🔴Porositë etike në “kângët epike” të At Kolë Berishaj - nga Anton Gojçaj



Mr. ANTON GOJÇAJ
Porositë etike në “kângët epike” të At Kolë Berishaj-t


Abstrakt:

Ky studim trajton rreth njëzet këngë epike të veprës “Nderë e burrni ndër malet tona”. Kumtesa, pasi identifikon porositë kryesore, përpiqet të analizojë ngjyrimin e tyre. Nxirret përfundimi se porositë kryesore të këtyre këngëve e kanë për qëllim në radhë të parë edukimin e shëndetshëm etik/moral të recipientit, e më pak nxitjen e përjetimit estetik, megjithëse ato nuk e përjashtojnë domosdoshmërisht e gjithmonë njëra-tjetrën. Porositë herë jepen drejtpërdrejt nëpërmjet disa vargjeve brenda këngës, e herë janë të fshehura si frymë e padukshme dhe moral i fshehur në vetë ngjarjen për të cilën rrëfehet. Porositë herë i shpreh rrëfimtari epik (alias autori), e herë ndonjëri nga personazhet e këngës. Porositë e veçanta të shkapërderdhura në këngë të ndryshme, disa prej të cilave citohen në kumtesë, formojnë krye-porosinë e librit që nënkupton se ruajtja e vlerave morale/etike të të parëve, të rrënjosura në virtyte të përjetshme dhe në kundërshtim të veseve dhe transmetimi i tyre te brezat e rinj, është formula më e mirë, që i siguron të ardhmen identitetit të trashFjalët kyçe: këngë epike, letërsi popullore, këngë historike, personalitete historike, porosi etike, virtyt, ves, nderë, “burrni”
Vepra “Nderë e burrni ndër malet tona” përbëhet nga njëzet “kângë epike” të shkruara në dialektin e gegërishtes (gegnishtes). Janë epike, sepse në to rrëfehet për ngjarje të njohura nga historia dhe vetë personazhet për të cilat ato flasin nuk janë personazhe të sajuara letrare por personalitete të njohura historike për trevën e Malësisë së Madhe. Kur e sheh formën dhe përmbajtjen e tyre, mendja të shkon te këngët popullore historike.
Titulli i veprës shenjon se merret me trajtimin e dy virtyteve, “nderës dhe burrnisë”, aq karakteristike për malet tona. Qëllimin e veprës autori e përcakton që në kângën e parë, “Dy fjalë nga autori”:

Me nisë kangën për me këndue
Punët e burrave me ‘i kallzue. (f. 7) [1]


Vetë autori (brenda tekstit të këngës) porositë e veta i quan herë amanet e herë “kshilla” :

Njikto kshilla që ktu janë shkrue
Jo veç Hotit janë drejtue
Por si ty, si krejt Malsisë,
Si krejt “njerëzve” n’ rrugë të njerëzisë”! (f. 8)


Porositë këtu nuk janë këshilla të thata, koncize, as vetëm porosi të formuluara me fraza të thukta, megjithëse edhe të tilla ka, por kryesisht jepen përmes ngjarjeve të caktuara, “sa t kallzoj do punë burrnijet”, sepse etika sublime nuk materializohet me fjalë, por me akte, me “punë burrnijet”. Vetë “burrnia” si një virtyt i lartë në hierarkinë e vlerave etike në etnopsikologjinë e malësorit shqiptar, ndodh të arrihet edhe me fjalën e duhur në momentin dhe vendin e duhur, por kulmi i burrërisë arrihet me veprime konkrete, në situata dramatike:


Por jo me fjalë e fjalë të thata,
Por me vepra e punë të mbara.
(.45)


Porosia bazike, që herë në mënyrë retorike të drejtpërdrejtë e herë nëpërmjet ngjarjes që rrëfehet, paralajmërohet në kângën e parë:

Me ruejtë Besë, Fe e Burrni.
krejt veçant’ kshilloj rininë:
“Mos ta lan në terr Malsinë.”
Pun’të e mira mos me ‘i harrue
E çka a t‘ keq mos me e pranue,
Por prej kohës, diç me bashkue,
Diç me marrë, tuj kqyrë me zgjedhë
Disa gjan që na vlejnë.”
(f. 8)

