Shija e librave të Anton Gojçaj-t / nga Alfred Çapaliku


SHIJA E LIBRAVE TË ANTON GOJÇAJ-t

Prof. Dr. Alfred Çapaliku
                                                “Poezinë e Anton Gojçajt e ka karakterizuar guximi
                                                                                           për t’i thyer konvencat...”


                                                                        (gazeta “Zëri”, Prishtinë 2001)

Shkrimtari poliform Anton Gojçaj është poet, prozator, eseist, studiues, i cili e di për bukuri se kur, se çka dhe se si, të shprehë ndjenja dhe mendime me pendën e tij magnetike, e cila tërheq objekte dhe subjekte të çmuara. Ajo pendë gjurmëlënëse, herë prek në poezi “Dëgjohet një violinë në suferinë” 2001-2018, herë depërton në prozë “Qengj i harruar natën në mal” (tregime) 2003-2010 dhe “Passio” (roman) 2004-2015, herë qendis në ese, në vështrime, në recensione, “Shija e  librit” 2009 dhe “Biblioteka e Hirushes” 2011, herë gdhend në studime shkencore “Tema e heroit nacional në letërsi” 2004 dhe “Proza letrare e Anton Harapit” 2007.
Kësisoj Anton Gojçaj ka ndërruar fytyrë, gjithmonë përmbrenda. Përherë duke tejkaluar vetveten për t’u bërë sa më interesant ndaj leçitësit të zakonshëm pa moshë dhe për t’u shpallur sa më befasues ndaj lexuesit të zgjedhur elitar.
Kështu autori paraqitet me shije të ndryshme librash në shqip: me katër ribotime në Lezhë, Ulqin, Podgoricë, shtetet e Bashkuara të Amerikës; me disa përkthime të shkrimeve të tij artistikenë gjuhët sllavojugore, në anglisht, në frëngjisht, në kinezisht (mandarin), në finlandisht, në gjermanisht; me katër vepra të publikuara në Mal të Z, Kosovë, Shqipëri, SH.B.A. ; me pesë mënyra për t’iu klasifikuar vepra në skeda e rafte bibliotekash dhe me po aq rrugë për t’i mbërritur copyright-i në duar e zemra njerëzish.
Shkrimtari Anton Gojçaj është institucionalizur duke u përfshirë në tekstet shkollore shqip dhe malazezisht.
Ai është shquar edhe si përkthyes, vitin që shkoi, në shqip, i romanit për fëmijë “Në mbretërinë e shkronjave” me autore shkrimtaren bashkëkohëse malazeze Bllaga Zhuriq.
Ky shi librash nuk resht nga 2001-shi i largët deri më 2018-tën e afërt.
Nuk ke sesi të mos lagesh, apo të paktën është e pamundur të mos stërpikesh prej tij; herë me një varg vjershe, si:
“shiko sa të vetmuar jemi / mikja ime... / këndo se të lumtur jemi / në këtë shekull të përlotur”, tek ”Shiu i mrekullueshëm”; herë me një poezi – “Dhjetë ndoshta pse Çun Mulja shkon në Amerikë përkrye Meksikës”;
herë me një rresht tregimi, si:
-         Kisha bërë gjithçka për ty, por unë jam vetëm një zog. Di vetëm të këndoj. Për diçka tjetër nuk kam talent dhe as nuk di të bëj gjë tjetër. Zogjtë e fisit tim dashurohen veç një herë në jetë...” tek “Atomet, shpirti, dashuria...”;
herë me një pasazh eseje filozofike, si:
“Pikërisht në këtë epokë të errët Mesjete, drita ngrihet në kultin e njërit prej tri elementeve bazike të së bukurës – bashkë me plotninë dhe me harmoninë”, tek “E bukura në Mesjetë” ;
herë me një postulat studimi shkencor, si: “”Andrra e Pretashit” dhe “Valë mbi valë” janë dy shembuj që dalin nga i njëjti roces – shndërrimi i fakteve historike në fakte të fiksionit letrar”, tek “Fakticiteti në letërsi” ;
Anton Gojçaj që spikat si në autoportretin me kromatikë ngjyrash, të shpikura prej tij, ashtu edhe në sfondin me shkrimtarë shqiptarë bashkëkohorë në Malin e Zi, realizon një diptik mjaft domethënës:
1.     Si inteligjent, shrimtari Anton Gojçaj, talentin e lindur e të kultivuar e përdor në shërbim të vetes për të formuar një stil të pangatërrueshëm dhe për të krijuar një firmë të pashmangshme në letërsinë shqipe të dy dekadave të para të shekullit XXI.

