KËRKESA E AUTORITETEVE TURKE PËR
RISHIKIMIN E HISTORISË SË SHQIPTARËVE ËSHTË NDËRHYRJE JASHTËSHKENCORE
Antonimet (s’) bëhen sinonime
Anton Gojçaj
Nevoja për
rishikimin dhe rishkrimin e historisë është e përhershme dhe e natyrshme. Ky
farë rishikimi është i justifikueshëm nëse udhëhiqet nga parime civilizuese dhe
si rrjedhojë e zhvillimit të vetëdijes shkencore, apo kur zbulohen fakte të reja...
Debati që po
zhvillohet në media, sidomos në rrjete sociale, për kërkesën e autoriteteve (të
politikës) turke drejtuar historianëve shqiptarë (të Kosovës), për rishikimin e
historisë së shqiptarëve në Perandorinë Otomane në tekstet mësimore, ka
provokuar reagime dhe replika. Argumentet që mohojnë të drejtën morale,
politike dhe shkencore të autoriteteve turke, në këtë drejtim, janë të
shumta.
Humanisti Marin
Barleti, në librin "Rrethimi i Shkodrës", botuar në fillim të
shekullit XVI, përshkruan, nga perspektiva e "të rrethuarit",
rrethimin dhe rënien e Shkodrës nën osmanët. Dëshmia e tij, si vëzhgues "nga
brenda" është burim i dorës së parë. Barleti, përmes gojës së Flor
Jonimës, një komandant i mbrojtësve, tregon se si e përjetonin shkodranët
ardhjen e osmanëve: "Ata do të futen ndër banesat tona e aty do
të rrojnë më së miri, kurse ne do të braktisim qytetin dhe do të detyrohemi të
ndërtojmë ndër fusha disa kolibe e kasolle të këqija si stane barinjsh. Si do
të kemi mundësi të qëndrojmë pa tregun tonë, pa kishat tona, pa varrezat e të
parëve tanë? (...) Ne jemi gjak tjetër, kemi të tjera zakone, të tjera kanune e
ligje, tagre të tjera e institucione të tjera, ne kemi tjetër fe; pastaj, as
martesa me ta s'është legjitime. (...) Ata rrëmbyen nga krahët e nënave të
krishtere foshnjat dhe fëmijët e rritur dhe ua hoqën sytë prindërve. Ata
dhunuan gratë në sytë e burrave të tyre; u çnderuan vajzat; torturuan meshkujt
ashtu si u pëlqente atyre; i bënë skllevër dhe i mbajtën si bagëti." (nga fjalimi i Flor Jonimës në
librin: Marin Barleti, Rrethimi i Shkodrës, Tiranë 1982, f. 117-118).
Dikush mund të
mendojë se fjalët e Barletit janë veç hiperbolizime të një të munduri të
dëshpëruar... Tursun beu, kronikan turk, dëshmitar i gjallë i luftrave
pushtuese, përshkruan çfarë ndodhte me popullsinë e vendeve të pushtuara, pasi
binin në duartë e osmanëve:
Në Bosnje:
" ushtarët islamë shtrëngonin ndër
krahë dhe puthnin djemkat e këndshëm dhe vashat e tyre të dashura në sy të të
pafeve, ndërsa këta skërmisheshin si qen."
(Kronikat
e Tursun Beut, Tiranë 2011, f. 91)
Në Shqipëri (Elbasan, Shkodër): " Me ndihmën e më të Lartit, pushtuan çdo strehë që mësynë dhe grabitën e
plaçkitën kaq shumë pasuri frymore e jofrymore, saqë djelmosha me tipare
engjëllore dhe vasha me pamje hyrish, që vlenin tre a katër mijë aspra, krijesa
të këndshme me tipare të tilla që mjaft që t'i shihje në fytyrë që të të ikte
mendja, shiteshin vetëm për tre apo katërqind aspra. Prej kufomave të shumta,
lugina të thella tanimë ngjasonin si të ishin kodra. (...) Pati ndalesa ku u
shkuan në shpatë deri në tre mijë, katër mijë, shtatë mijë nga të pafetë. (f.
150) ... të gjithë djemtë dhe vashat e tyre u kapën dhe u bënë robër, ndërsa
meshkujt e rritur u mblodhën dhe u lidhën me zinxhirë. Në çdo vendqëndrim, në
prani të Sundimtarit, u ekzekutuan me një të rënë shpate aq shumë të pafe sa qe
e pamundur të llogariteshin. (po aty, f. 154)
Përshkrimet e
kronikanit osman i vërtetojnë (përputhen me) ato të humanistit shqiptar.
Turqia viteve të
fundit ka bërë zhvillime të fuqishme në ekonomi, kulturë, turizëm, por në
trajtimin e historisë së Perandorisë Otomane, si duket, ndjenja e
supremacisë eklipson maturinë e
racionales dhe nuk përkon me etikën e mirësjelljes së një miku (të deklaruar).
Autoriteteve
turke mund t’u pëlqejë lavdia dhe fuqia e Perandorisë Osmane, por fragmentet e
sipërcituara otomanët i përshkruajnë qartë si pushtues, si nga këndvështrimi i
të rrethuarve/pushtuarve ashtu edhe nga ai i ushtrisë që ushtron rrethimin.
