Gazeta
"Nacional" në Tiranë në numurin javor 25 janar 2015 në faqe 19 ka
botuar edhe një cikël me 7 poezi të poetit Anton Gojçaj.
Poezia malazeze- shqipërime nga Anton Gojçaj
POEZI BASHKËKOHORE MALAZEZE
Shqipërime nga Anton Gojçaj
MLLADEN LLOMPAR
(MLADEN LOMPAR, 1944 CETINË)
DASHURITË E FEMRAVE TË PËRDALA
tepër gjatë ishim vetëm
që të na bierë ndërmend për dashurinë...
dhe gjurmuam
nëpër vende të pandershme
dhe të pista
pastaj ramë në turpin mistik
si të kishim vrarë
krijesën e kushtimit
megjithatë
ato ishin
Dashuri
AS PËR KËTË GJË MË NUK JAM I SIGURT
në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare
Masha e humbi jetën
para se taçonin në varreza
në shtëpinë ku ajo është rritur pranë nënës
dëgjohej vetëm dënesja ime
pastaj u arratisa prej shikimeve të habitura
në varrim
përreth kufomës së saj
kishte njerëz të huaj
dhe pyesja veten ç’bëja unë aty
më vonë mëkot trilloja fjalë
të denja për njëmendësinë
e cila padukshëm largonte
tani kam vetëm një mendim
se Masha ishte e bukur
por as për këtë gjë më nuk jam i sigurtë
NUK JAM INDIFERENT
e pata një ëndërr
dhe zgjimi e mori
tani i plaçkitur nuk e kujtoj më
por e di se ishte
dhe nuk jam indifferent
(MIODRAG RADOVIĆ, 1967 BEOGRAD)
LETËR BABAIT
Ato ditë kur linde,
Gjithë Doclea ishte mbështjell' me të zeza,
I hapën varrezat dhe të vdekurit
Së dyti i vranë.
Lindja jote nuk u prit me hare
Dhe shekulli yt qe i mjerë
Gëzim pati veç në vdekje
Kurse në jetë parakalonin gjakatarët dhe vrasësit.
I shënuar nga qumështi i nënës
Dhe shpirti i atit Spiritus Mundi
Grindjet e përditshme për shkak të pamjes së jetës
Dhe fjalët e poshtra mbi plagët me gjak.
Në gjumë për çudi ishe i gëzuar e i kthjellët
Karroja jote erdhi
Me shpejtësi të papritur
Si dhe liria e Erinies dhe e Harpisë
E pyes veten
Fryma jote a ishte veç hije në pasqyrë
Apo ndoshta pamje mashtruese
E Prokrustit malazias.
Po të jetë ashtu atëherë në vdekje je çliruar
Prandaj ajo buzqeshje magjike
Në fytyrën tënde të tharë
Përplot liri.
Ty të gjeti vdekja
Dhe letra jote lamtumirëse
Është vetëm xixë prej atij çarku çetnik
Që të mori në vetull.
Si edhe e atij guri
Që mushkëritë t'i dëmtoi
Dhe mijëra mbyti në ujin e njelmët
Me dajakun pa mbarim.
I rrethuar nga përcjellja dhe paditjet e fqinjëve dhe dhive,
Për të cilët të vinte keq se nuk
I gëlltiti vendeta.
Se Ilin' e vranë në besë
Qentë dhe kriminelët
Xhandarët
Dhe tanët, gjakfalur.
Në atë letër karo të bardhë
Të cilën gjithmonë saktë e mbështillje
Gjë që m'i acaronte nervat
Tek unë gjithçka kishte veshë.
Në atë letër të bardhë,
Baba!
S'të thirra kurrë kështu
është shënuar me shkrim të zi
Asgjë s'ka vlerë për ty
dhe ti as dashuron as urren...
... e ti s'mund ta bësh
Dhe s'ka çështje për të cilën do e bëje.
Ty mjerimi i tjetrit nuk të prek
E lëre më të të dhemb
Ti madje nuk je as ziliqar,
Por jo nga mirësia jote
Ti nuk e vëren as gëzimin e tjetrit
Bile as kobin e tjetrit
Ti nuk frenohesh para askujt
Jo pse je guximtar.
Ato ditë kur linde,
Gjithë Doclea ishte mbështjell' me të zeza,
i hapën varrezat dhe të vdekurit
Së dyti i vranë.
FASCINIMET
Vutra,
Dope, ganxha, koksaqe
shiringë,
vijë, xhoint
Apo
Ai kinezi që deshi
Ta përzëjë
Sinéad O'Connor nga restoranti
Njeriu
Ka vetënderim
Nuk synon
Të përkëdhel femra tullace në kuartin kinez
E shkërdheva
Naomi-n
Mbi lavatriçe
After Party Session
Thot njëri nga Onogoshti
Sikur ta kishte kaluar not Lamanshin
George Micheal është miku im intim
Tha një tjetër,
(po ta dija atëbotë se shokun e
kishte homoseksual
Do të rritej në sytë e mi
Sepse do dija se është tjetërqysh)
Por kulmi i fascinimit
Është pa dyshim
Të hysh te kryetari
Pa trokitur
Këtë mund ta bëjë vetëm
Një malazez
Me origjinë të magjishme
Të hyp në majën e kësaj
liste prej mortaje.
CV
Shtatëmbëdhjetëvjeçar kisha njëzet kopse në kokë
Demo xhirimin,
Hajdukun nga Poludi,
Dhe shoqërinë e të krisurve.
Tetëmbëdhjetë vjeçar u
Dashurova
Deri në veshë
Pa krenari, pa nderë
Nëntëmbëdhjetë vjeçar shkrova poezi për
Babain dhe xhaxhain
Të cilën ata nuk e kuptuan
Gjë që më pikëlloi.
Njëzet vjeçar botova librin e parë
Që përfundoi në mengjene
Duke mbajtur shkallë dhe portëza
Taka femrash dhe themelin e furrës prej dheu.
Njëzet e një vjeçar shkrova dramën e parë
E cila, El. Org, Idoli, aktorë amatorë, e gjitha qe hiç
Para një artisti që në
shfaqje u ngjit në kulmin e SKC-së
Dhe e qiti në hije jazz-dramën që shkrova,
saksofonin dhe tymin e duhanit.
