🟣Lirika intime e Anton Gojçaj - nga Rrok Gjolaj

VËSHTRIM PËR PËRMBLEDHJEN ME POEZI “DËGJOHET NJË VIOLINË, NË SUFERINË...” TË ANTON GOJÇAJT

Dendësi mendimi dhe tendosje emocionale

 


Shkruar nga: Rrok GJOLAJ

 

Hyrje

Veprimtaria letrare

Anton Gojçaj është figura qendrore e krijimtarisë letrare të shqiptarëve që jetojnë në Mal të Zi dhe njëra nga figurat e spikatura të letërsisë shqipe në rrafshin mbarëkombëtar. Ai u lind në Tuz, ku dhe jeton. Studimet universitare dhe pasuniversitare i ka përfunduar në Prishtinë. Me krijimtari letrare ka filluar të merret në moshë shumë të re; botoi në shtypin e kohës në Podgoricë, Kosovë etj. Shkruan poezi, tregime, romane e studime letrare. Deri tani ka botuar dy përmbledhje me poezi: “Poezi” (2001) dhe “Dëgjohet një violinë, në suferinë” (2011). Në prozë ka botuar përmbledhjet me tregime “Qengji i harruar vetëm në mal” (2003) e “Ndërmjet kapakëve”(2010) dhe romanin “Passio”(2004). Studimi “Proza letrare e Anton Harapit” titullohet “Fakticiteti në letërsi” (2007), esetë janë përmbledhur në librin me titull “Tema e heroit nacional” (2004), kurse vështrimet dhe recensionet në librin me titullin “Shija e librit” (2009) dhe “Biblioteka e Hirushes” (2011).

 

Vlerat e përmbledhjes “Dëgjohet një violinë, në suferinë...”

 

Përmbledhja e dytë me poezi, “Dëgjohet një violinë, në suferinë...” e poetit Anton Gojçaj, qysh nga vetë titulli afron vlera poetike dhe estetike që përshkojnë gjithë veprën si krijim i një strukture të veçantë ligjërimore. Harku qendror i kësaj përmbledhjeje poetike mbështetet tek substanca refleksive dhe disponimi lirik. Uni poetik vjen në këto poezi edhe si artikulim emotiv e tërësi artistike, pa mbetur asnjëherë në rrafsh përgjithësues. Zëri i unit lirik, sfidat e këtij uni mbruhen duke u bërë përcaktim i saj dhe përqendrim i brendshëm i poezisë. Vetë titulli i veprës nxirret nga një poezi e veçantë e kësaj përmbledhjeje: “Dëgjohet një violinë, fryn një suferinë”. Ky është një ndërtim poetik befasues origjinal që ofron dendësi konotacionesh e kuptimesh semantike me vlera të larta estetike.

Poeti dhe studiuesi i talentuar Anton Berishaj për poezinë e këtij autori shprehet: “Poezinë e Anton Gojçajt e karakterizon një dinamikë e veçantë tekstore, një tekstualitet i gjallë, i pazakonshëm, origjinal. Autori e arrin këtë me një shumësi procedimesh dhe teknikash kompozicionale e strategjish retorike”.[1]

Në disa poezi kemi një lirizëm filozofik që vjen tek lexuesi si bisedë qiejsh dhe bashkëbisedim me hyjnitë (Kambanat para dritës, Dëgjohet një violinë, Fryn një suferinë, Gjysma e botës, Energjia e poezisë).

Dhimbja e poezisë nxit mendime zhbiruese në kërkim të kuptimësisë. Kahjet e poezisë si sajim i iluzionit të imazhit konkret dhe lëvizje e brendshme e metaforave, për të zbuluar të padukshmen japin së bashku reflekset e një gjendjeje të caktuar shpirtërore, duke na sjellë përjetimin.

Tek Gojçaj, poezia nuk lexohet, ajo përjetohet (Vajza ecën me ombrellë në borë, Trëndafil i kuq në borë, Askush s’e kupton dhelprën). Në një pjesë të madhe të lirikave, vargu ngarkohet me reflekse kategorie vitale, si ekzistencë, e cila shpesh lidhet me tërësinë e universit. Në poezitë ku është e pranishme substanca filozofike, shpesh dilemat mbesin të pazgjidhshme (24 orë, Lirikë heroike, Një mace kozmosi, Diç për matanë, Mrekullia e ekzistencës, Shpejtësi e rrezikshme).

