ANTON GOJÇAJ - Poetry
Half of the World
I feel sorry that I cannot sing as the stars do
I feel sorry that I cannot be silenced as the stars do
to see you as the star wherever I go
because you are a star
to see me as a star wherever I may go
although I am not a star
(translated by Fadil Bajraj)
The Energy of Poetry
the world needs
another world
the rays of distant stars
a way for the heart of origin
words floating through the oceans
searching the colony of art
is it a blaze of the sea
or a mist hiding the truth
the universe needs
another vers
(translated by Fadil Bajraj)
Time of the Heart
Penelope loved Odysseus so much
she waited for him 20 years
a step she didn’t take
after him
though
neither did I dive
into the Heraclitus river
nor did you swim to the shore
a corpless bird
on a branch at Eden is tree
sings in absolute silence
out our forever never again
but once
one time
you were everything
let Heraclitus be right
but Penelopes is arguments
have been proved straight from
the Olympus parliament
Odysseus still has
faith in Homer
(translated by Nik Leshai)
The Miracle Being Alive
in Prishtina streets
I studied fear
While being chased by police
I called on America
when I saw flowers
near tanks sprouting
I cursed Europe
prayed for Albania
for the friends I had then
I’m conquered by nostalgia
No, we did not perform miracles
it’s a miracle we’re alive
(translated by Nik Leshai)
ANTON GOJÇAJ - Poezi
ANTON GOJÇAJ
VRAPO E DASHURA IME
buka jonë e bardhë
përngjasim vetëtime
më shpejt se yjtë e hëna
vrapo e dashura ime
shirat në ty lahen
flakërojnë vegime
dhelpër është klepsidra
vrapo e dashura ime
pritjen zgjat thëllimi
ngutuni gëzime
heret bëhet vonë
vrapo e dashura ime
24 ORË
mirëmëngjes e dashur
drita vjen nga gjinjtë
në shkretëtirën pagane
ujësjellës të rinj
mirëdita e dashur
sot rash në provim
zjarret tua vajzë
vadisin shiun tim
mirëmbrëma e dashur
e nesërmja është ve’
shumë yje ka gjithësia
ekzistojmë vetëm ne
VAJZA QË ECËN
ME OMBRELLË NËPËR BORË
sa shumë që duheshim
atë mbrëmje me bore
si s’ta bëra me dorë
si s’ma bëre me dorë
kur luheshim qiellorë
me djallëzoren ironi
si s’ma bëre me sy
si s’ta bëra me sy
do të duhemi përsëri
netëve pa orë
do të vishemi me florë
do të shkrihemi në bore
GJUHA SHQIPE ËSHTË E BUKUR
gjuha shqipe është e bukur
se ajo e flet
kur hap sytë si kroje të thella
kësaj toke i përngjet
brekë me yje ajo vesh’
pa turpin gënjeshtar
rock and roll këndon vallëzon
vajza ujëvarë
bora shkrihet prej
buzëqeshjes së saj
do të vdisja krejt pa lidhje
të më qajë ajo pastaj
AS PO AS JO
një vjershë asgjë e re as e jashtëzakonshme
miliona vjersha janë shkruar edhe një le të shkruhet
në sallën e madhe vetëm kujtoj ëndrrën e pamortshme
zoti duhet të jetë pikëlluar që na i përzieu gjuhët
një zog tragjikomik humbi këngën në ujëvarë
peshkut të artë duke dashur adhurim t’i shfaqë
ndjenjëkulluar harroi i ngrati se rrjedhja s’ka të ndalë
peshku shkoi ai mbeti lumturia zgjati kaq
ku shkëlqeu njëherë premtimi për humbësin ideal
si t ë mos kishte ngjarë kurrë një mrekulli
djaj të lëngët rrëzohen thik pikat e lumit fatal
o s’kam çka të bëj veç të thërmohem në njëqind mij’
MREKULLIA E EKZISTENCËS
rrugëve të prishtinës
studiova frikën
policët kah më ndiqnin
thërrisja amerikën
lulet kur i shihja
pranë tankeve si mbijnë
e shaja europën
lutesha për shqipërinë
për miqtë e mi të atëhershëm
më pushton një mallë
jo nuk bëmë çudira
çudi që jemi gjallë
LARGIMI ISHTE VEÇ FILLIMI I KTHIMIT
lindën e vdiqën shumë ndërkohë
as hartat s’janë si dikur
unë desha një tjetër vajzë
dhe ti a thua ke burrë
je trashur sipas zërit të botës