Njëzet e dy vjeçar ika nga fqinjët
Të cilët deshën t'më likuidonin
U thashë se do kaloja në anën tjetër
Edhe sot ndodh të frenoj duke kërkuar prej fqinjëve
përgjigjen që mungon.
Njëzet e tre vjeçar isha në ilegalitet
Ashtu si babai im në SKOJ
Megjithëse unë u lava në djersë
Duke ikur para bishëve.
Njëzet e katër vjeçar u rebelova
I pa-shoq isha në lojën e basketit
dhe shpesh në shoqërinë e grave rash' prè.
Njëzet e pesë vjeçar i prisha miqësitë me grat'
Të cilat edhe ashtu janë kategori e lëkundshme
E paqëndrueshme dhe e ndryshueshme
Si dashuria.
Njëzet e gjashtë isha një emër i ri
Në qiellin letrar
Të metropolit
Që i shkel të gjithë përreth.
Njëzet e shtatë vjeçar
Akoma në ilegalitet
Mikut ia shpëtova shpirtin
E ai filloi të shkruajë poezi.
Njëzet e tetë vjeçar më nuk doja të bëj gabime
Dhe t'i shumoj poetët
Dashurova marrëzisht dhe shpejt
Fitova mëkatin në shpirt.
Njëzet e nëntë vjeçar u dashurova
Në tri femra njëkohësisht
Fitoi dinakëria
E të tanishmes sime.
Tridhjetëvjeçar kasapin e Ballkanit
E quajta gjakpirës
Kurse mjedisin fundërrinë
Indiferente ndaj kasaphanes
Tridhjetë e një vjeçar më vizitoi UDBA
Ajo UDBA e mrekullueshme përplot me dhi të mia
Më ngopi me helm
Dhe më enjti me gaz nervor.
Dhe qysh atëherë jam
i vdekur e i bardhë
Si ajo stërvitja ushtarake në sfondin e
Flamujve të kuq.
PAVLLE GORANOVIQ
(PAVLE GORANOVIĆ, 1973 NIKSHIQ)
REGINA OLSEN
T’i kam thënë të gjitha në besim, netëve siç është kjo,
pa pasur kurrë një shpjegim. Dhe kjo ndarje
(që e shoh se përbrenda të han), sikur dikujt tjetër po
i ndodhë. Përse je e braktisur, në fakt, unë nuk e di.
Por imazhin tënd e kam ruajtur me muaj
si një kujtim nga jeta. E tani, kur do të duhej
të kisha dalë jashtë shqisave, e di se mendimet e mia
e kanë mundur qenien tënde të brishtë. Unë nuk e kuptoj
pikëllimin tënd. Ti nuk e kupton qëllimin tim,
gjithçka tjetër është dashuri e shpifur. Ti ke mbetur një shtatore e gjallë,
e cila pas derës së kopshtit kohën e lirë ngadalë në vdekje e shndërron.
Kurse unë, unë jam kalorës i një arratisjeje të përsosur,
të cilin mendja e lodhur nuk e lejon të dashurojë.
Dhe këtu shembet mbretëria. Mbretëria ime mjaft e ligshtë!
PËRSËRI PËR POETËT DHE JETËT E TYRE
Lexoj poetë që i kanë shkatërruar jetët e veta
dhe kanë shkruar për jetët që i kanë bërë poetë.
Poetët, adoleshentë përherë të pakënaqur,
u kanë zili madje edhe fëmijëve të vet.
Të fyer kur nuk lexojnë poezinë e tyre
tregojnë certifikata të rrejshme të lindjes,
nuk i respektojnë ligjet në fuqi,
nxjerrin të reja, në përputhje me kërkesat e stomakëve të vet.
Rrëzojnë pushtete në dhomat e veta të gjumit,
neveriten nga dukati, ëndërrojnë dukatin,
nuk i pranojnë madje as sëmundjet e veta.
O, poetë mosmirënjohës!
Emrin e tyre duan për së gjalli ta shohin të shkruar
te hyrjet e institucioneve publike, shtëpive të qytetit, bibliotekave.
Ëndërrojnë që vargjet e veta t’i shohin të shkruara në trupat e bashkëvuajtësve.
I përbuzin bashkëvuajtësit, poetët mosmirënjohës.
Mizantropë me parulla për besimin te humanizmi,
Mashtrojnë në bixhoz, mashtrojnë me fjalë.
Ndërtojnë ardhmërinë, nuk besojnë në trashëgimi,
Nuk i pranojnë paraardhësit e vet.
Poetët asketë, poetët hedonistë.
Nuk i pranojnë perënditë, kërkojnë hyjni të reja.
E trazojnë natyrën, këndojnë në lavdi të natyrës.
Poetët anarkistë, adhurues kulmorë të rendit,
poetët e pafe me librin e lutjeve në xhep.
Përmes vjershave falin me zemërgjerësi, me jetën akuzojnë.
Për t’i sqaruar metaforat e veta – krijojnë të reja.
Poetët mosmirënjohës.
Të uritur për të tjerët, njëkohësisht të vetëmjaftueshëm,
sqimatar ndaj të gjithë poetëve të tjerë,
tiranë dhe të nënshtruar.
Thumbues, por që gjithmonë lusin për mirëkuptim.
Aq të uritur që një herë poezinë e tyre t’ua lexojnë
Pasardhësve të largët të cilët kurrë s’do ti njoftojnë.
Poetë. O, poetë mosmirënjohës.
VJESHTË 2007
I panjohur Dikush e solli vjeshtën
në dhomën e Veriut...
M i r o s ll a v K ër l e z h a
Është fare i thjeshtë fillimi i tekstit:
po vjen vjeshta – ajo stinë që moti banon në mua.
Po vjen vjeshta dhe është mirë që pikërisht tani
po shkruaj vjersha të cilat askush nuk do t’i lexojë.
Shkruaj vjersha në një mënyrë të harruar,
shfrytëzoj mjegullën e ditës, mbrëmjen e hershme,
retë që i përvetësojmë sikur t’i kishim afër.
Dhe çdo gjë tjetër që mund t’i cilësojë këta muaj.
Tani hapësirën e mbushin ca ngjyra gri
që trashëgimi të dobët u lënë fjalëve tona.
