DISA TË DHËNA PËR LETËRSINË SHQIPE NË MALIN E ZI
- Degë që kapërcen gardhin -
ANTON GOJÇAJ
Letërsia
shqipe në Malin e Zi zhvillohet në margjinat e letërsisë së gjithëmbarshme
shqipe, degë e pandashme e së cilës, në kuptimin e traditës kulturore dhe gjuhës,
është. Po ashtu, ajo mbijeton në margjinat e jetës kulturore në Republikën e
Malit të Zi, në hijen e plotë të krijimtarisë në gjuhët sllave.
Vështrimet
me karakter përgjithësues kërkojnë që për arsye pragmatike nganjëherë të
anashkalohet e vërteta e pakontestueshme se çdo shkrimtar përfaqëson në radhë
të parë vet-veten, mirëpo është e qartë se edhe veprat letrare funksionojnë në
sisteme të caktuara letrare e kulturore, rrjedhimisht edhe shoqërore.
Mini-shteti
në brigjet e Adriatikut, Mali i Zi, sipas regjistrimit të popullsisë në vitin
2011, ka 625.266 banorë, ndërsa
komuniteti i shqiptarëve (si nënshtetas - autoktonë, në trevat përgjatë brezit
kufitar me Republikën e Shqipërisë), kap 30.439 banorë, ose 4,91% i numrit të
përgjithshëm të banorëve të Malit të Zi. Dukuria e shpërnguljes së shqiptarëve
të këtyre viseve në shtetet perëndimore, kryesisht në SHBA, Gjermani etj. ka
ndikuar që ky numër të mos rritet më ndjeshëm, kurse në regjistrimin e fundit
ky grup njerëzish (mjaft i madh në raport me ata që vazhdojnë të jetojnë në
trojet stërgjyshore) nuk është përfshirë në rezultatet finale të
regjistrimit. Faktikisht, shqiptarët e
këtyre trojeve qytetarë të shtetit malazias (gjegjësisht të Jugosllavisë), janë
përafërsisht një shekull. Pasi që në periudhën 1945-1990 ishin ndërprerë
pothuaj të gjitha lidhjet kulturore me shtetin amë, mendoj se mund të thuhet se
letërsisë shqipe në këto vise iu ndërtuan rrethanat dhe kushtet për të lëshuar
shtat edhe si letërsi paranacionale (në kuptimin që këtij termi i jep studiuesi
sllovak Dionyz Durišin, me të cilin ai emërton letërsitë e minoriteteve, si
p.sh. letërsinë sllovake në territorin e (ish-) Jugosllavisë, atë hungareze në
Çeko-Sllovaki, Rumani etj.)[1],
njësoj siç i plotëson edhe letërsia shqipe në Kosovë, letërsia shqipe në
Maqedoni etj. Kjo nuk bëhet assesi me objektivin për ta “amputuar”, ndarë apo
larguar nga “korpusi” i letërsisë (unike) shqipe, sepse kriteret gjuhësore,
etnike dhe historiko-kulturore e lidhin pashkëputshmërisht me të, por tërheq
vërejtjen për disa veçanti të saj specifike, objektive. Ka edhe mendime se në kuadrin e letërsisë nacionale duhet të përfshihet vetëm ajo letërsi që
është shkruar në një gjuhë dhe brenda kufijve bashkëkohorë të një shteti të caktuar nacional.[2]
Parimi
administrativ, domethënë përkatësia një shteti apo shteteve të ndryshme, nuk
është një
kategori
letrare e estetike, mirëpo nuk mund të thuhet as që nuk ka, absolutisht,
kurrfarë ndikimi.
