“Në prehër të jetës së re” (1976)- mbi librin Anton Gojçaj


 RAFTI I LIBRAVE TË HARRUAR

“Në prehër të jetës së re” (1976)

(Lucë Lucaj - Gjergj Gjokaj - Ismail Doda - Gjergj Berisha, Në prehër të jetë së re, Doracak për nxënës të shkollës fillore prej klasës III deri në klasën VIII, Enti Republikan për Përparimin  e Shkollave, Titograd 1976)

 

Anton Gojçaj

1.

Libri “Në prehër të jetës së re”, i botuar në vitin 1976 në Titograd (Podgorica e sotme), ishte doracaku i parë për nxënësit e shkollës fillore me mësim në gjuhën shqipe në Malin e Zi dhe ndër librat e parë të botuar në gjuhën shqipe në Malin e Zi. Si autorë të librit figurojnë emrat e katër personaliteteve të njohura në fushën e arsimit, kulturës dhe atë shoqërore në republikën më të vogël të Jugollavisë së atëhershme, por në fakt ata janë më tepër si redaktorë, sepse numri i autorëve të teksteve është i konsierueshëm.

Kanë kaluar pesëdhjetë-pa-dy vite prej atëherë dhe libri në fjalë meriton të nxirret nga rafti i pluhurosur i botimeve të harruara, jo për t’i bërë gjyqin librit as autorëve,as për të thënë se ne sot jemi më të mirë  sesa që ishin ata dikur, sepse të gjithë, si ata dikur ashtu edhe ne sot, jemi brenda kornizave të kontekstit apo gjendjes politiko-shoqërore të kohës, por për ta nxjerrë nga arka e librave të harruar dhe për t’ia bërë të njohur lexuesve të sotëm, disa prej të cilëve  ma merr mendja as nuk kanë dëgjuar për të. Faktet e së kaluarës, na pëlqen apo jo, janë etapa   rrugëtimit tonë në kohë (ai që ecën rrugës me baltë nuk mund të mbajë këpucë të pastra) dhe, rrjedhimisht, kanë vendin e vet në memorien tonë kolektive.

2.

Në tekstin paraprijës, që nuk ka titull, nënshkruar nga “autorët”, thuhet se është një “tekst ndihmës i cili u jep mundësi nxënësve dhe të tjerëve që të njoftohen më gjerësisht me vendlindjen e vet dhe t’i zgjerojnë dituritë nga grupi i lëndëve gjuhësore-shoqërore, duke filluar nga klasa e tretë e deri në klasën e tetë”. (Në prehër të jetës së re: 1976 : 5).

Materialet e librit janë organizuar në tri pjesë, që, siç thonë vetë autorët, nënkuptojnë tri grupmosha (apo cikle shkollore) : I. për klasën e tretë dhe të katërtën, II. për të pestën dhe të gjashtën dhe III.  për të shtatën dhe të tetën.

Praktika e asaj kohe ishte, që në fillim të librit shkollor, madje para vetë fjalëve hyrëse të vendoeej  fotografia e prijësit komunist, Titos - në këtë rast një pikturë e Titos në uniformë ushtarake, vepër  e piktorit Gjorgje Andrejeviq – Kun.

3.

Pjesa e parë titullohet “Rreze e dritë”. Përmban 12 tekste letrare në vargje (9 autoriale, 3 popullore) dhe 27 tekste në prozë (6 letrare, të tjerat joletrare). Te poezitë autoriale mbizotëron motivi  i vendlindjes (Vendlindjes, Deti, Ulqini është vendlindja ime, Fshati im, Vendi im, Prrocka e vogël, Në Malësi) dhe kulti i udhëheqësit të shtetit i gërshetuar me realitetin socialist (Titos, Titogradit, Marshal Tito), por edhe një poezi që për motiv ka lojën “Letra Kokones”, dhe një këngë popullore e djepit “Nina nana, more bir”.

Disa nga autorët e poezive janë sot emra të njohur (Qerim Ujkani, Ibrahim Berjashi, Idriz Ulaj) disa deridiku të njohur (Behram Hoti, Mejreme Maraj), kurse autorët e tjerë të poezive të përfshira në pjesën e parë, (Teuta Mavriqi, Met Shabaj, Jakup Çitaku, Lule Dinaj), sot nuk njihen si poetë të rëndësishëm.