Qyteti është i mbuluar me një çarçaf enigmatik prej vjeshte,
Kjo është gjë e mirë për të fshehur turpe të lloj-llojshme.
Shkruaj poezi në një mënyrë të harruar,
sepse vjeshta po vjen, sepse askush nuk do të lexojë.
Por, kush e çan kokën më për stinët e vitit,
kush e çan kokën më për poezinë,
për pikturat me peizazhin nën qiellin e zi,
qiellin që nuk e krijuan as poetët as alkimistët,
peizazh të cilin në kalendar rëndom e quajnë nëntor.
Për mjegullën e cila shfaqet aq shpesh në tekstet e mia,
dhe unë as nuk e di përse, askush nuk brengoset.
Vetëm, e zë në gojë mjegullën, sikur të doja të zhdukem në të.
Është vjeshtë, viti 2007.
Për secilin ka nga diçka:
Arie të gjata nate për ata që kanë çfarë të kujtojnë,
prerje të shkurtra, mbufatura për të parehatshmit dhe të padurueshmit,
shira të acarta për shpirtra të brishtë, të qetë.
A thua çfarë është gatuar për ata si puna ime,
që digjen për fjalorë të kohëve të vjetra,
për ata të cilëve u ka mbetur vetëm kthimi në albume të kaditshme.
Të gjitha muzikat janë aty, sepse vjeshta po vjen, me trillet e veta.
Nga dhoma, dhoma e veriut,
Vështroj pikat e nëpërdukshme të shiut:
ato janë ujëra qielli që pa rregull zbresin në dritaret e mia,
në jetën time vjeshtore.
Gjatë ditëve të vjeshtës jeta mund t’ua lëshojë vendin vargjeve,
pas ditëve të tilla mbeten vetëm shpresat që së shpejti do të fiken
ose do të shkojnë në një kohë më të mirë, në një stinë më të bukur të vitit.
Është vjeshtë: të shkoj diku?
Te shpresat që nuk ekzistojnë,
në vitet të cilat i kujtojmë,
në stinët e vitit që zhduken, ashtu siç zhduket edhe kjo vjershë,
sepse këtu vetëm shkruhen fjalë
se vjeshta ka për të ardhur në një vit, i cili nesër s’do të ketë vlerë.
Vjeshta me trillet e veta dhe fytyrën e kushëririt,
I derdh përreth ngjyrat magjepsëse dhe pastaj i fshi:
Në mënyrë të vrazhdët zhduken ëndërrimet e lindura muajve të kaluar.
Njashtu edhe shpirtrat tanë të veshur me ngjyra të ndryshme
Futen në vjeshtë.
E prej atej, besoj, nuk do t’i nevojiten më askujt.
(përktheu: Anton Gojçaj)
JOVANKA ULAREVIQ
(JOVANKA ULJAREVIĆ, 1979 KOTOR)
ME SANDALET PREJ RRËSHIRE
pa dyshuar në mundësinë e thirrjes
për renditjen ndryshe të gjërave
luaj me numrat
do më pëlqente një devocion më i vogël ndaj parimeve
që tani parandjej edhe mungesën e ditëve të dehura
të cilat duke ecur me sandalet prej rrëshire
të tepërt shpallin gjithçka që u afrohet
në rrëfimin tënd më merr sërish
nuk e mohoj se çdo renditje e gjërave
mund të tkurren në njërën
qysh përpara e di ç’ vend do të zësh
sufleri yt mund të bëhem
mund të bëhem edhe ti po qe se dëshiroj
luaj me numrat
të them
dhe secila fjalë me të cilën të përshkruaj
është veç fshehje e kuptimit nga njëmendësia
në të cilën edhe kështu nuk jemi
(mars & prill 2003)
LAVDI PREZERVATIVIT
kënga është prezervativ
sipas natyrës së gjërave dikush do t’ia vesh vetes
ejakulimi triumfues
përfundimin e sigurt nuk e di
por truri i njeriut ende s’ka zbuluar asgjë më të pranueshme
kënga është këmishë e marrëzisë
ulërimë e robëruar e gjakut
lindjen e së cilës pakuptimësia do ta fshehë
në veç ca pika të vetes
të vetmet që fuqinë e prekjes ende e vërejnë
gjithçka është këngë
e lirimit apo e mashtrimit
njësoj është
konsumimi vazhdon
dhe zoti mbi gjithçka është këngë
fjalë e pashpresë
prandaj
lavdi prezervativit
dhe silogjizmit
(nëntor 2002)
RELIEV
vizato një reliev në stomakun tim
dhe shëno ditën kur me vite dritë
larg ishim
të gjitha rrugët kah do të mund të shkohej
vetiu do të shfaqen
vizato një reliev ku kemi gjithçka njësoj afër
dhe të lejuar për gishtat tanë
koha s’është kurrë ajo që pritet
tento sërish të më kesh
më trego për të pamundurën
për pagjumësinë që e shtrin mbi kapakë
konvulsionin e tkurrur ndërmjet këmbëve
për nevojën e moslëvizjes
dhe përvujtërinë time në moskuptimin e gjithë kësaj
vërtet gjithmonë kam ëndërruar të kem një mashkull
që relieveve t’u afrohet guxim nuk ka
(prill 2003)
SVETLLANA KALLEZIQ – RADONJIQ
(SVETLANA KALEZIĆ – RADONJIĆ, 1980 PODGORICË)
ALGJEBRA E VAJTIMIT
Edhe dhembja ka nevojë për logjikën.
Njëfarë algjebre e vajtimit.
Prej andej Zoti.
Veç kaos i ideuar me drejtpeshimin e simboleve në
përkthim.
sepse për këtë.
jetë.
luftoj duke gjetur amshimin në rrokjen
e braktisur.
gjithçka është në
sikur të.
Gjithmonë për një vend në të djathtën.
Si decimale.
