJIMTARISË SË ANTON GOJÇAJ-t NË GJUHË TË HUAJA



Ann Arbor Review: International Journal of Poetry

ANN ARBOR REVIEW

Pjesë të krijimtarisë së Anton Gojçajt përkthehen dhe botohen në gjuhë të huaja.
Kështu në revistën amerikane An Arbor Review - International Journal of Poetry, Issue 12 fall 2013, është botuar në gjuhën angleze poezia "LIGHT ON THE SEAS" (titulli i origjinalit "DRITA NË DETE"), në përkthimin e Peter Tases.\\\


Po ashtu, këto ditë, në panoramën e prozës së shkurtër të shkrimtarëve të popujve pakicë në Mal të Zi "Na putu putnici" (Në rrugë udhëtarë), shtypur nga Qendra për ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës së pakicave në Malin e Zi, në Podgoricë, është përfshirë edhe tregimi i Anton Gojçajt me titullin "Dera e zemrës", në gjuhën shqipe dhe e përkthyer (nga vetë autori) në gjuhën malazeze me titullin "Vrata srca

Dr. Bahri Brisku për Anton Gojçaj



Dr BAHRI BRISKU:

Anton Gojçaj është një prej krijuesve më të frytshëm në Mal të Zi. Shkruan poezi, proza merret edhe me kritikë letrare. Ka botuar Qengji i harruam në mal, Herojt nacional në letërsi dhe Passio, roman, Proza letrare e Anton Harapit dhe Shija e librit (interpretim). Vepra prozaike e tij – Ndërmjet kapakëve, është një përmbledhje e prozave të tij që e cilëson një ndër prozatorët me aftësi të madhe vrojtuese. Ky posedon një invencion të fantazisë dhe të gjetjeve cilësore të rrëfimeve. Antoni, me një stil të butë, arrin që të na njoh me misteret e artit letrar të kulturës së lashtë nacionale dhe me veprën e madhe të letërsisë botërore që është Bibla. Anton Gojçaj disponon me një vizion të spikatjes së aftësive permanente hulumtuese si në planin e ideve si dhe të tematikës së krijimeve.
Shkrimtari Anton Gojçaj, posedon origjinalitet krijues, i cili dukshëm e dallon nga krijuesit tjerë. Kjo veti e tija na dëshmon që sa më i fuqishëm të jetë individualiteti krijues, aq më shpejt arrin krijuesi te shkalla më e lartë e pasqyrimit të realitetit në vepër.
                                                                     (Koha Javore, mars 2013)

VEPRA E FRA ANDRIJA KAÇIQ MIOSHIQ-it- nga Anton Gojçaj



U BOTUA, E PËRKTHYER SHQIP, VEPRA E FRA ANDRIJA KAÇIQ MIOSHIQ-it,  

Skënderbeu - hero i një vepre të shekullit XVIII   
(ANDRIJA KAÇIQ MIOSHIQ, GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU, poemë, përktheu: Smajl Smaka, botoi: UEGEN, Tiranë 2012)     