Përveç
brumit etnik shqiptar që ka mbijetuar edhe falë lidhjeve me Kosovën dhe letërsinë
e
saj,
në Malin e Zi rrethanat objektive kushtëzojnë edhe raporte të caktuara të
letërsisë shqipe me
letërsinë
malazeze por edhe të popujve të tjerë sllavë të jugut, ku shkëmbimet
ndërkulturore,
natyrisht,
janë gjithmonë deficitare për letërsinë shqipe. Domethënë në Malin e Zi ka
rrethana që i shkojnë në favor ndikimit të letërsisë malazeze dhe letërsive
sllave mbi letërsinë shqipe, por jo edhe anasjelltas. Mendoj se mund të thuhet
se letërsia shqipe që shkruhet në Malin e Zi e begaton
qoftë
edhe në përmasa minimale fondin e letërsisë (së përgjithshme) shqipe, e
gjithashtu edhe spektrin e kulturave aktive në shtetin e Malit të Zi.
Si
çdo shkrim mbi letërsinë, qoftë edhe i natyrës më tepër panoramike e
informative, edhe ky
imponoi
përcaktimin për një strategji të caktuar metodologjike. Kriteret vendimtare që
i ndanë
veprat
që u përfshinë nga ato të tjerat është gjuha në të cilën shkruajnë autorët, si
dhe hapësira
gjeografike
dhe politiko-administrative ku ata u lindën dhe krijuan (krijojnë). Pra, nëse disa autorë shkruan në një gjuhë tjetër, pa marrë
para sysh vlerat ideo-estetike të opusit
të tyre, madje edhe
origjinën shqiptare (Zuvdija Hoxhiq,
Zef Bato Dedivanoviq, Katarina Ulaj-Lucaj etj.), ata mbetën jashtë interesimit tonë, kurse në anën tjetër përmenden edhe disa autorë që shkruan
vepra me vlera relativisht “modeste” letrare por që shkruan shqip. Prandaj këtu
hyri edhe emri i një autori me përkatësi kombëtare jo-shqiptare, që shkruan
shqip (i cili nuk bën pjesë ndër autorët modestë). Kjo është edhe arsyeja
kryesore pse u përzgjodh togfjalëshi “letërsi shqipe” dhe jo “letërsi
shqiptare”. Një problem të veçantë ishte
a të përfshihen emrat e disa autorëve të cilët nuk kanë lindur dhe as
nuk jetojnë vetë në Malin e Zi, por prindërit e të cilëve janë nga këto treva,
si p.sh. Mimoza Ahmeti, Kolec Traboini e ndonjë tjetër? Pas një reflektimi delikat vendosa të mos i përfshij në
këtë korpus, megjithëse nuk jam aspak i sigurt në drejtësinë e këtij vendimi.
Përmendja
apo mospërmendja e emrit të një krijuesi (apo disa…) nuk është në funksion vlerësimi apo mosvlerësimi për veprat e tij
(tyre), por vetëm një tip “katalogizimi” i kësaj letërsie.[3]
Libri
i parë shqip, sipas disa studiuesve, “Meshari” (1555) i don Gjon Buzukut, ka gjasa të jetë shkruar (dhe botuar?) mu diku në
hapësirën e Ulqinit, Tivarit, apo në afërsi. Deri te libri tjetër shqip, pas
“Mesharit”, në këto treva është dashur të pritet më se 400 vjet. Prandaj është
me interes fakti se përkthimi i parë integral i Biblës (Besëlidhja e Vjetër dhe
e Re) në gjuhën shqipe u realizua pikërisht në Malin e Zi (dhe u botua në
Kosovë), në fund të shekullit të kaluar, falë veprimtarisë shumëvjeçare të dom Simon Filipajt, në një fshat afër
Ulqinit. Në Ulqin ka jetuar Hafiz Ali
Ulqinaku (shek. XIX), që ka kultivuar të ashtuquajturën traditë të
bejtexhinjve, që shkruan shqip – duke përdorur shumë orientalizma dhe alfabetin
arab. Me studimin e autorëve të këtij orientimi letrar/kulturor, që nuk ka
arritur të luajë një rol më të rëndësishëm në kulturën shqiptare, është marrë Sutki Malohoxhiqi, i cili mbi këtë temë
ka botuar librin “Bejtexhinjtë e Ulqinit”.
