Arbanasi afër Zarës, Koraci - nga Anton Gojçaj



NJË BOTIM ME INTERES PËR FSHATIN ARBANASI AFËR ZARËS

Dashuria ndaj gjuhës amtare - penguese e asimilimit
(Prof. Tullio Erber, Albanska kolonija Arbanasa pored Zadra,  Zadar 2015)


Nga ANTON GOJÇAJ

Fshati Arbanasi (Arbnesh) gjendet afër Zarës (kroat. Zadar) dhe tani është (para)lagje e këtij qyteti. Nga ky vend i vogël dolën personalitete të rëndësishme si ilirologu i mirënjohur Aleksandar Stipçeviq (Stipčević), shkrimtari Josip Rela, kompozitori dhe shkrimtari Shime Deshpali (Šime Dešpalj), dirigjenti dhe kompozitori Pal Deshpali (Pavle Dešpalj), violonçelisti Valter Deshpali (Valter Dešpalj), basketbollisti Josip Gjergja etj.  
Historia e fshatit Arbanasi (shqip Arbnesh) është tema kryesore e librit “La colonia albanese di Borgo Erizzio presso Zara” (“Kolonia shqiptare e Borgo Errizios afër Zarës”), shkruar nga profesori Tullio Erber, botuar në Dubrovnik në vitin 1883. Me rastin e 290 vjetorit të vendosjes së refugjatëve të parë shqiptarë në atë fshat, pasardhësit e tyre këtë libër e përkthyen dhe e botuan në gjuhën kroate, në Zarë. Librin e përkthyen (kroatisht) Ljerka Shimunoviq (Lerka Šimunović) dhe Branka Hrboka. Redaktorë janë Sergjo Dokoza (Serđo Dokoza) dhe Bernard Kotlar, ndërsa botimin e realizuan Krsto Petroviq (Petrović) dhe Tomislav Peroviq (Perović). Botimit kroatisht i paraprin një parafjalë e frymëzuar, me nuanca poetike, shkruar nga Ivica Mateshiq – Jeremija.
Në pasthënie të botimit kroatisht (shkruar nga S. Dokoza) thuhet se Tullio Erber (lindi më 1854 në Verona të Italisë, vdiq më 1909) ishte profesor i gjimnazit italian në Zarë, ku punoi rreth 30 vite.
Libri ndahet në dy pjesë. Në pjesën e parë autori rrëfen për historinë, doket, traditën dhe gjuhën e arbëreshëve të Zarës, duke iu referuar të dhënave të vjela në arkivin lokal, që librit i jep vlera dokumentare.
Në Hyrje, autori sqaron se në hartimin e librit është mbështetur edhe në informacione që i ka marrë gojarisht nga vetë arbëreshët.
Në kapitullin e parë, autori jep informacione mbi vendosjen e refugjatëve shqiptarë në Istër (1655), pastaj në Itali (1675), si dhe mbi ngjarjet në trekëndëshin Venedik – Mal i Zi – Shqipëri në periudhën 1705-1707.
Sipas dokumenteve arkivore, 16 familjet e para shqiptare arritën në Zarë më 15 gusht 1726 dhe ata e themeluan fshatin Arbanasi. Arsyeja e shpërnguljes, sipas dokumenteve arkivore, ishte poshtërimi i tyre mbi bazën fetare por edhe padrejtësi dhe vuajtje të tjera që atyre u shkaktonin autoritetet e pushtetit turk të asaj kohe në Tivar dhe rrethinë.  
Republika e Venedikut, sipas dokumenteve, për familjet e para shqiptare, kishte caktuar një lokalitet të pabanuar afër Zarës, ku ndërtoi 16 shtëpi, për çdo familje nga një. Po ashtu, secilës familje iu dha edhe edhe pak tokë pune, që me krahët e vet ta sigurojnë mbijetesën. Përveç kësaj, i liruan për 12 vite nga obligimet publike. Një vit më vonë, më 1727, arritën edhe shtatë familje të tjera refugjatësh shqiptarë, që u vendosën po ashtu afër Zarës, por në Zemunik dhe jo në Arbanasi.
Në vitin 1733 edhe 28 familje të tjera shqiptare nga treva nën juridiksionin e Tivarit shpërngulen përgjithmonë nga vendlindja, duke ikur së pari në Kotor dhe Herceg Novi, e prej andej në Zarë. Shpërngulja e shqiptarëve, siç tregojnë dokumentet e asaj kohe, shpjegohet me sjelljen despotike ndaj tyre nga pashallarët e Tivarit, Omer pasha dhe Ahmet pasha. Autoritetet turke kërkuan nga Republika e Venedikut kthimin e refugjatëve shqiptarë, me arsyetimin se ishin shtetas të Perandorisë dhe se ikja e tyre u shkaktonte dëm: pronarëve turq u kishin mbetur tokat djerr – sepse nuk kishte kush t’i punonte. Për të shmangur dorëzimin mbrapa të refugjatëve shqiptarë, venedikasit detyrohen që autoritetet turke t’i zbusin me para dhe dhurata të ndryshme (Soliman aga merr një orë të bukur si dhuratë).
