Erotimatologio / Anton Gojçaj - në gazetën Express

 
Gazeta Express, 7 prill 2023

EROTIMATOLOGIO /  ANTON GOJÇAJ

Anton Gojçaj u lind më 4 qershor 1966 në Podgoricë (Mali i Zi). Ka mbaruar studimet për letërsi dhe gjuhë shqipe në Prishtinë, ku ka ndjekur edhe studimet pasdiplomike dhe ka magjistruar. Shkruan poezi, prozë dhe recensione mbi vepra të ndryshme letrare… Më rrallë merret edhe me përkthime letrare nga gjuha malazeze në gjuhën shqipe dhe anasjelltas. Jeton në qytezën Tuz (afër Podgoricës, Mali i Zi). Në periudhën 2002-2008 ka punuar në redaksinë e gazetës “Koha javore” në Podgoricë, kurse nga muaji tetor 2008 ka kaluar me punë në Entin e Arsimit në Podgoricë, si mbikëqyrës për lëndën mësimore: Gjuhë shqipe dhe letërsi.

_____________________________


"Poezi", botoi ILLYRICUM, Tuz 2001, botimi i dytë me titullin “Dëgjohet një violinë, në suferinë…”, Enti Botues “Gjergj Fishta”; Lezhë 2011
"Qengj i harruar natën në mal", tregime, Shpresa, Prishtinë 2003
"Tema e heroit nacional në letërsi" – Studim, AIKD, Prishtinë 2004
"Passio", roman, Buzuku, Prishtinë 2004, botim i dytë EB “Gjergj Fishta”, Lezhë 2009
"Fakticiteti në letërsi", Proza letrare e Anton Harapit, studim, Buzuku, Prishtinë 2007
"Shija e librit", vështrime – recensione, AIKD, Prishtinë 2009
"Ndërmjet kapakëve", tregime, Art Klub, Ulqin 2010


_______________________________

Libri i parë

Prindërit e mi kanë kryer nga katër klasë të shkollës fillore dhe nuk kemi pasur bibliotekë shtëpie. Një xhaxha imi studionte në Prishtinë dhe herë pas here sillte ndonjë libër në shtëpinë tonë. Mësimet deri në klasën e pestë i ndoqa në vendlindje, në një paralele të shpërndarë, që po ashtu nuk kishte bibliotekë.  Mësuesi nuk kërkonte t’i lexonim librat e lektyrës shkollore, sepse  s’ kishim ku t’i merrnim. Titulli i librit të parë nga letërsia, që e kam lexuar, nuk më kujtohet. Titujt  e parë që më kujtohen, që i kam lexuar qysh në klasën e  gjashtë, kur vazhdova mësimet në shkollën amë, në Tuz, e cila kishte një bibliotekë, janë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Kadaresë, “Malësorja” i Nazmi Rrahmanit”, “Afërdita” e Spasses, “Lulja e Kujtimit” e Postolit, “Sikur t’ isha djalë” i Stërmillit e ndonjë tjetër… Nga “të huajt”, megjithëse në letërsi dhe në art është e diskutueshme ndarja në “jona”/ “e huaja” – përveç për qëllime studimore, ndër të parat duhet të kenë qenë “Anija fantazmë” e B. Travenit, ndonjë tragjedi e Shekspirit, diçka nga dramatika klasike greke dhe ndonjë roman i përkthyer nga letërsia jugosllave.

 

Libri që do të doje ta kishe shkruar

Çdo libër të mirë, kur e lexoj, e përjetoj si të ishte imi, si ta kisha shkruar vetë. Lexuesi edhe është partner i shkrimtarit, në letërsi. E nëse pyetja ka të bëjë me ndonjë libër timin që ende nuk e kam  shkruar, ndoshta një roman me temë nga ditët studentore në gjysmën e dytë të  viteteve të tetëdhjeta të shekullit të kaluar në Prishtinë. Kanë ndodhur shumë gjëra në ato vite, atje. Ka pasur mungesa, por vitet e rinisë mbeten më të dashurat dhe lënë  gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e çdonjërit…

 

Libri që në këtë moment do të doje ta lexonte tjetri

Në këtë moment (dhe në të gjitha momentet), në radhë të parë, e kisha rekomanduar një libër-“bibliotekë”, Biblën (greq. τὰ βιβλία : libra të vegjël). Më së paku për motive fetare . Bibla është gurra ku janë frymëzuar dhe ku kanë marrë material shumica e shkrimtarëve të njohur, por edhe krijuesit e mëdhenj në artet e tjera (pikturë, skulpturë, muzikë klasike…). Kush nuk e ka lexuar Biblën e ka vështirë ta kuptojë denjësisht letërsinë europiane, por edhe botërore. Temat/motivet/figurat/arketipet/simbolet biblike janë të pranishme në të gjitha fushat e  artit, filozofisë, shkencës, ndërsa mosnjohja e tyre e dëmton aftësinë perceptuese të lexuesit, mendimtarit, në çfarëdolloj komunikimi…

Mirëpo, një libër nuk mjafton, secilit i rekomandoj të lexojë sa më shumë libra dhe, mundësisht, nga kultura të ndryshme.

