Një vështrim për një libër me vjersha për fëmijë - nga Anton Gojçaj



VËSHTRIM PËR NJË LIBËR ME
 VJERSHA PËR FËMIJË 

Me zë t' vuthjanit 

(Idriz Ulaj, Zilet e stinëve, poezi për fëmijë, botoi: URA, Prishtinë 2007) 


Ky libër ngërthen të bukurën me të dobishmen, të shprehurit bukur me porosinë e shëndoshë edukative, një kombinim i vështirë, por këtu i realizuar mirë. Vjershat për fëmijë të Idriz Ulajt janë diku ndërmjet poezisë tradicionale dhe asaj moderne. Mbizotëron ambenti idilik rural, me fare pak motive urbane.

nga Anton Gojçaj 


Idriz (Xhemë) Ulaj ka lindur në Vuthaj (në vitin 1942), ku ka kaluar fëmijërinë dhe kryer shkollën fillore. Dëshira për të vazhduar mësimet e çoi në Kosovë, ku pas përfundimit të studimeve mbeti për të jetuar dhe punuar.Gjysmë shekulli jetë larg vendlindjes nuk ia zbehu emocionin për vendlindjen,  prandaj në vjershat e librit "Zilet e stinëve" lexuesi nuk e ka vështirë të kuptojë  se thellë në shpirt, poeti kurrë s'e ka braktisur atë. Ngjashëm me thënien se ngado që të bredhë njeriu, ëndrrat e tij gjithmonë i sheh në vendlindje, edhe në rastin e poetit Ulaj, ngado që e çuan rrugët e jetës, qoftë edhe në Stokholm,  ambienti i vjershave të tij mbetet fshati Vuthaj dhe natyra magjepsëse e Malësisë së Bjeshkëve të Namuna. Lexuesi i parafytyruar i shumicës së vjershave të tij është malësori i vogël i Vuthajve 
Spektri tematik dominohet nga tema e vendlindjes (fshatit Vuthaj dhe Malësisë) që përshkohet nga të pëshkrime idilike të fshatit ku jeta pulson në një mijë mënyra:

       “ Kur njomet fusha me bar,
          fërfëllon kali jelëbardhë, 
          kalaveshët varen në degë,
          ngjyrëkuqja hyn në shegë.

         Qengjat lozin hopa-hopa,
         blegëron delja, pëllet lopa,
         rritet gjiri, currilin sisa,
         nis shtrunga, mrizi nën lisa.

                                   (KALAVESHËT VAREN NË DEGË)

Një emocion të veçantë, të dhimbshëm, përçon vjersha “I LODHUR ME SHIUN”. Ajo  rri në opozicion me përshkrimet idilike të vendlindjes - që përbëjnë shumicën e vjershave të librit, sepse në të poeti përshkruanjetën e vështirë dhe me shumë vetëmohime të bariut, me të cilin poeti nashkëndien dhe sikur tërthorazi dëshiron t’i mirëkuptojë arsyet e të shkuarit të bashkëvendasve në mërgim në migrim :

      Është lodhur bariu,
          me shirat në vjeshtë,
          me shkop në dorë,
          e dele në bjeshkë.

              (...)

         Jam lodhur me dhen,
         nëpër shi e dëborë,
         pa grua, pa fëmijë,
         me gunë e shkop n’ dorë.”

