SHKRIMTARI ANTON GOJÇAJ PJESË E LETËRSISË SHQIPTARE

HAXHI SHABANI

SHKRIMTARI ANTON GOJÇAJ PJESË E LETËRSISË SHQIPTARE

Në shtegun e elitës kulturore

Mr. Haxhi Shabani

Në kërkim të identitetit krijues

Anton Gojçaj, deri më tash autor i 6 librave në fusha të ndryshme të letërsisë në një mjedis letrar aspak stimulues për t’u marrë me këtë veprimtari siç është i shqiptarëve në Malin e Zi, është padyshim jo vetëm një nga autorët më seriozë të këtij cepi të letërsisë shqiptare, por edhe më gjerë. Për më pak se një dhjetëvjeçar, veprën e parë “Poezi” e boton në Tuz në vitin 2001, krijon portretin e tij letrar me shtrirje të gjerë në format dhe zhanret letrare në të cilat krijon që nga vlerësuesi i veprave të të tjerëve: me studime, recensione, vështrime letrare, deri te botimi i veprës së parë të tij në prozën e gjatë siç është romani. Ata që e kanë ndjekur veprimtarinë letrare të Anton Gojçajt kanë vërejtur se ai qysh në vitet studentore krahas ka filluar të botojë poezi dhe recensione letrare në mediet në Kosovë.
Për t’ia nisur nga poezia, duhet thënë se ai, atë e përdor si sprovë të kërkimeve të tij për të gjetur identitetin e tij si krijues. Kurse kritikën letrare në kuptimin e gjerë të fjalës e ndeshim qysh në vitet e rinisë së hershme të tij të cilën e boton në mediet e Kosovës të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të shkuar, çka dëshmon që në krye të herës se Gojçaj po bëhet një kundrues i hollë i veprave dhe autorëve të ndryshëm. Vjen pastaj një fazë pothuajse krejtësisht pasive e tij, sa i përket botimit, për rreth një dhjetëvjeçar, kur ai jeton si azilkërkues në Gjermani e cila është e veçantë për të dhe për llojin të cilit ai i takon. Ai duke shkuar atje për të gjetur një jetë më të mirë me nivel ekonomik, paradoksalisht nuk përpiqet shumë që të gjejë punë si 99 % e kolegëve të tij, por mëson gjuhën gjermane dhe zhytet në leximin e një deti të thellë të letërsisë botërore, siç është ajo e shkruar në gjuhën gjermane. Dhe kthimi është i pashmangshëm në Itakën e tij, për të shpërthyer si në epet e lashta, për tetë vjet boton 6 vepra, kurse siç jemi në dijeni romani “Passio” duhet t’i ribotohet së shpejti. Pastaj një vepër e tij e zgjedhur është në planet e afërta botuese të Art Klubit nga Ulqini, ndërkaq ka të tjera vepra në dorëshkrim. Një shifër e lakmueshme që të rrallët shkrimtarë e arrijnë ta realizojnë, për çdo vit nga një vepër e botuar. Kur shkrimtari Anton Gojçaj në vitin 2003 botoi veprën e tij me tregime “Qengj i harruar natën në mal” atëherë ishte parë realisht forca e tij krijuese, jo thjesht e një të riut që shkruan poezi, është e njohur dukuria e të shkruarit të poezive në rini, por e një prozatori, i cili megjithëse po bënte provën e parë në këtë lloj letrar, por dilte i stabilizuar si në rrëfim, po ashtu edhe në figuracion. Që nga titulli e deri te disa hollësi që mund t’i përmbajë tregimi, del tërthorazi një rrëfim që të kujton sidomos mjeshtrin e prozës së shkurtër shqiptare Ernest Koliqin. Dhe gjeturia e autorit në lëvrimin e prozës, në këtë rast të një romani siç është “Passio” që mund të lexohet edhe më mirë si novelë, duke pasur parasysh se kufiri midis këtyre llojeve është herë i pakët e herë kurrfarë, është më e mirë. Ai me këtë roman arrin të emocionojë lexuesin, jo me epikë, por me një prozë lirike e cila më shumë është një elegji jo për humbjen fizike, por për humbjen e shpirtit. Kur e kam lexuar, në më tepër se në një vend më janë mbushur sytë me lotë dhe nuk kam hezituar ta thërras autorin për ta uruar, jo për mirësjellje, por për një arsye të thjeshtë. Ai më kishte emocionuar me personazhin e tij kryesor se herë duket se vjen nga qendra e botës, siç janë SHBA-të, herë nga parahistoria. Të emocionosh lexuesin, apo shikuesin, është një një qëllim që e lakmojnë shumë vepra të llojeve të ndryshme, por të rrallat e arrijnë. Dhe këtu nuk është fjala për një emocion prej naivi, por për një të thellë, deri në eshtra. E ç’mund të bëjë tjetër letërsia e shkretë? T’i zgjidhë problemet e mëdha të jetës? Jo. Por mund të bëjë diçka që është njerëzore dhe tejkalon ngjyrimet lokale e kombëtare. Si e këtillë ajo është një nga temat e letërsisë të cilat janë të pavdekshme.
Botimi i dy veprave të radhës, “Fakticiteti në letërsi – proza letrare e Anton Harapit” 2007, studim që është mbrojtur si temë magjistrature dhe më parë “Tema e heroit nacional në letërsi” 2004 dhe së fundi “Shija e librit” 2009 janë pjesë e fuqishme e portretit të shkrimtarit dhe studiuesit Anton Gojçaj, i cili tashmë po krijon identitetin e tij krijues. Ai në librin e fundit me recensione e vështrime “Shija e librit” është një lexues i kulturuar, një studiues që e shikon krijimtarinë e autorëve me të cilët merret që nga dashamirësia dhe lavdërimi edhe kur ndonjëherë ashtu nuk mendon, deri te vërejtësi elegant e me kulturë i dukurive e prirjeve kryesore të veprave që merr në shqyrtim. Në dy librat e tjerë “Fakticiteti në letërsi...” dhe “Tema e heroit nacional” është më i shtruar në të vërejtur, falë edhe zhanrit, si edhe më shumë gjuhëmprehtë në shqiptimin e problemeve dhe objeksioneve që ai ka ndaj temave e autorëve të cilat i ka në fokus të studimeve të tij, përfundimisht është në rrethin e tij, në të cilin është shumë komod.