Letërsia gojore
Derisa
heshti e shkruara, lulëzoi letërsia gojore. Letërsia gojore (popullore) e
shqiptarëve në Malin e Zi është e pasur në zhanre, në gjini, në tematikë, mjete
poetike etj. Ajo është pjesë përbërëse e letërsisë gojore shqiptare. Mbledhja
sistematike e kësaj krijimtarie ka filluar relativisht vonë, kurse vetë
shqiptarët e këtyre anëve me këtë aktivitet kanë nisur të merren veç nga gjysma
e dytë e shek. XX. Për vjeljen e zellshme të materialeve të folklorit në këto
treva u dalluan: dr. fra Vinçenc Malaj,
dom Simon Filipaj, mr. Ismail Doda, mr. Ali M. Ahmeti, P. Zef Jankaj, P. Kolë
Berishaj, Idriz Ulaj, dr. Bahri Brisku, Hajro Ulqinaku dhe shumë të tjerë.
Disa kanë shkruar temat e magjistraturës, disa mbase edhe kanë doktoruar mbi
këtë lëmë.
Libra
studimorë kanë shkruar: Mr. Ali M.
Ahmeti, “Vajtimet dhe gjëmat shqiptare në Plavë dhe
Guci”
(Podgoricë, 1986) dhe “Letërsia gojore e Krahinës së Plavës dhe të Gucisë”
(Prishtinë,
2004); dr. Pjetër Gjuravçaj, “Malësia në
këngën popullore lirike dhe epike”, (botuar në gjuhën
malazeze,
Podgoricë, 2001); Gjergj Gjuravçaj “Proza popullore e Malësisë së Mbishkodrës”
(Shkup,
2003); Idriz Ulaj “Këngë popullore
nga Gucia” (Prishtinë, 1978); Hasan I.
Gjonbalaj “Këngët historike në krahinën e Plavës dhe Gucisë” (1996) etj.
Libri
“Malësori këndon” i përgatitur nga Gjergj Hasanaj, botuar në Cetinë më
1971, një
përmledhje
mjaft vëllimore e këngëve popullore, vajtimeve dhe gjamëve, paraqet një thesar
të
vërtetë,
me vlera enciklopedike, të krijimtarisë popullore në Malësinë e Madhe. Në vitet
e fundit,
dolën
edhe disa botime interesante, sidomos ato të Pater Zef Jankajt “Krijimtari gojore” (2007), Mirash Gojçajt “Thesari i Malësisë” (2006) etj., që gjithsesi e
pasurojnë këtë degë të letërsisë.
Në
studimin (dhe vjeljen) e krijimtarisë gojore të viseve bregdetare, që është po
ashtu mjaft e pasur dhe e larmishme, u dalluan veçanërisht dr. Bahri Brisku, “Deti dhe detarët në
letërsinë popullore shqiptare” (2006), pastaj Hajro Ulqinaku, “Thesar popullor” (2004) etj.
Shkrimtarët shqiptarë nga Mali i Zi
Ngjashëm si në Kosovë, librat e parë në gjuhën shqipe në
Malin e Zi u botuan pas Luftës së Dytë
Botërore. Madje, disa nga autorët më të dalluar të letërsisë
shqipe në Kosovë, u lindën në Malin
e Zi.
Esad Mekuli (1916-1993), i njohur edhe
me pseudonimin Sat Nokshiqi, pionieri i letërsisë
shqipe
në Kosovë, themelues i revistës më të njohur për letërsi në Kosovë, “Jeta e
re”, në faqet e së cilës i botuan punimet e para pothuaj të gjithë shkrimtarët
e njohur të Kosovës, është i lindur
në
fshatin Nokshiq afër Plavës. E. Mekuli vargjet e para i ka shkruar dhe botuar
në periodikun e
kohës
në gjuhën serbe, por më pastaj ka shkruar shqip. Librat e tij më të njohur
janë: “Për ty”, “Dita e re”, “Avsha ada”, “Vjersha”, “Brigjet”, “Drita që nuk
shuhet”. Vargjet e tij janë përkthyer në gjuhët e të gjitha kombeve të ish
Jugosllavisë, si dhe në shumë gjuhë të tjera.
