KOMENTARI I KRIJIMTARISË SË A.GOJÇAJ

Ne foto (anash) Ndue Ukaj dhe Anton Gojçaj


ANTON GOJÇAJ DHE KRIJIMTARIA E TIJ:

“Poezia e Anton Gojçajt shquhet për origjinalitetin e modelimit gjuhësor artistik. Ai i afrohet një gjuhe kolokviale me plot efekte të dala nga përmbysje stereotipesh klasike. Ai është prozator me aftësi të madhe vrojtimesh dhe me invencion të gjetjeve interesante rrëfimore. Është njëri nga studiuesit me kulturë të letërsisë.”

(Prof. Dr. Basri Çapriqi, nga libri “Në një cep të Ilirisë”, monografi e shqiptarëve në Mal të Zi, Ulqin 2007, f. 247)

Mbi vëllimin “poezi”(2001):

“ Poezinë e Anton Gojçajt e karakterizon një dinamikë e veçantë tekstore, një tekstualitet i gjallë, i pazakonshëm, origjinal. Autori e arrin këtë me një shumësi procedimesh dhe teknikash kompozicionale e strategjish retorike. “

(Anton Berishaj, Poezia si jopërsosmëri e përsosur, pasthënie e vëllimit “Poezi”, botuar nga ILLYRICUM, Tuz 2001)

Mbi tregimet “Qengj i harruar natën në mal” (2003):

“ Autori tenton që të hyjë në misterin e jetës, të dashurisë, të shpirtit, të fatit dhe të fatalitetit. Në gjeografinë fizike Malësi – Gjermani dhe në atë shpirtërore që kalohet nëpër shpirtëra të njerëzimit, por edhe në ato të shpezëve, autori shtron dilemat njerëzore, se me pak dashuri dhe fat dhe me shumë rastësi, që janë tri kënde që mund t’i mundim deridiku dilemat jetësore.”

(Bahrije Muçolli, Hyrje në misterin e jetës, gazeta “Bota sot”, f. 19, Prishtinë, 26 nëntor 2003)

“ Me botimin e këtij libri, Anton Gojçaj e ka dëshmuar se përveç që di ta shkruajë mirë poezinë, dhe di ta shkruajë mirë studimin, ai di ta shkruajë po ashtu mirë edhe prozën. Dhe kjo nuk është pak, sepse krijimet e artistit të talentuar Gojçaj, nuk janë krijime që mund të lexohen sot për t’u harruar menjëherë nesër. “Qengj i harruar natën në mal” është një libër modest me tregime, i cili shquhet për nga cilësia e jo nga sasia. “

(Arben Atashi, Realizime të përmbyllura artistike, gazeta “Koha javore”, f. 13, Podgoricë, 11 dhjetor 2003)

“Shkrimet e tij në poezi apo në prozë e sidomos ato publicistike japin të kuptojmë se kemi të bëjmë me një talent, me një zë karakteristik që frymëzohet nga njerëzit e kësaj toke, nga përditshmëria që na rrethon, nga veset emira dhe të liga, duke u dhënë gjithë këtyre ngjyrimin emocional që ngërthen në shpirt autori. Këtë e dëshmoi edhe në vëllimin me poezi botuar në vitin 2001, e sidomos në librin e tij të parë me tregime për të rritur që para pak kohe doli nga shtypi në Prishtinë, me titull: “Qengj i harruar natën në mal”, titull ky që ngërthen në vete një simbolikë të veçantë. “

(Gazeta “Koha ditore” KOHA për kulturë, f.31, Prishtinë, 31 janar 2004)

“ Të shtatë tregimet e këtij libri na ravijëzojnë një botë të pasur idesh, ndjesish, pamjesh e imazhesh, që ndërkomunikojnë me dy lloje eksperiencash të autorit empirik, karshi letërsisië: eksperiencat e jashtme që venerohen nga leximi dhe njohja e mistereve të artit letrar, si dhe eksperiencave të brendshme, që shtresojnë dy momente të theksuara letrare, që e njohin në njërën anë kulturën e moçme nacionale, ndërsa në anën tjetër Biblën, si vepër kapitale të letërsisë së përbotshme, që edhe një herë na paraqitet si një vlerë e përhershme, mbase edhe universale, prej së cilës mund të dalin vepra që më së miri i sublimojnë ligjësitë e artit letrar”

(Ndue Ukaj, Esencat e shenjave autoriale, gazeta “Pavarësia”, f.19. Prishtinë, 18 mars 2004)

“ Përfundimisht, gjuha e folur dhe e shkruara janë përdorur bukur. Ka mpleksje midis gegërishtes, formës letrare dhe asaj standarte. Fjalitë e shkurtëra, të prera e konçize, me mjaft figura letrare, njohja e mirë e përmbajtjes dhe forma stilistikore që e përcjell, e bëjnë këtë libër pjesë të dashur të tavolinës sonë, ku bisedat mirëdashëse e me kapacitet japin vërtet atë që dëshirojnë, por edhe mirëndjellin ardhjen e personazheve të tjerë, për të cilët ka nevojë zhvillimi i mëtejshëm i letërsisë, në këtë skaj të Malësisë së Madhe.”