Këshilla për të mos i harruar të parët, që deridiku mund të përkojë me kultin e të parëve, është e pranishme në disa kangë, si psh. :

Në çdo degë me përparue
për çka tpartë pan’ trashigue
Kurrë për t’ gjallë mos me i harrue,
Por me to me i gërshetue,
E n’ rrajë t’ vjetër me i shortue.”
(f. 42)


Një dukuri e dëmshme, e cila ka mbijetuar ndër malësorë deri në gjysmën e dytë të shekullit XX (në trevat e Malësisë brenda kufijve të Shqipërisë, për fat të keq, deri në shekullin XXI), është gjakmarrja, ndërsa rrëfimtari epik porosit për ta ndërprerë dhe për ta zëvendësuar me aktin e faljes, që paraqet një akt më të lavdishëm në peshoren e burrërisë:

 

Pse ma mirë e ma burrni
K’i me kenun per çdo djalë
Jo me vra, por për me falë!”
(f. 25-26)

Kusht i zhvillimit të arsyeshëm është bashkëpunimi dhe marrëveshja ndërmjetveti, këshillon poeti në një vend tjetër:

Rueni besë, rueni burrni,
Lidhnju s’ bashkut shpi për shpi,
Pa u da, pa u shpratallue
Shoq me shoq ju mirë me shkue.
N’ kjoftë se mirë shkoni ndër vedi,
S’ ka çka u ban krajli as mbreti.
(f. 68)


Rëndësi e madhe në këto këngë i jepet dënimit të përçarjes dhe luftës ndërmjet vëllezërve të një gjaku apo etnie: “S ki me vjejtë na vlla me vlla / për at tjetrin me u vra” (f. 12) Sidomos i jepet rëndësi marrëdhënieve të mira ndërmjet besimtarëve të feve të ndryshme dhe kujdesit që duhet shfaqur në respektimin e ndërsjellë. Në një rast, në vend të porosisë së prerë në mënyrën urdhërore, shfaqet një sintezë emocionalisht e fuqishme - në kohën e kryer, e cila duhet të shërbejë si udhërrëfyes për të ardhmen:

Për Bajram e Sh’Njon e Pashkë
Gjithmonë buk’ kanë hangër bashkë,
Shoqishojnë kaq e kanë dashtë.”
(f. 17)


Gjatë përshkrimit të një ngjarjeje të ndodhur në Guci, diku në fillimin e shekullit XX, me ç’rast, siç e thotë edhe ndonjë burim i kohës, disa malazezë apo serbë provuan t’i konvertojnë me dhunë shqiptarët myslimanë në të krishterë ortodoksë, pa marrë parasysh se autori i veprës është vetë prift i krishterë - katolik, fare nuk heziton për ta shprehur vullnetarisht dhe i padetyruar, shumë qartë, pikëpamjen e vet:

Se fenë kuj me ia dhunue
Asht gjynaf e keq për mue.
Me i prekun kuj në fe
Asht gjynaf e keq për ne.
(f. 111)


Duke jetuar dhe shërbyer si meshtar/famullitar në një mjedis jo mjaft të arsimuar çfarë ishte Traboini (mbarë Hoti) në dekadat e para pas Luftës II Botërore, ku ndoshta ishte i vetmi me shkollë të lartë (fakultet) të kryer, autori alias rrëfimtari i përkushtohet veçanërisht kultit të urtisë, prandaj porosit:

Fjaltë e t’ urtit me i ndigjue,
E mbas tij gjithmonë me shkue.
(f. 45)


Porositë/amanetet/këshillat në librin në fjalë të Atʹ Kolë Berishajt herë i thotë rrëfimtari e herë ndonjëri nga personazhet.

Letërsia si komunikim nënkupton dhënësin (dërguesin, autorin), mesazhin (tekstin) dhe marrësin (lexuesin). Cilit lexues ia “dërgon” tekstet e veta poetike (gjegjësisht porositë etike) At' Kolë Berishaj? Është e vështirë për ta besuar se autori, në momentin e shkrimit, mund t’i ketë pasur parasysh lexuesit e shekulit XXI, dhe realisht lexuesit e kohës së sotme vështirë mund të joshen nga ky lloj artikulimi letrar, kështu që përgjigja më e pranueshme është se këngët në fjalë u drejtohen bashkëkohësve të autorit, njerëzve me të cilët ai rrinte përditë - si famullitari i tyre, shumica e të cilëve ishin analfabetë. Pasi shumica e tyre nuk e zotëronin shkrim/leximin, këngët epike të Atʹ Kolës nuk do të barten nëpërmjet librit, por vetëm duke i kënduar të shoqëruara me instrumente muzikore popullore. Kush nuk di të lexojë, “di” të dëgjojë.