2.     Si intelektual, magjistër Anton Gojçaj, dijen e fituar me aq përpjekje e përdor në shërbim të kolegëve artistë kryesisht në trevën e tij, por edhe më gjerë në mbarë kufirin gjuhësor shqiptar e më përtej, nëpërmjet interpretimeve me të vërtetë model, për Hajro Ulqinakun, Haxhi Shabanin, Lumnije Hoxhën, Hajredin Kovaçin, Fran Camajn, Asllan Bishën, Ibrahim Berjashin, Anton Gjuravçajn, Anton Nikë Berishën, Anton Berishajn, Kujtim Shalën, Basri Çapriqin, Ndue Sinishtajn etj. Veçojmë konsideratën për poetin Haxhi Shabani: “Një gjuhë e zgjdhur, e dëlirë, lozonjare, e rrjedhshme dhe asociative, një shqipe e pastër, e cila sikur ironizon kufijtë dhe realitetet”.
Ky miksazh shkrimtar – kritik i Anton Gojçajt ka fokusuar vëmendjen ndaj opusit letrar të tij, prej dy dyzina figurash të rëndësishme në fushën e letërsisë dhe të publicistikës shqiptare, siç janë: Klara Kodra, Anton Berishaj, Bahri Brisku, Ramadan Musliu, Arben Prendi, Kolec Traboini, Haxhi Shabani, Fran Camaj, Prend Buzhala, Ahmet Selmani, Dimitrov Popoviq, Nuhi Ismajli, Ndue Ukaj, Ragip Sylaj, Pandeli Koçi, Rrok Gjolaj, Fatmir Minguli, Pjetër Dreshaj, Peter Tase etj. Veçojmë vlerësimin e shkrimtarit Anton Berishaj: “Poezinë e Anton Gojçajt e karakterizon një dinamikë e veçantë tekstore, një tekstualitet i gjallë, i pazakonshëm, origjinal. Autori e arrin këtë me një shumësi procedimesh dhe teknikash kompozicionale e strategjish retorike.”
Të gjitha këto arritje me aq mund si “punëtor ëndrrash” dhe si antropolog kulturor, gërshetuar me një tipar cilësor të autorit, që e kam shprehur më 30 gusht 2007 në gazetën “Koha javore” të Podgoricës për librin e Anton Gojçajt kushtuar Anton Harapit:
“Të lexosh kritikisht do të thotë të shquash një tjetër, duke mbetur ai që je”, bëjnë që shkrimtari poliglot Anton Gojçaj të kundrohet jo vetëm si një përfaqësues ekselent i letërsisë shqipe në Malin e Zi, por në saje të fondit të tij mozaik të vlerësohet si një nga zërat origjinalë në mbarë arealin e gjuhës amë.
Funksioni dhe misioni i librave të tij është fjala e shkruar me germa kapitale: KULTURA.
                                                                                           
 (Shkodër – Kukël, më 23. 11. 2019.)