“Poezinë e Anton Gojçajt prore e ka karakterizuar njomësia dhe freskia e vargut poetik, ndërsa autorin, guximi për t’i thyer konvencat dhe durimi për ta latuar vargun deri në përsosmëri”, shkruan gazeta “Zëri” i Prishtinës në vitin 2001 dhe është botuar në kopertinën e këtij libri “Dëgjohet një poezi, në suferinë...” (Lezhë, 2011).

 

Karakteristika të lirikës intime

 

Zëri lirik i autorit është shumë i fuqishëm në këtë përmbledhje me poezi. Shpesh ndihet dëshpërimi poetik, zhgënjimi nga jeta dhe njerëzit, po fundi i poezisë gjallon besim.

Poezitë përshkruhen nga idetë e natyrës metaforike, të cilat shpesh artikulohen si përvoja personale. Kemi në këto poezi dendësi mendimi dhe tendosje emocionale. Në disa poezi gjejmë poetikën e mungesës. Mungon vazhdimësia e dashurisë, duke u kthyer në mungesë të botës së përsosur reale. Mungesa si kudo sjell mall e vuajtje; vuajtja është e përballueshme, nuk ka stuhi ndjenjash, të duket se gjithçka përballohet me urti.

Karakteristikat gjuhësore të kësaj poezie janë foljet të cilat më së shumti përdoren në të shkuarën: në të shkuarën gëzimi e tash mungesa (“Lamtumirë nuk mund të them”, “Botët paralele”, “Olimpiada e pritjes”, “Largimi është veç fillim i kthimit”, 403, “Regëtin”, “Njeriu i mirë”). Në poezitë intime të Gojçajt, uni lirik është i çliruar nga vetjet e tjera; ajo është e brendshme dhe vizaton dritëhijet e veta shpirtërore. Shpesh autori përdor gjuhën ezopike, si te poezitë: “Askush s’e kupton dhelprën”, “Një mace kosmosi”.

Të pranishme në lirikat e këtij libri janë edhe gjeneza, gjuha e rrënjët shqiptare (“Nëna ime shqype kryebardhë”, “Traboinshe”, “Dhjetë ndoshta pse Çun Mula”, “Gjuha shqipe është e bukur”, “Rrëfehem”). Ironia në poezitë e Gojçajt kthehet në substancë të ngarkesës emocionale, kurse tharmi ironik shtrihet që nga vargje të veçanta e deri në gjithë poezinë.

 

Struktura dhe gjuha e veprës

 

Artikulimi gjuhësor të tërheq si çelës për leximin e poezisë. Poezitë në këtë përmbledhje kanë lehtësi komunikimi, harmoni ritmike e tingëllore e vargu poetik ndërtohet duke synuar përsosmërinë. Teknikën si formë e komunikimit poetik e karakterizon mungesa e shenjave të pikësimit dhe mospërdorimi i shkronjës së madhe. Kjo është një shenjë dalluese që lidhet me teknikën e tij të veçantë dhe përvojën e thurjes së vargut. Poezia herë lexohet si strofikë e organizuar e herë si varg i lirë. Disa poezi janë të kornizuara, duket sikur kanë dyer nga ku hyhet dhe dilet (“Vrapo e dashura ime”, “Buzëqeshje e gjelbër”). Në këtë përmbledhje, shkapërcimi i kufijve formalë të poezisë sjell elegancë ritmi dhe efekte stilistike. Poezitë kanë figurshmëri të pasur e metaforat përkundin njëra-tjetrën në djepe vargjesh.

 

Fusnota:



[1] Anton Gojçaj, “Dëgjohet një poezi, në suferinë...”, Lezhë, 2011. Pasthënia: Anton Berishaj, Poezia si jopërsosmëri e përsosur… botuar si recension te libri Anton Gjojçaj “Poezi”, Tuz, 2001, fq. 77.

