DISA TË DHËNA PËR LETËRSINË SHQIPE NË MALIN E ZI
ANTON GOJÇAJ POEZI - “Dëgjohet një violinë në suferinë”

ANTON GOJÇAJ
MREKULLIA E EKZISTENCES
rrugëve të prishtinës
studiova frikën
policët kah më ndiqnin
thërrisja amerikën
lulet kur i shihja
pranë tankeve kur mbijnë
e shaja europën
lutesha për shqipërinë
për miqt e mi të atëhershëm
më pushton një mall
jo nuk bëmë çudira
çudi që mbetëm gjallë
NJERIU I MIRE
kurrë s’ma ka munguar kështu si sonte
larg nënës pa të dashurën larg nënës pa miq
zhgarravit vargje pakuptim mjer kush u besonte
shpellave të kohëve përplasen lakuriq
ujqit janë shumuar dhe kanë mall për ty
fotografohen nëpër gazeta merren me politikë
mish qengji drekojnë verë të kuqe pinë
me sex makina luajnë dhe çmallen me muzikë
dikush sonte pa një pikë loti qan përnjimënd
as i lirë as në burg as dhëndërr as murg
ulurin nëpër shi kërkon profilin tënd
poet është ndoshta apo ndoshta edhe vetë ujk
RREFIMI I NJE LYPSI TE ÇUDITSHEM
unë kurrë s’kam pasur asgjë
vazhdoj të jetoj në pritje
i vogël i padenjë për të fshehtat
i mbrami në çdo renditje
unë kurrë s’kam lypur shumë
para as nam as titull
tepër ndoshta pata veç gjumë
dhe ndonjë yll të fikur
unë kurrë diçka nuk bëra
që të mos e shkruaj këtë këngë
sytë po mi vret rëra
tash po i fshij me mengë.
TRABOINÇE
kur me grushte marr të pi ujë
ujë traboini
kthjellët shoh nuk jam i huaj
në këtë tempull gurrë lulëzimi
kur me grushta unë ujë pi
dhe laj sy e faqe
mis kozmosi malësore je ti
bukuroshe budallaqe
të lutem në gjunj kur i penduar bie
te kroni i traboinit ta lag ballin me ujë
ngjitu ti valltare e virgjër qiejve
ende jeton malesori botëve u thuaj.
VAJZA QE ECEN ME
OMBRELLE NEPER BORE
sa shumë që duheshim
atë mbrëmje me borë
si s’ta bëra me dorë
si s’ma bëre me dorë
kur luanim qiellorë
me djallëzoren ironi
si sma bëre me sy
si s’ta bëra me sy
do të duhemi përsëri
netëve pa orë
do të vishemi me florë
do të shkrihemi në borë.
Nga vëllimi poetik:
“Dëgjohet një violinë në suferinë” Anton Gojçaj,
Enti Botues “Gjergj Fishta”, Lezhë 2011

BOTOHET POEZIA E ANTON GOÇAJ ANGLISHT NE SHBA

Për poezinë e Anton Gojçaj - nga Peter Tase
Subjekti trans-atlantik në poezinë moderne Shqipe
(me shkurtime)
Anton Gojçaj lindi në vitin 1966, në Podgoricë. Ka studiuar për letërsi dhe gjuhë shqipe në Universitetin e Prishtinës. Jeton në Tuz (Mali i Zi). Shkruan poezi, prozë, kritikë letrare, diçka më rrallë merret edhe me përkthime letrare nga gjuhët e sllavëve të jugut në shqip dhe anasjelltas. Punimet e Gojçaj janë botuar në periodikun letrar në: Kosovë, Malin e Zi, Shqipëri, Zvicër, Maqedoni, Rumani, Greqi, Kroaci, Slloveni dhe në fund të 2012 pritet të botohet vëllimi i tij me poezi “Dëgjohet një violinë, në suferinë…” edhe në Shtetet e Bashkuara. Vargjet të tij janë botuar në një përmbledhje të letërsisë së popujve pakicë në Malin e Zi me titullin “Nga çerdhja gjer në qiell” Podgoricë 2010, pastaj në panoramën e krijimtarisë letrare të shqiptarëve nga Mali i Zi, me titull: “Dritaren lëre hapur,” Zagreb 2010.