Fjalët “pushtues” dhe “çlirues” në gramatikë janë antonime dhe jo sinonime.
Rrjedhojë e "bashkimit të dhunshëm me Perandorinë Osmane", siç e quan
Robert Elsie statusin e shqiptarëve në Perandori, qe se një pjesë e madhe e
popullsisë, sidomos aristokracia dhe elita urbane, e braktisi atdheun.
Arbëreshët e Italisë, në këngët e bukura popullore, e ruajtën me shekuj
adhurimin për Skënderbeun dhe mallin për Arbërinë, por gjithashtu edhe mllefin
për atë - që i la pa atdhe. Shfaqen spekulime se “e mira - brenda të keqes” që
u ngjau shqiptarëve me rënien nën sundimin osman ishte se shpëtuan nga
sllavizimi... Qysh prej Aristotelit, te “Poetika”, dihet se historia merret me
ato që ngjajnë/kanë ngjarë, pra me fakte, kurse me ato që mund/kanë mundur të
ngjajnë merret letërsia, sepse janë pjesë e fantazisë. Arbëreshët hapën kolegje
dhe shkruan “arbërisht” në Itali, në kohën kur kultura shqiptare në Turqinë
Osmane ngulfatej sistematikisht.
Studiuesi
gjerman Peter Bartl shkaqet e konvertimit masiv të shqiptarëve në fenë islame,
nuk i sheh si tradhëti, as si "shpëtim nga sllavizimi", por si një
proces në përputhje me rrethanat e kohës. Islamizimin e shqiptarëve Bartl e
shpjegon kështu: 1. Për të mos paguar taksën e xhizja-n, që paguanin vetëm
jo-myslimanët; 2. Nga dëshira për të avancuar në karrierën ushtarake dhe
administrative, sepse myslimani, pa marrë parasysh origjinën etnike, mund të
arrinte çdo post në ushtri dhe administratë; 3. Nga frika, sidomos në shekujt
XVII-XVIII, pas kryengritjeve të thyera nga osmanët; 4. Për shkak të gjendjes
së mjerë të kishave të Shqipërisë dhe numrit të vogël të priftërinjve, shpesh
të paarsimuar, madje analfabetë. Këto motive mbizotëronin, por, në raste të
veçanta, mund të ketë pasur edhe ndonjë motiv tjetër.
Në një periudhë
mëse 500 vjeçare është normale të ketë pasur "intermexo” paqeje dhe
zhvillimi, por edhe ato të pjesshme dhe të kufizuara. Përmenden dhjetëra vezirë
me origjinë shqiptare... Puna është se ata nuk u bënë vezirë duke ndihmuar
popullin shqiptar, por duke i vënë krejt kapacitetet e veta fizike e mendore në
shërbim të zgjerimit dhe forcimit të Portës së Lartë. Liri nuk është vetëm të
ushqehesh mirë, të merresh me tregti, që janë të drejta individuale... Liri
është kur ti gëzon edhe të drejtën (kolektive) ta zhvillosh gjuhën dhe kulturën
tënde. Kur mungon kjo, aty s'ka raporte aleance, por vetëm "bashkim të
dhunshëm".
“Historianë” të
ndryshëm (autodidaktë) përsërisin vazhdimisht refrenin se Shqipëria është
formuar kundër vullnetit të Europës... Mirëpo Shqipëria u krijua me bekimin e
Perëndimit, pa marrë parasysh shumë kundërshtarë fanatikë brenda gjirit të vetë
asaj. Sami Frashëri, para mëse një
shekulli, tha: " Sot, shumë Shqipëtarë, nëntëdhetë për qint,
munt të themi, s'janë Shqipëtarë as me mënt as me zemrë; kombin' e tyre e
gjuhënë s'e duanë as e nderojnë; s'duan të këndojn' e të shkruajnë në gjuhët të tyre, edhe shumë kanë
turp edhe të flasin shqip!" (Sami Frashëri, "Shqipëria ç'ka
qenë, ç'është e ç'do të bëhet", Rilindja, Prishtinë 1978, f. 103).
Disa të tjerë,
ndërkaq, me këmbëngulje duan të na bindin se Austro-Hungaria ishte armike e
shqiptarëve. Studiuesja Elena Kocaqi Levanti, në librin "Si e krijoi
Austro-Hungaria shtetin shqiptar?", Tiranë 2012, me një aparaturë
rigoroze shkencore të mbështetur në një "mal" materialesh arkivore,
fakton se Austro-Hungaria, natyrisht se
në vazhdën e interesave të veta gjeo-politike, qysh disa decenie para
shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar ka punuar – “pro” krijimit të
shtetit të shqiptarëve. Por edhe pas pavarësimit të Shqipërisë vazhdonte ta
mbronte atë. Më 17 tetor 1913, Austro-Hungaria i dërgoi Serbisë një ultimatum
8-ditësh për ta tërhequr ushtrinë nga territoret e pushtuara të Shqipërisë
londineze. Serbia, më 25 tetor 1913, e lëshoi Shqipërinë.
Shkenca e
historisë mbështetet në arkiva, në dokumente, e jo në nostalgjira
pseudoshkencore në shërbim të matricave të ndryshme politike, që (sikur) ëndërrojnë
ringjalljen e perandorive të vdekura.
Sulltan Hamiti i Kuq ( i përgjakur) |