🔴Kroi lirik dhe buzëqeshja e humbur e Traboinit - nga Anton Gojçaj

Kroi lirik dhe buzëqeshja e humbur e Traboinit
(Kolec Traboini, Ajo që jetojmë përditë, poezi, botoi: Pantheon, Tiranë – Washington DC 2021)


Anton Gojçaj

Sasia dhe cilësia e krijimtarisë letrare të Kolec Traboinit,  në përputhje me mbiemrin që ka, e që është emri i fshatit të të parëve të tij, ta sjellin në mendje një burim uji në atë fshat, i cili në të folmen e vendit quhet Kroni i Traboinit. Ashtu siç del uji i pijshëm nga burimi, nga kroi lirik i Traboinit burojnë vargje të kthjellëta, pandërprerë...   Deri në vitin 1990 ai kishte botuar vetëm një libër me tregime, kurse pas atij viti ka botuar mbi 40 libra me poezi, prozë letrare, publicistikë etj. Përveç kësaj, përkthen nga anglishtja dhe ka botuar edhe disa përmbledhje me poezi të zgjedhur amerikane.
Lirika e Traboinit përshkruan dhe zbulon, rrëfen dhe rrëfehet, sqaron dhe këshillon... Dominon stili kolokvial, ka intonacion të rregullt, është poezi komunikuese dhe inkluzive - paraqet artistikisht sekuenca nga përditshmëria. Është poezi reflektuese, me mendime të thella dhe të bukura, që japin porosi të mira e të bukura.  
Përmbledhja “Ajo që jetojmë përditë” është e organizuar në katër cikle: Dashuria është art, Saga e kujtimeve, Pikëllimet e shiut, Pellazg pa atdhe.
Dashuria në lirikën e Traboinit manifestohet në shumë trajta dhe kuptime. Fillimisht, si një vajzë e brishtë, e kthjellët dhe e përkorë, pastaj si një buzëqeshje e mbështjellë me fshehtësi (“Po e qeshura s’deshifrohej, / ish si mors nga galaktika” – Për një yll që xixëllon), por edhe si diçka transparente dhe pa fshehtësi (“S’ka sekrete / dashuria, / ka veç dritë e mirësi” – Dashuria vjen tek ti), nganjëherë e ndien si një prani ekzaltuese dhe euforike që antropomorfizon gjithësinë (“Kur jam me ty; / qielli qesh e lulet / këndojnë.” – Kur jam me ty), e nganjëherë si një substancë dehëse që shlyen moshën e shpërfill kuptimin  e vetëpërmbajtjes për qëllime të shenjta, duke shkaktuar  tundim dhe joshje (“Por, o Zot, kur shoh / çapkënet e Tiranës, / hidhet e përdridhet / gjaku im në dej” – Murgesha).   
Kur i këndon dashurisë, por edhe në poezitë me motive të tjera, zëri lirik përdor dy mënyra: 1. komunikimin intim, të drejtëpërdrejtë, me të dashurën  (p.sh. poezitë: “Ty ditëlindja të ka humbur”, “Ti je një lule”, “Kur jam me ty” etj. etj.) dhe 2. komunikimin me anë të të cilit ia shpreh lexuesit mendimet, ndjenjat dhe dëshirat e folësit lirik alias poetit, që shprehin  porosi të ndryshme nga përvoja e jetës empirike (p.sh. poezitë: “Dashuria është art!”,  “Dashuritë e vogla”, “Për një yll që xixëllon” etj. etj.).
Një imazh i jashtëzakonshëm, që gjeneron xixa reflektimi të thellë filozofik-transhedental gjendet në një strofë të vjershës “Lotët e Madalenës”:
Madalena / qëndronte në kopshtin / Gethsemane, / ku Krishti u nda me dishepujt, / nga buka dhe vera, / nga puthja e Judës / që e eklipsoi  puthjen e saj, / të cilën donte t’ia jepte / fytyrës njerëzore / para se të kthehej / në hyjni.  // Tërë bota tretej / Në lotët e saj”
Vargjet e sipërcituara ndërtojnë një paralele krahasuese ndërmjet puthjes së Judës - simbol i tradhëtisë, dhe puthjes së Madalenës, një mëkatare e njohur (të pushtuar nga demonët), e cila megjithatë njohu mëshirën e Hyut. Tërthorazi, sikur aty figurativisht, puthja e Madalenës, mëkatares së penduar, megjithëse eklipsohet nga puthja e Judës, nxënësit që tradhëtoi mësuesin/mikun/Zotin e vet,  e fisnikëron dhe e “rehabiliton” jo vetëm një femër të thjeshtë me emër e mbiemër por mbarë shoqërinë njerëzore. (Sipas Ungjillit të Lukës, Maria Madalena, Jezusit,  “filloi me lot t’ia lajë, t’ia fshijë me flokë, t’ia puthë e t’ia lyejë me parfum” këmbët (Luka 7: 37-38). Ajo, me gjithë mëkatet e saj  të dikurshme, i ndejti besnike Jezusit pranë kryqit, krah për krahë me të ëmën e tij, Marinë e Jozefit, deri në çastin kur Jezusi dha shpirt.
Vetëm mbi krahasimin e puthjes së Judës me puthjen e Madalenës mund të shkruhet një libër i tërë, nga aspekte dhe këndvështrime të ndryshme: teologjike, filozofike, psikologjike, sociale, politike etj., duke pasur parasysh sjelljet dhe veprimet e shoqërisë shqiptare, por edhe asaj njerëzore. Traboini me këtë poezi ka prekur në nervin (pikëdhembjen) e epokës sonë... Kjo poezi fton për të reflektuar në vazhdimësi mbi paradigmat shoqërore dhe modelet kulturore... Pendimit të sinqertë i duhet dhënë më shumë rëndësi sesa stigmatizimit të pafund të mëkatit, çfarëdoqoftë ai  – që është në përputhje edhe me porosinë kristiane që e mira e mund të keqen, pavarësisht se autorit mund të mos i ketë shkuar fare ndërmend ky dimension. Por, sipas teorisë së letërsisë,  vepra letrare, shpesh, thotë më shumë seç mendon autori i saj.