Tema e mërgimit në këto vjersha është komplekse në radhë të parë për perspektivat e folësit lirik, i cili kur përshkruan nostalgjinë e fëmijëve të mërgimtarëve në fakt përcjell emocionin e vetmisë së pleqve (gjyshërve) dhe zjarrin që i djeg ata përbrenda për t'i pasur më afër nipat e mbesat e veta. Bëhet fjalë për një vetë-transferim të folësit (gjyshit) në psikologjinë e mërgimtarit të vogël dhe jo për një përshkrim objektiv të gjendjes reale psiko-emocionale të fëmijëve të mërgimtarëve, të cilët, siç dihet, në moshë të vogël adaptohen më kollaj në mjedise të reja sesa të rriturit dhe nuk është se i kaplon, në përmasa dramatike, nostalgjia për vendlindjen e të parëve. Folësi lirik (ose poeti) edhe kur përpiqet të flasë e të ndiejë si fëmijë nuk arrin ta fshehë krejtësisht moshën e të rriturit:  

"Këndon Lushi n' rrugë të Bruklinit 
 sikur t' ishte në kala të Ulqinit. 
 Tring e tring, o vendlindje, 
 diku larg atje në Lindje! 
 Atje ku mendja më shkon, 
 atje ku gjyshja m' ëndërron, 
 atje ku në shqip këndojnë, 
   
              (...) 

Këndon Lushi buzë malit, 
Lart e lart me zë t' Vuthjanit, 
Për vendlindjen në Malësi, 
Tring e tring plot mërzi." 
                     
(KËNGA E LUSHIT) 

Në rrafshin edukativ ky qëndrim i poetit ka vlera pozitive sepse afirmon dashurinë për vendlindjen, çka shprehet në mënyrë të theksuar në vjershën "Ç' deshi, ç' lypi një Vuthjan?", ku rrëfehet për një vuthjan  pasi shetiti të katër anët e botës erdhi në përfundimin se buka më e ëmbël është ajo e arave të Malësisë, në gjirin e familjes dhe të farefisit.   
Tema e shkollës dhe mësimeve, ndërkaq, transmeton porosi edukative në funksion të theksimit të rëndësisë së arsimimit. Vjersha artistikisht të realizuara mirë, të gërshetuara edhe me porosi vlerash pedagogjike, janë ato të ciklit të shenjave të pikësimit dhe mjeteve mësimore, (vjershat: Çanta e pikëlluar, Pika dëshirore, Vizorja në foltore, Fletorja e molisur, Presja, Libri i sëmurë, Pikëpyetja, Hidhërimi i notave, Lapsat kryeneçë, Tri pika, Kllapat, Drejtshkrimi, Goma në pension, Pika), në të cilat mbizotëron figura e personifikimit. 
            
Unë n' fjali jam vetëm presje,  
si në rrugë ndonjë ngecje; 
Për t' ju ndalë kur nxitoni, 
Për t' pushuar ju kur lexoni. 
       (...) 
Kur nuk ndaleni në stopin tim, 
s'më nderoni as në drejtshkrim; 
do t'i përzieni qengjat me peshq, 
Në shkrim-lexim, o zot, sa keq! 
                         
      (PRESJA) 

Këto vjersha gërthejnë të bukurën me të dobishmen, të shprehurit bukur me porosinë e shëndoshë edukative, një kombinim i vështirë, por këtu i realizuar mirë.  Mjaft të këndshme janë vjershat me tematikë nga bota e kafshëve, në të cilat ka zhdërvjelltësi kreative të gjerbur me kolorit humoristik dhe që po ashtu karakterizohen nga figura e personifikimit.  
Shikuar në përgjithësi, vjershat për fëmijë të Idriz Ulajt janë diku ndërmjet poezisë tradicionale dhe asaj moderne. Mbizotëron ambienti idilik rural, me fare pak motive urbane. Prandaj, mbetet pikëpyetjenë çfarë shkalle do të komunikojë me lexuesit e sotëm, sidomos në mjediset urbane, ku fëmijët tani rriten në një botë të kompjuterizuar dhe, ndoshta, edhe me interesime të një natyre tjetër. 
Ulaj arrin të krijojë edhe situata simpatike, me shtresa të holla humori të kthjellët, si për shembull te "DIELLI A KA SHTËPI?", ku djali katërvjeçar bën shumë pyetje, secila më e papritur se shoqja: 

     " Babi, Dielli pse skuqet, 
      kur me detin puqet? 