EGO SCRIPTOR
Më kanë thënë
mos ji shërbëtori i prishur dhe përtac i cili
i ka futur në dhe telentët e vet
Jam mbrojtur se është mundim
të njohësh dëshirën e zjarrtë
në qarkullimin e ngadalshëm të gjakut
por edhe krahas kësaj të gjithë sytë
si te gratë durimtare
të anijethyerve
ishin ngulitur në mua
si në cergë
jam ngushëlluar se edhe unë si plasaritja
e hollë saktësisht e shpupurishur
e cila gjithmonë e gjen rrugën nga mesi deri te cepi
do ta gjej shtegun që do të formësojë
nga një copë e thjeshtë druri
në një barkë të madhe në flakë
Kam folur veç
kur pashë se
UTEG në tasin tjetër
është mprehtësia e vrazhdë e disfatës
dhe i fletës së zbrazët pafundësia
JOSHJA
Dy rrufe të reja
me heshta prej
zambaku,
e ruajnë diku
mbi bukurinë një ëndërr.
R. Ratković
Thonë se edhe Homeri i madh
nganjeherë e zë gjumi
por ti Dante
ke gabuar rëndë
ai nuk është shndërruar në gem
të thatë të cilën e copëtojnë
qente e çartur
mëkati i tij i vetëm është
se e ka mashtruar bukuria
e mbishkrimit të varrit
të gdhendur në gurë luksori
Ai nuk ka vdekur
Veç në dalldisje e ka pezulluar jetën
ARRIJNË SHENJAT
Ma vë presjen në ballë që të mendoj më ngadalë
në duar dy pika
në secilën nga një
që ta ndërprej veprimtarinë time e botën
rreth vetes
t’i jap iluzionin e numërimit
në pëllëmbë pikëpyetjen
- nuk duhet të dish, është thënë moti,
hah bredh linja jote
në sy vizën dhe pikën
kur të shikoj me njërin sy
të mendoj fundin
kur të shikoj me tjetrin – sqarimin
e kur t’i hap krejt të shoh qartë
pikëçudtiësen Kujde! Thërras! Dëgjomë!
m’i vë në buzë tri pika
që gjithmonë të jap mundësi për letërkëmbimin
e gjërave të thëna
dëshmim
rrëmihje
dhe anës tjetër i ofroj
iluzionin e përfshirjes
që si çdo “shkrimtar i mirë”
të mbetem pjellorisht i papërfunduar
që mungesa e shenjës në fund
ta përndezë gjakun e lexuesit
në valët e të cilit
ndërmjet këtyre kopertinave
lundron një botë duke lindur
Nga pika
më kurse
nga pika
DRAGANA TRIPKOVIQ
(Dragana Tripković, 1984 CETINË)
KUAJT NË ASFALT
Më mjafton një paketë cigare
dhe gjysmë rezervuari karburant.
Atëherë mund të iki
nga dritat e qytetit,
shkurtoreve që nuk peshojnë shumë.
Mund t’i lë disa nota të rëndomta
që ta drejtojnë makinën në vend meje.
Dashuritë e reja të dashnorëve të mi të vjetër
pastaj do të jenë edhe më të këqija. Bushtra të ndyta
që më urrejnë plotësisht.
I jap makinës dhe ashtu,
Pres triumfin personal pa luftë.
Përgjigjen.
Mantrën e ne të braktisurve.
E kur të nisem mbrapa në qytet,
shi do të bjerë.
Është gjë e mirë fare
që po kthehem tani.
Afër shtëpisë, në bulevardin e fundit,
do të më presin kuajt.
Ata dy-tre kuaj ciganësh.
Gjithmonë më shikojnë ftohtë.
Janë aq mallëngjyes
Kuajt në asfalt.
PUTANAT DHE ARTISTËT
Në filmat amerikanë
të bukura janë putanat..
Ne nuk kemi filma
dhe ndoshta për këtë, por
veç për këtë gjë,
këto tonat janë enjtur
nga droga,
të shëmtuara e neveritëse,
dhe kundërmojnë në seks
si të ishte detyrim.
Gati çdonjëra prej tyre
dashuron një thi mashkull,
të cilin kurrë nuk do ta posedojë,
por kjo nuk i ndan nga tjerat
femra.
Artistët në filmat amerikanë
janë gjithmonë të ndyrë e të mjerë.
Ne s’kemi para,
as gjuhë nuk kemi,
prandaj ndoshta, po
sigurisht për këtë arsye,
këta tanët jetojnë në shtëpi
të mëdha, me këmisha të pastra
dhe flokë të mirëmbajtur, me bashkëshorten
dhe fëmijët.
Kryesisht, çdonjëri prej tyre
pi vetëm në raste solemne
dhe voton për pushtetin.
26. 05. 2006.
* * *
Vijnë njerëz nga të gjitha anët
duke ia ofruar trupat zotit të nxehtë.
Mbi fytyrat e veta qesin pudër
dhe presin të shndërrohet në vaj.
Nuk lahen,
nuk qethen,
nuk rruhen.
Në ditët rituale,
i këmbejnë të hollat për plehra dhe të vjellura të kollajta.
Ia zhveshin lëkurën njëri-tjetrit dhe kriposen.
Kohën e vendosin sinqerisht ndërmjet shqisave të turpit
që t’u shërbejë në çastet e të qeshurave.
Turistët.
NUK DO TË LODHEMI KURRË SË UDHËTUARI
Me shikim kah qielli sot
mund ta shohim veç airbusin.
Për atë që ndodh poshtë –
patjetër duhet stomaku.
Para çdo fillimi
duhet marrë seriozisht
se Qenia banon
në mungesë.
Zakonisht të premten në mbrëmje, dekori i hedhur
fton vulgarisht në bis.
Qëndrimi tepër i gjatë e kërkon
të rregullt...
Vijën mbështetëse, që e pengon numri,
i sapofilluar, por pakthyeshëm i trishtë.
Rinia e zbehtë është e fuqishme si masturbim.
Këtu as shiu më nuk zgjat shumë,
përveç në viset e paarritshme
të vendit tonë të populluar dobët.
Vitet e zbrazëta më nuk shënojnë
as hiçin e vet.
Duket gjoja fare e qartë!
Nuk mund të flitet në shumës për
ne, prodhuesit e unitetit të së keqes.
Nuk do të lodhemi kurrë së udhëtuari,
Kurrë s’do të na përcjellin -
por gjithmonë do t’i pushojmë tabanët tonë.
E tëra më përngjan në kompromis.
SHKATHTËSI
Ishte diçka me vlerë,
që u humb në kohë.
Shkathtësi, për të cilën dikush dikur kishte nevojë.