 

 

LITERATURA :

1. Gojçaj, Anton, “Dëgjohet një violinë, në suferinë...”, Lezhë, 2011.

2. WELLEK, Rene, WARREN, Austin., “Teoria e letërsisë”, Një studim themelor mbi natyrën dhe funksionimin e letërsisë në gjithë kontekstet e saj, përktheu: Abdurrahman Myftiu, Shtëpia Botuese “Onufri”. Tiranë, 2007.

3. SINANI, Shaban, Për letërsinë shqipe të shekullit të 20-të. Studime. Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Shtëpia Botuese “Naimi”, Tiranë 2010.

4. Vinca, Agim, Struktura e zhvillimit të poezisë së sotme shqipe, Prishtinë, 1985.

 

 

A GLIMPSE AT POETRY COLLECTION OF ANTON GOJÇAJUNDER THE TITLE “A VIOLIN IS HEARD FLOWING IN A TORMENT”

 

ABSTRACT

 

Anton Gojçaj's work of art in poetry puts in front of the reader, his authorial poetic being in a pure state. The lyrics evolves not only by defining substantially his poems but mostly by becoming its inner essence. Gojçaj's poetry built up around his reflexive working and also the enriched lyrical sensibility.

One of the greatest achievements of his works is that they can't be simply read: they demand to be felt profoundly. (Just to name a few: The girl with the snow umbrella, Red rose, Nobody gets the fox). Technically, his poetic messages flow through the illusion of concrete and real images and moving metaphors.

The result: Gojçaj's lyricism leads to unveil the unseen dimensions of reality and human emotions.

The philosophy beyond his works comes across the reader as if it was a sort of dialogue between skies and Gods of distant parts of the emotional cosmos. In some of his works, different philosophical questions remain yet unresolved, just to mention a few: "24 hours "; "Heroic lyrics"; "A cat from cosmos”; “Something about outerspace".

Existence is the main concept of all above poems, becoming in each of them a central part of metaphysical consideration during the author's creative process. 

 






 

 

🟠250-vjetori i Famullisë së Trieshit - nga Anton Gojçaj

LIBRI ME KUMTESA: 250 – VJETORI I FAMULLISË SË TRIESHIT - Me rëndësi kishtare dhe kombëtare

(250 – vjetori i famullisë së Trieshit, Përmbledhje kumtesash nga Simpoziumi shkencor kushtuar këtij jubileu, botuar nga Misioni Françeskan në Malësi / Famullia e Trieshit, shtypur nga Fiorentia, Shkodër 2017. Redaktorë: Zef Gjuravçaj, Pjetër Lucaj, Gjokë Dukaj).

 

ANTON GOJÇAJ

Libri përmbledh kumtesat e lexuara (dhe disa që nuk u lexuan, por u dërguan më vonë për botim) në Simpoziumin e mbajtur në gusht të vitit 2013, me rastin e kremtimit të 250 vjetorit të Famullisë së Trieshit. Kumtesave u paraprijnë fjalët përshëndetëse të Gjokë Dukajt - në emrin e Këshillit organizativ, fra Gazmend Tinajt - si provincial i Provincës françeskane shqiptare, si dhe Kolë Cacajt, i lindur në Triesh dhe prej shumë vitesh me banim në SHBA - një kontribues i dalluar në fushën e investimeve në vendlindjen e vet dhe më gjerë.

 