      Dielli a ha përshesh, 
      A ka këpucë me lesh? 
      Babi, Dielli kur vrapon, 
      A rrëzohet, a ngatërron? 
          
               (...) 
     
      Babi, Dielli a ka biçikletë, 
      A lodhet rrugës përpjetë? 
      Dhe për hunde më kapi: 
      - Hej, a më dëgjon, ti babi?" 

Tema e dashurisë nuk është ndër më kryesoret, por është gjithnjë e më e shpeshtë edhe në poezinë shqipe për fëmijë, kurse në këtë libër, megjithëse në mënyrë të tërthortë, në ëndrrën e Lushit për të kurorëzuar/martuar Lulen me Dushin, haset te vjersha "ËNDRRAT E LUSHIT", ku lexuesve të moshës së re u tërhiqet vërejtja se dashuria nuk është lojë dhe se duhet të merret me shumë përgjegjësi.

       - Puna ime është vetëm kaq.
         Ti, Lule, vetë, në daç,
         nëse fort je e dashuruar,
         mundesh sot për t’u martuar.

         E ti, Dush, tash më dëgjo,
-          Lulen me zemër a e do?
-          E dua, o, shumë e dua,
Lulen e dua për grua!

-          Rregullat tash i dini mirë,
Afrohuni e puthuni më lirë.
Mos gaboni të mashtroheni,
 se nga dega mund të rrëzoheni.”

Numri më i madh i këtye vjershave bartin mesazhe optimiste, afirmojnë natyrën dhe jetën, mësojnë për të dashur vendlindjen dhe shkollën, por ka edhe një numër vjershash me intonacion paksa elegjiak, të përmallshëm, siç janë ato që ngacmojnë motive mërgimtarësh, apo edhe më saktë pasojën që shkakton mërgimi në vendlindje, e që është boshatisja e vendlindjes dhe lënia në vetmi e pleqve, të cilët jetojnë duke pritur vizitat e më të dashurve të vet që jetojnë larg prej tyre.   
Ky është libri i parë me vjersha për fëmijë, i Idriz Xh. Ulajt, megjithëse vjersha të veçanta për fëmijë ka filluar të botojë në periodikun e kohës në Kosovë, që nga viti 1962 e deri në ditët e sotme. Me të ai pasuron sidomos poezinë për fëmijë në gjuhën shqipe të autorëve nga Mali i Zi, duke iu bashkuar Nol Berishës, Hajro Ulqinakut, Ibrahim Berjashit, Ali M. Ahmetit e ndonjë tjetri.




Idriz Ulaj deri tash ka botuar këta libra: Këngë popullore nga Gucia (1978), Prizma (poezi për të rriturit, Prishtinë 1980, Edhe një orë dritë (poezi për të rriturit, Podgoricë 1980), Zilet e stinëve (poezi për fëmijë, Prishtinë 2007), Këngë dhe vajtime nga Krahina e Plavës dhe e Gucisë (Prishtinë 2009), Prozë popullore nga Krahina e Plavës dhe e Gucisë (Prishtinë 2011), Vite me dy stinë (poezi për të rriturit, Prishtinë 2012). Ka botuar edhe një libër jo nga fusha e letërsisë: Mjekësi popullore botërore (Prishtinë 1994).
Disa poezi të tij janë përkthyer në kroatisht, turqisht, sllovenisht, serbisht, rumanisht, suedisht etj. Është i përfshirë në disa antologji, monografi dhe leksikone brenda dhe jashtë territoreve shqiptare. Merret edhe me përkthime letrare dhe studime etnografike.Në vitin 1983 hartoi, si bashkautor, librin e leximit “Zilet e gëzimit - për klasën e dytë të shkollës fillore, botuar nga Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore në Podgoricë. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës  dhe bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit Albanologjik në Prishtinë. Jeton në Prishtinë.