Deri tani ka botuar këto vepra letrare: Poezi, Illyricum, 2001, Tuz; Qengj i harruar natën në mal, tregime, Shpresa, 2003, Prishtinë ; Tema e heroit nacional në letërsi, ese, AIKD, 2004, Prishtinë; Passio, roman, Buzuku, 2004, Prishtinë; Fakticiteti në letërsi, Proza letrare e Anton Harapit, studim, Buzuku, 2007, Prishtinë; Shija e librit, vështrime, recensione, AIKD, 2009, Prishtinë; Passio, ribotim, Enti Botues “Gjergj Fishta”, 2010, Lezhë; Ndërmjet kapakëve, tregime, Art Klub, 2010, Ulqin; Dëgjohet nje violinë, në suferinë , ribotim i vëllimit me poezi, EB “Gjergj Fishta” 2011, Lezhë; Biblioteka e Hirushes – Letërsia shqipe në Malin e Zi, recensione, Art Club, 2011, Ulqin.
Në vargjet e Gojçaj vihet re qartë komunikimi midis kulturave ashtu siç mund ta vëmë re edhe në poezinë me titull “Ishulli i Ri,” ku shkrimtari ndodhet “në mes të oqeanit me një mijë kufij për një natë e krijoi njeriu i ri / duke braktisur shtëpinë e shoqërinë ngase s’e qiti më dashurinë / ky ishull që duket si tavolinë me një shishe birrë dhe një kuti cigare / ma kujton nëpër mjegull vdekjen e Mozartit / jetën tonë të dashur teatrin e çastit…/
Me një mjeshtëri për t’u patur zili, Gojçaj ndërthur fare bukur jetën e tij idilike në një kontekst më të gjerë, ku përfshihet oqeani që lag shumë brigje por edhe Mozarti që vjen nga një vend siç është Salzburgu i Austrisë, një shtet pa dalje në det. Gojçaj shpalos një propensitet të papreçedent në formimin e lidhjeve midis kulturave të ndryshme.
Në poezinë “I biri i Frankenshtajnit”, Gojçaj me një stil të pa-parashikueshëm përmbledh në vetëm katër vargje krijimin e botës nga Eva dhe Adami por edhe elementin Historik, shume dimensional, të Kalit të Trojës; vargjet rrjedhin si vijon: / bijat e Evës e lumturojnë botën si në kohët e para / derisa Adamit po i ndryshon fara… / një engjëll o demon më rraset pranë gojës / jam brënda a përballë kalit të trojës…/
Ndërsa në poezinë tjetër, “Regëtime,” Gojçaj përshkruan rrugëtimin e gjatë krahas sentimentalizmin njerëzor, poeti tërthorazi pse jo edhe me një gjuhë paksa të drejt përdrejtë, ka përfshirë edhe temën e integrimit të Shqipërisë në familjen Europiane: /nuk qajnë kambanat / veç pranvera vonohet / për bashkimin tonë / që nuk po realizohet…/
Pasi lexojmë këto vargje, shtrohet pyetja e thjeshtë, ç’farë kuptimi ka fjala bashkim në këtë strofë? Këtu zbardhet elementi i integrimit Europian të Shqipërisë, i cili shfaqet gjatë nën-kuptimit kontekstual.