(Dimitrov Popoviq, Kol’ Peri, hero artistik, tipik malësor, gazeta “Koha javore”, f. 13, Podgoricë, 22 prill 2004)

Mbi romanin “Passio” (2004):

“Në roman ka mjaft nota të ekzistencializmit, që herë-herë të kujtojnë përfaqësuesit më në zë të tij, si Kafkën dhe Kamynë, respektivisht veprat e tyre “Procesi” dhe “I huaji”. “

(Dimitrov Popoviq, Pavdekshmëria artistike dhe ngadhnjimi biologjik, gazeta “Koha javore”, f. 12, Podgoricë, 8 dhjetor 2004)

“Për ta lexuar romanin “Passio” të autorit nga Malësia (Mali i Zi) Anton Gojçaj, lexuesit nuk i nevojitet shumë kohë, jo se nuk është vëllimor, sepse edhe dy faqe ndodh të jenë tepër, por pse është roman që lexohet me një frymëmarrje, pa lëvizur nga vendi.”

(Fran Camaj, Kombinim i modernizmit dhe realizmit, gazeta “Bota sot”, f. 21, Prishtinë, 13 shkurt 2005)

“ Që nga kohët e moçme motivi i rinjohjes, edhe pse në Ballkan është një motiv i preferuar për të gjithë popujt, përsëri kjo dukuri duket se është shqiptare. Një djalë që ikën nga vendlindja dhe kthehet duke u rinjohur me të afërmit e vet. Rreth këtij imazhi vërtiten legjendat deri tek letërsia autoriale e sotme. Ky duket se është mallkimi por edhe vitaliteti, është dhimbja por edhe shpresa, është ikja por edhe kthimi ynë. Kjo është dukuria ku jemi ne, shqiptarët. Ne ikim të detyruar, por po të detyruar ne përsëri kthehemi. Na kthen ëndrra, na kthen vazhdimësia e jetës, na kthen gjaku, na kthen fakti i thjeshtë që jemi NE, shqiptarët! Mund të ikim kudo, mund të bëhemi të “mëdhenj” sa të duam, por bota është e vogël, sepse ne kemi trojet shqiptare në të mëdha se vetë bota, se vetë universi.. Kjo bulon përmes faqeve të këtij libri.”

(Ylldije Sulka, Kthim nëpërmjet dhimbjes, gazeta “Koha javore”, f.13, Podgoricë, 21 prill 2005)

“ Ngjarja e romanit është rrëfyer me mjaft mjeshtëri e duke mos e paraqitur asgjë të tepërt, por me një, të them, koprraci estetike, që lë për të (nën)kuptuar shumë nga nënteksti mjaft i pasur i kësaj proze. Fillimi i saj ta kujton rrëfimin e brazilianit Paulo Coelho, ndërsa pjesët e mëpastajme herë ato të Franc Kafkës, të Dino Buxatit, e po aq edhe tekstin biblik (mjafton të kujtohet historia e Jozefit). Romani “Passio” i ka të gjithë parametrat e romanit modern”

(Ragip Sylaj, Një roman për mërgimin, me elemente biblike dhe baladike, gazeta “Zëri”, shtojca për kulturë, f. 27, Prishtinë, 29 prill 2006)

Mbi studimin “FAKTICITETI LETËRSI” (2007):

Në këtë sens, autori me argumente polemizon me elemente të caktuara në mendimin letrar shqiptar, të cilat kanë tentuar shpëlarjen e historisë së letërsisë, sipas apetiteve ideologjike, apo edhe leximeve të mbrapshta e tendencioze. Madje, edhe ndaj atyre që marrin guxim të shkruajnë pa e lexuar fare Harapin. Gojcaj eksploron elementet qenësore të prozës letrare të Harapit, në kategoritë e brendshme dhe të jashtme të saj. Pastaj jep kualifikime të vlefshme letrare për tipologjinë e kësaj prozë, për kodet dhe toposet letrare, për kategorinë e zhanrit dhe nivelet e narracionit, për kohën si përbërës i rendësishëm narrativ, për pozicionet e rrëfimit, gjithnjë në suaza të një sinteze, e cila synon të asimiloj dije e formacione empirike letrare, në funksion të statusit letrar që merr teksti i Harapit. Dijet dhe empiria letrare, studiuesit i duhen për t'i kontekstualizaur karshi letërsisë së shkrimtarit në fjalë, respektivisht dy veprave të cilat i merr si objekt studimi "Andrra e Pretashit" dhe "Valë mbi valë".”