Nga e njëjta trevë është edhe kritiku i parë i mirëfilltë i
letërsisë në Kosovë, Hasan Mekuli (1929-1996),
njeriu që megjithëse nuk botoi për së gjalli ndonjë libër të veçantë autorial,
në periodikun e kohës ka publikuar më se 600 njësi bibliografike, kryesisht
recensione, vështrime kritike, studime letrare, por edhe poezi dhe përkthime
letrare. Pas vdekjes, në vitin 2000, në Prishtinë iu botua libri “Romani
shqiptar – Kritika dhe vështrime”.
Duhet përmendur se edhe më heret, mbase qysh në kapërcyellin
e shekujve XIX-XX paraqiten
disa poetë malësorë, si p.sh. bashkëluftëtari i Ded’ Gjon
Lulit, publicisti dhe mësuesi Palok
Traboini (1888-1951), autor i poemës “Lufta e maleve” (shkruar në Prizren
më 1911 dhe publikuar vetëm 84 vjet më vonë, falë angazhimit të të birit të
tij, gjithashtu poet, madje mjaft produktiv e i talentuar, Kolec Traboinit),
pastaj Martin dhe Mirash Ivanaj, që po ashtu në gjysmën e parë të shekullit të
kaluar shkruan vargje (në gjuhën serbe, por para disa vitesh janë përkthyer dhe
botuar shqip, në Tiranë, e pastaj edhe në Tuz në përkthimin e Pjetër Dreshajt),
shkrimtari dhe publicisti Nikollë Ivanaj (“Lulet e pasosme”, Tiranë 1944).
Pas tyre në kohë vjen Nol
Berisha (1923-1997), i lindur në Grudë, i cili gjithashtu gati gjithë jetën
e kaloi në Ferizaj, Kosovë. Nol Berisha është autor i librave: “Lyra e
vjeshtës”, “Thjeshtësi”, “Fije që lidhin kohë” , “Si ka mësuar Frani të
lexojë”, “Shtëpiza në blerim”, “Legjenda e vaut” etj.
Personaliteti i njohur i jetës kulturore (dhe politike) në
Kosovë, romansieri, tregimtari, kritiku dhe historiani i letërsisë, polemisti
dhe publicisti, akademik Rexhep Qosja
(1936) është lindur po ashtu në Vuthaj afër Plavës. Vepra e tij më e njohur
letrare-artistike, që është përkthyer në disa gjuhë, është romani “Vdekja më
vjen prej syve të tillë”, pas të cilit ka shkruar edhe disa romane “Dashuri dhe
shtatë faje” (Tiranë, 2003), “Bijtë e askujt” (Prishtinë, 2010) etj. Qosja
është prodhimtar edhe në gjininë e dramës (“Sfinga e gjallë” etj). Ai është
autor i studimit kapital historiko-letrar “Historia e letërsisë shqipe –
Romantizmi I,II,III”, i studimit kritiko-historiko-letrar “Prej letërsisë
romantike deri te letërsia moderne”, si dhe i dhjetëra librave të tjerë. Rexhep
Qosja është një figurë markante e kritikës letrare shqipe në Kosovë dhe e
kulturës shqiptare në përgjithësi.
Idriz Ulaj (1942)
është një autor tjetër i lindur në Vuthaj, e që tani jeton në Prishtinë. Ai
është autor i përmbledhjeve poetike “Prizma” dhe “Edhe një orë dritë”, si dhe i librit me materiale folklorike,
të përmendur më lart.
Ali M. Ahmeti (1944-1990) përveç se
studioi folklorin shkroi edhe poezi, por librat e tij me
poezi
“Kur dritat fiken” (Ulqin 1995) dhe vëllimet “Vargu alfabetik”, “Rritem me
vendlindjen”, “Dhe vazhdoj…” (Prishtinë, 2006) u botuan të gjithë pas vdekjes
së parakohshme, aksidentale, të autorit.
