Anton Nikë Berisha, Ujvarë drite në
zemër. Botimi gegnisht. Misioni Françeskan, Tuz 2014
Nga Anton GOJÇAJ Anton Nikë Berisha |
Misteri i fesë lidhet ngusht me fshehtësinë e letërsisë. Te dyja, secila në
mënyrën e vet, trajtojnë botën shpirtnore të njeriut. Fonetikisht, (athua edhe
etimologjikisht?), fjala shqipe “shkrim” ka ngjashmëni me fjalën latine “sacrum”. Librat fetarë kanë edhe vlera të
mirëfillta letrare dhe estetike.
Poezinë e përshpirtshme, ose me motive fetare, e ndeshim qysh në fillimet e
letërsisë origjinale shqipe, tue me fillua nga dy Pjetrat e mëdhej, Budi dhe
Bogdani, dhe pas tyne nji çetë e tanë e poetëve arbëneshë.
Anton Nikë Berisha, profesor universitar, asht nji shkrimtar i gjithanshëm,
studiues i njoftun i letërsisë popullore dhe asaj të shkruemes, si dhe autor i
shumë titujve në prozë për fëmijë dhe për të rritun. Një vend të veçantë në
opusin e tij krijues zë hulumtimi dhe promovimi i letërsisë së arbëneshëve të
Italisë. Ka përgaditë dhe botue antologjinë e parë të poezisë së përshpitshme
shqipe dhe ka shkrua disa libra artistikë për personalitetin dhe shembëlltyrën
e Nânës Tereze.
Libri “Ujvarë drite në zemër” përbâhet nga 14 pamje (poema) dhe nji shtojcë
(po ashtu poemë), të cilave u paraprijnë nji parathënie shteruese e P. Pashko
Gojçajt dhe nji shkrim diskursiv “Në vend të hyrjes” i vetë autorit. Numri i
poemave, 14, ndoshta jo rastësisht, përkon me numrin e stacioneve të “Udhës së
krygjës”.
Poemat janë të shkrueme në vetën e parë, rrëfimtare âsht Nâna Tereze, grueja
shtatvogël e cila porositë e teksteve ungjillore i zbatoi në praktikën e jetës
së gjallë, kurse etjen materialiste për pushtet dhe pronë, që ka errësua zemrat
e njerëzimit bashkëkohor, e zëvendësoi me “etjen” e Krishtit për dashuni dhe vlera
humaniste, që njihen përmes dritës së besimit.
Fjala “dritë” âsht e shpeshtë në këtë libër dhe jo rastësisht e gjejmë edhe
në titullin e tij. Lexuesit i krijohet parafytyrimi se asht Nâna Tereze dhe jo
autori ajo që flet në këtë recital/monolog lirik të shkruem me shumë dije,
emocion dhe besim. Për të folë me gojën e shejtneshës, poetit i âsht dashtë me
u identifikua me të, të veshet me shpirtin
e saj, çka ka kërkue guxim të madh, por shkrimtari e ka kalua me sukses. Gravitacioni
karizmatik i Nânës Tereze asht aq i fuqishëm sa që edhe vetë recensentët dhe
kritikët që merren me vepra të caktueme letrare të cilat në çfarëdo mënyre kanë
lidhje me misionaren e dashunisë ballafaqohen vazhdimisht me rrezikun që ma
shumë të merren me komentimin e jetës dhe veprave të shejtneshës sesa me shtjellimin
e veçorive dhe vlerave letrare e artistike të veprave që janë objekt i
trajtimit.
Poemat e këtij libri përshkohen nga fryma e filozofisë jetësore të Nânës
Tereze, e cila thirrjen “kam etje” të Krishtit e gjen “në errsinën e kasolleve të skamnorëve”, “në grishjen e errët të
braktisunve”, “në heshtsinë e lodhun të gërbulunve pa za”, “në vorbullën e
klithjeve të fëmijve të braktisun”, “në mugën e bebzave të verbëve”. Kjo
filozofi jetësore dhe krishtene e Nânës Tereze sqarohet thjesht dhe figurativisht
në dy vargje të vetme, të dhâna në parantezë: “vuajtjet kroni i jetës janë / në to shpirti pastrohet e përtërihet”.