Ndue Ukaj

"Nuk mjafton me pasë mend, por duhet dijtë me i qitë në punë". Këtë porosi të "Andrrës së Pretashit" z. Anton Gojçaj e ka vënë në jetë më së miri në librin e tij – hartë, duke zhdrivilluar një emancipues të asaj kohe dhe të kësaj kohe: Harapin e Madh! “

Alfred Çapaliku


____________________________________________________


Romani Passio i Anton Gojçajt

Ndue Ukaj

Një studiues i madh frankofon, Tvetan Todorov, në librin Letërsia në rrezik, ndër të tjera shkruan se “si filozofia dhe shkencat humane, letërsia është mendim dhe njohje e botës psikike dhe shoqërore në të cilën jetojmë”. Duke qenë e tillë, letërsia bëhet fusha më e veçantë e komunikimit njerëzor, sepse vepra letrare vjen nga shpirti dhe ka destinim shpirtin, do thoshte esteti e filozofi Friedrich Hegel. Letërsia komunikon të bukurën përmes ndjenjave më sublime të shpirtit. Të bukurën si komponente esenciale të letërsisë e transfiguron në art shkrimtari, Anton Gojçaj, i cili tanimë është emër i sprovuar në shumë fusha të letrave shqipe. Autor që shkruan poezi, që kultivon zhanrin e tregimit, romanin, kritiken letrare, studiues i mirëfilltë letrar e eseist i shkëlqyer, ai ravijëzohet në letrat shqipe, me portretin e një krijuese me tipare të shumëfishta e vlera të gjithmbarshme, që di të mishëroj të bukurën me fjalën artistike, brenda një konteksti specifik kulturor e letrar.

Në romanin Passio (Gjergj Fishta, 2009), Anton Gojcaj ndërton tekstin si një realitet kulturor për të cilën gjë bie në një mendje e gjithë bashkësia e lexuesve (Umberto Eco). Autori shpërthen në këtë tekst letrar me tërë origjinalitetin e tij letrar. Teksti karakterizohet nga një narracion i përpunuar, një stil mjeshtëror, brendapërbrenda një fabule dinamik dhe një gjuhë atributive e konstruktuar me trajta rrëfimtare brilante. Romani ka një titull simbolik, që ngërthen një shënjues të letërsisë së tij, jetën si pasion dhe artin si pasion. Janë këto dy strumbullarë që kombinohen me mjeshtëri dhe që funksionalizojnë tiparet e një proze të realizuar mjeshtërisht, ku vihen në kontrast të thellë krizat identitare të njeriut. Autori empirik, duke u nisur nga jeta prej së cilës rrethohet, shpërthen në shkrimin fiksional, për të pikasur një personazh tragjik, rrugët e së cilit konstruktohen nëpërmjet shenjave dramatike, që vijnë si reminishencë nga ëndrra e personazhit hero të romanit, atëherë kur piktori Jozef Montanara (Zef Gjoni) ishte në kulmet e artit si piktor dhe atij i shfaqet në ëndërr, momenti më tragjik i jetës së tij: vrasja e babait, mu në natën e ngjalljes së Jezu Krishtit, simbolikë kjo e funksionalizuar dhe realizuar me mjeshtri nga autori, madje edhe si dimension filozofik i intertekstit letrar. Diskursi fiksional i autorit, mvishet nga tiparet e fuqishme të diskursit biblik e oral, i cili intencë ka funksionin edukativ të letërsisë, një katharsisi letrar të nënkuptueshëm.