Poezitë e ciklit “Saga e kujtimeve” përshkohen shpesh nga urtësia e dalë nga përvoja e jetës dhe përçojnë këshilla, porosi, mësime të ndryshme... Thuhet se lirika humb kur merr rolin e mësueses apo të edukatores, dhe kjo vërehet në disa raste në poezitë e këtij cikli, por nuk mund të thuhet se ato poezi janë pa hire... Nganjëherë, kur thuhen me shije, me maturi dhe dije, edhe moralizimet, këshillat, kanë hijeshinë e vet.
Poetikën e vet Traboini e ndërton kryesisht nëpërmjet imazheve (përshkrime pamjesh) poetike, që diku janë statike: p.sh. pika e vesës në diell ;  e diku në lëvizje: Një gjeth rrëzohet / mbi ujëra bie ; – nganjëherë edhe në nivelin e strofës: “E gjithnjë më bëhej se / në fushën me grurë / shihja një prift / që hidhte veladonin / e vraponte si i marrë / pas një lulëkuqeje, / që i bëhej si çupkë, / çupkë për t’u pirë / në kupkë.”  (Dashuria ime adoleshente me Korçën)
Ka edhe figura stilistike, që merren shpesh nga frazeologjia e bisedave të përditshme, që janë të  afërta, spontane, lozonjare dhe të natyrshme: të ha me sy ; Ajo ish një yll i vogël / unë gjahtar që vija gracka; malli i ndezur vonshëm etj.
Nuk mungojnë as metaforat, krahasimet, personifikimet ... interesante, si psh. Fëminia – lulja e qershisë ; qiej të përmbysur ; të ngjalave politike ; Këshilla është / patericë e drunjtë ; luleborat që varen / në buzën tënde¸; e unë, me flokët e tua / të harlisura në erë / do të thur vargje ; ka edhe vajza me fytyrë si mollë ; mendimet rënduar në kërkim, / si bletët dehur pas luleve ; shira që qajnë ; dielli buzëqesh / e na bën me sy  etj. - që dëshmojnë për mjeshtrinë e penës që i krijoi.         
Një numër imazhesh dhe figurash të huazuara (përshkruara) nga bota e përditshme në poezinë e Traboinit fitojnë funksionin e figurës letrare (p.sh. ca zogj të hallakatun në erë ; si një zog krahthyer / i rrëzuar nga qielli ; Dhe një polic që ruan molin ; Pemë të lagura, njerëz / me çadra / aty diku në një cep / një njeri i bërë qull ; Një tufëz resh / diku në qiell, / një shtërg që ik / pa dit’ ku shkon. etj. etj. ) – që janë me të vërtetë si peizazhe prej fjalësh. Domethënë : figurat në këtë poezi ndërtohen kryesisht në formën e përshkrimit të pamjeve ose imazheve nga bota reale,  të ngjyrosura emocionalisht, e më rrallë si lidhje befasuese, “të panatyrshme” fjalësh, që nëpërmjet defamiljarizimit do të hapnin dritare të reja kuptimesh.
Leximi i poezisë së Kolec Traboinit, e tillë çfarë është ajo, jep kënaqësi.
Vdekja mbizotëron si motiv në ciklin “Pikëllimet e shiut”. Shprehja ironike dhe pasiguria e çastit kur ajo mund të vijë shkojnë dorë për dorë në vargjet e Traboinit:  “Vdekjen e kam / fare afër, - vjen e më troket / në derë / çdo ditë. // - Dil, - më thotë- bëj ç’ke për të bërë / se e nesërmja / nuk dihet / ndoshta vij...”    (Lotët nuk kanë kuptim kur bie shi)
Nëse cikli i parë, “Dashuria është art”, karakterizohet nga dinamika, koloriteti dhe gjallëria, cikli i tretë është më i thellë, ngapak i zymtë, por edhe ajo zymtësi artikulohet me gjuhë të qartë. Pamundësia e parafytyrimit të vdekjes shprehet bukur në poezinë “Lotët nuk kanë kuptim kur bie shi” :
“Nuk e di si do të jetë / ajo botë, / por e di / që nuk do të ketë / as yje, / as hënë, / as gjethe që lëvizin në erë, / asgjë nga ato / për të cilat / këndova një jetë;  // as vjeshtë, / as pranverë, / e unë do të kthehem / në pluhur. “    
Është aq njerëzore frika nga vdekja dhe pranimi i frikës: “Në këtë natë të errët / gjumi nuk më zë, / nga droja se në mëngjes / nuk zgjohem më.” (Hija e vdekjes)
Cikli i fundit “Pellazg pa atdhe” i kushtohet atit të poetit dhe të parëve të tij, por në mënyrë të veçantë fshatit të gjenezës familjare: “ Traboinit është buzëqeshja ime e humbur” (Traboini).
Dyvargëshi i fundit i vjershës “Në Rrmaj” përshkruan vizitën e të birit pranë varrit të të atit: “-Ku ikën? – më thotë im Atë që nga varri / sikur të ishte ai e jo unë, i gjalli...” hamendëson relativizimin e hendekut ndërmjet botës së të vdekurve dhe botës së të gjallëve, gjegjësisht sugjeron një shkëmbim hipotetik vendesh, jo pa domethënie...   
Kolec Traboini është një zë origjinal, mirëpo në ndonjë poezi të tij vërehen gjurma intertekstuale, qoftë eksplicite ( përmendet trumcaku i Migjenit në poemën “Pellazg pa atdhe”), qoftë implicite  (çiftet antitetike te poezia “Bëj të qaj e nuk qaj dot” t’i kujtojnë çiftet  antitetike të poezisë “Syrgjyn- vdekur” të Fan Nolit.
Vështrimin për këtë libër do ta përfundojmë me fjalët se “poezia” mbetet gjithmonë matanë, jashtë interpretimit, e pazëvendësueshme nga interpretimi, që gjithmonë mbetet i pjesërishëm, funksioni i të cilit është për t’i shërbyer asaj gjegjësisht për të ndërmjetësuar ndërmjet veprës poetike dhe lexuesit.