ke shtuar në masë ke humbur në shpirt
edhe njerëzit atje vuajnë akoma
në këtë botë vuajnë më të mirët
vendi shenjt e ruan sekretin
muzikë të devotshme ku zemrat dirigjuan
kush s’e njeh pikëllimin s’ia di jetës lezetin
ne tepër u deshëm dhe dot nuk ndryshuam
SHPIRTI
ti nuk je më emri që ke qenë
as pyetja as përgjigjja as unaza e besës
unë jam dikush tjetër se ti më ke lënë
vitet tek unë kanë peshën e vesës
pse më ther në gjoks fajin e ka koha
pa mish do të mbetet ‘i here rrethi i diellit
republikae dëshprimit mëe gjerë seç e besova
mos e festo urrejtje heshtjen e rebelit
mos më shlyej nga libri sot po të qes be
njëkohësisht jam hije edhe lëndë drite
ardhja e feniksit nis me një rrufe
dhe ushqehet me thërrime metafizike
NJERIU I MIRË
kurrë s’më ke munguar kështu si sonte
larg nënës pa të dashurën larg atdheut pa miq
shkarravit vargje pa kuptim mjerë kush u besonte
shpellave të kohëve përplasem lakuriq
ujqit janë shumuar dhe kanë mallë për ty
fotografohen për gazeta merren me politikë
mish qengji drekojnë verë të kuqe pijnë
me sex makina luajnë dhe çmallen me muzikë
dikush sonte pa një pikë loti qan përnjëmend
as i lirë as në burg as dhëndërr as murg
ulurin nëpër shi kërkon profilin tënd
poet është ndoshta po ndoshta edhe vetë ujk
RRËFIMI I NJË LYPËSI TË ÇUDITSHËM
unë kurrë s’kam pasur gjë
vazhdoj të jetoj në pritje
i vogël i padenjë për të fshehtat
i mbrami në çdo renditje
unë kurrë s’kam lypur shumë
para as nam as titull
tepër ndoshta pata veç gjumë
dhe ndonjë yll të fikur
unë kurrë diçka nuk bëra
që të mos e shkruaj këtë këngë
sytë po m’i vret rëra
tash po i fshij me mëngë
BUZËQESHJA E GJELBËR
bari është i gjelbër
si buzëqeshja e motrës
si vajzë e puthur së pari
para se t’i çelë sytë sërish
bari është i gjelbër
si thellësi e detit
mozaik në qiell netësh poetike
krejt lumturia tokësore kjo është
dhe nyje tragjike
në brigjet e lumenjve të rinisë
bari gjithmonë është i gjelbër
REGËTIMË
nuk qajnë kambanat
vetëm pranvera vonohet
për bashkimin tonë
që nuk po realizohet
më e dashura ime
GJYSMA E BOTËS
më vjen keq që nuk di të këndoj si yjet
më vjen keq që nuk di të hesht si yjet
si yllin të të shoh ngado që të shkoj
se yll je
si yllin të më shohësh ngado që të shkoj
megjithëse nuk jam yll
ENERGJIA E POEZISË
botës i duhet
edhe një botë
rrezet e yjve të largët
rrugë për në zemrën e zanafillës
fjalët notojnë oqeaneve
në kërkim të mundësisë së re
për koloninë e artit
është shkëlqim i artit
a mjegull që e fsheh të vërtetën
universit i duhet
edhe një vers
PA
po ata sy
në po atë baltë
po ajo pike
e vogël në hartë
por
pa
pa
pa
SHKRIMTARI ANTON GOJÇAJ PJESË E LETËRSISË SHQIPTARE
SHKRIMTARI ANTON GOJÇAJ PJESË E LETËRSISË SHQIPTARE
Në shtegun e elitës kulturore
Mr. Haxhi Shabani
Në kërkim të identitetit krijues
Anton Gojçaj, deri më tash autor i 6 librave në fusha të ndryshme të letërsisë në një mjedis letrar aspak stimulues për t’u marrë me këtë veprimtari siç është i shqiptarëve në Malin e Zi, është padyshim jo vetëm një nga autorët më seriozë të këtij cepi të letërsisë shqiptare, por edhe më gjerë. Për më pak se një dhjetëvjeçar, veprën e parë “Poezi” e boton në Tuz në vitin 2001, krijon portretin e tij letrar me shtrirje të gjerë në format dhe zhanret letrare në të cilat krijon që nga vlerësuesi i veprave të të tjerëve: me studime, recensione, vështrime letrare, deri te botimi i veprës së parë të tij në prozën e gjatë siç është romani. Ata që e kanë ndjekur veprimtarinë letrare të Anton Gojçajt kanë vërejtur se ai qysh në vitet studentore krahas ka filluar të botojë poezi dhe recensione letrare në mediet në Kosovë.