Nevoja e krijimit të elitës kulturore

Duke parë në thelb krijimtarinë e Anton Gojçajt, në kontekstin më të gjerë jo thjesht letrar, por edhe kulturor e gjuhësor, ajo është e rëndësishme për tri arsye kryesore.
Së pari, shqiptarët në Malin e Zi, falë edhe shkrimtarit dhe studiuesit Anton Gojçaj përballë letërsisë shqiptare të gjithëmbarshme mund të shqiptojnë faktin se në Malin e Zi krijohet një pjesë e letërsisë shqiptare e cila edhe pse nuk ka shumësi emrash, ka vlera që duhet të merren në konsiderim. Në këtë drejtim Gojçaj është një nga të rrallët shkrimtarë shqiptarë në Malin e Zi i cili për nga niveli, stili, përmbajtja e ndërtimi i veprave të tij letrare mund të krahasohet me shkrimtarë e studiues që janë nga Tirana e Prishtina. Kjo do të thotë se ai e ndonjë tjetër kanë hyrë në konkurrencën e pashmangshme të vlerave brenda letërsisë shqiptare. Dhe ky fakt është një nga vlerat më të mëdha të këtij autori.
Së dyti, në anën tjetër, llojllojshmëria e veprave të autorit së bashku me vlerat e veprave të disa shkrimtarëve të tjerë shqiptarë në Malin e Zi, na jep të drejtën e ligjshme të pohojmë, këtë është e domosdoshme ta bëjmë edhe në formë klithjeje për ta dëgjuar shumica: këtu krijohen vepra në gjuhën shqipe që duhet njohur sepse përbëjnë një pjesë të rëndësishme të mozaikut të letërsisë që krijohet në Malin e Zi. Tashmë skena letrare e kulturore në Malin e Zi, pas kalimeve të etheve të krijimit të shtetit të pavarur, duhet të rishikojë veten, për të gjetur vlerat e vërteta në letërsi, art e kulturë edhe jashtë shumicës që flet e shkruan gjuhën me katër emra.
Dhe së treti, duke e parë personalitetin letrar e kulturor të Anton Gojçajt më në gjerësi sesa brenda fushës së tij themelore të letërsisë, mund të shqiptohet një synim që shqiptarët në Malin e Zi duhet ta kenë prioritet: krijimin e elitës kulturore. Këtë në çdo mjedis, shtet apo rajon e përbëjnë: shkrimtarët, shkencëtarët e artistët. Nëse në Malin e Zi mund të thuhet se është krijuar dhe identifikuar elita politike dhe e biznesit, ajo kulturore, gjegjësisht e inteligjencies, mbetet të themelohet elita kulturore, si një strukturë me synime të qarta. Kompetencat që i kanë individët të cilët do të mund të përfshiheshin në këtë elitë si në gjuhë, kulturë, arsim, letërsi, medie, botime mund të jenë brinja e nevojshme e një katërkëndëshi të përbërë që quhet elita kulturore, plus politika, biznesi dhe sektori joqeveritar.

(Koha javore, nr. 419, 20 maj 2010, Podgoricë)