Antonimet (s’) bëhen sinonime - nga ANTON GOJÇAJ



KËRKESA E AUTORITETEVE TURKE PËR RISHIKIMIN E HISTORISË SË SHQIPTARËVE ËSHTË NDËRHYRJE JASHTËSHKENCORE   

Antonimet (s’) bëhen sinonime


Anton Gojçaj

Nevoja për rishikimin dhe rishkrimin e historisë është e përhershme dhe e natyrshme. Ky farë rishikimi është i justifikueshëm nëse udhëhiqet nga parime civilizuese dhe si rrjedhojë e zhvillimit të vetëdijes shkencore, apo kur zbulohen fakte të reja...
Debati që po zhvillohet në media, sidomos në rrjete sociale, për kërkesën e autoriteteve (të politikës) turke drejtuar historianëve shqiptarë (të Kosovës), për rishikimin e historisë së shqiptarëve në Perandorinë Otomane në tekstet mësimore, ka provokuar reagime dhe replika. Argumentet që mohojnë të drejtën morale, politike dhe shkencore të autoriteteve turke, në këtë drejtim, janë të shumta.  
Humanisti Marin Barleti, në librin "Rrethimi i Shkodrës", botuar në fillim të shekullit XVI, përshkruan, nga perspektiva e "të rrethuarit", rrethimin dhe rënien e Shkodrës nën osmanët. Dëshmia e tij, si vëzhgues "nga brenda" është burim i dorës së parë. Barleti, përmes gojës së Flor Jonimës, një komandant i mbrojtësve, tregon se si e përjetonin shkodranët ardhjen e osmanëve: "Ata do të futen ndër banesat tona e aty do të rrojnë më së miri, kurse ne do të braktisim qytetin dhe do të detyrohemi të ndërtojmë ndër fusha disa kolibe e kasolle të këqija si stane barinjsh. Si do të kemi mundësi të qëndrojmë pa tregun tonë, pa kishat tona, pa varrezat e të parëve tanë? (...) Ne jemi gjak tjetër, kemi të tjera zakone, të tjera kanune e ligje, tagre të tjera e institucione të tjera, ne kemi tjetër fe; pastaj, as martesa me ta s'është legjitime. (...) Ata rrëmbyen nga krahët e nënave të krishtere foshnjat dhe fëmijët e rritur dhe ua hoqën sytë prindërve. Ata dhunuan gratë në sytë e burrave të tyre; u çnderuan vajzat; torturuan meshkujt ashtu si u pëlqente atyre; i bënë skllevër dhe i mbajtën si bagëti." (nga fjalimi i Flor Jonimës në librin: Marin Barleti, Rrethimi i Shkodrës, Tiranë 1982, f. 117-118). 
Dikush mund të mendojë se fjalët e Barletit janë veç hiperbolizime të një të munduri të dëshpëruar... Tursun beu, kronikan turk, dëshmitar i gjallë i luftrave pushtuese, përshkruan çfarë ndodhte me popullsinë e vendeve të pushtuara, pasi binin në duartë e osmanëve: 
Në Bosnje: " ushtarët islamë shtrëngonin ndër krahë dhe puthnin djemkat e këndshëm dhe vashat e tyre të dashura në sy të të pafeve, ndërsa këta skërmisheshin si qen." (Kronikat e Tursun Beut, Tiranë 2011, f. 91)
Në Shqipëri (Elbasan, Shkodër): " Me ndihmën e më të Lartit, pushtuan çdo strehë që mësynë dhe grabitën e plaçkitën kaq shumë pasuri frymore e jofrymore, saqë djelmosha me tipare engjëllore dhe vasha me pamje hyrish, që vlenin tre a katër mijë aspra, krijesa të këndshme me tipare të tilla që mjaft që t'i shihje në fytyrë që të të ikte mendja, shiteshin vetëm për tre apo katërqind aspra. Prej kufomave të shumta, lugina të thella tanimë ngjasonin si të ishin kodra. (...) Pati ndalesa ku u shkuan në shpatë deri në tre mijë, katër mijë, shtatë mijë nga të pafetë. (f. 150) ... të gjithë djemtë dhe vashat e tyre u kapën dhe u bënë robër, ndërsa meshkujt e rritur u mblodhën dhe u lidhën me zinxhirë. Në çdo vendqëndrim, në prani të Sundimtarit, u ekzekutuan me një të rënë shpate aq shumë të pafe sa qe e pamundur të llogariteshin. (po aty, f. 154)  
Përshkrimet e kronikanit osman i vërtetojnë (përputhen me) ato të humanistit shqiptar. 
Turqia viteve të fundit ka bërë zhvillime të fuqishme në ekonomi, kulturë, turizëm, por në trajtimin e historisë së Perandorisë Otomane, si duket, ndjenja e supremacisë  eklipson maturinë e racionales dhe nuk përkon me etikën e mirësjelljes së një miku (të deklaruar).