I. Dy kumtesa akribike dhe kompatibile me temën e simpoziumit

  Kumtesa e parë, “Famullia e Trieshit” shkruar nga famullitar i Trieshit (që më vonë kaloi në shejtnoren e Laçit) P. Mirash Marinaj, është  tematikisht, krahas edhe një apo dy kumtesave të tjera, më kompatili me temën e simpoziumit. Në këtë kumtesë, e cila lirisht mund të merret si një “mini-monografi” dhe për mendimin time paraqet kontributin më të rëndësishëm përkatësisht të simpoziumit dhe librit në fjalë, jepen të dhëna të rëndësishme nga historia e famullisë. Pasi shpreh mendimin se  “historinë na e kanë ba të huajt që shumë prej tyre shkrueshin për qëllime politike e jo për të vertetën historike kë këtij populli”,  Marinaj konstaton se si datë e themelimit të Famullisë së Trieshit si institucion merret 1763, kjo edhe për arsye se prej këtij viti janë ruajtur amzat e pagëzimeve dhe të kurorëzimeve të famullisë. Para këtij viti, sipas Marinajt, Trieshi përfshihej në famullinë e Grudës. Edhe kisha e Trieshit (godina), duke u bazuar në shkrimet e ruajtura, daton nga shekulli XVIII. Koha e ndërtimit të kishës (godinës) hamendësohet se duhet të jetë në periudhën 1716-1763, duke lënë mundësinë se ka indicie të bazuara se në këtë trevë ka pasur edhe kisha më të vjetra, por që, për shkaqe të ndryshme dhe si pasojë e rrethanave jo të favorshme historike humbën pa lënë as gërmadha pas vetes. Vendin ku është ndërtuar kisha e ka falur Prekë Ljepori, diku në gjysmën e parë të shekullit XVIII. Marinaj, ndër të tjera, jep një mendim-sintezë lapidar(e): “Me u ndërtue kisha katolike në Triesh ishte nji ndamje e përhershme nga rreziku i tjetërsimit kjoftë në fe, kjoftë edhe në kombësi”. Famullinë e Trieshit prej themelimit e deri në fundin e shekullit XX e  ndoqën vështirësi.  Sipas misionarëve, famullia ishte “ndër më të vorfnat e Misionit”. Në gjysmën e dytë të shekullit XX ajo u përplas edhe me kundërshtime të natyrës ideologjike. Fillimisht famullia administrohej nga dioqeza e Shkodrës dhe bënte pjesë në Provincën françeskane shqiptare, kurse nga viti 1832 ishte pjesë e prefekturës së Kastratit.  Nga viti 1878 i kalohet Argjipeshkvisë së Tivarit. Në periudhën 1763-1904, pra që nga themelimi e deri në vitin 1904 , kur për famulliar emërohet P. Leonard Gojani, të gjithë famullitarët ishin të huaj, kryesist nga Italia dhe rrallë ndonjëri nga Kroacia. Krahas të dhënave të tjera, në kumtesë dëftohet ku gjenden altarët (elterët) dhe kapelat në Triesh. Më pastaj sqarohen disa toponime karakteristike që kanë lidhje me fretërit (Pellgu i Fratit, Qarri i Fratit, Guri i Fratit, Shkalla e Fratit, Grobzat e Fratit) që dëshmojnë për një lidhje të ngulitur jo vetëm në gojëdhëna dhe dokumente, por edhe në toponiminë e vendit, që ka një dimension të posaçëm. Nuk mungon as lista me emrat e të gjithë meshtarëve që shërbyen në famullinë e Trieshit gjatë një çerek-mileniumi. Françeskanëve dhe motrave që lindën në Triesh u kushtohet vend i veçantë.Kumtesa përfundon me të dhëna informativo-analitike për lëvizjen e popullsisë, për gjendjen aktuale të famullisë, për mërgatën ose diasporën e cila për nga numri i njerëzve tani është disa herë më e madhe se sa numri i atyre që ende jetojnë në trevën tradicionale të Trieshit, për veprimtaritë kryesore kulturore gjatë viteve - ku veçanërisht apostrofohet botimi i disa librave nga trashëgimia e krijimtarisë së ish famullitarëve të Trieshit, të dhëna statistikore mbi onomastikës, janë pasuri gjuhësore të një populli; ata në mënyrë të veçantë tregojnë historinë tij. Gjykimet e autorit janë të përmbajtura, theksohet qartë kur mbështetet në gojëdhëna dhe kur në fakte dhe dokumente. Kumtesa përmban edhe shënime në fund të fletës, por jo edhe shënime bibliografike në fund, gjë që nuk ia ul vlerën thelbësore punimit, i cili mbështetet më shumë në hulumtimet e drejtpërdrejta arkivale, por gjithsesi do t’i kishte dhënë ngjyrim më të theksuar shkencor-akademik.