1.Autori: Andrija Kaçiq Mioshiq  (Fra Andrija Kačić Miošić), filozof, kronikan, njëri nga autorët që krijuan letërsi në gjuhën e popullit (kroat),  lindi në Brist, afër qytetit bregdetar Makarska (në Dalmaci, sot pjesë e Kroacisë),  në vitin 1704. Në shënimet biografike për autorin që botuesi shqiptar jep në fund të librit, thuhet: “Sipas disa shënimeve, familja e tij pas vdekjes së Skënderbeut, kishte zbritur në Dalmaci nga rrethi i Shkodrës.”  (Ç’është e vërteta në Bajzë-Malësi e Madhe, afër Shkodrës, edhe sot ka familje me mbiemrin Kaçaj ,nga të cilët më të njohurit janë basi i famshëm i muzikës shqipe Lukë Kaçaj, poeti Dodë Kaçaj e tjerë.)
Në moshën 16 vjeçare u fut në urdhrin e françeskanëve dhe mori emrin Andrija (emri i pagëzimit ishte Antun). Studioi për filozofi dhe teologji në Budim (1721-1724) dhe në Osijek (1724-1728). Përveç si meshtar, punoi edhe si profesor i filozofisë, kurse në vitin 1731 në Venecie dha provimin për profesor general të teologjisë. Vdiq në vitin 1760.                                                                                                                      Pas vetes ka lënë katër vepra të botuara, prej të cilave tri janë shkruar në gjuhën e popullit (kroatisht: pučka književnost) dhe një në gjuhën latine. Të gjitha u botuan (ndoshta edhe u shkruan) në dekadën e fundit të jetës së tij:                                                                                                        
1. Elementa peripathetica, 1752, kurs i filozofisë. 
2. Razgovor ugodni naroda slovinskoga (Bisedë e këndshme e popullit sllav) ,
poezi e prozë, 1756.
3.  Razgovor ugodni naroda slovinskoga, botim i dytë, i zgjeruar, 1759. 
4. Korabljica (Arka), 1760.

2. Libri: Vepra, në origjinal, mban titullin “Razgovor ugodni naroda slovinskoga“ (Bisedë e këndshme e popullit sllav) dhe është botuar për herë të parë në vitin 1759. Libri është i hartuar në prozë dhe në vargje.
Botuesi shqiptar ia ka ndryshuar titullin librit, besoj për arsye sepse nuk është përkthyer në tërësi, por vetëm cikli i këngëve që i kushtohen Gjergj Kastriotit, të cilat përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të librit. Nuk janë përkthyer disa pjesë të vogla në prozë të cilat po ashtu flasin për Gjergj Kastriotin. Do të kishte qenë më korrekte sikur botuesi, ose përkthyesi, ta kishte shënuar në cilin botim është mbështetur përkthimi.  
Poeti, në ciklin e poemave historiko-heroike, përshkruan edhe trimëritë e prijësit të Shqipërisë, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.                                                                    
Duhet thënë se Kaçiq – Mioshiq në këtë vepër del mjaft konfuz në çështjen e barazimit (sinonimik) të ilirëve me sllavët, d.m.th. sipas tij ilirët dhe sllavët janë i njëjti popull. Studiuesi malazias Vojislav P. Nikçeviq, këtë e shpjegon kështu: ” ilirizmi te rilindësit kroatë ishte vetëm një jugosllavizëm deklarativ joreal dhe për këtë arsye edhe dështoi...” (Vojislav P. Nikčević. Mažuranić i Njegoš o Crnoj Gori i Crnogorcima - kulturološki pristup, në: IVAN MAŽURANIĆ (1814-1890) I CRNA GORA, zbornik, Cetinje-Osijek, 2011, f. 62). Nga e njëjta bindje, historikisht e gabuar, u nisën edhe aktivistët kroatë të shekullit XIX të cilët lëvizjen e vet kombëtare e pagëzuan “Ilirski preporod” (Rilindja ilire). Sigurisht që një rol këtu luajti fakti se, në kohën kur u shkrua ky libër, sllavët  jetonin me shekuj në hapësira të mëdha të kësaj pjese të Ballkanit, ku dikur jetonin fiset ilire dhe se pa dyshim, ndër sllavët e atëhershëm (dhe të sotëm) të jugut ka një përqindje të gjakut ilir. 
Kaçiq - Mioshiq  jo rrallë bën përshkrime të mjegullta, jo të qarta, të mos them kundërthënëse, kështu për shembull në pjesët e shkruara në prozë,  pasi Bardhylin, Pleuratin, Agronin, Gencin, Teutën e të tjerët i quan sllavë,  më vonë kur bën kronikën historike të sllavëve (alias ilirëve) ai përmend se në vitin 541 pas Krishtit në këto treva arriti sundimtari sllav Ostroillo, i cili i dëboi “sllavët e moçëm” dhe në tokat e tyre ngulën  “sllavët e rinj (ter istiravši stare Slovince iz Država slovinski, svoje iznova naseli).  Veç disa rreshta më tej ai thotë se në vitin 552  mbreti Svevlad “i pushtoi Maqedoninë dhe Ilirinë, e pastaj ato vende u quajtën sllave.” (Na 552. Kralj Svevlad osvoji Macedoniju i Iliriju, ter se ove države tada slovinske prozvaše.)
Origjinali është i shkruar në dhjetërrokëshin epik, pa rimë, kurse përkthimi është bërë në tetërrokësh, me rimë. Mund të thuhet se përkthimi ofron, të paktën, mundësinë që edhe lexuesit pa pretendime shkencore të marrin sadokudo informacione dhe të krijojnë një ide për këtë vepër, e cila nuk është krejtësisht e panjohur për studiuesit shqiptarë (Skendi Stavro ka bërë një studim krahasues të kësaj vepre me “Lahutën e Malcis’” të Atë Gjergj Fishtës, në gjuhën angleze, Nju-Jork 1980.)  Kjo është vepra më e lexuar e letërsisë kroate të shekullit XVIII dhe deri sot ka pasur mbi 65 (ri)botime. Fragmente të librit janë përkthyer edhe në italisht, gjermanisht, frëngjisht, latinisht, bullgarisht, çekisht, sllovakisht, rusisht, maqedonisht, hungarisht, shqip. Popullaritetin europian të veprës duhet kërkuar në mbështetjen e fuqishme të autorit te letërsia gojore, që ishte ndër veçoritë kryesore sidomos të frymës së romantizmit. Në vepër i thuren lavde Venedikut për luftërat kundër osmanëve. Cikli i këngëve kushtuar Skënderbut u frymëzua nga veprat e Marin Barletit, Biemit e ndonjë tjetri. Andrija Kaçiq Mioshiq Skënderbeun e sheh si hero të krishterë, i cili duke luftuar për lirinë e vendit të vet, njëkohësisht lufton edhe për krishterimin:

“Vëllezër mos u frikësoni,
 që osmanët kanë më shumë ushtarë:
 ata Muhamedin e tyre festojnë,
 e ne të Jezusit emër të mbarë.”

Është shekulli XVIII kur u shkrua libri, koha kur kombet (nacionet) ende nuk kishin marrë konotacionin që kanë sot, sidomos jo në Ballkan, kurse vetë Perandoria Osmane luftonte nën flamurin e Islamit, prandaj kjo dioptri e Kaçiq Mioshiqit nuk duhet parë as interpretuar jashtë botëkuptimeve të asaj kohe.
“ Nuk ka nënë të ketë lindur një trim /   si e ka lindur nëna – Skënderbeun” - klith poeti, duke mos e fshehur ekzaltimin e vet ndaj personalitetit të jashtëzakonshëm të princit të Arbërisë.
Si venetofil i identifikuar, Kaçiqi u gjet në situatë jokomode kur deshi të përshkruajë luftën e fatosit shqiptar kundër ushtrisë së Venedikut, e cila përbëhej nga kroatë, italianë, latinë... Gjendjen psikologjike të Skënderbeut dhe strategjinë e tij afatgjatë poeti e jep përmes këshillës zemërgjerë drejtuar ushtarëve të vet : 

“ Por, ju lutem, vëllezër, të dashurit e mi,
  kur ta dërmoni ushtrinë e prijësit të zi
  e lëshoni shëndosh e plot gazmi
  të ikë në Shkodrën e bardhë si tani.

Poeti këtë moment jokomod për të, pra përleshjen e Skënderbeut me Venedikun, e zgjidh me një kompromis, duke konfirmuar fitoren e të parit, por edhe duke ruajtur dinjitetin e ushtarëve të Venedikut në disfatë:

“ Godiste Moisiu latinët e rinj,
  por mbrohen si trima me fletë,
  kur Skënderbeu ra mbi kroatët si veri,
  nuk mund t’i lëvizte dot as vetë. 
   