KOHA JAVORE, nr. 891,  më 5 dhjetor 2019, Podgorice




Mbi Monografine e Argjipeshkvisë së Tivarit - nga Anton Gojçaj


PREZANTIM

BOTIM KAPITAL ME ELEMENTE ENCIKLOPEDIKE
(Monografia e Argjipeshkvisë së Tivarit, grup autorësh, botoi: Argjipeshkvia e Tivarit, Tivar 2017)


Nga ANTON GOJÇAJ

Argjipeshkvia e Tivarit është institucioni më i vjetër ende funksional në territorin e shtetit të sotëm të Malit të Zi. Monografia në fjalë nuk është e para që i kushtohet kësaj argjipeshkvie, por është gjithsesi më autentikja dhe - institucionale.
Libri bën prezantimin e dekanatëve dhe famullive të dioqezës dhe është rezultat i punës ekipore të famullitarëve të Argjipeshkvisë, ku secili prej tyre e ka hartuar shkrimin mbi famullinë e vet, që si e tillë provokon ta quajmë “auto-monografi”.  
Libri hapet me artikullin e Imzot Zef Gashi, një sintezë historike e thuktë e Argjipeshkvisë së Tivarit, për të vazhduar me regjistrin  e argjipeshkvinjve, e më pastaj me portretet (me tekst dhe figurë) të argjipeshkvinjve nga viti 1855 e deri më sot.
Autorët nuk janë shkencëtarë me vokacion dhe vërehen aty-këtu inkonsekuenca metodologjike, sidomos në diskursin (disa të paktë respektojnë kriteret shkencore, japin referencat, shënimet për  burimet dhe për literaturën – dallohen sidomos artikujt e don Nosh Gjolajt, pastaj të dom Fran Markiqit,  Ivan S. Vukçeviqit, fra Mirash Marinajt, m. Estera Radiçeviqit, Pater Pashko Gojçajt tj., kurse autorët/famullitarët e tjerë kanë hartuar artikuj të karakterit kryesisht informativ mbi gjendjen aktuale dhe historikun e famullive veç e veç, si dhe për objektet kishtare që gjenden aty, duke sjellë të dhëna statistikore dhe të kronotaksës, si njëfarë skematizimi i kishës katolike në këtë trevë), si psh.  dom Simon Filipaj II, P. Fran Dushaj, dom Simo Lulaj.
 aspektin e gjuhës disa artikuj janë hartuar gegnisht, e disa të tjerë në gjuhën standarde..
Vlerë e veçantë e këtij libri është kujdesi që tegojnë autorët në raport me atë që thonë, të bazuarit në fakte të thata dhe të verifikueshme - e jo për të kënaqur, pa argumente shkencore, pritjet e dëshirueshme të cilësdo ideologji.
Botimi në radhë të parë ka rëndësi për historinë e kishës, mirëpo, megjithëse ka ndonjë përpjekje për të trajtuar edhe fillimet e krishterimit në këtë trevë, dominojnë informacione për dy-tre shekujt e fundit. Fokusimi në shtresën pastorale e kishtare, megjithatë, nuk e shlyen tërësisht rëndësinë e shtresave të tjera : kulturore-botuese, historike, demografike, linguistike, sociale, politike etj. Monografia ka elemente  të një enciklopedie sui generis.
Përshtypjen e leximit e dëmton fakti se në libër ka tepër shumë gabime teknike, drejtshkrimore dhe të tjera, që me një redaktim më serioz gjuhësor kanë mundur – dhe është dashur – të evitohen. Sepse bëhet fjalë për një projekt me të vërtetë kapital, pas të cilit rri një institucion mijëvjeçar, me peshë të madhe historike e kulturore – Argjipeshkvia e Tivarit
Libri ka rreth 550 faqe dhe është i ilustruar me shumë fotografi, të kishave të vjetra e të reja të Argjipeshkvisë, si dhe të meshtarëve, motrave rregulltare dhe argjipeshkvinjve që përfaqësuan dhe përfaqësojnë kishën e gjallë në këtë dioqezë.
Koha javore 21 nëntor 2019