Çrregullimi delikat i vetëdijes,
se veç historia e sëmundjes është
kontinuitet.
Njëmendësi është çka nuk shihet as dëgjohet.
Kjo metaforë e dobët lejon që gjithçka të mund
të shkruhet.
E sa pashije di të jetë ajo që mund të shkruhet...
Si ngarkimi me traditën,
si një shkëmb.
Dhe nëse pyetesh a ekziston dashuria,
unë e tund kokën në një drejtim të caktuar.
Mendimi nuk është i gatshëm për shumësi konstruksionesh,
të parmakëve të lartë prej çeliku.
Dhe nuk është gjithçka fjalë,
dhe nuk është gjithçka këngë.
Ashtu siç nuk mund të jetë gjithçka veshmbathje.
Ashtu siç nuk mund të dihet gjithçka.
***
Në brigje, ku s’ka mole,
(Thomas, ne mezi që kemi porte).
Në ato brigjet tona, pritej shenja.
Vetëm aty ishin të rëndësishme të vërtetat e dijetarëve,
e marrëzitë e tyre të parëndësishme.
Si mund të jetë dyfytyrësh simboli,
si zall paranoik dhe horizont i përkufizuar, pas të cilit
sigurisht nuk ka shumë botë.
Së paku jo të tillë që veç nuk e njeh,
Dhe që nuk e ka ëndërruar me ndonjë shkathtësi.
Në secili nga nderimet e mendjes, e pamatshme është cilado vlerë.
Është mirë që gjërat zhduken,
Sepse mund të zbulohen përsëri.
Kjo është e vetmja pavdekësi.
Asgjësimi dhe të krijuarit sërish.
***
Në rrugë kur të nisesh,
jo për në Itakë,
por diku tjetër, aty në periferi,
kuptoje sa e lashtë është toka nëpër të
cilën i hedh hapat e tu të pavlefshëm.
Nëse mendon se ia del ngase në vete e ke gjenin,
kujtohu se çdo kozmopolit
është vrarë para se ta shqiptonte këtë fjalë.
Dhe mos mendo se të ruan diçka,
sepse shkathtësinë duhet ta zotërosh vetë.
Nuk di unë më tepër se ti,
sepse kur filloj të të flas kaq
intimisht, veç atëherë më presin
të pavërtetat.
Edhe unë pres si ti, dhe nuk di
si të gjithë.
përktheu: Anton Gojçaj
Botime të Anton Gojçaj në gjuhë të huaja
Tregim i Anton Gojçajt “Atomet, shpirti,
dashuria” botohet në gjuhën gjermane, në
revistën “Albanische Hefte” 1-2014, organ i Shoqërisë Miqësore Shqiptaro-Gjermane.
Revista e ka selinë në Bohum të Gjermanisë. Tregimi i Gojçajt në gjuhën
gjermane mban titullin “Die Atome, die Seele, die Liebe…” dhe është përkthyer dhe redaktuar nga
Michael Schmidt – Neke, Anton M.
Berishaj dhe K. Rrasi.
Ndërkaq, në përzgjedhjen e poezisë
botërore, WORLD POETRY YEARBOOK 2013 (në gjuhën angleze, në Kinë), u përfshinë disa poezi të Anton Gojçajt.
Gjithashtu, tri poezi të Gojçajt u
publikuan (në dy gjuhë, shqip e anglisht) në revistën amerikane “Ann Arbor
Review” Number 13 Spring – Summer 2014, të gjitha në përkthim të z. Peter M.
Tase.

Shkrime dhe eseistikë nga Anton Gojçaj
ESEISTIKA E AGRON SHELES
Për
pluralizëm hierarkish në
letërsi
Agron Shele (1972, Leskaj – Përmet – Shqipëri) është autor i disa romaneve: Hapat e Klarës, Përtej perdes gri, Imazh i rremë etj. Aktualisht jeton në Belgjikë dhe është mjaft aktiv në veprimtaritë letrare në internet.
![]() |
| (Agron Shele, Ngjyrime universale – ese I, Tiranë 2014) |
Agron Shele (1972, Leskaj – Përmet – Shqipëri) është autor i disa romaneve: Hapat e Klarës, Përtej perdes gri, Imazh i rremë etj. Aktualisht jeton në Belgjikë dhe është mjaft aktiv në veprimtaritë letrare në internet.
Nga Anton Gojçaj
Stili (shkrimor) i Agron Sheles kur interpreton
krijimtarinë letrare të të tjerëve është diku në kufi, ndërmjet diskursit
shkencor dhe atij letrar-artistik. Ky stil, që ka më shumë tipare të gjuhës
letrare-artistike sesa të asaj kritike-shkencore, mund të quhet eseistik, kurse
shkrimet e Sheles – ese. Ai nuk merret
me diagnostikime “prej së larti”, të determinuara nga terminologjia analitike e
ndonjërës prej shumë metodave me proveniencë akademike që zbatohen në studimin e
letërsisë, por leximin e shijon si një fanatik i apasionuar i shprehjes dhe
mendimit të bukur, refuzues ndaj “izmave”. Përjetimin solemn të leximit e
plotëson me kënaqësinë e të shkruarit. Përshkruan pak, interpreton shumë. Një
karakteristikë që bie në sy është se esetë rrallë i kapërcejnë disa faqe, gjuha
ka elemente të një elokuence patetike, shkruan
me periudha (fjali) të gjata, të gjerbura herë pas here me neologjizma
personale të tij (p.sh. kurbëzim,
pasthirrmojnë, ankthuar,
shpresërim, epitetëzohet, largësuar, thirrmoren, iluzional ...). Veçori tjetër e
eseistit Shele është prirja për të glorifikuar, kështu për Teresinka Perreira-n
thotë se “me zërin e saj ka ndikuar drejtpërdrejt në zgjidhjen dhe përmirësimin
e shumë çështjeve globale”, për veprën studimore të Zejnepe Alili Rexhepit se
“radhitet në arshivën më të ndritshme të fushës studimore për librin tonë
shqip”, për krijimtarinë në prozë dhe poezi të Dhimitër Mitit se “përbën një
vlerë unikale në letrat shqipe”, për poezinë e Irena Gjonit se “shpreh padyshim
arritjet dhe kulmet e artit bashkëkohor shqiptar sot”, për Jeton Kelmendin se
është “një autor global”, kështu që mund të thuhet se krijon një marrëdhënie “dashurore”
me tekstet (dhe me autorët) që i trajton. Lexon me dashuri dhe shprehet me një
gjuhë admiruese për atë që trajton. Edhe atëherë kur pretendon të shkruajë
kritikë letrare, më tepër është “avokat“ i veprës që analizon sesa një “gjykatës“
neutral, kurse në karrigen e “prokurorit“ nuk ulet asnjëherë. Ai nuk artikulon vërejtje, s’ka asnjë qortim
kritik, nuk regjistron të meta, kështu që mund të quhet një përfaqësues i
“protonizmit”, siç e quan studiuesi dhe poeti shqiptar që jeton në SHBA, Gjekë
Marinaj, mënyrën e të shkruarit nga këndvështrimi ekskluzivisht afirmativ/pozitiv. Agron Shele kur shkruan për një tekst letrar
ose për krijimtarinë e një shkrimtari është
në radhë të parë shijues dhe promovues i tij/saj. Veçori tjetër e eseistit Shele
është se në shkrimet diskursive përdor rrallë citate të autoriteteve të
studimeve letrare, domethënë nuk ka shenja të theksuara të citatomanisë – për dallim nga shumë kritikë letrarë
bashkëkohorë, sidomos në kulturën shqiptare.