Te këngët popullore ka disa mangësi ose lëshime metodologjike, mungojnë të dhënat për këngën “Titogradi” : kush e këndoi, kush dhe kur e shënoi, a është këngë origjinale në gjuhën shqipe apo, siç duket në bazë të ndërtimeve sintaksore jotipike për të folmen e Malësisë, në gjuhën e unfikuar  (“ka qenë”, “do ta ndërtojë”, “do ta kremtojë” etj.), apo bëhet fjalë për një përkthim nga gjuha sllave !? Po qe se është përkthim, mungon emri i përkthyesit.

Edhe tekstet në prozë, në pjesën e parë, janë letrare dhe jo-letrare.

Tekste të mirëfillta letrare janë prozat: “Tonet e violinës” (Milenko Ratkoviq), “Gjonja e parë” (Hajro Ulqinaku), “Para depos së misrit” (Migjeni), “Bujaria e Nur Dokës” (Zuvdija Hoxhiq), “Në Bjeshkë të Nemuna” (Idriz Ulaj), “Baba i Gencit detar” (Hajro Ulqinaku).

Krijimtaria e shkrimtarit serbo-malazias Mark Milanit (Marko Miljanov) zakonisht lexohet dhe studiohet në kuadrin e letërsisë: tregimet e tij, që përngjajnë mjaft në tregime (anekdota) popullore, mund të klasifikohen si një zhanër kufitar, meqenëse krahas shtresës letrare kanë edhe veçori të materialeve historiko-etnografike. Në këtë pjesë të doracakut jepen tri proza të shkurtra të Mark Milanit: “Trimëria e një nëne”, “Mikpritja shqiptare” dhe “Lekë Ivani dhe Ristoja i Bozhinës”. Gjithsej në librin në fjalë, nga krijimtaria e Mark Milanit janë përfshirë gjashtë tregime dhe një letër. Për lexuesin shqiptar është veçanërisht provokuese letra, në të cilën “vojvoda” i Kuçit i shkruan njëfarë Tomos që nëse vjen i deleguari i mbretit të Austrisë për t’i ofruar Markut titullin e princit të Shqipërisë: “pritnje mirë si të deleguarin e mbretit dhe armikun serb. Jepjani njëqind dajakë” . Ismail Doda, në tekstin “Mark Milani dhe shqiptarët” këtë mospranim të prijësit të Kuçit e shpjegon se Marku propozimin apo kërkesën e Austrisë e kuptonte si përpjekje të Vjenës që “të turbullonte marrëdhëniet mes popujve fqinj”.

Në këtë pjesë gjenden edhe 11 gjëegjëza të shënuara në Malësi nga Gjergj Gjokaj dhe njëzetetre proverba dhe një tregim popullor shënuar nga Fran Lulgjuraj.

Tekstet joletrare janë kryesisht prezantime të qyteteve dhe krahinave ku jetojnë me shumicë shqiptarët në Malin e Zi. Gjergj Gjokaj paraqitet si autor i teksteve “Vuthajt”, Në shpatet e Rumisë”, “Rozhaja”; Mirash Gojçaj është autori teksteve “Plava” dhe “Bukuritë natyrore të Malësisë”; Janko Gjonoviq është autor i tekstit “Rrëzë Bjeshkëve të Nemna”, kurse Lucë Lucaj i tekstit “Titogradi”.

Libri përmban edhe disa tekste joletrare që mund të quhen artikuj informativo-propagandistikë: “Kryengritja e 13 korrikut”  (pa autor), “Kriporja e Ulqinit” (Dushko Shqekiq), “Fshati i ri malësor” (Fran Lulgjuraj), “Vumë lule para bustës së një heroi” (Vildane Dibra), “Ikja nga burgu i Burrelit” (pa autor), “Arsimimi në trevat e Malësisë” (Gjergj Berisha), “Një vepër madhështore” (Gjergj Gjokaj)... Gjergj Berisha del edhe si autor i disa skicave historiko-legjendare: “Porosia e Vuksan Gelës”, “Gruaja ilire”, “Tregimi i gjyshes”.