Po e përmend edhe një libër që më ka bërë të rrëqethem kur e kam lexuar – “Rrno vetëm për me tregue” nga At Zef Pllumi.

 

Libri që jua ka ndryshuar jetën

Nuk mund të them se një libër i veçantë ma ka ndryshuar jetën, megjithëse kam lexuar ndonjë libër në ballinën e të cilin ishte shënuar : “një libër që do t’jua ndryshojë jetën”. Çdo libër i lexuar lë njëfarë gjurme në koshiencën dhe subkoshiencën e lexuesit. Ndonjëherë mund të ndikojë edhe një libër që nuk të pëlqen, për ndonjë arsye.

 

Libri i përfolur që ende s’e keni lexuar

Një ditë e shkarkova nga interneti listën e nobelistëve të letërsisë dhe vura re se kishte mjaft nobelistë nga krijimtaria e të cilëve nuk kam lexuar asgjë. Kuptova se ka jo pak nobelistë veprat e të cilëve nuk janë përkthyer në gjuhën shqipe. Pra, jo vetëm një, por ka shumë libra “të përfolur” që do të doja t’i lexoj.

 

Libri i përfolur që ju ka zhgënjyer

Për të mos i bishtëruar pyetjes, po e pranoj se kur e kam lexuar për herë të parë “Uliksin” e Xhojsit jam ndier deridiku i … turbulluar. Kisha dëgjuar aq shumë për atë libër, kurse leximi i tij nuk më shkaktoi kushedi çfarë kënaqësie estetike. Ndoshta ndikoi fakti se e lexova gjermanisht… Zhgënjimi shpesh është faji i lexuesit, jo domosdoshmërisht i veprës së lexuar. Edhe takimi im i parë me poezinë e Martin Camajt, kur isha student, nuk më pat entuziazmuar. Kurse tani, poezia dhe prozae tij më duket se paraqesin vlera kulmore të letërsisë në gjuhën shqipe. Disa libra kërkojnë moshë, pjekuri, për t’i kuptuar.

Libri që ju ka befasuar      

Ndoshta “Emri i trëndafilit” i Ekos. Jam ndjerë aq i vogël, aq i paditur në ballafaqim me faktet e panumërta, nga fusha të ndryshme të dijes, që i gjen në atë libër. Ka qenë njëfarë “katarsisi” i veçantë, ku e kam kuptuar se për të qenë shkrimtar i mirë, përveç i talentuar  duhet të jeshë erudit.

Emocione të paharruara kam pasur edhe kur e pata lexuar për herë të parë përmbledhjen “Lum lumi” të Ali Podrimjes. Kam qarë kur e kam lexuar, kaq mund të them…

 

Libri të cilit i jeni rikthyer disa herë

 “Procesi” i Kafkës. Së pari e kam lexuar si gjimnazist dhe në atë moshë nuk arrita ta deshifroj përse përflitej aq shumë. Herën e dytë si student, m’u duk diçka më i kapshëm, por akoma me shumë pikëpyetje. Gjatë studimeve pasdiplomike, pasi lexova disa kritika dhe studime mbi veprën dhe autorin, sikur m’u hapën ca dyer, natyrisht – jo të gjitha dyert… “Procesin” e kam lexuar pesë-gjashtë herë dhe çdo rilexim më ka dhënë një përjetim ndryshe. Aty vërehet dallimi i artit nga kiçi. Libri që të përmbush dhe përsëri të grish për ta lexuar tregon se ka art brenda vetes, nëse kjo mungon – ka pak ose fare nuk ka art… Edhe shumë vepra të tjera i kam lexuar nga dy-tre-katër herë (“Gjenerali i ushtrisë së vdekur” – po ndoshta të gjithë librat e Kaaresë i kam lexuar dy e më shumë herë, disa tragjedi të Shekspirit, dy epet e Homerit…). Këtu i përfshiva veç disa nga librat që i kam rilexuar sepse më kanë dhënë kënaqësi estetike të veçantë, jo edhe ata që i kam lexuar nga disa herë kryesisht për shkaqe studimore. Ikin vitet, ndryshon njeriu, mënyra e të lexuarit dhe kriteret e vlerësimit…  Duke u nisur nga thënia e Herakliti se nuk mund të hysh dy herë në të njëjtin lum, unë do të thoja nuk mund ta përjetosh dy herë njësoj të njëjtin libër, sepse brenda teje (brenda lexuesit) rrjedh lumi i kohës.

 

Libri i fundit

Sapo përfundova së lexuari një libër të Antonio  de Melo-s,  nga zhanri i literaturës meditative. E lexova në gjuhën sllave, nuk e di a është përkthyer ndonjë vepër e këtij autori në gjuhën shqipe, por mendoj se do të ishte i dobishëm edhe për lexuesit në gjuhën shqipe.

* * * * * * * * * * * *