Për t’ia nisur nga poezia, duhet thënë se ai, atë e përdor si sprovë të kërkimeve të tij për të gjetur identitetin e tij si krijues. Kurse kritikën letrare në kuptimin e gjerë të fjalës e ndeshim qysh në vitet e rinisë së hershme të tij të cilën e boton në mediet e Kosovës të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të shkuar, çka dëshmon që në krye të herës se Gojçaj po bëhet një kundrues i hollë i veprave dhe autorëve të ndryshëm. Vjen pastaj një fazë pothuajse krejtësisht pasive e tij, sa i përket botimit, për rreth një dhjetëvjeçar, kur ai jeton si azilkërkues në Gjermani e cila është e veçantë për të dhe për llojin të cilit ai i takon. Ai duke shkuar atje për të gjetur një jetë më të mirë me nivel ekonomik, paradoksalisht nuk përpiqet shumë që të gjejë punë si 99 % e kolegëve të tij, por mëson gjuhën gjermane dhe zhytet në leximin e një deti të thellë të letërsisë botërore, siç është ajo e shkruar në gjuhën gjermane. Dhe kthimi është i pashmangshëm në Itakën e tij, për të shpërthyer si në epet e lashta, për tetë vjet boton 6 vepra, kurse siç jemi në dijeni romani “Passio” duhet t’i ribotohet së shpejti. Pastaj një vepër e tij e zgjedhur është në planet e afërta botuese të Art Klubit nga Ulqini, ndërkaq ka të tjera vepra në dorëshkrim. Një shifër e lakmueshme që të rrallët shkrimtarë e arrijnë ta realizojnë, për çdo vit nga një vepër e botuar. Kur shkrimtari Anton Gojçaj në vitin 2003 botoi veprën e tij me tregime “Qengj i harruar natën në mal” atëherë ishte parë realisht forca e tij krijuese, jo thjesht e një të riut që shkruan poezi, është e njohur dukuria e të shkruarit të poezive në rini, por e një prozatori, i cili megjithëse po bënte provën e parë në këtë lloj letrar, por dilte i stabilizuar si në rrëfim, po ashtu edhe në figuracion. Që nga titulli e deri te disa hollësi që mund t’i përmbajë tregimi, del tërthorazi një rrëfim që të kujton sidomos mjeshtrin e prozës së shkurtër shqiptare Ernest Koliqin. Dhe gjeturia e autorit në lëvrimin e prozës, në këtë rast të një romani siç është “Passio” që mund të lexohet edhe më mirë si novelë, duke pasur parasysh se kufiri midis këtyre llojeve është herë i pakët e herë kurrfarë, është më e mirë. Ai me këtë roman arrin të emocionojë lexuesin, jo me epikë, por me një prozë lirike e cila më shumë është një elegji jo për humbjen fizike, por për humbjen e shpirtit. Kur e kam lexuar, në më tepër se në një vend më janë mbushur sytë me lotë dhe nuk kam hezituar ta thërras autorin për ta uruar, jo për mirësjellje, por për një arsye të thjeshtë. Ai më kishte emocionuar me personazhin e tij kryesor se herë duket se vjen nga qendra e botës, siç janë SHBA-të, herë nga parahistoria. Të emocionosh lexuesin, apo shikuesin, është një një qëllim që e lakmojnë shumë vepra të llojeve të ndryshme, por të rrallat e arrijnë. Dhe këtu nuk është fjala për një emocion prej naivi, por për një të thellë, deri në eshtra. E ç’mund të bëjë tjetër letërsia e shkretë? T’i zgjidhë problemet e mëdha të jetës? Jo. Por mund të bëjë diçka që është njerëzore dhe tejkalon ngjyrimet lokale e kombëtare. Si e këtillë ajo është një nga temat e letërsisë të cilat janë të pavdekshme.
Botimi i dy veprave të radhës, “Fakticiteti në letërsi – proza letrare e Anton Harapit” 2007, studim që është mbrojtur si temë magjistrature dhe më parë “Tema e heroit nacional në letërsi” 2004 dhe së fundi “Shija e librit” 2009 janë pjesë e fuqishme e portretit të shkrimtarit dhe studiuesit Anton Gojçaj, i cili tashmë po krijon identitetin e tij krijues. Ai në librin e fundit me recensione e vështrime “Shija e librit” është një lexues i kulturuar, një studiues që e shikon krijimtarinë e autorëve me të cilët merret që nga dashamirësia dhe lavdërimi edhe kur ndonjëherë ashtu nuk mendon, deri te vërejtësi elegant e me kulturë i dukurive e prirjeve kryesore të veprave që merr në shqyrtim. Në dy librat e tjerë “Fakticiteti në letërsi...” dhe “Tema e heroit nacional” është më i shtruar në të vërejtur, falë edhe zhanrit, si edhe më shumë gjuhëmprehtë në shqiptimin e problemeve dhe objeksioneve që ai ka ndaj temave e autorëve të cilat i ka në fokus të studimeve të tij, përfundimisht është në rrethin e tij, në të cilin është shumë komod.
Nevoja e krijimit të elitës kulturore
Duke parë në thelb krijimtarinë e Anton Gojçajt, në kontekstin më të gjerë jo thjesht letrar, por edhe kulturor e gjuhësor, ajo është e rëndësishme për tri arsye kryesore.