4.

Pjesa e dytë fillon me një parullë-deklaratë relativisht të gjatë për të kaluarën e lavdishme. Kjo pjesë përmban 16 njësi letrare (12 vjersha dhe 4 tregime) dhe  17 tekste joletrare. Për nxënësit e interesuar ofrohen edhe disa proverba dhe gjëegjëza.

Edhe te poezitë e pjesës së dytë mbizotëron motivi i vendlindjes dhe atdheut (vjershat “Popullit tim” dhe “Atdheu” të Esad Mekulit alias  Sat Nokshiqit, por edhe “Fshatarja ime” e Ibrahim Berjashit, “Vargu im Buenës bredh në Shtoj” nga Rrustem Berisha, “Mbrëmja në bregdet” e Shaban Osmanajt”), motivi historiko-patriotik (“Arbreshëve të Zarës” nga Shaban Osmanaj, por edhe “Hija e dallëndyshes” e Gojko Dapçeviqit), pastaj vjersha me motive përshkruese të trimërisë dhe liridashjes së malësorëve (“Malësorëve” nga Lubomir S. Petroviq), kurse një poezi për motiv ka të ashtuquajturës luftë nacional-çlirimtare në Shqipëri (“Kënga e tre heronjve të Shkodrës” nga Kolë Jakova). Nuk mungon as një fragment prej 14 vargjesh nga “Kurora e maleve” e Petar Petroviq Njegoshit përkthyer nga Gjergj Gjokaj. Nga dy këngët popullore në këtë pjesë të librit, njëra është përkthim i këngës popullore malazeze “Beteja në Fundëna”, kurse tjetra kënga shqiptare  “Hysen Reizi” - bën fjalë për disa detarë ulqinakë që kanë rënë në luftë kundër “Francës”.

Janë gjithsej 5 tekste letrare në prozë në pjesën e dytë të librit, katër prej të cilëve nga letërsi shqipe: “Bukuria që vret” e Migjenit, “Sokolesha” e Sterjo Spasses, “Plaka Nicë” nga Ismail Kadare dhe “Dylbia e kapedanit” nga Rifat Kukaj. I pesti është tregimi “Më mirë i vdekur se tradhtar” i Mark Milanit.

Numri i teksteve joletrare në këtë pjesë (të dytën) është më i madh se i atyre letrare, janë gjithsej 15 të tilla. Kanë tematikë historike, shoqërore dhe përshkruese, disa prej tyre duken si ese, e disa si artikuj publicistikë, diçka si mini-reportazhe informativo-publicistike.

Tekstet me tematikë historike bëjnë fjalë kryesisht për ngjarje dhe personalitete të njohura nga historia kombëtare shqiptare: “Vdekja e Skënderbet” nga Fan S. Noli dhe “Skënderbeu dhe malazezët” nga Ismail Doda), një tekst flet për ngritjen e flamurit shqiptar (Luigj Gurakuqi), një tjetër për fortifikatën detare të Ulqinit (Gjergj Gjokaj) dhe një për “Stërgjyshërit tanë” (Gjergj Berisha). Vetëm një tekst me tematikë nga historia trajton një ngjarje që (ndoshta) s’ka të bëjë me shqiptarët, “Sulmi i Samuillit kundër princit të Zetës Vlladimirit” – fragment nga “Kronika e priftit të Dioklesë”.

Mbizotërojnë në këtë pjesë artikujt që përshkruajnë të kaluarën e trevave të banuara, historikisht, pothuaj krejtësisht apo në përqindje të lartë nga shqiptarët në Malin e Zi të kohës, siç janë “Nga e kaluara e Tuzit”  (Gjergj Berisha), “Nga e kaluara e Krajës“, “Ana e Malit” dhe “Shestani dhe disa karakteristika të të folmes së tij” (të gjithë nga Ismail Doda), “Kranjanja” (Gordana Majstoroviq), “Legjendë por edhe e vërtetë historike” (Gjergj Gjokaj), pastaj shkrimi  “Mark Milani dhe shqiptarët” (Ismail Doda),  skicat përshkruese “Në hijen e Bjeshkëve të Nemuna” (Dushan Kostiq) dhe “Në liqenin e Shkodrës” (Drashko Shqekiq)

