NË 1700-VJETORIN E EDIKTIT TË MILANOS
Kur të krishterët fituan lirinë
Konstandini i Madh,
perandori romak me origjinë ilire (lindi në Naisus të Dardanisë antike), i
njohur edhe si themeluesi i Konstandinopojës - Stambollit të sotëm, lejoi në
vitin 313 që besimtarët e krishterë të gëzojnë të drejtën ta ushtrojnë lirisht
besimin e vet, njësoj si edhe besimtarët e feve të tjera të kohës në
Perandorinë Romake.
Nga Anton Gojçaj
Sivjet në botë kremtohet
një jubile i rrallë, 1700-vjetori i Ediktit të Milanos. Bazuar te faktet
historike, shqiptarët e sotëm, të cilët e ndiejnë veten si pasardhës të ilirëve
të lashtë, kanë arsye që kësaj date t'i kushtojnë vëmendje për disa arsye, jo
vetëm fetare, por ata këtë jubile po e kalojnë disi në heshtje, të mos them me indiferencë.
Çfarë ka ndodhur në vitin
313, që e shënon gjithë bota dhe që edhe ne kemi arsye (dhe detyrim civilizues)
ta kujtojmë me më shumë respekt, sot?
Konstandini i Madh,
perandori romak me origjinë ilire (lindi në Naisus të Dardanisë antike), i
njohur edhe si themeluesi i Konstandinopojës - Stambollit të sotëm, lejoi që
besimtarët e krishterë ta gëzojnë të drejtën të ushtrojnë lirisht besimin e
vet, njësoj si besimtarët e feve të tjera të kohës në Perandorinë Romake. Të
krishterët mundën të dalin nga katakombet dhe fituan gjithashtu të drejtën për
të ndërtuar tempujt, kishat e veta. Në Ediktin e Milanos, përveç tjerash
shkruan:
" Kur ne,
Konstandini dhe Licini perandor, jemi takuar në Milano dhe kemi diskutuar rreth
të mirës dhe sigurisë publike dhe na është dukur se, ndër gjërat që do të mund
t'i sillte përparësi njerëzimit, nderimi që i dhurohet Hyjnisë meritonte
vëmendjen tonë kryesore, dhe se do të ishte e drejtë që t'u jepet të
Krishterëve dhe të gjithë të tjerëve liria që ta ndjekin fenë e cila u duket më
e preferueshme, kështu që, Hyji që gjendet në selinë qiellore, mund të jetë
ndaj nesh dhe ndaj të nënshtruarëve tanë, i mirë dhe i volitshëm. (....)
4. Prandaj, ju bëjmë me dije që, pa marrë parasysh urdhëresat e
mëparshme lidhur me të Krishterët, të gjithë atyre që vendsin ta ndjekin këtë
fe, duhet t'u mundësohet kjo në liri të plotë dhe nuk duhet të jenë të trazuar
në asnjë mënyrë. "
(përkthimi i don Lush Gjergjit).
Edikti i Milanos fakton
se feja e krishterë deri në vitin 313 ishte e ndaluar brenda kufijve të
Perandorisë Romake dhe se legalizimi i saj nuk nënkuptonte ndalimin e feve të
tjera. Vërteton po ashtu se krishterimi nuk u bë menjëherë feja (e vetme)
zyrtare e Perandorisë. Edikti vetëm u dha krishterëve të drejtën që edhe ata të
gëzojnë të drejtat e barabarta me besimtarët e feve të tjera të kohës. Pra, Edikti
vetëm e legalizoi krishterimin. Mirëpo, pas kësaj date bota nuk qe më e njëjta.
Ndikimi i krishterimit kapi dimensione europiane por edhe botërore (në shoqëri,
filozofi, shkencë dhe sidomos në arte). Feja e krishterë paraqet njërën nga
shtyllat identitare të civilizimit euro-perëndimor për gati dy mijë vite, pa i
mohuar edhe kontributet e proveniencave të tjera. Gjatë dy mileniumeve janë
bërë edhe veprime të këqija në emrin e krishterimit, për çka papa Gjon Pali II,
si prijës i Kishës Katolike, kërkoi falje publikisht.
Fakti se perandori
Konstandin (274-337) ishte nga Dardania, domethënë ilir, lë shteg për ta kuptuar
këtë hap të tij jo vetëm si gjest diplomatik të një prijësi pragmatik, i cili
merr vendime të dobishme për Perandorinë përballë sfidave të kohës, por edhe në
një drejtim tjetër. Konstandini vinte nga një trevë (Dardania) ku krishterimi
veç kishte lëshuar rrënjë dhe të cilin ky, ndoshta, e njihte mirë. Shën Pali që
në shekullin e parë, në rrugën e vet drejt Romës, predikoi "lajmin e gëzueshëm"
edhe në trevat e banuara me ilirë. Në Letrat e apostujve, më saktësisht në
letrën e Palit drejtuar romakëve shkruan: " Kështu, qysh prej
Jeruzalemit e për qark në Iliri e kam përhapur Ungjillin e Krishtit"
(Bibla, Ferizaj 1994, f. 1606 - përthyes dom Simon Filipaj), kurse në letrën
dërguar Titit, kemi një dëshmi tjetër: "Kur ta dërgoj te ti
Arteminin, hiq e eja te unë në Nikopol, sepse atje vendosa ta kaloj dimrin."