Së pari, shqiptarët në Malin e Zi, falë edhe shkrimtarit dhe studiuesit Anton Gojçaj përballë letërsisë shqiptare të gjithëmbarshme mund të shqiptojnë faktin se në Malin e Zi krijohet një pjesë e letërsisë shqiptare e cila edhe pse nuk ka shumësi emrash, ka vlera që duhet të merren në konsiderim. Në këtë drejtim Gojçaj është një nga të rrallët shkrimtarë shqiptarë në Malin e Zi i cili për nga niveli, stili, përmbajtja e ndërtimi i veprave të tij letrare mund të krahasohet me shkrimtarë e studiues që janë nga Tirana e Prishtina. Kjo do të thotë se ai e ndonjë tjetër kanë hyrë në konkurrencën e pashmangshme të vlerave brenda letërsisë shqiptare. Dhe ky fakt është një nga vlerat më të mëdha të këtij autori.
Së dyti, në anën tjetër, llojllojshmëria e veprave të autorit së bashku me vlerat e veprave të disa shkrimtarëve të tjerë shqiptarë në Malin e Zi, na jep të drejtën e ligjshme të pohojmë, këtë është e domosdoshme ta bëjmë edhe në formë klithjeje për ta dëgjuar shumica: këtu krijohen vepra në gjuhën shqipe që duhet njohur sepse përbëjnë një pjesë të rëndësishme të mozaikut të letërsisë që krijohet në Malin e Zi. Tashmë skena letrare e kulturore në Malin e Zi, pas kalimeve të etheve të krijimit të shtetit të pavarur, duhet të rishikojë veten, për të gjetur vlerat e vërteta në letërsi, art e kulturë edhe jashtë shumicës që flet e shkruan gjuhën me katër emra.
Dhe së treti, duke e parë personalitetin letrar e kulturor të Anton Gojçajt më në gjerësi sesa brenda fushës së tij themelore të letërsisë, mund të shqiptohet një synim që shqiptarët në Malin e Zi duhet ta kenë prioritet: krijimin e elitës kulturore. Këtë në çdo mjedis, shtet apo rajon e përbëjnë: shkrimtarët, shkencëtarët e artistët. Nëse në Malin e Zi mund të thuhet se është krijuar dhe identifikuar elita politike dhe e biznesit, ajo kulturore, gjegjësisht e inteligjencies, mbetet të themelohet elita kulturore, si një strukturë me synime të qarta. Kompetencat që i kanë individët të cilët do të mund të përfshiheshin në këtë elitë si në gjuhë, kulturë, arsim, letërsi, medie, botime mund të jenë brinja e nevojshme e një katërkëndëshi të përbërë që quhet elita kulturore, plus politika, biznesi dhe sektori joqeveritar.
(Koha javore, nr. 419, 20 maj 2010, Podgoricë)
Dhjete poezi kushtuar Gjelosh Gjokës
DHJETË POEZI KUSHTUAR PIKTORIT GJELOSH GJOKAJ
Marrëdhënie inter-artistike
Monografia “MAESTRO GJELOSH GJOKAJ”, veç materialeve të tjera, sjell edhe dhjetë poezi, të shkruara nga nëntë autorë, (një autor – Gino Chielino - ka shkruar dy poezi, të tjerët (Ali Podrimja, Azem Shkreli, Miradije Ramiqi, Pjetër Jaku, Bedri Hysa, Tahir Foniqi, Fran Tanushi dhe Shefqet Dibrani - nga një), që si një rrëfanë i lidh fakti se të gjitha i kushtohen piktorit Gjelosh Gjokaj.
Anton Gojçaj
Kanë thënë se “poezia është pikturë që flet”, por edhe se piktura është “poezi pa fjalë”. Mendimtari gjerman, Lessing, ka bërë sqarimin se ku ndryshojnë dy artet: poezia “i rendit fjalët që vijnë njëra pas tjetrës (në kohë)”, kurse piktura “i vendos ngjyrat dhe format njërën pranë tjetrës (në hapësirë)”. Dihet se piktorë të ndryshëm kanë punuar portrete të shkrimtarëve, apo edhe se janë frymëzuar nga personazhe apo motive letrare të caktuara, (edhe vetë Gjelosh Gjokaj ka punuar një portret të shkrimtarit Martin Camaj), por ndodh që edhe poetët, shkrimtarët, të frymëzohen nga vepra apo nga personalitete të rëndësishme të botës së arteve figurative.
Halil Kqiku në këtë monografi përfshiu dhjetë poezi, të shkruara nga nëntë autorë, (një autor – Gino Chielino - ka shkruar dy poezi, të tjerët (A. Podrimja, A. Shkreli, M. Ramiqi, P. Jaku, B. Hysa, T. Foniqi, F. Tanushi dhe Sh. Dibrani nga një), që si një rrëfanë i lidh fakti se të gjitha i kushtohen piktorit Gjelosh Gjokaj. Përveç Gino Chielinos, të gjithë autorët janë shqiptarë (madje të Kosovës, me përjashtim të njërit që është nga Shqipëria dhe aktualisht jeton në SHBA).