Sipas këtij libri, arbëreshët një periudhë të gjatë martesat i bënin vetëm brenda komunitetit të vet. Gjuhën amtare (e folme e dialektit gegë) e ruajtën relativisht gjatë – mëse dy shekuj. Në kohën kur është shkruar ky libër (në vitet 1880-1883) shqipja ishte ende gjuhë e folur në Arbnesh, çka e dëshmon fjalorthi me disa qindra fjalë shqipe si dhe disa shembuj për kohët dhe zgjedhimet e foljes dhe lakimin e mbiemrit në gjuhën shqipe, të cilat autori i ka shënuar në vend.
Duke folur për prejardhjen e arbëreshëve të Zarës, prof. Erber thotë se fshati Arbanasi ndahej në dy krahë ose pjesë - në pjesën veriore (quheshin ”Brishqani”, ardhur më 1726) dhe pjesën jugore  (“Sheshqani”, ardhur më 1733). Autori vëren se midis tyre kishte rivalitet, që ndonjëherë kulmonte me ngjarje të padëshirueshme. Studiuesi nuk kishte dijeni që në rrethinën e Tivarit ekzistonin lokalitetet  “Brisk” dhe “Shestan” prandaj hedh hipotezën se arbëreshët në fjalë mund të kenë lidhje me fisin e Mirditës, rrjedhimisht që ata nuk janë nga rrethina e Tivarit – por në portin e këtij qyteti kishin hypur në barka me të cilat u shpërngulën. Gjithsesi kjo ishte një hipotezë e gabuar, që mund t’i falet një autori italian të asaj kohe, i cili kurrë nuk kishte qenë në trevën e Tivarit me rrethina, prndaj edhe s’kishte si ta dinte.
Një odiseadë e ndërlikuar, me shtrirje disavjeçare, pasoi largimin e rreth 230 shqiptarëve katolikë me anije, nga strehimi i tyre i përkohshëm në Herceg Novi. Turqit përsëri ankoheshin për dëmin ekonomik që u shkaktonte ikja e këtyre nënshtetasve dhe kërkojnë nga Venediku kthimin e menjëhershëm të tyre, duke iu referuar edhe marrëveshjes që dy shtetet kishin lidhur vite më parë për kthimin e refugjatëve. Venedikut iu desh’ të përdorë mjaft aftësi diplomatike dhe jo pak shpenzime materiale për t’i bindur autoritetet turke që të heqin dorë nga kërkesat e veta. Për ilustrim, por edhe si kuriozitet, ja çfarë dhuratash, përveç një sasie të kosiderueshme të hollash, përfitojnë pasha i Shkodrës, kadia dhe dy nëpunës të tjerë, sipas këtij libri: 13 palë tesha, pesë nga të cilat të qëndisura me ar dhe argjend, tre palë tesha nga kadifeja, dy nga mëndafshi, një nga pëlhura me ngjyrë të kuqe të ndezur, dy të tjera nga pëlhura londineze, një dylbi, 14 “libra turjak”, 32 “libra” pemë të sheqerosura, 30 “libra” dyll, 54 “libra” sheqer, një arkë të stolisur me lule, 6 “libra” xinë (pistacie) etj... Sipas autorit Erber, i cili i referohej hulumtimeve arkivore dhe bisedave me arbëreshët, të gjithë refugjatët arbëreshë që u vendosën afër Zarës ishin katolikë, përjashtim bënin vetëm dy familje ortodokse.
Në pjesën e dytë libri përmban  50 dokumente arkivore (të përkthyera kroatisht), të ndarë në katër kapituj, që kapin periudhën 1655-1777. Këto dokumente kanë peshë të veçantë sidomos për shkencën e historisë.   
Botimi është i pasuruar edhe me disa ilustrime dhe fotografi të vjetra nga Arbanasi.
Historia e këtij fshati të vogël dhe rezistimi i gjatë ndaj asimilimit, pavarësisht se kishin të njëjtën fe si popullsia vendore (kroate), në mënyrë të tërthortë e relativizon tezën e disa studiuesve që ruajtjen e identitetit (arbëror/shqiptar) të arbëreshëve të Italisë e sqaruan me faktin se ata kishin konfesion tjetër (ortodoks) nga vendorët italianë (katolikë). Arbëreshët e Zarës megjithëse katolikë - njësoj si kroatët, e ruajtën gjuhën, doket dhe kulturën e vet tre shekuj me radhë. Mbase, ishte gjuha shqipe ajo që i dallonte këta arbëreshë nga njerëzit që gjetën në vendin e ardhjes dhe, në radhë të parë, falë dashurisë ndaj gjuhës së të parëve arritën ta ruajnë me shekuj kujtesën për identitetin e vet etnik.