Autoriteteve turke mund t’u pëlqejë lavdia dhe fuqia e Perandorisë Osmane, por fragmentet e sipërcituara otomanët i përshkruajnë qartë si pushtues, si nga këndvështrimi i të rrethuarve/pushtuarve ashtu edhe nga ai i ushtrisë që ushtron rrethimin. Fjalët “pushtues” dhe “çlirues” në gramatikë janë antonime dhe jo sinonime. Rrjedhojë e "bashkimit të dhunshëm me Perandorinë Osmane", siç e quan Robert Elsie statusin e shqiptarëve në Perandori, qe se një pjesë e madhe e popullsisë, sidomos aristokracia dhe elita urbane, e braktisi atdheun. Arbëreshët e Italisë, në këngët e bukura popullore, e ruajtën me shekuj adhurimin për Skënderbeun dhe mallin për Arbërinë, por gjithashtu edhe mllefin për atë - që i la pa atdhe. Shfaqen spekulime se “e mira - brenda të keqes” që u ngjau shqiptarëve me rënien nën sundimin osman ishte se shpëtuan nga sllavizimi... Qysh prej Aristotelit, te “Poetika”, dihet se historia merret me ato që ngjajnë/kanë ngjarë, pra me fakte, kurse me ato që mund/kanë mundur të ngjajnë merret letërsia, sepse janë pjesë e fantazisë. Arbëreshët hapën kolegje dhe shkruan “arbërisht” në Itali, në kohën kur kultura shqiptare në Turqinë Osmane ngulfatej sistematikisht. 
Studiuesi gjerman Peter Bartl shkaqet e konvertimit masiv të shqiptarëve në fenë islame, nuk i sheh si tradhëti, as si "shpëtim nga sllavizimi", por si një proces në përputhje me rrethanat e kohës. Islamizimin e shqiptarëve Bartl e shpjegon kështu: 1. Për të mos paguar taksën e xhizja-n, që paguanin vetëm jo-myslimanët; 2. Nga dëshira për të avancuar në karrierën ushtarake dhe administrative, sepse myslimani, pa marrë parasysh origjinën etnike, mund të arrinte çdo post në ushtri dhe administratë; 3. Nga frika, sidomos në shekujt XVII-XVIII, pas kryengritjeve të thyera nga osmanët; 4. Për shkak të gjendjes së mjerë të kishave të Shqipërisë dhe numrit të vogël të priftërinjve, shpesh të paarsimuar, madje analfabetë. Këto motive mbizotëronin, por, në raste të veçanta, mund të ketë pasur edhe ndonjë motiv tjetër.
Në një periudhë mëse 500 vjeçare është normale të ketë pasur "intermexo” paqeje dhe zhvillimi, por edhe ato të pjesshme dhe të kufizuara. Përmenden dhjetëra vezirë me origjinë shqiptare... Puna është se ata nuk u bënë vezirë duke ndihmuar popullin shqiptar, por duke i vënë krejt kapacitetet e veta fizike e mendore në shërbim të zgjerimit dhe forcimit të Portës së Lartë. Liri nuk është vetëm të ushqehesh mirë, të merresh me tregti, që janë të drejta individuale... Liri është kur ti gëzon edhe të drejtën (kolektive) ta zhvillosh gjuhën dhe kulturën tënde. Kur mungon kjo, aty s'ka raporte aleance, por vetëm "bashkim të dhunshëm". 
“Historianë” të ndryshëm (autodidaktë) përsërisin vazhdimisht refrenin se Shqipëria është formuar kundër vullnetit të Europës... Mirëpo Shqipëria u krijua me bekimin e Perëndimit, pa marrë parasysh shumë kundërshtarë fanatikë brenda gjirit të vetë asaj. Sami Frashëri, para mëse një shekulli, tha: " Sot, shumë Shqipëtarë, nëntëdhetë për qint, munt të themi, s'janë Shqipëtarë as me mënt as me zemrë; kombin' e tyre e gjuhënë s'e duanë as e nderojnë; s'duan të këndojn'  e të shkruajnë në gjuhët të tyre, edhe shumë kanë turp edhe të flasin shqip!" (Sami Frashëri, "Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do të bëhet", Rilindja, Prishtinë 1978, f. 103). 
Disa të tjerë, ndërkaq, me këmbëngulje duan të na bindin se Austro-Hungaria ishte armike e shqiptarëve. Studiuesja Elena Kocaqi Levanti, në librin "Si e krijoi Austro-Hungaria shtetin shqiptar?", Tiranë 2012, me një aparaturë rigoroze shkencore të mbështetur në një "mal" materialesh arkivore, fakton se Austro-Hungaria, natyrisht se  në vazhdën e interesave të veta gjeo-politike, qysh disa decenie para shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar ka punuar – “pro” krijimit të shtetit të shqiptarëve. Por edhe pas pavarësimit të Shqipërisë vazhdonte ta mbronte atë. Më 17 tetor 1913, Austro-Hungaria i dërgoi Serbisë një ultimatum 8-ditësh për ta tërhequr ushtrinë nga territoret e pushtuara të Shqipërisë londineze. Serbia, më 25 tetor 1913, e lëshoi Shqipërinë. 
Shkenca e historisë mbështetet në arkiva, në dokumente, e jo në nostalgjira pseudoshkencore në shërbim të matricave të ndryshme politike, që (sikur) ëndërrojnë ringjalljen e perandorive të vdekura. 

Sulltan Hamiti i Kuq ( i përgjakur)