Shkrimi “Fuqia e atdheut” i Ali Cenajt mund të konsiderohet si një artikull publicistiko-propagandistik jo i pazakonshëm për kohën kur u shkrua. Ndërkaq publicistiko-propagandistik, megjithëse i bazuar në disa fakte të qëndrueshme historike, është artikulli “Nga anali i shkollës së Trieshit” i autorit Lucë Lucaj. I ngjashëm është edhe artikulli “Burim i dijes” i Riza Rexhës, ku  jepen disa të dhëna nga historiku i shkollës në Vlladimir (siç e shënon  artikullshkruesi), ku bien në sy disa veçori tipike të narrativit të asaj periudhe: “Menjëherë pas çlirimit edhe në Anën e Malit ndriçuan rrezet e socializmit. Erdhën ditët e lumturisë. Pushteti popullor vuri gurët e përparimit, të barazisë kombëtare” – f. 106. Diskursi publicistik i ngjyrosur me elemente informativo-propagandistike e karakterizon edhe artikullin “Hekurudha Beograd-Tivar” (Gjergj Gjokaj) ku autori, pasi njofton se “Udhëtari i parë i hekurudhës së ëndrrave tona ishte kryetari i Republikës Josip Broz Tito” thekson, veç tjerash, edhe se “Rinia dhe forcat tjera  krijonjëse ia dorëzuan bashkësisë sonë socialiste edhe një vepër madhështore. Shkrimi i shkurtër “Porti i Tivarit” (Ismail Doda) mbetet në suaza informative, pra nuk përmban aditivë propagandistikë. Propagandistik në qëllimin e vet, pa marrë parasysh se mbështetet në fakte historike, është edhe artikulli me titullin poetik “Dhe vdiqën bashkë” (sipas Novak Jovanoviqit) në të cilin përshkruhet miqësia e partizanit malazez nga Cetina me një revolucionar të ri nga Shkodra, të cilët armiku nazist i “solli në trekëndëshin e vdekjes”, pra i vari, për shkak të veprimtarisë së tyre. Artikullshkruesi i kumton lexuesit se dy djemtë në trekëndëshin ku do vareshin brohoritën “Rroftë shoku Tito”, e pastaj përçon edhe mesazhin e vet : “Dy luftëtarët e rinj ua lanë popujve të vet porosinë: “Kështu farkohet bashkim-vëllazërimi i të gjithë popujve! Kështu luftohet kundër armikut të përbashkët!”- f. 77.  Artikulli “Buka e kripa nuk harrohen” (Gjergj Gjokaj, Gjergj Berisha) i rikujton lexuesit, nëpërmjet një episodi ,nga jeta reale në Malësinë e Madhe, që pat ndodhur “në kohën e pushtimit austrohungarez”, traditën e bukur të mikpritjes shqitare.

Duke qenë doracak për nxënësit e shkollës fillore, autorët e kanë parë me vend që në libër të përfshihet edhe një fragment nga drama, “Nita” e Josip Relës, që ata të njihen me këtë gjini të letërsisë, por njëkohësisht edhe me fatet historike të njerëzve të këtyre trevave.

5.

Edhe pjesa e tretë në vend të titullit ka një parullë. Përbëhet nga 18 tekste letrare , 12 prej të cilave janë në vargje (5 autoriale dhe 7 popullore) dhe 6 tregime (2 nga autorë shqiptarë, një tregim popullor dhe 3 tregime të përkthyera). Autorët e poezive janë Esad Mekuli (“Shqiptari këndon”, “Në liqenin e zanave”), Nol Berisha (“Ushtoi Deçiqi - Sharri të jehojë”), Zuvdija Hoxhiq (“Malësori”) dh Husein Bashiq (“Përballë vdekjes”) – të gjithë krijues nga Mali i Zi. Shkrimtarë shqiptarë të lindur në Malin e Zi janë edhe autorët e tregimeve “Lundrimi i fundit” (Mehmet Kraja) dhe“Ky është varri i vëllait tim” (Idriz Ulaj), kurse të përkthyera nga, siç quhej zyrtarisht në atë kohë,  gjuha serbo-kroate,  “Tusha e Kastratit” (Marko Vujaçiq), “Shqiponja nga Janiku” (Jagosh Jovanoviq), “Bir i Dheut të Shqipes” (Branko Qopiq). Tregimi popullor “ Gruoja shtatzânë â si mâza e tablit”, vjelë nga Fran Jankaj, është marrë nga revista “Gjurmime albanologjike”.