Shele është vetëm pjesërisht “elitarist” në përzgjedhje. Përveç
se shkruan për krijimtarinë e disa autorëve të mirënjohur (Esenin, Lame Kodra
(Sejfulla Malëshova), Lasgush Poradeci, Teresinka
Pereira, poezia italiane…), pena e tij komunikon edhe me tekstet letrare të
autorëve që kryesisht nuk bëjnë pjesë në regjistrin e vlerave më të parapëlqyera
nga autoritetet (establishmentet) akademike, por që rrugën e vet e çajnë
individualisht, ose të organizuar në grupe që i lidh një ambicie apo pakënaqësi e
përbashkët (sidomos në raport me hierarkitë e shndërruara në opinione publike
që gati janë “dogmatizuar”). Në grupin e dytë, sipas mendimit tim, bëjnë pjesë
krijuesit: Hasije Selishta – Kryeziu, Zejnepe Alili Rexhepi, Sabit Idrizi, Rami
Kamberi, Raimonda Moisiu, Lumo Kolleshi, Bilall Maliqi, Dhimitër Mati, Klara
Buda, Genta Kaloçi, Dashamir Malo, Irena Gjoni, Gentjan Banaj, Silvana Berki,
Jeton Kelmendi, Eva Kacanja, Dashnor Selimi, Namik Selmani, Tini Qerragjija… Disa
nga këta shkrimtarë, nga të gjitha trevat shqiptare, që janë mjaft aktivë në
internet, (i tillë është edhe vetë Agroni), me përpjekjen për të krijuar një
hierarki paralele (ose shumësi alternativash) të vlerave sfidojnë klanet e
ndryshme autoritare, që nganjëherë sikur pengojnë zhvillimin e sensibiliteteve
të reja.
Bie në sy numri i konsiderueshëm i krijueseve që
përmenden këtu (Teresinka Pereira, Hasije Selishta Kryeziu, Zejnepe Alili
Rexhepi, Raimonda Moisiu, Klara Buda, Genta Kaloçi, Irena Gjoni, Silvana
Berki..), si dhe një pozicionim i veçantë, plot ngrohtësi, që ai e artikulon në raport me to, gjë që qet në pah ndjeshmërinë specifike të eseistit Agron Shele në
këtë aspekt. Ky sensibilitet fisnik e bën të veçantë në kulturën shqiptare.
Agron Shele në vend të regjistruesit të ftohtë të
artefakteve ka zgjedhur të jetë një ciceron ose shoqërues inkurajues dhe
sugjerues i lexuesit, një dashamir i vërtetë edhe i shkrimtarit, edhe i
lexuesit, por para së gjithash një dashamir i letërsisë si vlerë estetike universale.
Vështrim mbi romanin e ri të Fran Camaj- nga Anton Gojçaj
VËSHTRIM PËR ROMANIN MË TË RI TË SHKRIMTARIT FRAN CAMAJ
Ikja nga vetvetja
(Fran Camaj, Njeriu me Mjekër të Thinjur, roman, botoi:
Toena, Tiranë 2014)
Fran Camaj, (1949, Spijë - Malësi e Madhe – Mal i Zi),
romanin e vet të parë e botoi në vitin
2004. Deri atëherë kishte bërë emër si pedagog
dhe në fushën e gazetarisë. “Njeriu me Mjekër të Thinjur” është romani i
pestë i tij brenda periudhës dhjetëvjeçare (2004-2014) dhe kjo e bën
romansierin më produktiv në gjuhën shqipe në Mal të Zi.
Shkruar nga Anton Gojçaj
Rrëfimi zë fill në fshatin
Shkorret të Dukagjinit, në kohën e mbretit Zog. Keqa dhe Sokoli, kushërinj (etërit e tyre janë vëllezër) kanë zgjedhur
dy rrugë të ndryshme në jetë, Keqa të pasurimit material (merret me blegtori
dhe bujqësi), kurse Sokoli djemtë e vet i dërgon për t’u shkolluar. E keqja ndërmjet
dy familjeve vjen nga kontestimi që i bëjnë njëri-tjetrit për pronësinë e një
shtegu. Demoni i së Keqes mishërohet në Cub Stërbythin, (një bashkëfshatar i tyre),
i cili ia mbush mendjen Keqës për ta
zgjidhur çështjen përmes vrasjes. Ekzekutimin e planit Cubi e merr vetë përsipër, për një pagesë të
majme, kuptohet. Ky rrëfim, pëveç si një
metaforë e konfliktit të “materializmit” me “idealizmin”, mund të analizohet edhe
në raport me dy arketipe universale: të
vëllavrasjes (në psikologjinë fisnore kushërinjtë e parë janënjë familje,
pra “vëllezër” - që ta sjell ndërmend
vrasjen e Abelit nga Kaini) dhe të hakmarrjes (dukuri karakteristike
sidomos për bashkësitë fisnore – në mungesë të institucioneve të shtetit ligjor).