Autori i ka kushtuar shumë kohë dhe mund kësaj trajtese, që me disa shtojca eventuale, qoftë në tekst por sidomos në ilustrime (fotografi të objekteve, famullitarëve, pse jo edhe të besimtarëve ose nga meshët e mbajtura gjatë viteve)  duket e mjaftueshme dhe me interes për historinë e kishës katolike në këtë rajon – me vlera edhe përtej-kishtare, që të botohet edhe si libër me vete, gjë që edhe ia rekomandoj autorit.

   Historia e shpëtimit të librave amë të të pagëzuarve dhe të kurorëzuarve në këtë famulli, siç mësohet nga libri (i botuar pas vdekjes së autorit) i Simon Filipajt, të cilit edhe i referohet studiuesi prof. dr. Mark Camaj në kumtesën “Antroponomia e Trieshit (dhe Kojës) në librat amë të këtyre famullive 1763-1899”  është mjaft indikative: ato i kishte gjetur mësuesi i mirënjohur i kësaj treve, Gjon Gjeka Lucaj, në “bunishtë” (plehërishte) te kisha, pas qelës, të cilën për një kohë e pat uzurpuar për nevojat e veta pushteti i ri  lokal (komunist), i cili i kishte hedhur –  duke i konsideruar pa vlerë. Mësuesi i urtë i mori ato dokumente të vjetra dhe në mirëbesim ia dorëzoi famullitarit të atëhershëm (S. Filipajt), i cili u kujdes për t’i shpëtuar nga zhdukja. Shënimi i parë në këta libra daton nga data 8 gusht 1763. Camaj sqaron se “këta libra amë janë shkruar italisht, në pjesën më të madhe, dhe latinisht.” Kjo është e kuptueshme pasi që asnjë famullitar deri në fillim të shekullit XX nuk ishte shqiptar. E vetmja fjalë shqipe, vëren Camaj, që përdoret në këta libra amë është parafjala “prej”: Lena prej Triepsi, Prenta prej Budeset... Studiuesi më pastaj sqaron se megjithëse këta libra amë të janë shkruar për nevoja famullitare të pastorizimit dhe jo për qëllime onomastike, ata “janë burim dhe material i dorës së parë, tepër i rëndësishëm për shkencën linguistike” dhe paraqesin “një mozaik të vërtetë onomastik”. Studiuesi Camaj shënon se në këto dokumente në përdorim janë 91 emra meshkujsh dhe 34 emra femrash. Sipas regjistrit të pagëzimeve rezulton se në Triesh (dhe Kojë) kanë dominuar emrat “kalendarikë”, kurse në regjistrin e kurorëzimit vërehet se triepshjanët përveç me shqiptare janë martuar edhe me sllave “nga Kuçi ose Drekali”.  Autori në këtë trajtesë nxjerr përfundimin logjik se në këta libra amë faktohet  “kontinuiteti antroponimik në relacionin mesjeta e vonshme me kohën e sotme”, duke arritur në gjykimin final se “analiza e plotë e antroponimisë së Trieshit e Kojës, në gjysmën e dytë të shek. XVIII dhe e shekullit XIX, jo vetëm se është kontribut shkencor, por qartë tregon se kush dhe çka ishin dhe janë Trieshjanët dhe Kojasit”. Numri i madh i emrave janë “panshqiptarë”, ku përveç emrave të shenjtorëve dhe martirëve hasen edhe emra nga onomastikoni vendas (Ujk, Zog/-e, Gjel, Bjeshkë etj.). Kumtesën e cilëson disiplina metodologjika, moslargimi nga tema (pa digresione),  përdorimi i saktë i termave nga lëmi i onomastikës dhe përfundimet e argumentuara.

Një lëshim, për mendimin tim - i redaktorëve, është lënia në tekstin e kumtesës e paragrafit (në faqen 181) në të cilin autori Camaj, duke lexuar kumtesën e vet në simpozium, thotë se këtu do të tregojë “shkurtimisht” se “çfarë nënkuptojnë klasifikimet” kurse “rezultatet e këtyre analizave të interesuarit do të mund t’i lexojnë në variantin e shkruar, nëse eventualisht botohen.”  Ky paragraf në versionin e librit është i panevojshëm dhe është dashur të hiqet. Ky lëshim vërtetë nuk e dëmton librin përmbajtësisht, por është dashur të kihet para sysh gjatë redaktimit. 