Numri i teksteve joletrare në pjesën e tretë të doracakut është i madh, gjithsej 39. I konsiderueshëm është numri i teksteve joletrare që himnizojnë luftën nacional-çlirimtare, posaçërisht disa nga heronjtë partizanë të trevave të banuara nga shqiparët në Malin e Zi. Gjergj Gjokaj praqitet si autor i pesë artikujve të tillë:  “Pionierë dhe vizionarë të Revolucionit” – për Beqo Bashiqin dhe Alo Hotin, “Gjaku i tyre – farë e vëllazërim-bashkimit” – për Hysni Zajmin dhe Hajro Shahmanoviqin), “Bir besnik i revolucionit” – për Emin Rexhepagiqin, “Luftëtar për liri dhe pavarësi të vendit” – për Mahmut Lekiqin, “Kujtime për djaloshin guximtar”- për Mark Nucullajn, kurse nga një artikull të këtij tipi kanë shkruar Xhemal Elezaga - “Krimi në shkollë të Pistullit” dhe Venera Strugar - “Vëllazërimi dhe bashkimi i pathyeshëm”. Tematikisht, sepse kanë të bëjnë me luftën dhe revolucionin, këtu mund të radhiten edhe disa artikuj të tjerë: “Malësia gjatë luftës nacionaçlirimtare” (Lucë Lucaj), “Kujtime nga lëvizja nacional-çlirimtare në Anë të Malit” (Ahmet Hoxha) dhe ”Me partizanët shqiptarë në Anë të Malit dhe në Krajë” (Xhevdet Resulbegoviq).

6.

Krahas teksteve me ngjyrime ideologjike që himnizojnë luftën nacionalçlirimtare dhe heronjtë partizanë, libri, si të donte të zbuste paksa shtresën e theksuar të propagandës ideologjike, i ofron lexuesit edhe disa materiale mbi historinë dhe kulturën e shqiptarëve, siç janë për shembull artikujt “Kryengritja e Malësisë me 1911”, “Tringa e Smajlit (autor i të dy shkrimeve është Gjergj Berisha) dhe “Takimi i Ded Gjo Lulit me konsullint turk” (Luigj Bumçi), por edhe këngët popullore shqiptare “Lufta e kojasve në Deçiq”, “Lufta në Sukë të Mekushit”,  “Bedri pasha”, “Kanga e Myrta Thtjanit” dhe “Gjelosh Frangu”.

Lidhur me disa tekste që mund të perceptohen si skica historike mbetet e pasqaruar ku autorët i gjetën burimet  “mbi ngjarjet historike” për të cilat shkruan, meqenëse në tekstin/shënimin e patitulluar që zëvendëson hyrjen deklarojnë se këtë punë e bënë “në mungesë të materialeve dhe dokumentave”.Pengu që duhej paguar tpushtetit të kohës ishte respektimi i narrativit ideologjik skematik që shpesh përsëritet edhe me fraza pothuaj identike, shumë artikullshkrues:  si psh.:

“Në Luftën Nacionlçlirimtare Podgorica me rrethe dha kontribut të madh” - Lucë Lucaj, f. 10.

Plava: “ Në Luftën Nacionlçlirimtare dha kontribut të madh.”  - Mirash Gojçaj, f. 14.

“Në luftën nacionalçliirimtare vuthjanët dhanë kontributin e vet. “  - Gjergj Gjokaj, f. 15

Tuzi: “Luftën Nacionalçlirimtare e përkrahi që nga ditët e para dhe dha kontributin e vet” - Gjergj Berishaj, f. 98.

“Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare kranjanët patën qëndrim të drejtë. Morën pjesë aktie dhe përkrahën lëvizjen.” - Ismail Doda, f. 105.

“Menjëherë pas çlirimit edhe në Anën e Malit ndriçuan rrezet e socializmit. Erdhën ditët e lumturisë. Pushteti popullor vuri gurët e përparimit, të barazisë kombëtare.” - Riza Rexha, f. 106.