Kufijtë kohorë të episodit të dytë të kësaj kronike njëshekullore përkojnë me periudhën e Luftës II Botërore . Djali i dytë i Sokolit, Gjini, në shenjë pakënaqësie e braktis profesionin e oficerit ushtarak sepse nuk i pëlqente regjimi “zogist”. Ai provon që të organizojë rezistencë aktive kundër pushtuesve fashistë, por kapet rob dhe dërgohet për të vuajtur dënimin në Itali. Pas kapitullimit të fashizmit, kthehet në atdhe. As pushteti komunist, pas luftës, nuk i pëlqen Gjinit, por martesa me një vajzë shkodrane dhe transferimi në Fier bën që të jetë i kujdesshëm në raport me pushtetin komunist. Në vendbanimin e ri ai provonte të harronte ato që kishte përjetuar në Shkorret. Mospërshtatja e psikologjisë dhe karakterit të malësorëve (kokëfortë) me pushtetet është një nëntemë më vete e romanit. Në raport me pushtetin e Zogut: “Pushteti nuk i shikonte me sy të mirë as nuk kishte besim ndaj shumicës së ushtarakëve dhe intelektualëve nga rajoni i Dukagjinit dhe i Mirditës. (…) se banorët e këtyre krahinave me shumicë kishin shprehur pakënaqësinë ndaj regjimit të Ahmet Zogut”. Në raport me pushtetin fashist (Gjini deklaron para fashistëve): “Ju jeni pushtues dhe nuk ju intereson bashkimi i trojeve tona. Ju keni vetëm interesa pushtuese.” Në raport me pushtetin komunist: “… komunistët, të cilëve më shumë u intereson ta marrin pushtetin, sesa interesi i përgjithshëm i Atdheut.” Malësorët e Veriut, sipas këtij romani, janë kundërshtarë të përhershëm të të gjitha sistemeve.
Ilirit, të birit të Gjinit, i propozojnë të bëhet bashkëpunëtor i organeve të sigurimit të shtetit. Refuzimi i tij, në përputhje me kodin e tij gjenetik, megjithëse i shprehur me maturi, rezulton me pasoja. Megjithëse nxënës i shkëlqyer, ka vështirësi për t’u regjistruar në fakultet sepse lojaliteti (bindja) në një sistem totalitar çmohet më shumë sesa talenti. Shteti në vend se ta ndihmonte për ta zhvilluar talentin në dobinë e gjithë shoqërisë, e bllokonte atë përmes shantazhimeve nga organet e sigurimit.
Kufijtë kohorë të episodit të dytë të kësaj kronike njëshekullore përkojnë me periudhën e Luftës II Botërore . Djali i dytë i Sokolit, Gjini, në shenjë pakënaqësie e braktis profesionin e oficerit ushtarak sepse nuk i pëlqente regjimi “zogist”. Ai provon që të organizojë rezistencë aktive kundër pushtuesve fashistë, por kapet rob dhe dërgohet për të vuajtur dënimin në Itali. Pas kapitullimit të fashizmit, kthehet në atdhe. As pushteti komunist, pas luftës, nuk i pëlqen Gjinit, por martesa me një vajzë shkodrane dhe transferimi në Fier bën që të jetë i kujdesshëm në raport me pushtetin komunist. Në vendbanimin e ri ai provonte të harronte ato që kishte përjetuar në Shkorret. Mospërshtatja e psikologjisë dhe karakterit të malësorëve (kokëfortë) me pushtetet është një nëntemë më vete e romanit. Në raport me pushtetin e Zogut: “Pushteti nuk i shikonte me sy të mirë as nuk kishte besim ndaj shumicës së ushtarakëve dhe intelektualëve nga rajoni i Dukagjinit dhe i Mirditës. (…) se banorët e këtyre krahinave me shumicë kishin shprehur pakënaqësinë ndaj regjimit të Ahmet Zogut”. Në raport me pushtetin fashist (Gjini deklaron para fashistëve): “Ju jeni pushtues dhe nuk ju intereson bashkimi i trojeve tona. Ju keni vetëm interesa pushtuese.” Në raport me pushtetin komunist: “… komunistët, të cilëve më shumë u intereson ta marrin pushtetin, sesa interesi i përgjithshëm i Atdheut.” Malësorët e Veriut, sipas këtij romani, janë kundërshtarë të përhershëm të të gjitha sistemeve.
Ilirit, të birit të Gjinit, i propozojnë të bëhet bashkëpunëtor i organeve të sigurimit të shtetit. Refuzimi i tij, në përputhje me kodin e tij gjenetik, megjithëse i shprehur me maturi, rezulton me pasoja. Megjithëse nxënës i shkëlqyer, ka vështirësi për t’u regjistruar në fakultet sepse lojaliteti (bindja) në një sistem totalitar çmohet më shumë sesa talenti. Shteti në vend se ta ndihmonte për ta zhvilluar talentin në dobinë e gjithë shoqërisë, e bllokonte atë përmes shantazhimeve nga organet e sigurimit.
Në kapitujt që flasin për
Shqipërinë e viteve tetëdhjetë përshkruhet, mes tjerash, njohja dhe lidhja e dy
të rinjve, Ilirit dhe Ajkunës, studentëve të dalluar të Universitetit të
Vlorës. Dashuria e tyre është e pastër
dhe reciproke, mirëpo kur ndjenjat e tyre arrijnë kulminacionin, ndodh zbulimi/rinjohja
që lëkund gjithçka. Ata marrin vesh se janë kushërinj. Iliri ishte nipi i Sokolit,
kurse Ajkuna mbesa e Keqës. Një fuqi diabolike e panjohur kishte bërë lëmsh
gjithçka. Që nyja e fatit të tyre të ishte “gordiane”, Ajkuna kishte mbetur
shtatzënë. Në gjykimin e tyre e vetmja shtegdalje ishte: “ të ikim përgjithmonë
nga ky vend. Të shkojmë në një vend tjetër, diku larg, sa më larg nga
Shqipëria.” Një alternativë fataliste që meriton të analizohet në aspekte të
ndryshme. Fjalia e shqiptuar nga Antigona, e ëma e Ilirit - “Janë bërë në të
kaluarën shumë mëkate e gabime, të cilat po duhet t’i paguani edhe ju tani”,
është një përpjekje për t’i dhënë një sqarim (metafizik) fatit jo të mirë të
pasardhësve të dy kushërinjve nga Dukagjinit. Gjatë ikjes me mjetin lundrues i
mbulon një dallgë gjigante e cila e gëlltit Ajkunen. Mbytja e Ajkunes shtatzënë në det del si një
zgjidhje “Deus ex machina” e lidhjes së ndaluar të dy të rinjve. Diçka (demoniake)
nuk i lë të bëjnë hair malësorët.