 

II. Kumtesa(t) pjesërisht kompatibile me temën e simpoziumit


   Studiuesi italian Italo Sarro në studimin “Disa oreole mbi misionet françeskane në Arbëninë e shekullit XVIII”, siç vërehet edhe nga formulimi i titullit, ka për synim të hedhë dritë mbi kontributin e françeskanëve në “Arbëni”. Krahas të dhënave për famullitë e “Arbënisë”, kumtesa sjell edhe disa të dhëna statistikore me interes për misionin françeskan në Triesh gjatë shekullit XVIII dhe në gjysmën e parë të shekullit XIX. Këtu mbetet i paqartë kuptimi i nocionit “mision” (françeskan) në raport me nocionin “famulli”, nëse si vit i themelimit të kësaj famullie merret viti 1763, kurse në artikullin e Sarros thuhet se në vitin 1747 në “misionin e Triepshit” ka pasur  61 pagëzime, 11 martesa, 2 ndërrime feje. Kumtesa e Sarros është rezultat i hulumtimeve në Arkivin e propagandës Fide, Fondi “Albania”... Përveç disa të dhënave numerike dhe zënies në gojë të hospicit në Triesh, në tekstin prej 28 faqesh, drejtpërdrejt Trieshit i kushtohet vetëm edhe një paragraf  i huazuar nga relacioni ad limina i ipeshkvit  Engjëll Radoja, nga viti 1786. Kjo është arsyeja pse e quajta pjesërisht kompatibile me temën. Përndryshe, punimi i Sarros është serioz dhe me vlera të pakontestueshme shkencore.

   Kumtesa e Gjovalin Çunit “Trieshi në optikën e autorëve të huaj”, që në titull qartësisht e kapërcen temën e ngushtë të simpoziumit, sepse fokusohet te fisi dhe jo famullia e Trieshit. Kumtesa ka rreth 27 faqe (në libër faqet 108-134), kurse me Trieshin drejtpërdrejt Çuni fillon të merret diku prej faqes 14 të punimit (në libër faqja 122). Studiuesi përdor shënimet në fund të fletës, ato janë të kompletuara, por nuk e sheh të nevojshme që në fund të japë edhe burimet dhe literaturën – sikur mendon se do të ishte vetëm një përsëritje e panevojshme e të dhënave që jepen qartë në kuadrin e fusnotave. Në gjysmën e parë të punimit, autori “regjistron” personalitetetet e huaja, të njohura, që shkruan për Shqipërinë (Bajroni, G. von Hahn, E. Durham, T. Ippen, F. Nopça, A. Baldaçi, Atë Z. Valentini, L. H. Hecquard, A. Degrand), gjegjësisht relacionet e tyre për Shqipërinë dhe - sidomos për Malësinë. Në vazhdim meret me shtjellimin e nocioneve “Malësi”, “fis”, pastaj me pyetjen e  autoktonisë së fiseve malësore në trevat ku edhe sot  shtrihen,  përmend gojëdhënat ekzistuese për paraardhësit e përbashkët të disa fiseve shqiptare dhe malazeze. Gjvalin Çuni reflekton edhe për Kanunin  (e Lekës) të cilin e nderonin malësorët.  Çuni thotë se ky fis shfaqet me tre emra (Triesh, Triepsh, Zaterbaç (ndoshta Zatrijebaç !? – AG).

     Me etimologjië e fjalës “Triesh” merret edhe P. Marinaj në kumtesën e sipërpërmendur, por vërehet se asnjëri nuk i referohet prof. Mark Camajt, përndryshe pjesëmarrës në simpozium – i cili në tezën e vet të doktoraturës “Onomastika Malesije” (Onomastika e Malësisë), mbrojtur në Universitetin e Beogradit në vitin 1995, është marrë gjerësisht me këtë çështje. Kjo tezë doktorature vërtetë nuk është botuar si libër nga ndonjë shtëpi botuese, por besoj se në kontakt me autorin ka mundur të sigurohet një version i fotokopjuar i saj në mënyrë që të përfshihen në diskutim edhe përfundimet e këtij studiuesi.