“Dielli i lirisë agoi në Malësi vetëm pas ngadhënjimit të Revolucionit Socialist” - Fran Lulgjuraj, f. 23.

7.

Autorët librin e quajtën doracak, çka shënohet edhe në ballinën e librit si nëntitull, por mungon aparatura didaktike për nxënësit (pyetjet, detyrat, uudhëzimet për literaturën shtesë etj).. Pas shumicës së teksteve janë sqaruar nga disa fjalë  për të cilat aautorët kanë vlerësuar se është e nevojshme të shpjegohet kuptimi i tyre. Ka edhë shënime të shkurtra bio-bibliografike për shkrimtarët e përfaqësuar.

Me të mirat dhe mangësitë që ka, libri dëshmon për kohën dhe njerëzit dhe paraqet gjurmë të kulturës në gjuhës shqipe në këto treva.

Një mëvetësi poetiko-letrare - nga Emi Krosi


POEZIA SHQIPE E SHKRUAR NGA SHQIPTARËT NË MALIN E ZI
Një mëvetësi poetiko-letrare

Shkruar nga:  Emi Krosi

 

Letërsia e Malit të Zi, kohët e fundit ka marrë një zhvillim të madh, por edhe një njohje jo vetëm në qarqet letrare vendase, por edhe ato ballkanike dhe europiane.
Emrat më të njohur të poezisë shqipe të shkruar nga shqiptarët e Mali të Zi janë: Anton Gojçaj, Mark Lucgjonaj, Haxhi Shabani Hajredin Kovaçi, poetët e rinj: Argezon Sulejmani, Flutur Mustafa. Këta janë disa nga autorët që dallohen, që kanë ruajtur më së miri traditën e shkrimit shqip dhe vazhdimësinë e etnisë shqiptare.
Lidhjet e gjakut, brenda gjuhës dhe kulturës shqipe, por dhe bashkëjetesa me gjuhët sllave, si dallim mes “vetes” dhe “tjetrit”, kanë qenë vazhdimësi vlerash dhe motivesh, në vargjet: si rreze drite/mes të errësirës/vizione që kanë ngecur/në hedhjen e ngërthyer nga jeta, nga libri “Zhurma e Mendimeve”, të poetit Mark Lucgjonaj, një poet i vetmisë, që gjen veten tek të gjithë shpirtrat që vetmojnë ngjashëm, (Lucgjonaj: 2014: 6), duke kërkuar në kohën jetësore, ngjashmërinë me vetveten dhe të “tjerët”, mëpërtej mungesës, se koha poetike e shqiptarëve të Ulqinit, i afrohet botës poetike moderne. Në vazhdimësi, poeti tjetër Hajredin Kovaçi, përmes pranisë së etnosit (Sinishtaj: 2016 : 459), definon lirinë, jo vetëm si polisemi qëndrore në arealin e poetëve të rinj, ku “loja” poetike, ngërthen stilin klasik, individual dhe modern, nëpërmjet vargjeve: i paparë jam/edhe kur mundoheni të më provokoni/edhe kur s’doni të më bëni mirë/edhe kur të drejtat m’i mohoni/dhe unë do vazhdoj të jem i lirë…nga libri “Vrasja e frikës” (Kovaçi:2012 : 30), me elemente të ironisë, duke shpërfaqur sipas Basri Çapriqit “rënien, rrënimin dhe degradimin e kësaj bote”.
Por, poeti që i dha zë shkrimit dhe gjuhës shqipe, në trevat e Malit të Zi, është Anton Gojçaj. Përmbajtja, forma dhe brendia e poezisë së tij, ka një organizim kompleks, me shumë shtresëzime, ku zëri poetik brumësohet me shpërthime lirike dhe dilema ekzistenciale, nëpërmjet qenësisë tonë kombëtare dhe gjuhësore në vargjet: të lutem në gjunj kur i penduar bie / te kroni i Traboinit ta lag ballin me ujë / ngjitu ti varlltare e virgjër qiejve / ende jeton malsori i botëve u thuaj (Gojçaj: 2011: 21), një zë poetik unik dhe individual, brenda njësisë kulturore dhe letrare malazeze. Ndërliterariteti, si koncept në letërsinë krahasuese, është koncept postmodern, prandaj ne