3-Në vend të përfundimit
Autori kroat i shekullit XVIII, Andrija Kaçiq Mioshiq, pra një shekull para se të marrë hov Rilindja shqiptare, para lexuesve sllavë por edhe të gjithë popujve të tjerë dëshmon botërisht se, për “ngritjen në qiellin mitik” të personalitetit më të madh të historisë së shqiptarëve, po aq kontribut sa vetë shqiptarët, e nganjëherë ndoshta edhe më shumë, dhanë krijuesit e popujve të tjerë europianë.  E Skënderbeu e meritoi këtë, për guximin “e marrë” që pati t’i kundërvihej fuqisë më të tmerrshme të kohës, për mençurinë prej strategu lufta e të cilit nuk zgjati vetëm një natë as vetëm në një betejë, por një çerek shekulli, me luftra të përgjakshme, pothuaj vit për vit, por sidomos për krenarinë liridashëse dhe atdhedashëse që u la shqiptarëve. Natyrisht edhe për respektimin e vlerave europiane, djepi i të cilave, sado që tash dikuj kjo mund t’i tingëllojë ironike, ishte në këtë pjesë të Europës.     

                                                                                        Anton Gojçaj
        

Antonimet (s’) bëhen sinonime - nga ANTON GOJÇAJ



KËRKESA E AUTORITETEVE TURKE PËR RISHIKIMIN E HISTORISË SË SHQIPTARËVE ËSHTË NDËRHYRJE JASHTËSHKENCORE   

Antonimet (s’) bëhen sinonime


Anton Gojçaj

Nevoja për rishikimin dhe rishkrimin e historisë është e përhershme dhe e natyrshme. Ky farë rishikimi është i justifikueshëm nëse udhëhiqet nga parime civilizuese dhe si rrjedhojë e zhvillimit të vetëdijes shkencore, apo kur zbulohen fakte të reja...
Debati që po zhvillohet në media, sidomos në rrjete sociale, për kërkesën e autoriteteve (të politikës) turke drejtuar historianëve shqiptarë (të Kosovës), për rishikimin e historisë së shqiptarëve në Perandorinë Otomane në tekstet mësimore, ka provokuar reagime dhe replika. Argumentet që mohojnë të drejtën morale, politike dhe shkencore të autoriteteve turke, në këtë drejtim, janë të shumta.  
Humanisti Marin Barleti, në librin "Rrethimi i Shkodrës", botuar në fillim të shekullit XVI, përshkruan, nga perspektiva e "të rrethuarit", rrethimin dhe rënien e Shkodrës nën osmanët. Dëshmia e tij, si vëzhgues "nga brenda" është burim i dorës së parë. Barleti, përmes gojës së Flor Jonimës, një komandant i mbrojtësve, tregon se si e përjetonin shkodranët ardhjen e osmanëve: "Ata do të futen ndër banesat tona e aty do të rrojnë më së miri, kurse ne do të braktisim qytetin dhe do të detyrohemi të ndërtojmë ndër fusha disa kolibe e kasolle të këqija si stane barinjsh. Si do të kemi mundësi të qëndrojmë pa tregun tonë, pa kishat tona, pa varrezat e të parëve tanë? (...) Ne jemi gjak tjetër, kemi të tjera zakone, të tjera kanune e ligje, tagre të tjera e institucione të tjera, ne kemi tjetër fe; pastaj, as martesa me ta s'është legjitime. (...) Ata rrëmbyen nga krahët e nënave të krishtere foshnjat dhe fëmijët e rritur dhe ua hoqën sytë prindërve. Ata dhunuan gratë në sytë e burrave të tyre; u çnderuan vajzat; torturuan meshkujt ashtu si u pëlqente atyre; i bënë skllevër dhe i mbajtën si bagëti." (nga fjalimi i Flor Jonimës në librin: Marin Barleti, Rrethimi i Shkodrës, Tiranë 1982, f. 117-118). 