Shpesh, është përkushtimi “Gjelosh Gjokajt” i vendosur nën titullin e vjershës dhe jo përmbajtja e saj - që sqaron lidhshmërinë me piktorin, e diku tjetër, përveç shënimit se kujt i kushtohet poezia, ka edhe asocime të tjera që evokojnë artistin. Ndodh që nuk figuron nën titull se kujt i kushtohet, por gjithë poezia realizohet si një komunikim i qartë, ku është lehtë i deshifrueshëm, ndikimi i artistit Gjelosh Gjokaj dhe artit të tij. Në mesin e këtyre autorëve janë disa emra eminentë të letërsisë shqipe si Azem Shkreli, Ali Podrimja, por as të tjerët nuk janë të panjohur.
Në kuptimin ideo-estetik, këto vargje përgjithësisht janë homazhe për artistin, i cili ka realizuar ekspozita anembanë Europës dhe ka marrë çmime ndërkombëtare (në shtete të zhvilluara dhe me tradita të pasura e të rëndësishme kulturore), me ç’rast ai përjetohet: si dikush “pranë qiellit” (Podrimja), si piktor që shpërndan “fëmijë”, nënkuptohen pikturat, nëpër botë (T. Foniqi), si njeri me diellin në shuplakë (F. Tanushi), si “damar gjaku zbritur nga Mileshi / fytyrë e sy pikturuar mbi ujë Cemi” (Sh. Dibrani) etj.
Vështruar në një plan të përgjithshëm, në këto vjersha fryma “etnike” ngapak e mbizotëron “artistiken”, sikur artisti me sukseset e veta në radhë të parë është një vërtetim i potencës kreative dhe vlerave civilizuese të etnosit që i përket. E evokojnë si artist të madh, por edhe si vëllanë e një gjaku. Aq sa fokusohen te magjia e ngjyrave të artit të tij, po aq, nëse jo edhe më shumë, tërheqin vërejtjen për kombësinë e tij. Arti i tij është - “Arti ynë” (M. Ramiqi)! Suksesi i artistit tentohet të shfrytëzohet për një funksion jashtartistik: për të trokitur në ndërgjegjen e botës së civilizuar, lidhur me përditshmërinë e rëndë të bashkëkombësve të artistit..., kështu i kuptoj vjershat e A. Shkrelit, A. Podrimjes, M. Ramiqit, B. Hysës etj. Në vjershën që Gjeloshit ia kushton Miradije Ramiqi, arti lidhet me dhembjen, trishtimin, tragjikën, me përmasa deri apokaliptike dhe ajo shfaqet ambige: flet për fatin e mundimshëm të artistëve në botë dhe njëkohësisht i referohet realitetit të padurueshëm në të cilin është katandisur një popull i veçantë (shqiptarët, posaçërisht ata të Kosovës).
(Një digresion-parantezë: vetë Gjeloshi nuk e ka kundërshtuar këtë mision që i kanë dhënë, madje, sidomos në vitet ’90, ekspozitat e tij kanë funksionuar edhe si skenë e lirë që para elitës artistike europiane të evokohet gjendja e rëndë sociale-politike e qytetarëve, e sidomos e artistëve të Kosovës.)
Një atmosferë pak më ndryshe, një lirikë të intimës drithëruese, me frymëzime poetiko-filozofike dhe me semantikë universale, ku poeti nuk del jashtë kopshtit të artit, lexuesi e gjen në vargjet e Giani Chielinos. Shefqet Dibrani provon të japë portretin e piktorit, jo me brushë e me ngjyra, por me fjalë, kurse Pjetër Jaku te “Peisazh patriotik”, kur regjistron “peisazhet marramendëse”, vijat dhe lakimet në veprat e Gjeloshit, përpiqet të depërtojë në botën psiko-emocionale të artistit.
Këto poezi, edhe aq sa janë, me strukturën që kanë, aq sa për autorët e vet dhe për kohën kur janë shkruar, lexuesit i komunikojnë - herë eksplicit e herë implicit - edhe porosi artistike e përtej-artistike për fenomenin e artistit Gjelosh Gjokaj dhe epokën e tij. Këto vargje vërtetojnë se ai ka kapërcyer jo vetëm kufijtë kombëtarë dhe shtetërorë por, si një frymë trans-artistike i kapërcen edhe kufijtë ndërmjet arteve. Një krijues i cili, kudo që e çojnë udhët e jetës, bën të ngjizet arti dhe të ndihet gjallë kultura e mirëfilltë!
Në këto vjersha fryma “etnike” ngapak e mbizotëron “artistiken”, sikur artisti me sukseset e veta në radhë të parë është një vërtetim i potencës kreative dhe vlerave civilizuese të etnosit që i përket. E evokojnë si artist të madh, por edhe si vëllanë e një gjaku. Aq sa fokusohen te magjia e ngjyrave të artit të tij, po aq, nëse jo edhe më shumë, tërheqin vërejtjen për kombësinë e tij. Arti i tij është - “Arti ynë” (M. Ramiqi)! Suksesi i artistit tentohet të shfrytëzohet për një funksion jashtartistik: për të trokitur në ndërgjegjen e botës së civilizuar, lidhur me përditshmërinë e rëndë të bashkëkombësve të artistit...