duhet të përballemi me problemin, e “letraritetit” të estetikës dhe natyrës së artit dhe letërsisë. Këtu "estetikë", nuk do të thotë estetika si filozofi e bukurisë dhe e artit, apo ligjet që rregullojnë manifestimet e saj, por një mishërim vlerash estetiko-letare. Në veprat letrare, zakonisht “zhduket” kufiri midis të tashmes dhe të shkuarës, mes pranisë dhe mungesës, historisë dhe mitit, kujtimit dhe harresës (Greenawalt: 2001 : 9). Ky lloj karakterizimi i letërsisë si "cilësi bazë dhe thelbësore", për të gjithë letërsinë, që mishëron të gjitha marrëdhëniet brenda intensitetit dhe letraritetit, dhe mënyrat e kushtëzimit të identiteteve të popujve të Malit të Zi, i shmangen çdo interpretimi të poezisë së Njegoš-it (poeti më i njohur malazes), se vetëm me raste, diskutojnë meritat e saj letrare dhe gjuhësore (Goj: 1995: 11). Hapja e letërsisë ndaj interpretimeve të ndryshme, është larg të qenit njëdimensional, brenda vetëdijes së lexuesit që shihet apo nuk shihet si letërsi kombëtare (letërsia shqipe në Malin e Zi nuk merret seriozisht, vetëm si letërsi pakice), sepse trajton më shumë çështje ndiesore, shpirtërore, sociale dhe shoqërore, sesa vetë kufijtë e ngushtë të hapësirës politike dhe kulturore malazeze, në kontekstin e thënies së Danilo Kiš: shumë libra nuk janë të rrezikshëm, por një libër është (Kiš:1990: 117). Në këtë rrafsh krahasues, mes dy letërsive (asaj malezeze dhe asaj shqipshkruese dhe shqipfolëse), kemi këto lloj marrëdhëniesh: - substrati reflektiv mes dygjuhëve, si dilema të pazgjidhshme, - uni liriko-epik, herë si artikulim emotive, herë si tërësi artistike, - gjallimi i dendësisë së mendimit poetik, më përtej mëvetësisë etnike krijuese, - mbivendosja poetike-reflektive, ku zhvendosen shtresëzimet emocionale-poetike-kulturore, - marrëdhënia me veten/kohën/poezinë/historinë, përtej sendërtimit poetiko-erotik. Dinamika e veçantë tekstore, përmes një shumësie procedimesh dhe teknikash kompozicionale si strategji retorike (Gjolaj: 2001), është një mëvetësi poetiko-letrare, në recensionin e autorit, rreth librit të Gojçaj-t, “Poezi”, të botuar në Tuz. Poezia e tij, ka një shtrat teknikash tekstuale, ku njësia e atdheut nuk “thyhet”, por vazhdon ashtu, siç kanë jetuar malësorët shqiptarë, mes tokës dhe qiellit, mes malit dhe detit, mes besimit dhe eposit, si kultivues i konceptit të tolerancës së konflikteve të gjata ballkanike, sidomos të shoqërive post-konfliktuale, ku komunikimi poetiko- letrar me kulturat dhe gjuhët e tjera, vjen përmes përkthimit të ndërsjellë të librave dhe organizimi i takimeve të autorëve nga rajoni, përmes shkëmbimit të letërsive dhe ideve (Stojanovic: 2021: 14), duke thyer tabutë e komunikimit ndërballkanik, në një tjetër realitet të ri bashkëjetese. Në intervistën e shkrimtarit Sasa Iliç, që fitoi çmimin prestigjioz të revistës NIN për letërsi, ai u shpreh: se kultura dhe letërsia është gjuha e përbashkët (Iliç: 2012). Vetë arti, rrëzon kufij dhe bashkon kombe, se përmes poezisë, popujt hapin “dyert” e pranimit të zemrave.

(NGA PJESA II E STUDIMIT: "POEZIA SHQIPE MODERNE/POSTMODERNE PAS VITEVE '90 -të, NË SHQIPËRI, KOSOVË DHE DIASPORË.")