DHJETË POEZI KUSHTUAR PIKTORIT GJELOSH GJOKAJ
Marrëdhënie inter-artistike
Monografia “MAESTRO GJELOSH GJOKAJ”, veç materialeve të tjera, sjell edhe dhjetë poezi, të shkruara nga nëntë autorë, (një autor – Gino Chielino - ka shkruar dy poezi, të tjerët (Ali Podrimja, Azem Shkreli, Miradije Ramiqi, Pjetër Jaku, Bedri Hysa, Tahir Foniqi, Fran Tanushi dhe Shefqet Dibrani - nga një), që si një rrëfanë i lidh fakti se të gjitha i kushtohen piktorit Gjelosh Gjokaj.
Anton Gojçaj
Kanë thënë se “poezia është pikturë që flet”, por edhe se piktura është “poezi pa fjalë”. Mendimtari gjerman, Lessing, ka bërë sqarimin se ku ndryshojnë dy artet: poezia “i rendit fjalët që vijnë njëra pas tjetrës (në kohë)”, kurse piktura “i vendos ngjyrat dhe format njërën pranë tjetrës (në hapësirë)”. Dihet se piktorë të ndryshëm kanë punuar portrete të shkrimtarëve, apo edhe se janë frymëzuar nga personazhe apo motive letrare të caktuara, (edhe vetë Gjelosh Gjokaj ka punuar një portret të shkrimtarit Martin Camaj), por ndodh që edhe poetët, shkrimtarët, të frymëzohen nga vepra apo nga personalitete të rëndësishme të botës së arteve figurative.
Halil Kqiku në këtë monografi përfshiu dhjetë poezi, të shkruara nga nëntë autorë, (një autor – Gino Chielino - ka shkruar dy poezi, të tjerët (A. Podrimja, A. Shkreli, M. Ramiqi, P. Jaku, B. Hysa, T. Foniqi, F. Tanushi dhe Sh. Dibrani nga një), që si një rrëfanë i lidh fakti se të gjitha i kushtohen piktorit Gjelosh Gjokaj. Përveç Gino Chielinos, të gjithë autorët janë shqiptarë (madje të Kosovës, me përjashtim të njërit që është nga Shqipëria dhe aktualisht jeton në SHBA).
Shpesh, është përkushtimi “Gjelosh Gjokajt” i vendosur nën titullin e vjershës dhe jo përmbajtja e saj - që sqaron lidhshmërinë me piktorin, e diku tjetër, përveç shënimit se kujt i kushtohet poezia, ka edhe asocime të tjera që evokojnë artistin. Ndodh që nuk figuron nën titull se kujt i kushtohet, por gjithë poezia realizohet si një komunikim i qartë, ku është lehtë i deshifrueshëm, ndikimi i artistit Gjelosh Gjokaj dhe artit të tij. Në mesin e këtyre autorëve janë disa emra eminentë të letërsisë shqipe si Azem Shkreli, Ali Podrimja, por as të tjerët nuk janë të panjohur.
Në kuptimin ideo-estetik, këto vargje përgjithësisht janë homazhe për artistin, i cili ka realizuar ekspozita anembanë Europës dhe ka marrë çmime ndërkombëtare (në shtete të zhvilluara dhe me tradita të pasura e të rëndësishme kulturore), me ç’rast ai përjetohet: si dikush “pranë qiellit” (Podrimja), si piktor që shpërndan “fëmijë”, nënkuptohen pikturat, nëpër botë (T. Foniqi), si njeri me diellin në shuplakë (F. Tanushi), si “damar gjaku zbritur nga Mileshi / fytyrë e sy pikturuar mbi ujë Cemi” (Sh. Dibrani) etj.
Vështruar në një plan të përgjithshëm, në këto vjersha fryma “etnike” ngapak e mbizotëron “artistiken”, sikur artisti me sukseset e veta në radhë të parë është një vërtetim i potencës kreative dhe vlerave civilizuese të etnosit që i përket. E evokojnë si artist të madh, por edhe si vëllanë e një gjaku. Aq sa fokusohen te magjia e ngjyrave të artit të tij, po aq, nëse jo edhe më shumë, tërheqin vërejtjen për kombësinë e tij. Arti i tij është - “Arti ynë” (M. Ramiqi)! Suksesi i artistit tentohet të shfrytëzohet për një funksion jashtartistik: për të trokitur në ndërgjegjen e botës së civilizuar, lidhur me përditshmërinë e rëndë të bashkëkombësve të artistit..., kështu i kuptoj vjershat e A. Shkrelit, A. Podrimjes, M. Ramiqit, B. Hysës etj. Në vjershën që Gjeloshit ia kushton Miradije Ramiqi, arti lidhet me dhembjen, trishtimin, tragjikën, me përmasa deri apokaliptike dhe ajo shfaqet ambige: flet për fatin e mundimshëm të artistëve në botë dhe njëkohësisht i referohet realitetit të padurueshëm në të cilin është katandisur një popull i veçantë (shqiptarët, posaçërisht ata të Kosovës).
(Një digresion-parantezë: vetë Gjeloshi nuk e ka kundërshtuar këtë mision që i kanë dhënë, madje, sidomos në vitet ’90, ekspozitat e tij kanë funksionuar edhe si skenë e lirë që para elitës artistike europiane të evokohet gjendja e rëndë sociale-politike e qytetarëve, e sidomos e artistëve të Kosovës.)
Një atmosferë pak më ndryshe, një lirikë të intimës drithëruese, me frymëzime poetiko-filozofike dhe me semantikë universale, ku poeti nuk del jashtë kopshtit të artit, lexuesi e gjen në vargjet e Giani Chielinos. Shefqet Dibrani provon të japë portretin e piktorit, jo me brushë e me ngjyra, por me fjalë, kurse Pjetër Jaku te “Peisazh patriotik”, kur regjistron “peisazhet marramendëse”, vijat dhe lakimet në veprat e Gjeloshit, përpiqet të depërtojë në botën psiko-emocionale të artistit.
Këto poezi, edhe aq sa janë, me strukturën që kanë, aq sa për autorët e vet dhe për kohën kur janë shkruar, lexuesit i komunikojnë - herë eksplicit e herë implicit - edhe porosi artistike e përtej-artistike për fenomenin e artistit Gjelosh Gjokaj dhe epokën e tij. Këto vargje vërtetojnë se ai ka kapërcyer jo vetëm kufijtë kombëtarë dhe shtetërorë por, si një frymë trans-artistike i kapërcen edhe kufijtë ndërmjet arteve. Një krijues i cili, kudo që e çojnë udhët e jetës, bën të ngjizet arti dhe të ndihet gjallë kultura e mirëfilltë!
Në këto vjersha fryma “etnike” ngapak e mbizotëron “artistiken”, sikur artisti me sukseset e veta në radhë të parë është një vërtetim i potencës kreative dhe vlerave civilizuese të etnosit që i përket. E evokojnë si artist të madh, por edhe si vëllanë e një gjaku. Aq sa fokusohen te magjia e ngjyrave të artit të tij, po aq, nëse jo edhe më shumë, tërheqin vërejtjen për kombësinë e tij. Arti i tij është - “Arti ynë” (M. Ramiqi)! Suksesi i artistit tentohet të shfrytëzohet për një funksion jashtartistik: për të trokitur në ndërgjegjen e botës së civilizuar, lidhur me përditshmërinë e rëndë të bashkëkombësve të artistit...