ANTON GOJÇAJ: Tregime
Nga Libri"Qëngji i harruar natën në mal"
Nga Anton Gojçaj
ATOMET, SHPIRTI, DASHURIA...
Në fillim është dashuria. Dhe pak fat. Gjithsesi edhe rastësia e luan një rol në këtë mes. Dashuria, fati, rastësia, tri kënde të një historie jo të përditshme. Rastësia. Muaji korrik. Një çift bashkëshortor, ajo 30 ai 35, e pa të nevojshëm tapetimin e ri të banesës së tyre tridhomëshe, në një pallat të arkitekturës së re, në një qytet gjerman. Alberti i vogël i pengonte ata ngapak, por jo edhe aq shumë. Gruas i ra ndërmend: ”Tërë bota e mban zogun në ballkon, gjatë verës, e ne në dhomë. E qesim edhe ne Alefin tonë në ballkon. Ta them të vërtetën edhe është kah më shkon në nerva kohën e fundit. Pastaj edhe për të do të jetë më mirë në ajër të pastër.” Gruaja foli, burri veproi. Alefi është një papagall i bukur. Ai jeton në kafaz, qysh se di për veten. Befas në ballkon. Një realitet i ri. Së paku një këndvështrim i ri i jetës. Deri tash krejt çka kishte parë Alefi, ishin dy bashkëshortët dhe djali i tyre i vogël. Natyrisht, ndonjëherë vinte edhe njëri apo tjetri mik, por kjo ngjante rrallë. Megjithatë, televizioni Alefit ia kishte zgjeruar shumë horizontet e njohjes. Kishte parë shumë filma artistikë dhe të vizatuar, olimpiadat sportive dhe pamje të tmerrshme lufte... Vetminë nuk e njihte Alefi. Ai mendonte se gjithçka ishte ashtu siç duhej të ishte dhe se bota është në rregull. Nën ballkon kalonte një rrugë. Ballkoni ishte në katin e dytë. Nata e parë jashtë e frikësoi pak Alefin. Zhurma e pandërprerë e automjeteve kurrsesi ta linte të flinte. “Domethënë, kështu qenka jashtë. Zhurmë. Ftohtë. Shumë më ftohtë se brenda.” Bota nga ballkoni është më e madhe se në dhomë. Alefi fitonte eksperiencën e jetës. Nata kaloi. Mëngjesi i parë në ballkon. Gjumi i doli shumë më herët se zakonisht në dhomë. E zgjoi dielli me rrezet e tij. Mbi parmakët e ballkonit zbriti një zog skofiar. Zogu i panjohur e turbulloi Alefin me këngën e tij të mrekullueshme. Diçka të tillë Alefi nuk kishte dëgjuar kurrë. Melodia e zogut i dukej më e bukur se këngët e Majkëll Xheksonit dhe se ato të Luçiano Pavarotit. Dëshira për të komunikuar me zogun u paraqit instinktivisht, por pyetja ishte si, në cilën gjuhë?
“Hej, kumbarë, a po ia ulë zërin, se ma shurdhove b...!” Turfulloi Alefi. Zogu vazhdoi të këndojë, si të mos e kishte dëgjuar fare.
“ Kurrë s’ka qetësi në këtë shtëpi. As të pushoj rehat, në shtëpinë time, nuk më lejohet më. Ç’ kohë e përdjallëzuar!” Nervozohej më tutje Alefi.
Zogu, pas një grimë kohe, pushoi së kënduari dhe u kthye kah Alefi. Në një gjuhë tjetër nga ajo e njerëzve, i foli qenies në kafaz, por gjithnjë duke kërcyer, herë në njërën këmbë, herë në tjetrën.
“
“ Jam ky që jam. Nuk më sheh? S’ke sy në ballë?”
“ Ç’bën aty?”
“ Sa pyetje e marrë. Këtu jetoj, këtu ha, këtu fle. Kapishi?”
“ A gjithmonë jeton aty? Nuk
“ Sërish një pyetje tipike. E si të dal jashtë? Unë kam lindur brenda këtyre grilave. Ky është një kafaz.”
“ Çudi. Si e ke emrin?”
“ Alef.
“ Omega”
“ E kam dëgjuar diku këtë emër. Nuk më kujtohet me ç’rast. Më vjen mirë që u njoftuam.”
“ Alef, ti je një kreaturë e çuditshme. I krisur disi. Ha-ha-ha. Jashtë nuk ka zogj si ti. Çfarë bën, me se merresh, si e fiton kafshatën e gojës?”
“ Asgjë nuk bëj. Dëgjoj çfarë flasin njerëzit, e pastaj i imitoj ata. Kjo i argëton. Njerëzve u pëlqen të dëgjojnë të përsëriten fjalët e tyre.”