"Koha javore”, 23 shtator 2021, faqe 18, Podgoricë.

 


🟣Lirika intime e Anton Gojçaj - nga Rrok Gjolaj

VËSHTRIM PËR PËRMBLEDHJEN ME POEZI “DËGJOHET NJË VIOLINË, NË SUFERINË...” TË ANTON GOJÇAJT

Dendësi mendimi dhe tendosje emocionale

 


Shkruar nga: Rrok GJOLAJ

 

Hyrje

Veprimtaria letrare

Anton Gojçaj është figura qendrore e krijimtarisë letrare të shqiptarëve që jetojnë në Mal të Zi dhe njëra nga figurat e spikatura të letërsisë shqipe në rrafshin mbarëkombëtar. Ai u lind në Tuz, ku dhe jeton. Studimet universitare dhe pasuniversitare i ka përfunduar në Prishtinë. Me krijimtari letrare ka filluar të merret në moshë shumë të re; botoi në shtypin e kohës në Podgoricë, Kosovë etj. Shkruan poezi, tregime, romane e studime letrare. Deri tani ka botuar dy përmbledhje me poezi: “Poezi” (2001) dhe “Dëgjohet një violinë, në suferinë” (2011). Në prozë ka botuar përmbledhjet me tregime “Qengji i harruar vetëm në mal” (2003) e “Ndërmjet kapakëve”(2010) dhe romanin “Passio”(2004). Studimi “Proza letrare e Anton Harapit” titullohet “Fakticiteti në letërsi” (2007), esetë janë përmbledhur në librin me titull “Tema e heroit nacional” (2004), kurse vështrimet dhe recensionet në librin me titullin “Shija e librit” (2009) dhe “Biblioteka e Hirushes” (2011).