Ali Llunji (1939) ka botuar dramën
“Lugu i Xhemiles”, por shkruan edhe prozë për fëmijë,
monografi
etj.
Mehmet Kraja (Krajë, 1952) është ndër
penat më të spikatura të publicistikës në Kosovë. Kraja mbi 30 vjet jeton në
Kosovë (me një pauzë disavjeçare në vitet ‘90, kur jetoi në Tiranë). Ka shkruar
disa romane: “Gjurmë në trotuar”, “Moti i madh”, “Udhëzime për kapërcimin e
detit”, “Sëmundja e ëndrrave”, “Net bizantine”, “Edhe të çmendurit fluturojnë”,
pastaj librat me tregime “Vdekja pa emër”, “Portat e qiellit”, “Njëzet tregime
për kohën e shkuar”, disa drama, një libër me vështrime kritike etj. Kraja për
krijimtarinë e vet letrare u shpërblye me disa çmime të rëndësishme, në Kosovë
dhe në Shqipëri.
Basri Çapriqi (Ulqin, 1960) paraqet pa
dyshim njërin ndër emrat më të njohur të poezisë
bashkëkohore
shqipe. Ky autor deri më tani ka botuar tetë libra, pesë përmbledhje poetike:
“Ulli
me
dy mijë unaza”, “Në fund të verës”, “Ma qet gjuhën”, “Frutat bizare”, “Zbutja e
gjarpërit”,
pastaj
edhe të natyrës kritike/shkencore, prej të cilëve më i njohuri është studimi
“Simboli në
letërsi”
(Prishtinë, 2005). Vargjet e tij janë përfshirë në shumë antologji të poezisë
bashkëkohore
shqipe,
tek ne dhe në gjuhë të huaja. Një libër i tij poetik është përkthyer në gjuhën
malazeze dhe është botuar në Podgoricë.
Anton Berishaj (1965) librin e vet të
parë, përmbledhjen e poezisë “Lule mëngjesi” e botoi në
Podgoricë
(1986), kurse në vitin 2006, në Prishtinë, doli nga shtypi libri i tij i dytë,
studimi “Retorika dhe letrarësia – Teksti i Bogdanit”. Para pak kohe (2010) në
vitrinat e bibliotekave gjeti vend edhe libri i tij i tretë, studimi “Letërsia
per-formative” ku trajton probleme teorike e letrare të letërsisë së vjetër
shqipe, për të cilin u nderua me Çmimin për librin më të mirë të vitit në
fushën e kritikës dhe studimeve letrare, në Kosovë.
Hasan I. Gjonbalaj (1935-2012) u lind
në Vuthaj. Ka botuar shumë vepra: “Përmallime”, “Stina me një
krah”, “Në sy një mal” dhe “Dritare e burgut tim” - të gjitha në vargje, si dhe
disa vepra të tjera në gjini dhe zhanre të ndryshme.
Shkrimtari
Hajro Ulqinaku (1938) shumë vjet
jetoi në Prishtinë, kurse në vitet e fundit është pak atje - pak në Ulqin. Ka
publikuar rreth 25 libra, më së shumti prozë për fëmijë, që janë botuar në
Prishtinë, Tiranë, Shkup dhe Podgoricë. Disa nga librat e tij janë: “Fëmijët e
detit”, “Margaritarët e zez”, “Çelsi i artë”, ”Mbrëmje pulëbardhash”, “ Ani,
Beni, ani”, “Panorama e detit”, “Ligji i detit”, “Pulëbardhat në antenë”, “ Mos
qaj Kestrina”, “Gjiri i shpresës”, “Limani i Qetësisë” etj.…
Ruzhdi Ushaku (Ulqin, 1938), pjesën më të madhe të jetës e ka
kaluar jashtë vendlindjes, kryesisht në Prishtinë ku punoi në Universitet, ka
shkruar, krahas një numri të madh të veprave nga lëmi i gjuhësisë dhe gjuhësisë
historike, edhe ese për letërsinë, kurse këtu po veçojmë librin "Paralele
të ligjërimit poetik" (Prishtinë, 1986).