“ Njerëzit janë tmerrësisht të krisur. Ata janë armiqtë tanë.”
“ Mos fol ashtu. Nuk ke të drejtë. Ata më japin të ha, të pi, ma pastrojnë rregullisht kafazin. Ata kujdesen për mua.”
“ Dhe të mbajnë në kafaz.”
“ Omega, ti je një grumbull atomesh, pa shpirt, pa tru.”
“ S’di çka po thua. Por, më duhet të shkoj. Për dallim nga ti, mua më duhet të luftoj për kafshatën time. Lamtumirë!”
Omega u zhduk brenda disa çastesh, ashtu siç edhe pat ardhur. Pastaj u duk sërish.
“ Harrova të të pyes diçka. A ke grua?”
“ Jo! Dhe nuk më mungon. Aspak.” Omega u zhduk prapë. Kësaj here nuk u kthye. As deri në mbrëmje nuk u duk më Omega. Alefin filloi ta therë diçka në zemër. Për herë të parë në jetën e tij prej papagalli, Alefi ndieu një zbrazëti të çuditshme, diçka si mall për një zog tjetër. Biseda me Omegën ishte shumë më e bukur, më e pasur, më... ndryshe... sesa përsëritja bajate e fjalëve të njerëzve. Tash edhe Alefi ishte dikush. Omega mungoi edhe të nesërmen në mëngjes. Pikëllimi i Alefit ishte matanë mundësive përshkruese të një shkrimtari margjinal. E humbi apetitin. Çifti bashkëshortor që merrej me tapetimin e dhomës, u habit kur pa se Alefi nuk e kishte ngrënë racionin e përditshëm. Alefi tani kafazin filloi ta njohë në dimensionet e tij të kufizuara. Kafazi ishte më i vogël se bota, së paku për një arsye, sepse brenda kafazi nuk ishte një Omegë, e cila tani, ashtu egërsisht e bukur, botës i binte kryq e tërthuer.
Një ditë më vonë, Omega erdhi sërish, me gjithë shkëlqimin e bukurisë së saj. Omega e hijeshme, Omega e mirë, Omega me zërin e mrekullueshëm. Prej emocioneve të shumta, Alefit i rrehi zemra. Bim-Bam.
“ Ku dreqin ishe kaq gjatë? Te nëna jote?” I rrëshqiti Alefit në gjuhën e njerëzve. Për fat të mirë, Omega nuk e merrte vesh këtë gjuhë.
“ Wow! Çuni flet edhe gjuhë të huaja. Çfarë mashkulli!” Edhe i shkundi pendlat e saja, me instinktin femëror.
“ Më ka marrë malli.”
“ Kaq shpejt ? Ho-ho! I njoh unë tipat si ti. Jashtë ka plot të tillë. I ndërroj dy fjalë me ta, sa për gjimnastikë të gjuhës, e ata besojnë menjëherë se ma rrëmbyen zemrën. Ngadalë, Alef, më ngadalë. Ngadalë beg, se ka hendek. Kaq shpejt nuk ma hedh dot.”
“ Unë veç po them se më ke munguar. Por, çfarë di ti nga kjo punë? Ti nuk di gjë për atomet, për shpirtin, për dashurinë.”
“ Dhe ti nuk di gjë për qiellin, për stuhinë, për lumenjtë, për urinë...”
“ Atje jashtë, ku jeton ti, ka edhe shumë zogj si ti?”
“ Zogj ka sa të duash. Disa statistika tregojnë se sa më shumë që shtohen njerëzit, zogj ka gjithnjë më pak. Mua më duket se zogj ka megjithatë mjaft. Gjithfarë lloji.
“ Sa bukur. Atje ka njeriu me kë të flasë. Mërzi ka më pak, koha fluturon më shpejt, më lehtë. Omega, kisha dashtë që edhe unë të fluturoj me ty.”
“ Të besoj. Me zemër. Nuk do të ishe penduar kurrë, më beso. Por, çka t’i
bësh, kafazi është kafaz, kurse ti je brenda tij. Sidoqoftë, ushqimin e ke të sigurt. Nuk frikësohesh për jetën...”
“ Për jetën ?”
“
“ A është e mundur ?”
“ Liria e ka çmimin e vet, shpesh më të shtrenjtë se jeta e një zogu. Tash, Alef, t’i lëmë vajtimet, më duhet të shkoj. Nuk kam kohë për të humbur. Lamtumirë.” Omega u
“ Alef, ti je një tip interesant, e di!? Do të vij prapë të të vizitoj. Tung!”
E hëngri Alefi. Një mendim s’e linte rehat, Omega. Ishte dashuruar ? E pamundur. Njerëzit bëjnë seks kur dashurojnë, kurse ky nuk mund të bënte seks me Omegën, sepse ky ishte brenda kafazit, e ajo jashtë. Këtu edhe ndjenjat më të thella ishin të pafuqishme para ligjeve të pathyeshme të realitetit. Të nesërmen në mëngjes Omega erdhi para se Alefit t’i dilte gjumi. Alefi kishte pas fjetur shumë më vonë, i molisur nga mendimet e dashurisë së paarritshme.