 

Vlerat e përmbledhjes “Dëgjohet një violinë, në suferinë...”

 

Përmbledhja e dytë me poezi, “Dëgjohet një violinë, në suferinë...” e poetit Anton Gojçaj, qysh nga vetë titulli afron vlera poetike dhe estetike që përshkojnë gjithë veprën si krijim i një strukture të veçantë ligjërimore. Harku qendror i kësaj përmbledhjeje poetike mbështetet tek substanca refleksive dhe disponimi lirik. Uni poetik vjen në këto poezi edhe si artikulim emotiv e tërësi artistike, pa mbetur asnjëherë në rrafsh përgjithësues. Zëri i unit lirik, sfidat e këtij uni mbruhen duke u bërë përcaktim i saj dhe përqendrim i brendshëm i poezisë. Vetë titulli i veprës nxirret nga një poezi e veçantë e kësaj përmbledhjeje: “Dëgjohet një violinë, fryn një suferinë”. Ky është një ndërtim poetik befasues origjinal që ofron dendësi konotacionesh e kuptimesh semantike me vlera të larta estetike.

Poeti dhe studiuesi i talentuar Anton Berishaj për poezinë e këtij autori shprehet: “Poezinë e Anton Gojçajt e karakterizon një dinamikë e veçantë tekstore, një tekstualitet i gjallë, i pazakonshëm, origjinal. Autori e arrin këtë me një shumësi procedimesh dhe teknikash kompozicionale e strategjish retorike”.[1]

Në disa poezi kemi një lirizëm filozofik që vjen tek lexuesi si bisedë qiejsh dhe bashkëbisedim me hyjnitë (Kambanat para dritës, Dëgjohet një violinë, Fryn një suferinë, Gjysma e botës, Energjia e poezisë).

Dhimbja e poezisë nxit mendime zhbiruese në kërkim të kuptimësisë. Kahjet e poezisë si sajim i iluzionit të imazhit konkret dhe lëvizje e brendshme e metaforave, për të zbuluar të padukshmen japin së bashku reflekset e një gjendjeje të caktuar shpirtërore, duke na sjellë përjetimin.

Tek Gojçaj, poezia nuk lexohet, ajo përjetohet (Vajza ecën me ombrellë në borë, Trëndafil i kuq në borë, Askush s’e kupton dhelprën). Në një pjesë të madhe të lirikave, vargu ngarkohet me reflekse kategorie vitale, si ekzistencë, e cila shpesh lidhet me tërësinë e universit. Në poezitë ku është e pranishme substanca filozofike, shpesh dilemat mbesin të pazgjidhshme (24 orë, Lirikë heroike, Një mace kozmosi, Diç për matanë, Mrekullia e ekzistencës, Shpejtësi e rrezikshme).

“Poezinë e Anton Gojçajt prore e ka karakterizuar njomësia dhe freskia e vargut poetik, ndërsa autorin, guximi për t’i thyer konvencat dhe durimi për ta latuar vargun deri në përsosmëri”, shkruan gazeta “Zëri” i Prishtinës në vitin 2001 dhe është botuar në kopertinën e këtij libri “Dëgjohet një poezi, në suferinë...” (Lezhë, 2011).

 

Karakteristika të lirikës intime

 

Zëri lirik i autorit është shumë i fuqishëm në këtë përmbledhje me poezi. Shpesh ndihet dëshpërimi poetik, zhgënjimi nga jeta dhe njerëzit, po fundi i poezisë gjallon besim.

Poezitë përshkruhen nga idetë e natyrës metaforike, të cilat shpesh artikulohen si përvoja personale. Kemi në këto poezi dendësi mendimi dhe tendosje emocionale. Në disa poezi gjejmë poetikën e mungesës. Mungon vazhdimësia e dashurisë, duke u kthyer në mungesë të botës së përsosur reale. Mungesa si kudo sjell mall e vuajtje; vuajtja është e përballueshme, nuk ka stuhi ndjenjash, të duket se gjithçka përballohet me urti.