Dikush mund të mendojë se fjalët e Barletit janë veç hiperbolizime të një të munduri të dëshpëruar... Tursun beu, kronikan turk, dëshmitar i gjallë i luftrave pushtuese, përshkruan çfarë ndodhte me popullsinë e vendeve të pushtuara, pasi binin në duartë e osmanëve: 
Në Bosnje: " ushtarët islamë shtrëngonin ndër krahë dhe puthnin djemkat e këndshëm dhe vashat e tyre të dashura në sy të të pafeve, ndërsa këta skërmisheshin si qen." (Kronikat e Tursun Beut, Tiranë 2011, f. 91)
Në Shqipëri (Elbasan, Shkodër): " Me ndihmën e më të Lartit, pushtuan çdo strehë që mësynë dhe grabitën e plaçkitën kaq shumë pasuri frymore e jofrymore, saqë djelmosha me tipare engjëllore dhe vasha me pamje hyrish, që vlenin tre a katër mijë aspra, krijesa të këndshme me tipare të tilla që mjaft që t'i shihje në fytyrë që të të ikte mendja, shiteshin vetëm për tre apo katërqind aspra. Prej kufomave të shumta, lugina të thella tanimë ngjasonin si të ishin kodra. (...) Pati ndalesa ku u shkuan në shpatë deri në tre mijë, katër mijë, shtatë mijë nga të pafetë. (f. 150) ... të gjithë djemtë dhe vashat e tyre u kapën dhe u bënë robër, ndërsa meshkujt e rritur u mblodhën dhe u lidhën me zinxhirë. Në çdo vendqëndrim, në prani të Sundimtarit, u ekzekutuan me një të rënë shpate aq shumë të pafe sa qe e pamundur të llogariteshin. (po aty, f. 154)  
Përshkrimet e kronikanit osman i vërtetojnë (përputhen me) ato të humanistit shqiptar. 
Turqia viteve të fundit ka bërë zhvillime të fuqishme në ekonomi, kulturë, turizëm, por në trajtimin e historisë së Perandorisë Otomane, si duket, ndjenja e supremacisë  eklipson maturinë e racionales dhe nuk përkon me etikën e mirësjelljes së një miku (të deklaruar).
Autoriteteve turke mund t’u pëlqejë lavdia dhe fuqia e Perandorisë Osmane, por fragmentet e sipërcituara otomanët i përshkruajnë qartë si pushtues, si nga këndvështrimi i të rrethuarve/pushtuarve ashtu edhe nga ai i ushtrisë që ushtron rrethimin. Fjalët “pushtues” dhe “çlirues” në gramatikë janë antonime dhe jo sinonime. Rrjedhojë e "bashkimit të dhunshëm me Perandorinë Osmane", siç e quan Robert Elsie statusin e shqiptarëve në Perandori, qe se një pjesë e madhe e popullsisë, sidomos aristokracia dhe elita urbane, e braktisi atdheun. Arbëreshët e Italisë, në këngët e bukura popullore, e ruajtën me shekuj adhurimin për Skënderbeun dhe mallin për Arbërinë, por gjithashtu edhe mllefin për atë - që i la pa atdhe. Shfaqen spekulime se “e mira - brenda të keqes” që u ngjau shqiptarëve me rënien nën sundimin osman ishte se shpëtuan nga sllavizimi... Qysh prej Aristotelit, te “Poetika”, dihet se historia merret me ato që ngjajnë/kanë ngjarë, pra me fakte, kurse me ato që mund/kanë mundur të ngjajnë merret letërsia, sepse janë pjesë e fantazisë. Arbëreshët hapën kolegje dhe shkruan “arbërisht” në Itali, në kohën kur kultura shqiptare në Turqinë Osmane ngulfatej sistematikisht. 