Kodet tematike e ligjërimore, shtresohen rreth plagës së mërgimit, si një temë e lashtë e letërsisë shqipe, trajtuar kurdoherë në nga pena të shumta. Portreti i kryepersonazhit të këtij romani është kompleks. Ai është piktor me famë botërore, jeton në një metropol botëror, sikurse është Neë Yorku. I pamartuar, me disa flirte dashurore, ai bënë jetë prej artisti tipik, madje me dëshirën që të harrojë të kaluarën, mirëpo i ndodh e kundërta, ëndrra e kthen në realitet. Dhe këto lufta identitare bëhet e fuqishme, shpërthyese, drithëmuese, dramatike, me të cilën autori ndërton përplot sekuenca narrative të jashtëzakonshme. Jozefi, i cili Nuk Qesh Kurrë, fillon të trandet, tallazet e shpirtit të tij kërkojnë interpretimin e ëndrrës, ndërsa interpretimi i saj e kthen në identitet, në kërkim të shenjave të tij. Dhe pastaj zëri i fuqishëm, sugjestionues, por edhe melankolik „Zef Kthehu“ ja zgjon kujtimet e fashitura në kohë dhe fillon të kërkon vetveten. Kërkimi i vetvetes në variante të ndryhem narrative, e përcjell personazhin në gjitha nivelet e jetës, pas ëndrrës deri te rikthimi në Malësi, takimi me të ëmën, martesa, lindja e një djali dhe kontinuiteti i vazhdimësisë identitare. Përmes këtij epilogu moral, autori përveç se përçon ide e mesazhe morale, riciklon dimensionet filozofike të zhbërjes së identitetit dhe rrezikut nga kjo dukuri.

Romani ka një fubulë e cila menjëherë lexuesin e fut në vorbullën e narracionit. Kemi një rrëfim në qendër të ngjarjes, in medias res. Dhe e gjitha në roman fillon me një ëndërr, prej së cilës shtresohet vorbulla e një rrëfimi dramatik. Autori funksionalizon motivet e lashta për ëndrrat si topose sinjifikative, ndërkaq një interelacion komunikues kulturor, teksti e ndërton me ëndrrat biblike, si topose komunikuese që prodhojnë kode të veçanta semiotike e ligjërimore. Jozef Montanara, larg atdheut, tek flinte, i selitet ngjarja më tragjike e jetës së tij, e cila lidhet me gjakun, më familjen, atëherë kur në prag të festave të ringjalljes së Krishtit, i vritet babai, nga armiqtë e Malësisë, që lehtë kuptohet që ishin armiq të etnisë së tij. Për t’ia shpëtuar Qengjin Zefit të vogël, babai i tij vritet. Këtu, figura e Qengjit bëhet shënjues i letërsisë së Antonit, një simbol me kuptime ekoivoke, që si topos tematik e figurë letrare, në variante të ndryshme bartet edhe në zhanrin e tregimit të autorit. Me këtë karakteristika ligjërimore e estetike, ndërlidhet figura e qengjit të dashur të personazhit dhe në mënyrë implicite, e autorit empirik. Përmes këtyre sekuencave narrative, autori rikontekstualizon diskursin biblik për qengjin biblik, si topos tematik dhe si materie stilistike, e motivueshme për të konotuar idetë letrare. Qengji, në kuptimin e parë, shënjon kafshën e bukur, së dyti simbolikën kristiane, si arkitekt e arkiligjërim biblik që shenjon martirizimin e Krishtit në Kryq, sikurse qengj i pafajshëm për fajet e botës. Si figurë kryetipre letrare, sipas Northrop Frajit, qengji është evokim për Jezusin qe flijohet për mëkatet e njerëzimit. Dhe rikujtimi i kësaj figure nënkupton ringjalljen. Kjo intencë letrare në prozën e Gojcajt del e hapur, autori e sfidon personazhin e tij me një sekuencë jetësore të kahershme, që kishte lënë vragë të hapura diku në qenien e tij. Andaj, pas shumë sfilitjeve dhe tundimeve, personazhi realizon thirrjen që i bëhet në ëndërr dhe kthehet, si një determinim i intencës autoriale.

Nëpërmjet personazhit Jozef Montanaro (Zef Gjoni), autori portretizon njeriun e kohës së tij, të goditur nga plaga e detyrueshme e mërgimit, në të cilën shenjat identitare rrezikohen të shuhen. Mirëpo, duke e trajtuar këtë temë kaq komplekse shqiptare, e veçanërisht për Malësinë, autori përçon mesazhe të fuqishme, që triumfojnë me epilogun e romanit, ku ndjehet fuqishëm një katharsis letrar sugjestionues. Në këtë roman, autori me një realizëm magjik, përmes një narracioni shpërthyes, të qetë, por dridhmues, e shtreson toposin e mërgimit dhe krizën identitare si temë të fuqishme narrative, përmes trajtave të rrëfimit modern, ku pikasën trajtat e realizimit magjik të prozës.

Ky roman i Gojcajt, ashtu sikurse i gjithë prodhimi i tij letrar, e perceptojnë artin si kulturë, që rolin edukativ e kanë në vete- siç do të shkruante Arshi Pipa. Dhe në këtë roman, ashtu sikurse në gjithë krijimtarinë e tij, Gojcaj përçon mesazhe të fuqishme kulturore e edukative, të cilat realizohen përmes katharsisit letrar, si element i fuqishëm i letërsisë së tij.