Njeriu me Mjekër të
Thinjur, e lut Petritin, që kur të kthehet në atdhe, në emrin e tij të hedh një
tufë lule në det, se “Ndoshta valët e detit do ta çojnë te Ajkuna dhe fëmija
ynë”. Aty Petriti, (por edhe lexuesi), e kupton se Njeriu me Mjekër të Thinjur
është vetë Iliri. që kishte ikur larg dhe jetonte “diku në një fshat ose qytezë
të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, larg çdokujt nga Atdheu i tij dhe larg
çdo njeriu që flet shqip,” por që, siç kuptohet në kapitullin XXIX, vazhdon të interesohet
për zhvillimet në atdhe. Njeriu me Mjekër të Bardhë i bën një analizë të
hollësishme gjendjes së shqiptarëve në Shqipëri (“Kur lexoj dhe dëgjoj për
gjërat që ndodhin atje, më neveritet çdo gjë”), por edhe në Malin e Zi (“Një
grusht njerëz jeni dhe keni dhjetë parti politike”). Pra, ia ka dalë të shkëputet
fizikisht, por jo edhe shpirtërisht nga atdheu dhe kombi i vet.
Fakti
se shqiptarët shpëtimin e kërkojnë duke ikur sa më larg, është një mesazh
fatalist, por që e verifikojnë edhe ngjarjet e botës reale, jashtë letërsisë. Ikja
nga atdheu është përpjekje për të ikur nga e tashmja dhe nga e kaluara, me
fjalë të tjera: një ikje nga vetvetja. Ajo ikje nuk është aspak e lehtë, disa
madje e humbin jetën në atë përpjekje (si në rastin e Ajkunes). Romani ka dy tregimtarë (narratorë,
rrëfimtarë), të dy të gjithëdijshëm dhe rrëfejnë në vetën e tretë. I pari është
“autorial”, kurse i dyti është Njeriu me Mjekër të Thinjur, që Petritit,
respektivisht lexuesit, gjatë takimeve për tri ditë me radhë, i përcjell një
kronikë-kaskadë ku përshkruhen fatet jetësore plot telashe të dy familjeve nga
Dukagjini përgjatë periudhës gati njëqindvjeçare. Hiq bisedën ndërmjet Petriti
dhe Njeriut me Mjekër të Thinjur, që ndodh në shekullin XXI, të gjitha ngjarjet
e tjera zhvillohen në shekullin e kaluar. Ato janë të shpërndara në disa
periudha: në kohën e qeverisjes së Ahmet Zogut, gjatë Luftës II Botërore,
menjëherë pas çlirimit, në të gjashtëdhjetat, në të tetëdhjetat dhe
përfundimisht në të nëntëdhjetat. Skenat e ngjarjeve vendosen në disa shtete:
Shqipëri, Itali, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përmenden edhe trevat shqiptare në Mal të Zi.
Personazhet negative” emrat i kanë shpesh në përputhje me karakterin e vet (Cub
Stërbythi, Keqa, Arabella Karalliu). Edhe pamja e tyre fizike është në sintoni
me veprimet që bëjnë. Ja si e përshkruan shkaktarin e ngatrresës së parë, që influencoi
ngatrresat e mëpastajme: “Cubi ishte
burrë rreth gjashtëdhjetë vjeç, shkurtalaq e kokëmadh dhe me pak flokë. Duart i
kishte tepër të gjata, ndërsa këmbët e shkurtra në proporcion me trupin. Hundën
e kishte të gjerë e disi të shtypur, gojën e madhe, nga e cila dukeshin dy-tre
dhëmbë të zgjatur e të zinj. Qafën e kishte të shkurtër, aq sa krijoje
përshtypjen se kokën e kishte të kapur prej krahësh.” Përshkrim që të çon ndërmend pamjen e një majmuni.
Ndërkaq, personazhet “pozitive” janë
gjithmonë të hijshëm, shtatlartë, shpatullgjerë, “të fjalës dhe të besës”, të
virtytshëm dhe kryesisht të mençur. Ka raste kur pasoja rrëfehet para shkakut (kapitujt
XVII-XVIII, p.sh. edhe po të ndërronin renditjen nuk do të prishte asgjë në
roman). Kjo bëhet për të ngacmuar kureshtjen e lexuesit dhe për të mbajtur
zgjuar interesimin e tij.
Në aspektin teorik, mbetet intrigues
statusi i “tregimtarit të gjithëdijshëm” dhënë Njeriut me Mjekër të Thinjur. Autori,
besoj për arsye ideo-estetike, atij i jep licencën e të gjithëdijshmit edhe kur
rrëfen për ngjarjet në të cilat nuk merr vetë pjesë (që kanë ndodhur disa
dhjetëvjeçarë para se lindjes së tij), duke
përshkruar ndjenjat e personazheve për të cilat rrëfen, apo duke riprodhuar mendimet
e tyre të brendshme. Brenda konvencave të botës së letërsisë, mbase, mund të
merren si legjitime edhe dukuri dhe veprime që nuk janë gjithmonë në pajtim me
ligjet e logjikës në kohën historike dhe botën jashtëletrare.
Libri prek shumë tema dhe
trajton çështje serioze dhe e çon më tej projektin ideo-artistik të autorit për
të thelluar dhe zgjeruar trajtimin artistik të psikologjisë dhe historisë së
malësorëve shqiptarë në të dy anët e kufirit (Mal i Zi/Shqipëri), si dhe për të
përshkruar dramën jetësore të tyre në njëqind vitet e fundit.
(Koha javore nr.
625, 7 gusht 2014)
Subscribe to:
Posts (Atom)