🔴Anton Gojçaj / Curriculum vitae


ANTON GOJÇAJ
Curriculum Vitae

Anton Gojçaj ka lindur në vitin 1966, në Tuz – Malësi e Madhe. Studimet për letërsi dhe gjuhë shqipe i ka mbaruar në Universitetin e Prishtinës, ku edhe ka magjistruar. Ka regjistruar studimet doktorale në Universitetin e Malit të Zi, në Nikshiq. Aktualisht, jeton në Tuz dhe punon në Entin e Shkollimit në Podgoricë.
Ka botuar disa libra me poezi, prozë dhe kritikë letrare:

- “POEZI”, botoi ILLYRICUM, Tuz 2001, botimi i dytë me titullin "Dëgjohet një violinë, në suferinë...", Enti Botues "Gjergj Fishta", Lezhë, 2011;

- “Qengj i harruar natën në mal”, tregime, Shpresa, Prishtinë 2003, botimi i dytë, i zgjeruar, me titulin “Ndërmjet kapakëve” u botua nga Art Club, Ulqin, 2010;

- “Tema e heroit nacional në letërsi”, studim, AIKD, Prishtinë, 2004;

- “Passio”, roman, SHB Buzuku, Prishtinë 2004, botimi i dytë EB "Gjergj Fishta", Lezhë, 2009, botimi i tretë Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore, Podgoricë, 2015 ;

- “Fakticiteti në letërsi”, Proza letrare e Anton Harapit, studim, Buzuku, Prishtinë, 2007;

- “Shija e librit”, vështrime - recensione, AIKD, Prishtinë 2009;     

- “Biblioteka e Hirushes”, Letërsia shqipe në Malin e Zi, vështrime - recensione, Art Club, Ulqin 2011.

 


Vëllimi poetik i është botuar edhe në gjuhën angleze, në SHBA, me titullinA VIOLIN IS HEARD FLOWING IN A TORMENT”, përkthyer nga Peter M. Tase, botues LULU.COM,  i cili ka pasur dy botime: 2012 dhe 2018.

Romani “Passio” ka përjetuar një botim në gjuhën malazeze, me titullin “Pasija”, Centar za čuvanje i razvoj kulture manjina -  Qendra për ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës së pakicave, Podgoricë, 2015.
Poezitë, tregimet dhe vështrimet e tij janë botuar në dhjetëra revista dhe gazeta në gjuhën shqipe në Malin e Zi, Kosovë, Shqipëri, Greqi, Rumani..., por edhe në disa revista dhe gazeta në gjuhët sllave të jugut.
Për krijimtarinë e tij kanë shkruar: Klara Kodra, Anton Berishaj, Ndue Ukaj, Ragip Sylaj, Ramadan Musliu, Alfred Çapaliku, Arben Prendi, Kolec Traboini, Gjovalin Çuni, Haxhi Shabani, Fran Camaj, Prend Buzhala, Vladimir Muça, Fatmir Minguli, Ahmet Selmani, Pjetër Dreshaj, Dimitrov Popoviq, Rrok Gjolaj, Liridona Sinishtaj, Peter Tase, Flori Bruqi, Nuhi Ismajli, Pandeli Koçi, Bahri Brisku etj.

  
Krijimet e tij janë përfshirë edhe botuar në panorama dhe antologji të ndryshme.
Poezi.
                                                           
Në gjuhën shqipe:

 - “Trokitje në mur”, MLN “Ditët e Naimit 2004”,  Tetovë, 2004;     
Itaka e fjalës” Antologji poetike me poetë të kudondodhur jashtë Shqipërisë, Klubi i shkrimtaëve “Drita” ,Athinë, botimet Toena, Tiranë 2007;                                                                                 - “AUTOBIOGRAFIA” , 16 vjet të Kalimerës poetike, ART CLUB, Ulqin, 2008;                                                                   
- “Od gnijezda do zvijezda – Nga foleja gjer në qiell”, shqip dhe malazisht,  Qendra për ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës së pakicave, Podgoricë, 2010; 
- “Korsi e hapur – Open lane 2” Antologji poetike e LNPSHA “PEGASI”, Tiranë, 2012;                                                                                                           - “100 poetë për dashurinë”, Lirika shqiptare dhe botërore, Tiranë, 2012;                                             
- “Një vjeshtë me Migjenin”, Festivali i poezisë “Motive migjeniane”, Pukë, 2016.