Studiuesi gjerman Peter Bartl shkaqet e konvertimit masiv të shqiptarëve në fenë islame, nuk i sheh si tradhëti, as si "shpëtim nga sllavizimi", por si një proces në përputhje me rrethanat e kohës. Islamizimin e shqiptarëve Bartl e shpjegon kështu: 1. Për të mos paguar taksën e xhizja-n, që paguanin vetëm jo-myslimanët; 2. Nga dëshira për të avancuar në karrierën ushtarake dhe administrative, sepse myslimani, pa marrë parasysh origjinën etnike, mund të arrinte çdo post në ushtri dhe administratë; 3. Nga frika, sidomos në shekujt XVII-XVIII, pas kryengritjeve të thyera nga osmanët; 4. Për shkak të gjendjes së mjerë të kishave të Shqipërisë dhe numrit të vogël të priftërinjve, shpesh të paarsimuar, madje analfabetë. Këto motive mbizotëronin, por, në raste të veçanta, mund të ketë pasur edhe ndonjë motiv tjetër.
Në një periudhë mëse 500 vjeçare është normale të ketë pasur "intermexo” paqeje dhe zhvillimi, por edhe ato të pjesshme dhe të kufizuara. Përmenden dhjetëra vezirë me origjinë shqiptare... Puna është se ata nuk u bënë vezirë duke ndihmuar popullin shqiptar, por duke i vënë krejt kapacitetet e veta fizike e mendore në shërbim të zgjerimit dhe forcimit të Portës së Lartë. Liri nuk është vetëm të ushqehesh mirë, të merresh me tregti, që janë të drejta individuale... Liri është kur ti gëzon edhe të drejtën (kolektive) ta zhvillosh gjuhën dhe kulturën tënde. Kur mungon kjo, aty s'ka raporte aleance, por vetëm "bashkim të dhunshëm". 
“Historianë” të ndryshëm (autodidaktë) përsërisin vazhdimisht refrenin se Shqipëria është formuar kundër vullnetit të Europës... Mirëpo Shqipëria u krijua me bekimin e Perëndimit, pa marrë parasysh shumë kundërshtarë fanatikë brenda gjirit të vetë asaj. Sami Frashëri, para mëse një shekulli, tha: " Sot, shumë Shqipëtarë, nëntëdhetë për qint, munt të themi, s'janë Shqipëtarë as me mënt as me zemrë; kombin' e tyre e gjuhënë s'e duanë as e nderojnë; s'duan të këndojn'  e të shkruajnë në gjuhët të tyre, edhe shumë kanë turp edhe të flasin shqip!" (Sami Frashëri, "Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do të bëhet", Rilindja, Prishtinë 1978, f. 103). 
Disa të tjerë, ndërkaq, me këmbëngulje duan të na bindin se Austro-Hungaria ishte armike e shqiptarëve. Studiuesja Elena Kocaqi Levanti, në librin "Si e krijoi Austro-Hungaria shtetin shqiptar?", Tiranë 2012, me një aparaturë rigoroze shkencore të mbështetur në një "mal" materialesh arkivore, fakton se Austro-Hungaria, natyrisht se  në vazhdën e interesave të veta gjeo-politike, qysh disa decenie para shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar ka punuar – “pro” krijimit të shtetit të shqiptarëve. Por edhe pas pavarësimit të Shqipërisë vazhdonte ta mbronte atë. Më 17 tetor 1913, Austro-Hungaria i dërgoi Serbisë një ultimatum 8-ditësh për ta tërhequr ushtrinë nga territoret e pushtuara të Shqipërisë londineze. Serbia, më 25 tetor 1913, e lëshoi Shqipërinë. 
Shkenca e historisë mbështetet në arkiva, në dokumente, e jo në nostalgjira pseudoshkencore në shërbim të matricave të ndryshme politike, që (sikur) ëndërrojnë ringjalljen e perandorive të vdekura. 

Sulltan Hamiti i Kuq ( i përgjakur)