Njekta rreshta po i ve n'hulli,
Me i këndue n'lavd e çifteli,
Me i këndue djelt e Malsisë
(f. 8)

E prapëseprapë, porositë etike/letrare në fjalë te lexuesi-studiuesi i sotëm nuk vijnë si tekste këngësh të shoqëruara nga çiftelia apo lahuta - por si tekste të fiksuara në libër.
Një gjë është e qartë, kjo mënyrë e të shprehurit, në letërsinë bashkëkohore, duket anakronike, madje të tilla ishin edhe në kohën kur u shkruan. Sot ato mund të shërbejnë si material për hulumtimet e gjuhëtarëve, etnologëve, socioantropologëve etj. Prej tyre, po ashtu, mund të kuptohet në një masë të konsiderueshme mendësia e njerëzve të këtij nënqielli (Hotit, Malësisë së Madhe) diku në mesin e shekullit XX, pra si mendonin njerëzit dhe çfarë vlerësohej në atë trevë - në atë periudhë.

Titulli udhëzon se në vepër flitet për nderë dhe burrni (burrëri), por kjo nuk e përjashton mundësinë që edhe në këtë gjeo-histori heroike të ketë pasur edhe shembuj të “paburrnisë” dhe “pandershmërisë”, sepse në fund të fundit ndera identifikohet vetëm në krahasim me të pandershmen, burrëria në krahasim me paburrërinë, virtyti përballë vesit. Edhe “Në tokë t' burrave e t rodit t' trimit” ndodh që një komshi të therë me thika dhe të hedhë në shpellë një fëmijë dhjetëvjeçar, duke vënë në pikëpyetje nderin e burrërinë e malësorëve. Pikërisht ashtu siç ndodh në këngën “Kolë Zefi i Grudës” ku malësori falë (virtyti) gjakun e vëllait dhe të nipit dhjetëvjeçar – të vrarë (vesi) trupin e të cilit e gjejnë në shpellë ku e kishte hedhur gjaksori për të fshehur gjurmët e krimit. Dramaciteti në atë rast arrin kulmin dhe gjendja e rënduar psikologjike e folësit arrin përmasat hamletiane... Por në sprova të rënda shkëlqen burrëria, ashtu siç shkëlqen drita në errësirë. Ja si përshkruhet skena e faljes së dy gjaqeve, nëpërmjet gojës së personazhit të njohur Kolë Zefi i Grudës, para burrave të Malësisë që kanë ardhur tek ai me kërkesën për ta falë gjakun: :

S due m’u pvetë pse keni ardhë
Kuptoj mirë se jam shqyptar
(...)

Çka kam në zemër e dij vetë
E s’ asht nevoja as me m’ pvetë
(...)

E çka vije sot me ba
(...)

Mir e dij, mirë ma merr mendja
Por, i shkreti, a ma lshon zemra...!
(...)

... U lutem burra, se e kam shtirë
Venje 'i herë dorën në zemër ... “
(f.40-41)

Pas fjalimit drithërues që s'do ta turpëronte as një folës të rangut të Demostenit apo Ciceronit, Kolë Zefi, si një akrobat që ecën në tehun e thikës, shpalos gjendjen psikologjike dhe tundimet e veta para se të marrë vendimin. Në situatën kur nuk është e qartë, sipas etnopsikologjisë malësore/shqiptare, a më shumë koritet nëse falë apo nëse nuk falë – sepse falja mund të interpretohej edhe si shenjë e frikës apo e karakterit të dobët, Kola zgjodhi burrërinë para „trimërisë“, duke dhënë një shembull i cili bart në vete një porosi etike të shkallës superiore për brezat e ardhshëm - që çon drejt një katarze kolektive dhe kapërcen vetë kontekstin e këngës:

Fort Kol Zefi a përmallue
E 'i cop herë ai ka mendue,
E burrnisht në kambë asht çue
E me 'j za krejtsisht të marrun,
U asht sjellë edhe u ka thanun:
„Pa ndigjo, more meshtar,
Po filloj me ty ma parë,
Mirë ndigjoni shokë e kumbarë,
Ndigjo mirë, o bajraktar,
Më besoni tetanë mbarë,
Se ma ngusht kurrë nuk jam kanë,
Por ksaj punë s'kam kah me i dalë!...
Vlla e nip u kjoshin falë...!“
E me kta fali dy gjaqe,
E, lott prej sysh i shkuen për faqe,
E jo ktij, por me t' tanë shokë,
Krejt robnija shkrehi n' lot...!
(f.41)

Në mungesë të institucioneve të tjera shoqërore, arsimore e kulturore, e në kuadrin e veprimtarisë së institucioneve fetare ku vepronin si meshtarë e famullitarë, fretërit apo françeskajt shpesh kryenin edhe punë e funksione të tjera, si vjelës të folklorit, mësues, pajtues gjaqesh, shkrimtarë, mjekë, këhilltarë për gjithfarë çështjesh etj.

Në pikëpamjen stilistike, vërtet ka pikëtakime të dukshme me këngët popullore, si në përmbajtje, ashtu edhe në formë e figuracion, por ka edhe shenja autoriale, veçanërisht te përdorimi i shpeshtë i figurave përsëritëse, siç është psh anafora :


Si kanë mujt k’ta gjind me ardhë,
Si kanë mujt k’ta me u bashkue,
Si kanë mujt me u grumbullue,
Si kanë mujt priher m’u gjetë,
As t’ kinë le tetanë me fletë!?
(f. 56)

Figurë tjetër përsëritëse të cilën e përdor mjaft mirë Pater Kola është anadiploza, kur një a më shumë fjalë nga fundi i vargut paraprijës përsëriten në fillimin e vargut vijues:

Kanë peshue imë e hollë,
imë e hollë e ka peshue” (f. 86).

Në fushën e figuracionit poetik- sidomos te figurat e fjalës, Atʹ Kola nuk del shumë kreativ sepse përdor kryesisht krahasime kryesisht të njohura nga poezia popullore, si psh. “Atëherë turrë na janë dy trima / N’ shoqishojn si dy vetima “ (f. 12), apo si në rastin kur, në përputhje me vendin e kuvendin, “kraht’ e malsorit” janë: “T’fortë si shkambat, ku jetojnë, / T’shkathtë si shqypet, qi n’ta pushojnë” (f. 57)
Atʹ Kolë Berishaj në epikën e vet përdor shpesh dhe me vend fraza të ndryshme popullore, si psh. “Por kur zogu t’ pshton prej doret, / Sa t’jesh gjallë ma nuk e more” (f. 74), apo “Kam për qef, drutë, shkurt me kputë” (f. 62), “E s’len mizë në ta me ra!” (f. 56), “Se s’ka me i hi k’ti ferrë në kambë” (f. 24), “Çi t’dajnë qimen për mjedisit.” (f. 63), “Por s’flen Ora e Traboinit” (f. 69)
Vargu i përdorur është kryesisht tetërrokëshi - po t’i lexojmë fjalët ashtu siç shqiptohen në të folmen e Malësisë, duke e heshtur “ë”-në e pazëshme. Mirëpo “ë”-ja ekziston në versionin e shtypur në libër dhe po t’i lexonte ato një lexues nga jugu i Shqipërisë, apo dikush që i respekton rregullat e drejtshkrimit/drejtshqiptimit të gjuhës standarde, vargjet këtu shpesh do të dilnin dhjetë- e më tepër – rrokëshe. Këtë ndryshim e bën shqiptimi apo moshqiptimi i zanores “ë”, të cilën gegët e shkruajnë shpesh për arsye të caktuara (kuptimore), por nuk e shqiptojnë.
Këngët janë shkruar në formë njëkolonëshe, pra nuk janë të ndara në strofa. Kryesisht dominon rima e puthur ose çift, ku fjalët e fundit në dy vargje të njëpasnjëshme rimojnë ndërmjet tyre, sipas skemës aa-bb-cc... etj.:

Edhe i ndodhje që dij vetë
Qe pak kund mundesh me ‘e gjetë,
Dukagjin ki ba vaki
E si shembull du me shti
Porsi shembull du me dhanë
E prej saj gjithkush me zanë
(f. 21)


Ndodh të vërehen luhatje apo shmangie nga rima mbizotërese (rima çift), si psh atëherë kur një rimë e caktuar shtrihet në tri apo edhe më shumë vargje - por këto janë përjashtime. psh. :

Ky Kolë Zefi mirë ka pa
Pos se nipin ia kanë vra
kanë dashtë zemrën me ia tha.
Me mend t’ veta tuj mendue
Me tru t’ veta tuj përblue,
Si ky fmi do t’kenë mbarue
Trupi i tij kah do t’ kenë shkue?”
(f. 35).



Në rastin e lartcituar rima është ndërtuar sipas skemës aaa/bbbb. Ka edhe raste, të rralla, të shmangies së rimës së puthur, kur ndonjë varg i veçantë nuk rimon as me vargun paraprijës as me atë vijues. (psh. :

edhe pritat i kanë zanë.
Me luftue kshtu n’ dit ‘ne e sodit!
E pa pushkë e pa fishekë”
(f. 10)



Didaktika dhe arti poetik janë dy fusha të ndryshme dhe lexuesi i sotëm nuk i parapëlqen moralizimet në poezi, por duhet pasur parasysh dy gjëra: 1. se kemi të bëjmë me krijimet e një autori të lindur në malësinë shqiptare ku njerëzit me shekuj kanë jetuar në përkim me normat rigjide të Kanunit të maleve dhe 2. autori është edukuar me disiplinën e rreptë të rregulltarit në kuvendin françeskan, në përputhje me rregullat që përcaktoi shën Françesku i Asizit. Gërshetimi i etnopsikologjisë së malësorit shqiptar me disiplinën kristiane françeskane prodhoi njerëz virtytesh të larta dhe veprash të mëdha.
“Gegnishtja” e përdorur në këto “kângë” nuk është saktësisht trajta besnike e së folmes që flitet në trevat e Malësisë së Madhe në Malin e Zi të sotëm, por autori ka bërë përpjekje për të shkruar një gegnishte që i kapërcen kufijt e Hotit – pjesa në Malin e Zi, çka bie në sy sidomos shpesh te diftongu “ue”, i cili në të folmen e Malësisë këndej kufirit (në MZ) shqiptohet kryesisht “ua”.
Krejt në fund, një vërejtje qëllimmirë për botuesit, me dëshirën që lëshimet e ngjashme të parandalohen në botimet e ardhshme: vepra “Nderë e burrni ndër malet tona” e botuar në blenin e tretë të kompletit shumë të bukur trevëllimësh është e paredaktuar gjuhësisht dhe vërehen shumë lëshime teknike të panevojshme, sidomos te shënimi i “ë”-së e cila gati gjithkund del si “e” dhe po ashtu tingulli “ç” pothuaj gjithkund është shkruar si “c”, (psh. “edhe i thote, “ti hic m’u trembe” - f. 22). Këto nuk paraqiten si lëshime teknike (lapsus callami) në vetëm ndonjë rast të veçantë, por vërehen gati në të gjitha “kângët”, çka e vështirëson leximin, e rrjedhimisht ndikon edhe në përjetimin e plotë të vargjeve. Me mundësitë që ofron sot teknologjia dixhitale kjo ka qenë e lehtë për t’u evituar.


Burimet dhe literatura

Berishaj, Pater Kolë, Camaj-Pipa, Shkodër 2003;
Berishaj, Atʹ Kolë, VEPRA - 3, Kangë e vaje, Misioni Françeskan Tuz & Enti Botues “Gjergj Fishta”, Tuz, Malësia e Madhe, Podgoricë 2013;
Gjeloshi, Gjovalin, Frati i Hotit Pader Kolë P. Berishaj, Monografi, Enti Botues “Gjergj Fishta”, Lezhë 2023.

[1] Të gjitha vargjet e cituara në këtë punim janë marrë nga botimi Atʹ Kolë Berishaj, VEPRA III, Kângë e vaje, Misioni Françeskan Tuz & Enti Botues “Gjergj Fishta”, Tuz, Malësia e Madhe, Podgoricë 2013.