Kontributi i Anton Gojçajt mbi krijimtarinë e At Anton Harapit - nga Halim Halimi

Kontributi i Anton Gojçajt mbi krijimtarinë e At Anton Harapit


Nga HALIM HALIMI

Harapi si krijues paraqitet me dy veprat e tij Andrra e Pretashit dhe Valë mbi valë, të cilat, nga statusi zhanror në studimet paraprake, dalin si mjaft të diskutuara dhe shpeshherë të lëna hapur, të mospërcaktuara tipikisht. Më vonë, me studimin e tij Fakticiteti në letërsi, Anton Gojçajt në mënyrë teorike-analitike, duke aplikuar konvencat në planin teorik që përcaktojnë naty¬rën dhe statusin e zhanrit, vjen në përfundim se Andrra e Pretashit plotëson kriterin për t’u quajtur roman, ndërsa vepra Valë mbi valë konsiderohet novelë.
Mjafton të lexojmë dhe analizojmë atë që shkruhet për Harapin e fokusi në shumicën e herës trajton veprimtarinë e tij politike, fetare, publicistike, shkollimin, idetë, botëkuptimin e tij socio-politik; theksimi i asaj jete me plot dramacitet, qëndrimin e tij në relacion me rrymat e reja politike, posaçërisht komunizmin dhe pasojat që i paguan për pikëpamjet e tij. Ndërsa për veprën e krijimtarinë e tij mund të gjejmë në pak faqe tekst përjashtim të pak studimeve të vona, si ai i Anton Gojçajt dhe Gjystina Cacaj-Shushka, studime të cilat reduktojnë veprimtarinë dhe nxjerrin në pah krijimtarinë dhe atë që ofron teksti si njësi. Këto studime japin kontribut. Gojçaj, duke parë veprën në planin struktural, madje për t’u dhënë fund diskutimeve mbi statusin zhanror të tekstit dhe për t’u dhënë fund dilemave mbi atë se a janë këto vepra letërsi mirëfilli, apo diçka jashtë kësaj për shkak të dimensionit të fuqishëm të faktografisë në tekst.
Në romanin Andrra… nga vetë autori sentencat sistemohen dhe jepen krejtësisht në fund të romanit në formë rendore, të cilat janë pjesë përbërëse e veprës, e cila për nga natyra e kulti¬von dhe e realizon më shumë ketë dimension sesa novela Valë mbi valë. Në realizimin e përgjithshëm autori merr dhe ushqe¬het shumë nga etnosi e kultura e maleve dhe kanuni që kemi të aplikuar për gjykimin e çështjeve më delikate të jetës.

Si rrëfim i realizuar, si pjesë strukturale, del si çështje e rën¬dësisë së veçantë për një vepër të tillë prozaike. Çështjen e paraqitjes dhe trajtimit të rrëfimit, Anton Gojçaj në studimin e tij për veprat e Harapit i jep si specifika të tipave të rrëfimit, mbi bazë të të cilave realizohet, lëviz ngjarja, kualitetet e arritura, relacionet e zhvillimit e strukturimit të rrëfimeve.