(Bibla, Ferizaj 1994, f. 1685). Nikopoli ishte emri i një qyteti antik në Epir,
në hapësirën afër Prevezës së sotme.
Shembujt e lartshënuar rrëzojnë
një tezë të lakuar jo rrallë në debatet tona, që duke u përsëritur shpesh pretendon
të shndërrohet në një opinion të përgjithshëm, që thot se krishterimin në këto
treva e prunë dhe e imponuan pushtuesit romakë. E vërteta është se deri në
vitin 313 të krishterët ishin të përndjekur dhe të persekutuar, ndëshkoheshin
pa mëshirë, u hidheshin bishave të uritura në arenë, mu nga romakët...
Kryeapostulli, shën Pjetri por edhe shën Pali, përfunduan si martirë, u vranë
në Romë. Logjika e bazuar në faktografi thot se mesazhet ungjillore që
shpërndau shën Pali, më pastaj edhe nxënësit e tij, më parë i përqafoi populli
i nënshtruar, pra ilirët që ishin skllevër dhe të pushtuar, sesa romakët, që
ishin sundues. Shpresa për jetën e amshuar dhe shpërblimi në formën e Parajsës,
pas vdekjes, që premtonte Ungjilli, si kompensim për vuajtjet dhe mundimet e
pamerituara në këtë jetë, mund të ketë qenë më tepër se një ngushëllim për të
shtypurit dhe të privuarit nga liria. Krishterimi në trevat ilire u përhap jo
me zjarrin dhe shpatën romake, sepse romakët nuk e predikonin por e luftonin
krishterimin. Pas vitit 313 krishterimi vazhdoi të përhapej në Perandorinë
Romake, pjesë e së cilës ishte edhe Ilirikumi ose tokat e banuara me ilirë, por
tani në liri dhe pa kërcënimin e kurrfarë rreziku.
Krishterimi është i
pranishëm në trevat e Ballkanit (dhe Shqipërisë) qysh në shekullin e parë, pra
dy mijë vite, pa ndërprerje deri në ditën e sotme. Popullsia e këtij rajoni ka
filluar ta pranojë këtë fe ndër të parat në gjithë Perandorinë. Nuk e bënë
romakët konvertimin e ilirëve nga paganë në të krishterë, por e kundërta, një
perandor romak me origjinë ilire e legalizoi krishterimin në gjithë Peraadorinë,
thënë figurativisht – një ilir ia hapi derën "krishterizimit" të
Perandorisë Romake.
Këto data është mirë që
të shënohen, jo me qëllimin për të provokuar ndenjat e besimtarëve të feve të
tjera, apo të ateistëve, por thjesht për të mos lejuar që gjysmë të vërtetat
dhe falsifikimet ta deformojnë ecurinë e gjërave, sepse deformimi i së kaluarës
çon në deformimin e ardhmërisë. Shqiptarët e të gjitha trevave (vetëm në
Shqipëri është bërë një simpozium, por edhe ai pa shumë publicitet) sikur nuk
po e çmojnë shumë të rëndësishme ta kujtojnë me respektin që u takon vendimin
historik të perandorit romak me origjinë ilire. Serbia ndërkaq, megjithëse në
kohën kur lindi dhe jetoi Konstandini, sipas të dhënave historike, sllavët ende
nuk kishin ardhur në trevat e shtetit të sotëm të Serbisë, këtë jubile po e
shënojnë duke organizuar një sërë aktivitetesh lidhur me Konstandinin dhe
Ediktin e Milanos, si ekspozita të ndryshme tematike, shfaqje teatri, konkurs
për filma të vizatuar në këtë temë, filma dokumentarë e madje - mediat serbe
shkruajnë për një film artistik me buxhetin prej mëse 100 milion dollarësh që
do t'i besohet një regjisori të njohur nga Holivudi (lakohet emri i Xhejms
Kamerunit), duke shpallur botërisht se personalitetin dhe veprimtarinë e
Konstandinit të Madh e vlerësojnë dhe e konsiderojnë pjesë të trashëgimisë së
vet kulturore, qoftë edhe për faktin se ai ka lindur në Naisus (Nishi i sotëm
në Serbi).
Kush provon ta mjegullojë
apo ta falsifikojë burimin e të vërtetës mund ta ketë për synim ta ndërrojë
edhe objektiv(itet)in e saj. Në anën tjetër, ata që vetë rrinë duarkryq dhe
indiferentë në raport me një ngjarje me rëndësi epokale, siç është Edikti i
Milanos, nuk e di sa kanë të drejtë morale të kritikojnë të tjerët qoftë për
shtrembërime faktesh, qoftë për përvetësime me prapavijë politike.
Është mirë që ata të
cilët kanë dije dhe ndershmëri morale t’i orientojnë njerëzit herë pas here kah
burimi, që aty t'i lajnë sytë nga ndotjet e kohëve dhe të kujdesen së bashku
për higjienën historike dhe të trashëgimisë, vazhdimësi dhe pjesë e së cilës edhe
shqiptarët pretendojmë të jenë.