Në gjuhën angleze (përktheu Peter Tase):  

 - “World Poetry Yearbook 2013”, The Earth Culture Press, P. R. China 2013;                              - “The second Genesis”, An Anthology of Contemporary World Poetry, ARAWLLI, Jaipur – India, 2014;


Në gjuhën frënge (përktheu Vasil Çapeqi, përshtati në frëngjisht Francis Chenot):

  - “Poésies Albanaises”, Anthoogie bilingue français – albanais, Le taillis Pré, Belgique, 2012;

Në gjuhën kineze (mandarin, përktheu nga anglishtja Lee Kuei – shien): 

- Anthology of Albanian Poetry, Taiwan, 2018;

Në gjuhën finlandeze (përktheu Silvana Berki):

- “OLIPA KERRAN TOIVO”, Albanialaista nykyrunoutta, Aviador Kustannus, Finland, 2019;

Tregime.                                                             
 Në gjuhën shqipe: 

 - “Atomet, shpirti, dashuria...” në Antologji e prozës bashkëkohore shqiptare, librat ars, Tiranë, 2004;                                                                                                                    - “Atomet, shpirti, dashuria...” në “Pena e vjeshtës së artë”, Tregime të zgjedhura lirike, Tiranë, 2015;   - “Qengj i harruar në mal” në “ANTOLOGJI” poezi – tregime, revista letrare kulturore “Pelegrin” nr. 28&29, Klubi i shkrimtarve „Drita“ Athinë, Tiranë, 2018;                                                - “Pushoftë në paqe” në Antologji e tregimit shqiptar, Shekulli XXI,  Klubi i poezisë, Tiranë, 2019. 

Në gjuhën malazeze:

- “Shkrimtari i i dhe qielli - Mladi pisac i nebo” në “DRITAREN LËRE HAPUR – PROZOR OSTAVI OTVOREN”, Panoramë e krijimtarisë letrare të shqiptarëve nga Mali i Zi, Centar za iseljenike Crn Gore – Podgorica & Nacionalna zajednica Crnogoraca Hrvatske - Zagreb, Zagreb 2010; 
                                                                                                                 Pesë tregime në “PET ALBANSKIH KNJIŽEVNIKA U CRNOJ GORI”, Art Club, Ulcinj, 2011;                                                                                             “Dera e zemrës – Vrata srca” në “Na putu putnici”, Priče pisaca manjinskih naroda Crne Gore, shqip dhe malazisht,  Qendra për ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës së pakicave, Podgoricë, 2010.

Në gjuhën gjermane:


  - “Die Atome, die Seele, die Liebe...”, ALBANISCHE HEFTE” 1/2014. (Bochum -  Deutschland).  
 
Në tekste shkollore

- Tregimi “Pushoftë në paqe” në: Rrok Gjolaj, LETËRSIA 4, Për klasën e katërt të gjimnazit të përgjithshëm, Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore, Podgoricë, 2012;                                                            - fragment nga romani “Passio” i përkthyer në gjuhën malazeze me titullin “Pasija” në: Fadila Kajević – Divna Paljević – Blaga Žurić, Crnogorski jezik kao nematernji, Zavod za udžbenike i nastavna sredstva, Podgorica, 2018.    
                  
Përkthime:
Ka përkthyer nga gjuha malazeze në gjuhën shqipe romanin për fëmijë “Në mbretërië e shkronjave“ të autores bashkëkohore malazeze Bllaga Zhuriq, botuar nga Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore, Podgoricë, 2018.