“ Ë përtac. Gjumash i keq. Ti nuk do ta kishe të gjatë përjashta.”
“ Pse, ti nuk fle kurrë?”
“ Gjithsesi, por për dallim prej teje, unë flej vetëm natën. Megjithëse natën e mbrame fjeta keq.”
“ Mos ke parë ëndrra pornografike, apo të ndoqi ndonjë lugat?
“ Nga të gjitha ngapak.
“ Ti dashuron? Do të martohesh?”
“ Dashuria ime është në kafaz. Unë dashuroj dikë që nuk guxoj të dashuroj. Unë dashuroj dikë që nuk mund ta martoj.”
Alefi, gjysëm K.O.:
“ A bën të jesh vetëm pak më e qartë?”
“ Ta zëmë, po them vetëm ta zëmë, unë të dashuroj ty.”
Alefi, gati histerik:
“ E pamundur. S’bën. Falemnderit shumë, por këtu është kufiri. Të tallesh me mua, nuk të duroj. Kjo s’mund të jetë. Kurrsesi.”
“ E sheh, edhe ti e ke të qartë deridiku, sa e pashpresë është dashuria ime. Kjo është e vërteta e vetme.”
Alefi, serioz:
“ Përnjëmend e ke?”
“ Tepër përnjëmend. Kisha bërë gjithçka për ty, por unë jam vetëm një zog. Di vetëm të këndoj. Për diçka tjetër nuk kam talent dhe as nuk di të bëj gjë tjetër. Alef, nuk e di si as pse ndodhi, ndoshta unë jam me të vërtetë vetëm një grumbull atomesh pa shpirt e pa tru, siç më the ti, por unë të dua, pavarësisht nga të gjitha të vërtetat dhe fatamorganat e botës.”
Alefi, thellësisht meditativ:
“ Ik. Mos ec më këtu. Më harro. Bota është plot me zogj interesantë, të cilët mund të të bëjnë të lumtur. Gjëje një tjetër. Harromë.”
“ Zogjtë e fisit tim dashurohen veç njëherë në jetë. Po nuk u realizua dashuria ime, unë do të vdes.”
Alefi, me patetizëm:
“ O shira të Brestit! Çfarë ndodhi me ne? Ti më dashuron mua, e unë të adhuroj ty. Kurse gjasat që ne të bashkohemi ndonjëherë janë barazi me zero. Zero. Një zero e vogël, e parëndësishme në kozmos është dashuria jonë.”
Omega, me zë sentimental:
“ Megjithatë, kjo është një ndenjë e bukur. As frika e vetmisë së nesërme dhe as absurditeti i amshimit, nuk e turbullojnë këtë ndiesi të kulluar dashurie. Një grusht atomesh dashuron një grusht tjetër atomesh. Të dashuroj ty unë, apo atomet e mia!? Dhe si është e mundur, që një kafaz prej lëndës materiale, ta pengojë dashurinë shpirtërore? Të dua, Alef! Unë i injoroj të gjitha për ty. Unë nuk shoh kafaz, unë shoh një zog të dashur. Të dua, ani se je veç një papagall i krisur, që di veç të përsëritë fjalët e të tjerëve. Të dua, ani se dashuria jonë nuk është racionale as me perspektivë. Alef, unë të dashuroj pavdekësisht.”
.
. . .
Iku vera, erdhi vjeshta. Moti nisi të ftohej.
“ Ta fusim Alefin brenda, se jashtë mund të mërdhijë”, tha e shoqja. Ashtu u bë. Ata por nuk e kuptonin dot pse Alefi nuk hante asgjë nga ajo që i afrohej. As nuk hante, as nuk pinte.
“ Sikur bën grevë urie. E pabesueshme. Çka mund të jetë, o Zot, me të?” Pëshpëriti më vete gruaja dhe vazhdoi:
“ Ozoni. Ndryshimet klimatike. Gjithçka është bërë kaos. Zot na ruaj!”
Tri ditë, pasi e futën brenda, Alefi ishte shtrirë pa jetë në kafaz.
“Vetëvrasje, tjetërqysh nuk di si ta quaj këtë”, tha ai. Një krismë e vogël, sikur diçka e butë, por me shpejtësi, e goditi xhamin. Ajo e hapi derën e ballkonit. Poshtë nën dritare, ishte një zog tjetër i pajetë.
“ O Zot, ç’po ndodh kështu me zogjtë ?” Ofshani thellë zonja e shtëpisë. “ Çka të bëj me zogjtë e vdekur, o Zot ?”
Kjo pyetje e mbushte çiftin e ri me frikë.
Gruaja e mori zogun dhe e futi po në atë kontejner ku e pat hedhur veç ca minuta më parë Alefin.