TRABOINI ART STUDIO

  

Shija e librave të Anton Gojçaj-t / nga Alfred Çapaliku


SHIJA E LIBRAVE TË ANTON GOJÇAJ-t

Prof. Dr. Alfred Çapaliku
                                                “Poezinë e Anton Gojçajt e ka karakterizuar guximi
                                                                                           për t’i thyer konvencat...”


                                                                        (gazeta “Zëri”, Prishtinë 2001)

Shkrimtari poliform Anton Gojçaj është poet, prozator, eseist, studiues, i cili e di për bukuri se kur, se çka dhe se si, të shprehë ndjenja dhe mendime me pendën e tij magnetike, e cila tërheq objekte dhe subjekte të çmuara. Ajo pendë gjurmëlënëse, herë prek në poezi “Dëgjohet një violinë në suferinë” 2001-2018, herë depërton në prozë “Qengj i harruar natën në mal” (tregime) 2003-2010 dhe “Passio” (roman) 2004-2015, herë qendis në ese, në vështrime, në recensione, “Shija e  librit” 2009 dhe “Biblioteka e Hirushes” 2011, herë gdhend në studime shkencore “Tema e heroit nacional në letërsi” 2004 dhe “Proza letrare e Anton Harapit” 2007.
Kësisoj Anton Gojçaj ka ndërruar fytyrë, gjithmonë përmbrenda. Përherë duke tejkaluar vetveten për t’u bërë sa më interesant ndaj leçitësit të zakonshëm pa moshë dhe për t’u shpallur sa më befasues ndaj lexuesit të zgjedhur elitar.
Kështu autori paraqitet me shije të ndryshme librash në shqip: me katër ribotime në Lezhë, Ulqin, Podgoricë, shtetet e Bashkuara të Amerikës; me disa përkthime të shkrimeve të tij artistikenë gjuhët sllavojugore, në anglisht, në frëngjisht, në kinezisht (mandarin), në finlandisht, në gjermanisht; me katër vepra të publikuara në Mal të Z, Kosovë, Shqipëri, SH.B.A. ; me pesë mënyra për t’iu klasifikuar vepra në skeda e rafte bibliotekash dhe me po aq rrugë për t’i mbërritur copyright-i në duar e zemra njerëzish.
Shkrimtari Anton Gojçaj është institucionalizur duke u përfshirë në tekstet shkollore shqip dhe malazezisht.
Ai është shquar edhe si përkthyes, vitin që shkoi, në shqip, i romanit për fëmijë “Në mbretërinë e shkronjave” me autore shkrimtaren bashkëkohëse malazeze Bllaga Zhuriq.
Ky shi librash nuk resht nga 2001-shi i largët deri më 2018-tën e afërt.
Nuk ke sesi të mos lagesh, apo të paktën është e pamundur të mos stërpikesh prej tij; herë me një varg vjershe, si:
“shiko sa të vetmuar jemi / mikja ime... / këndo se të lumtur jemi / në këtë shekull të përlotur”, tek ”Shiu i mrekullueshëm”; herë me një poezi – “Dhjetë ndoshta pse Çun Mulja shkon në Amerikë përkrye Meksikës”;
herë me një rresht tregimi, si:
-         Kisha bërë gjithçka për ty, por unë jam vetëm një zog. Di vetëm të këndoj. Për diçka tjetër nuk kam talent dhe as nuk di të bëj gjë tjetër. Zogjtë e fisit tim dashurohen veç një herë në jetë...” tek “Atomet, shpirti, dashuria...”;
herë me një pasazh eseje filozofike, si:
“Pikërisht në këtë epokë të errët Mesjete, drita ngrihet në kultin e njërit prej tri elementeve bazike të së bukurës – bashkë me plotninë dhe me harmoninë”, tek “E bukura në Mesjetë” ;
herë me një postulat studimi shkencor, si: “”Andrra e Pretashit” dhe “Valë mbi valë” janë dy shembuj që dalin nga i njëjti roces – shndërrimi i fakteve historike në fakte të fiksionit letrar”, tek “Fakticiteti në letërsi” ;
Anton Gojçaj që spikat si në autoportretin me kromatikë ngjyrash, të shpikura prej tij, ashtu edhe në sfondin me shkrimtarë shqiptarë bashkëkohorë në Malin e Zi, realizon një diptik mjaft domethënës:
1.     Si inteligjent, shrimtari Anton Gojçaj, talentin e lindur e të kultivuar e përdor në shërbim të vetes për të formuar një stil të pangatërrueshëm dhe për të krijuar një firmë të pashmangshme në letërsinë shqipe të dy dekadave të para të shekullit XXI.