Karakteristikat gjuhësore të kësaj poezie janë foljet të cilat më së shumti përdoren në të shkuarën: në të shkuarën gëzimi e tash mungesa (“Lamtumirë nuk mund të them”, “Botët paralele”, “Olimpiada e pritjes”, “Largimi është veç fillim i kthimit”, 403, “Regëtin”, “Njeriu i mirë”). Në poezitë intime të Gojçajt, uni lirik është i çliruar nga vetjet e tjera; ajo është e brendshme dhe vizaton dritëhijet e veta shpirtërore. Shpesh autori përdor gjuhën ezopike, si te poezitë: “Askush s’e kupton dhelprën”, “Një mace kosmosi”.

Të pranishme në lirikat e këtij libri janë edhe gjeneza, gjuha e rrënjët shqiptare (“Nëna ime shqype kryebardhë”, “Traboinshe”, “Dhjetë ndoshta pse Çun Mula”, “Gjuha shqipe është e bukur”, “Rrëfehem”). Ironia në poezitë e Gojçajt kthehet në substancë të ngarkesës emocionale, kurse tharmi ironik shtrihet që nga vargje të veçanta e deri në gjithë poezinë.

 

Struktura dhe gjuha e veprës

 

Artikulimi gjuhësor të tërheq si çelës për leximin e poezisë. Poezitë në këtë përmbledhje kanë lehtësi komunikimi, harmoni ritmike e tingëllore e vargu poetik ndërtohet duke synuar përsosmërinë. Teknikën si formë e komunikimit poetik e karakterizon mungesa e shenjave të pikësimit dhe mospërdorimi i shkronjës së madhe. Kjo është një shenjë dalluese që lidhet me teknikën e tij të veçantë dhe përvojën e thurjes së vargut. Poezia herë lexohet si strofikë e organizuar e herë si varg i lirë. Disa poezi janë të kornizuara, duket sikur kanë dyer nga ku hyhet dhe dilet (“Vrapo e dashura ime”, “Buzëqeshje e gjelbër”). Në këtë përmbledhje, shkapërcimi i kufijve formalë të poezisë sjell elegancë ritmi dhe efekte stilistike. Poezitë kanë figurshmëri të pasur e metaforat përkundin njëra-tjetrën në djepe vargjesh.

 

Fusnota:



[1] Anton Gojçaj, “Dëgjohet një poezi, në suferinë...”, Lezhë, 2011. Pasthënia: Anton Berishaj, Poezia si jopërsosmëri e përsosur… botuar si recension te libri Anton Gjojçaj “Poezi”, Tuz, 2001, fq. 77.

 

 

LITERATURA :

1. Gojçaj, Anton, “Dëgjohet një violinë, në suferinë...”, Lezhë, 2011.

2. WELLEK, Rene, WARREN, Austin., “Teoria e letërsisë”, Një studim themelor mbi natyrën dhe funksionimin e letërsisë në gjithë kontekstet e saj, përktheu: Abdurrahman Myftiu, Shtëpia Botuese “Onufri”. Tiranë, 2007.

3. SINANI, Shaban, Për letërsinë shqipe të shekullit të 20-të. Studime. Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Shtëpia Botuese “Naimi”, Tiranë 2010.

4. Vinca, Agim, Struktura e zhvillimit të poezisë së sotme shqipe, Prishtinë, 1985.

 

 

A GLIMPSE AT POETRY COLLECTION OF ANTON GOJÇAJUNDER THE TITLE “A VIOLIN IS HEARD FLOWING IN A TORMENT”

 

ABSTRACT

 

Anton Gojçaj's work of art in poetry puts in front of the reader, his authorial poetic being in a pure state. The lyrics evolves not only by defining substantially his poems but mostly by becoming its inner essence. Gojçaj's poetry built up around his reflexive working and also the enriched lyrical sensibility.

One of the greatest achievements of his works is that they can't be simply read: they demand to be felt profoundly. (Just to name a few: The girl with the snow umbrella, Red rose, Nobody gets the fox). Technically, his poetic messages flow through the illusion of concrete and real images and moving metaphors.

The result: Gojçaj's lyricism leads to unveil the unseen dimensions of reality and human emotions.

The philosophy beyond his works comes across the reader as if it was a sort of dialogue between skies and Gods of distant parts of the emotional cosmos. In some of his works, different philosophical questions remain yet unresolved, just to mention a few: "24 hours "; "Heroic lyrics"; "A cat from cosmos”; “Something about outerspace".

Existence is the main concept of all above poems, becoming in each of them a central part of metaphysical consideration during the author's creative process.