Mbi krijimtarinë e Anton Gojçajt - nga Ndue Ukaj dhe Nuhi Ismajli
Ndue Ukaj
Një studiues i madh frankofon, Tvetan Todorov, në librin Letërsia në rrezik, ndër të tjera shkruan se “si filozofia dhe shkencat humane, letërsia është mendim dhe njohje e botës psikike dhe shoqërore në të cilën jetojmë”. Duke qenë e tillë, letërsia bëhet fusha më e veçantë e komunikimit njerëzor, sepse vepra letrare vjen nga shpirti dhe ka destinim shpirtin, do thoshte esteti e filozofi Friedrich Hegel. Letërsia komunikon të bukurën përmes ndjenjave më sublime të shpirtit. Të bukurën si komponente esenciale të letërsisë e transfiguron në art shkrimtari, Anton Gojçaj, i cili tanimë është emër i sprovuar në shumë fusha të letrave shqipe. Autor që shkruan poezi, që kultivon zhanrin e tregimit, romanin, kritiken letrare, studiues i mirëfilltë letrar e eseist i shkëlqyer, ai ravijëzohet në letrat shqipe, me portretin e një krijuese me tipare të shumëfishta e vlera të gjithmbarshme, që di të mishëroj të bukurën me fjalën artistike, brenda një konteksti specifik kulturor e letrar.
Në romanin Passio (Gjergj Fishta, 2009), Anton Gojcaj ndërton tekstin si një realitet kulturor për të cilën gjë bie në një mendje e gjithë bashkësia e lexuesve (Umberto Eco). Autori shpërthen në këtë tekst letrar me tërë origjinalitetin e tij letrar. Teksti karakterizohet nga një narracion i përpunuar, një stil mjeshtëror, brendapërbrenda një fabule dinamik dhe një gjuhë atributive e konstruktuar me trajta rrëfimtare brilante. Romani ka një titull simbolik, që ngërthen një shënjues të letërsisë së tij, jetën si pasion dhe artin si pasion. Janë këto dy strumbullarë që kombinohen me mjeshtëri dhe që funksionalizojnë tiparet e një proze të realizuar mjeshtërisht, ku vihen në kontrast të thellë krizat identitare të njeriut. Autori empirik, duke u nisur nga jeta prej së cilës rrethohet, shpërthen në shkrimin fiksional, për të pikasur një personazh tragjik, rrugët e së cilit konstruktohen nëpërmjet shenjave dramatike, që vijnë si reminishencë nga ëndrra e personazhit hero të romanit, atëherë kur piktori Jozef Montanara (Zef Gjoni) ishte në kulmet e artit si piktor dhe atij i shfaqet në ëndërr, momenti më tragjik i jetës së tij: vrasja e babait, mu në natën e ngjalljes së Jezu Krishtit, simbolikë kjo e funksionalizuar dhe realizuar me mjeshtri nga autori, madje edhe si dimension filozofik i intertekstit letrar. Diskursi fiksional i autorit, mvishet nga tiparet e fuqishme të diskursit biblik e oral, i cili intencë ka funksionin edukativ të letërsisë, një katharsisi letrar të nënkuptueshëm.
Kodet tematike e ligjërimore, shtresohen rreth plagës së mërgimit, si një temë e lashtë e letërsisë shqipe, trajtuar kurdoherë në nga pena të shumta. Portreti i kryepersonazhit të këtij romani është kompleks. Ai është piktor me famë botërore, jeton në një metropol botëror, sikurse është Neë Yorku. I pamartuar, me disa flirte dashurore, ai bënë jetë prej artisti tipik, madje me dëshirën që të harrojë të kaluarën, mirëpo i ndodh e kundërta, ëndrra e kthen në realitet. Dhe këto lufta identitare bëhet e fuqishme, shpërthyese, drithëmuese, dramatike, me të cilën autori ndërton përplot sekuenca narrative të jashtëzakonshme. Jozefi, i cili Nuk Qesh Kurrë, fillon të trandet, tallazet e shpirtit të tij kërkojnë interpretimin e ëndrrës, ndërsa interpretimi i saj e kthen në identitet, në kërkim të shenjave të tij. Dhe pastaj zëri i fuqishëm, sugjestionues, por edhe melankolik „Zef Kthehu“ ja zgjon kujtimet e fashitura në kohë dhe fillon të kërkon vetveten. Kërkimi i vetvetes në variante të ndryhem narrative, e përcjell personazhin në gjitha nivelet e jetës, pas ëndrrës deri te rikthimi në Malësi, takimi me të ëmën, martesa, lindja e një djali dhe kontinuiteti i vazhdimësisë identitare. Përmes këtij epilogu moral, autori përveç se përçon ide e mesazhe morale, riciklon dimensionet filozofike të zhbërjes së identitetit dhe rrezikut nga kjo dukuri.