Çelësi që shejtneshës ia deshifroi misionin e saj në botë ishte botkuptimi:
Krishti ka etje për dashuninë e pakushtëzueme të njerëzve ndaj tij, ashtu siç
ai vetë i deshti njerëzit pa kushte deri në kryqëzim. Nâna Tereze i pranoi të
gjitha sfidat e jetës, tue pasë gjithmonë parasysh dashuninë e pakushtëzueme të
Jezusit për njerëzit.
Autori Anton N. Berisha fenomenin Gonxhe Bojaxhiu, përveç si ndërhymje të
drejtpërdrejtë të Hirit të Zotit, e sheh edhe si fryt të historisë së dhimbshme
të popullit të saj dhe këtë e jep nëpërmjet reminishencave “topike”: të
katundit të origjinës së nânës së Gonxhes, që e përshkruan si “Kopsht i Edenit i zemrës sime”, të Kuvendit
të Shën Kollit në Lezhë ku princat arbnorë lidhën Besën e Zotit për ta mbrojtë
lirinë e atdheut… Përmenden edhe
martirët e Stubllës e të Letnicës
që nga osmanët pushtues
përjetuan përdhosje të pa pame
pse nuk hoqën dorë
nga besimi në Birin e Hyut”,
pastaj thirrja që Gonxhes i drejtoi Zoti në Kishën e
Letnicës për t’u ba “nusja” e tij etj.
Nâna Drane dhe porosia e saj “mos u
largo nga drita e Hyut”, në këto poema, shejtneshës së ardhshme i shërbejnë
si udhërrëfyes në rrugën e jetës, njësoj siç i shërbeu popullit të Izraelit shtylla
prej drite kur ecën në shkretí, tue me ikë nga skllavëria egjiptiane. Në këtë
mënyrë poeti sikur sugjeron tezën se personaliteti i Nânës Tereze âsht sa
prodhim i Hirit të Zotit, po aq âsht edhe dhuratë e Zotit këtij populli për sakrificat
që bâni dhe “kalvarin” që hoqi në shekuj për me i ndejtë besnik Birit të Hyut
dhe për me dëshmue besimin e vet në të. Lapsi i quejtun Nâna Tereze, me të
cilin shkroi dora e Zotit, asht mpref nga historia e dhimbshme e të krishtenve
shqiptarë, kurse ngjyra e atij lapsi asht gjaku i martirëve të Stubllës,
Letnicës dhe martirëve tjerë, anonimë e të harruem nga njerëzit, por jo edhe
nga Zoti. Ashtu siç i shpërfilli Nâna Tereze kufijt mes kombeve, racave dhe feve,
edhe spektri semantik që ngjyros këto poema shkëputet nga gravitacioni thjesht kombëtar,
për të lëvizë në hapsina të pamatshme, ku kufizimet kohore dhe hapsinore
shlyhen.
Kjo poezi mund të interpretohet, por ma mirë përjetohet kur secili e lexon
në pajtim me horizontin e vet të pritjes dhe kapacitetet e veta të receptimit.
Adhuruesit e stilit të bukur këtu do të gjejnë nji rruzare metaforash transcendentale,
të cilat flasin për një kulturë të ngritun shkrimore e teologjike të autorit,
si për shembull:
e zjarmi i dashunisë së saj –
ujvarë buzqeshjeje –
m’i hapte njimijë shtigje tjera
andrrimi”
apo
Dashunia e Hyut
asht lum i padukshëm
buron e rrjedh
në zemër
pa hetue
asht Dielli mbrenda nesh
që na ngroh ditë e natë
asht fryma
që jetë frymës sonë i jep”.
Shtojca asht poema
e fundit dhe i kushtohet Karol Wojtylës, i njoftun si Papa Gjon Pali II. Aty
poeti, veç tjerash, i shfaq mirënjohjen Atit të Shejtë që puthi “dheun e Vendit
tim” dhe që me atë rast i çliroi zemrat e shqiptarëve nga friga! Autori nuk e përfundon
librin rastësisht me këtë poemë, sepse Gjon Pali II dhe Nâna Tereze, secili në
mënyrën e vet, kontribuen në shembjen e perandorisë komuniste dhe vaditën farën
e demokracisë edhe në tokat ku jetojnë shqiptarët.
E veçantë e këtij libri asht se asht shkrue në “gegnishte”, në “g’juhën e
shpís”, ose edhe më saktë - në “g’juhën e Nânës Drane”.
Anton Nikë Berisha e zotnon mirë g’juhën e moçme amtare.