    Kumtesa “Fillimet dhe zhvillimi i arsimit në Triesh” e Zef Gjuravçajt ka natyrën e një vështrimi kronologjik për arsimin në këtë trevë. Drejtpërdrejt me famullinë lidhet me konstatimin se kur mësimi në shkolla mbahej në gjuhën joamtare, uratët (mësim-besimi) në kishë mësoheshin në gjuhën shqipe. Gjuravçaj, duke iu referuar një studimi të botuar në vitet e gjashtëdhjeta të shekullit XX në Shqipëri, sikur priret që hapjen e shkollave në gjuhën shqipe për herë të parë në këtë trevë ta shikojë si një veprim diplomatik të Perandorisë Austro-Hungareze, e cila “duke u paraqitur si “mbrojtëse”, “bamirëse” dhe protektore” e popullit shqiptar”, në të vërtetë qëllimin e kishte që “ta përfitojë popullin shqiptar dhe të zëjë rrënjë ideja se ajo është mbrojtëse e vërtetë e tij duke hapur shkolla për  mësimin e shqipes.”  Në fakt, çdo sistem shoqëror, pushtues dhe jopushtues, politikën e arsimit e projekton në përputhje me interesat dhe vizionin e vet strategjik. Trajtesa në pjesën më të madhe e ruan neutralitetin (objektivitetin shkencor) sa i përket dhënies së gjykimit mbi zhvillimin e arsimit në këtë trevë nëpër periudha historike.

     Të dhëna me interes për historinë e Trieshit sjell kumtesa “Një fragment historie nga krahina e Trieshit” e dr Lukë Gjokajt. Në fakt kumtesa fokusohet në disa fragmente historike. Në mënyrë të veçantë mbulohet periudha gjatë shekujve XVIII-XIX, ku dominojnë aspekte të historisë luftarake të fisit. Vëmendje e posaçme i kushtohet dy përleshjeve të përgjakshme ndërmjet forcave vullnetare trieshjane dhe ushtrisë malazeze: e para ishte beteja në vitin 1856 ku fitues dolën trieshjanët, kurse njëzet vite më vonë, më 1876, kur ushtria malazeze e sulmoi për të dytën herë Trieshin, tani nën komandën e Mark Milanit, shumica e trieshjanëve e kishte lëshuar vendin, kishin mbetur vetëm disa familje, por kjo nuk i pengoi malazezët për t’i vënë flakën shtëpive me ç’rast u  vranë disa trieshjanë që nuk kishin ikur me kohë.

III. Kumtesa pak ose aspak kompatibile me temën e simpoziumit 

   Jo të parëndësishme por vetëm pjesërisht kompatibile me tematikën e simpoziumit, gjegjësisht të librit, qoftë për tematikën apo për mënyrën e shtjellimit, mund të konsiderohen trajtesat e Anton Kolë Berishajt (”Fqinjësia në shenjë destrukcioni dhe simbioze”) dhe ajo e Gjon Gjokajt (“Diaspora trieshjane në Amerikë”), kurse inkompatibile mund të vlerësohen kumtesat “At Anton Harapi e urtia e burrnia e banorvet të Cemit” e Ardian Ndrecës, “Institucioni i bajrakut: vendosja e rrjetit të parë politiko administrativ në Malësi” e dr. Anton Vukpalajt (të cilave përndryshe nuk u mungon kultura e shkrimit akademik, akribia dhe disiplina metodologjike,  përkundrazi) dhe ndonjë tjetri...

Në përfundim jepet fjala përshëndetëse e Mark N. Gjeloshajt, kurse në formën e shtojcës janë bashkëngjitur tri kumtesa të shkruara mjaft vite para mbajtjues së simpoziumit, të autorëve mr. Gjergj Nikprelaj, dr. Gjergj Gjuravçaj dhe dr. Pjetër Gjuravçaj.