Romani ka një fubulë e cila menjëherë lexuesin e fut në vorbullën e narracionit. Kemi një rrëfim në qendër të ngjarjes, in medias res. Dhe e gjitha në roman fillon me një ëndërr, prej së cilës shtresohet vorbulla e një rrëfimi dramatik. Autori funksionalizon motivet e lashta për ëndrrat si topose sinjifikative, ndërkaq një interelacion komunikues kulturor, teksti e ndërton me ëndrrat biblike, si topose komunikuese që prodhojnë kode të veçanta semiotike e ligjërimore. Jozef Montanara, larg atdheut, tek flinte, i selitet ngjarja më tragjike e jetës së tij, e cila lidhet me gjakun, më familjen, atëherë kur në prag të festave të ringjalljes së Krishtit, i vritet babai, nga armiqtë e Malësisë, që lehtë kuptohet që ishin armiq të etnisë së tij. Për t’ia shpëtuar Qengjin Zefit të vogël, babai i tij vritet. Këtu, figura e Qengjit bëhet shënjues i letërsisë së Antonit, një simbol me kuptime ekoivoke, që si topos tematik e figurë letrare, në variante të ndryshme bartet edhe në zhanrin e tregimit të autorit. Me këtë karakteristika ligjërimore e estetike, ndërlidhet figura e qengjit të dashur të personazhit dhe në mënyrë implicite, e autorit empirik. Përmes këtyre sekuencave narrative, autori rikontekstualizon diskursin biblik për qengjin biblik, si topos tematik dhe si materie stilistike, e motivueshme për të konotuar idetë letrare. Qengji, në kuptimin e parë, shënjon kafshën e bukur, së dyti simbolikën kristiane, si arkitekt e arkiligjërim biblik që shenjon martirizimin e Krishtit në Kryq, sikurse qengj i pafajshëm për fajet e botës. Si figurë kryetipre letrare, sipas Northrop Frajit, qengji është evokim për Jezusin qe flijohet për mëkatet e njerëzimit. Dhe rikujtimi i kësaj figure nënkupton ringjalljen. Kjo intencë letrare në prozën e Gojcajt del e hapur, autori e sfidon personazhin e tij me një sekuencë jetësore të kahershme, që kishte lënë vragë të hapura diku në qenien e tij. Andaj, pas shumë sfilitjeve dhe tundimeve, personazhi realizon thirrjen që i bëhet në ëndërr dhe kthehet, si një determinim i intencës autoriale.
Nëpërmjet personazhit Jozef Montanaro (Zef Gjoni), autori portretizon njeriun e kohës së tij, të goditur nga plaga e detyrueshme e mërgimit, në të cilën shenjat identitare rrezikohen të shuhen. Mirëpo, duke e trajtuar këtë temë kaq komplekse shqiptare, e veçanërisht për Malësinë, autori përçon mesazhe të fuqishme, që triumfojnë me epilogun e romanit, ku ndjehet fuqishëm një katharsis letrar sugjestionues. Në këtë roman, autori me një realizëm magjik, përmes një narracioni shpërthyes, të qetë, por dridhmues, e shtreson toposin e mërgimit dhe krizën identitare si temë të fuqishme narrative, përmes trajtave të rrëfimit modern, ku pikasën trajtat e realizimit magjik të prozës.