2.     Si intelektual, magjistër Anton Gojçaj, dijen e fituar me aq përpjekje e përdor në shërbim të kolegëve artistë kryesisht në trevën e tij, por edhe më gjerë në mbarë kufirin gjuhësor shqiptar e më përtej, nëpërmjet interpretimeve me të vërtetë model, për Hajro Ulqinakun, Haxhi Shabanin, Lumnije Hoxhën, Hajredin Kovaçin, Fran Camajn, Asllan Bishën, Ibrahim Berjashin, Anton Gjuravçajn, Anton Nikë Berishën, Anton Berishajn, Kujtim Shalën, Basri Çapriqin, Ndue Sinishtajn etj. Veçojmë konsideratën për poetin Haxhi Shabani: “Një gjuhë e zgjdhur, e dëlirë, lozonjare, e rrjedhshme dhe asociative, një shqipe e pastër, e cila sikur ironizon kufijtë dhe realitetet”.
Ky miksazh shkrimtar – kritik i Anton Gojçajt ka fokusuar vëmendjen ndaj opusit letrar të tij, prej dy dyzina figurash të rëndësishme në fushën e letërsisë dhe të publicistikës shqiptare, siç janë: Klara Kodra, Anton Berishaj, Bahri Brisku, Ramadan Musliu, Arben Prendi, Kolec Traboini, Haxhi Shabani, Fran Camaj, Prend Buzhala, Ahmet Selmani, Dimitrov Popoviq, Nuhi Ismajli, Ndue Ukaj, Ragip Sylaj, Pandeli Koçi, Rrok Gjolaj, Fatmir Minguli, Pjetër Dreshaj, Peter Tase etj. Veçojmë vlerësimin e shkrimtarit Anton Berishaj: “Poezinë e Anton Gojçajt e karakterizon një dinamikë e veçantë tekstore, një tekstualitet i gjallë, i pazakonshëm, origjinal. Autori e arrin këtë me një shumësi procedimesh dhe teknikash kompozicionale e strategjish retorike.”
Të gjitha këto arritje me aq mund si “punëtor ëndrrash” dhe si antropolog kulturor, gërshetuar me një tipar cilësor të autorit, që e kam shprehur më 30 gusht 2007 në gazetën “Koha javore” të Podgoricës për librin e Anton Gojçajt kushtuar Anton Harapit:
“Të lexosh kritikisht do të thotë të shquash një tjetër, duke mbetur ai që je”, bëjnë që shkrimtari poliglot Anton Gojçaj të kundrohet jo vetëm si një përfaqësues ekselent i letërsisë shqipe në Malin e Zi, por në saje të fondit të tij mozaik të vlerësohet si një nga zërat origjinalë në mbarë arealin e gjuhës amë.
Funksioni dhe misioni i librave të tij është fjala e shkruar me germa kapitale: KULTURA.
                                                                                           
 (Shkodër – Kukël, më 23. 11. 2019.)

KOHA JAVORE, nr. 891,  më 5 dhjetor 2019, Podgorice