Ky roman i Gojcajt, ashtu sikurse i gjithë prodhimi i tij letrar, e perceptojnë artin si kulturë, që rolin edukativ e kanë në vete- siç do të shkruante Arshi Pipa. Dhe në këtë roman, ashtu sikurse në gjithë krijimtarinë e tij, Gojcaj përçon mesazhe të fuqishme kulturore e edukative, të cilat realizohen përmes katharsisit letrar, si element i fuqishëm i letërsisë së tij.
VËSHTRIM
Vepër me vlerë për letërsinë dhe kulturën
(Anton Gojçaj, “Shija e librit (recensione, interpretime, ese…”), AIKD, Prishtinë, 2009).
Anton Gojçaj (1966) është poet, tregimtar, romansier, por edhe personalitet i fuqishëm studiuesi. Si studiues, Gojçaj ka publikuar shkrimet e tij qysh si student, për të vazhduar më pas me publikimet e tij nëpër gazetat e revistat e ndryshme dhe me veprat e tij komplete, si: “Tema e heroit nacional në letërsi” (2004), “Fakticiteti në letërsi – proza letrare e Anton Harapit” (2007) dhe “Shija e librit (recensione, intepretime, ese…)” (2009), të cilat dëshmojnë formimin e lartë, prirjen dhe seriozitetin shkencor të tij. Vepra “Shija e librit “ është vepra e gjashtë, në radhën e veprave të botuara të këtij krijuesi, një vepër mjaft e vëllimshme dhe mjaft e larmishme për nga problematika e trajtuar.
Nuhi Ismajli
Pas fjalës hyrëse mjaft koncize, ku tregohet për kohën e shkrimeve, vendin e botimit të tyre dhe qëndrimin e autorit ndaj veprave që trajton, vepra është e ndarë në pesë kaptina, në të cilat trajtohen çështje të ndryshme letrare, gjuhësore, historike, kulturore, filozofike, estetike, psikologjike, gjeografike etj. Është interesant se titujt e kapitujve, sikurse edhe titulli i veprës, shprehin qëndrimin subjektiv të autorit ndaj veprave që trajton, natyrën, llojet dhe format e shkrimeve që trajtohen, po edhe të shkrimeve që krijohen. Në kapitullin e parë ( “Me zemër” ), i cili titullohet, ndër të tjera, duke pasur parasysh natyrën e poezisë lirike, Gojçaj ka zgjedhur të shprehë mbresat dhe vlerësimet e tij për poezinë e veprave të ndryshme, të autorëve shqiptarë, siç është poezia e veprës së Gjekë Marinajt, Xhevdet Bajrajt, Arben Idrizit, Halil Matoshit, Nokë Sinishtajt, Teola Shkodrës, Lumnije Hoxhës, Ndue Ukajt, Nikollë Berishajt, Hajredin Kovaçit e Rrok Berishajt, por edhe për poezinë e veprave të ndryshme të autorëve botërorë, siç është poezia e veprës së Ch. Bukovski dhe ajo e veprës së E. Paundit. Gojçaj është studiues, i cili, jo vetëm në bazë të dijes dhe mendjes së studiuesit, por edhe të zemrës së ndjeshme të poetit dhe ndjenjës së kultivuar poetike të tij, arrin të analizojë e interpretojë, të vërejë e të shquajë, dhe të shqiptojë atë që është qenësore, karakteristike, vlerë ose e metë e një poeti. Në kapitullin e dytë (“Me shpirt”), Gojçaj trajton veprat e ndryshme në prozë, të autorëve shqiptarë, si veprën e I. Kadaresë, të A. Plasarit, R. M. Shalës, A. N. Berishës, K. F. Shabanit, F. Camajt, A. Bishës, A. Gjuravçajt e I. Berjashit, dhe veprat në prozë të autorëve botërorë, si veprën e I. Zvevos dhe të G. Grassit. Autori flet për elementet e ndryshme të veprave, si temën, idetë, stilin etj., për të veçuar prirjet e posaçme të krijuesit dhe veçoritë karakteristike të veprave si dhe vlerat e tyre.