Autorë shqiptarë
nga Mali i Zi që jetojnë dhe krijojnë në diasporë
Ndue (Nokë) Sinishtaj
(1944), me banim në Lucern të Zvicrës, është autor i disa librave në
poezi: “Mogilat e Kshevës”, “Te vorret e Kshevës”, “Nga
sergjeni i harruar”, “Rekuiem për fshatin tim”, “Në vend të epitafit”, “Syri i
ngujuar”, “Spirale, “Kupa e thyer e heshtjes”, i romanit “Apokalipsi i Pashkut
nga Bjeshkët e Nemuna”, i prozës autobiografike “Rrëfimet e një prifti të
rebeluem…” etj.
Mërgimtari Lulash
Palushaj (1944), me banim në SHBA, ka botuar dy përmbledhje poetike:
“Rrajë të ndame” dhe “Votra ime”, librin publicistiko-historik “Malësia dhe
fiset e saj” në dy pjesë, prozën me elemente memoareske “Oqeani që përpin” dhe
romanin “Malësorja e bjeshkëve tona”.
Jaho Kollari
(1961), i lindur në Ulqin por që tani po ashtu jeton në diasporë, ka botuar një
libër
me poezi “Shtëpia në mes ullinjve” dhe një me tregime
“Terapia”.
Gjithsesi numri i autorëve që u lindën në Malin e Zi, por që
jetojnë dhe krijojnë në vende të tjera
është më i madh sesa që është paraqitur këtu, por ata nuk u
përfshinë në mungesë të të dhënave të
sakta.
Letërsia shqipe në Malin e Zi
Letërsia
shqipe në Malin e Zi tani zhvillohet, kryesisht, në dy qendra (të vogla), në
Ulqin dhe
në
Tuz - Malësi. Ulqini me rrethinë, si qendër urbane dhe turistike, ka një jetë
më të pasur me
ngjarje
kulturore dhe më shumë autorë e botime.
Për
letërsinë shqipe në Malin e Zi më seriozisht mund të flitet vetëm pas vitit
1978, kur filloi të
botohet
revista “Koha”, të cilën, deri në mbylljen e saj, e redaktoi Gjergj Gjokaj.
Revista në fjalë ka dalë çdo dy muaj, gjithsej 54 numra në 11 vjet (1978-1989).
Ajo ka lozur një rol shumë pozitiv për kulturën e shqiptarëve në Malin e Zi, e
sidomos për nxitjen dhe afirmimin e talentëve të rinj në letërsi.
Në
kuadër të bibliotekës së kësaj reviste u botuan edhe disa vepra letrare të
shkrimtarëve shqiptarë të këtyre anëve. Në “Kohë”, nga numri në numër janë
botuar edhe përkthime nga letërsitë e huaja, sidomos nga ajo malazeze.
Gjergj Gjokaj (1926-1997) nuk ka botuar
kurrë vargje të vetat në revistën që e redaktoi, mirëpo,
pas
vdekjes së tij, miqtë dhe të afërmit i mblodhën vjershat që ai i kishte shkruar
dhe i botuan me
titullin
“Ma shembët folenë” (Illyricum, Tuz, 2000). Me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së tij, Shoqata "Illyricumi"
nga Tuzi botoi librin "Gjergj Gjokaj - Një jetë dhuruar Malësisë"
(2007).
Pater Vinçenc Malaj (1926-2000), që
doktoroi në Universitetin e Romës dhe është autor i studimit “Kuvendi i Arbrit
1703”, ka shkruar gjatë jetës, në fshehtësinë e mureve të dhomës françeskane
edhe vargje të ndjeshme, të cilat u përgatitën dhe u botuan nga Misioni
françeskan në Tuz me titullin “Papërdhokë e gurë faqokë” (2010), në
dhjetëvjetorin e vdekjes së autorit.
Asllan Bisha (1945) i mbetet besnik
prozës. Bisha ka botuar disa libra me tregime për të rritur
dhe
për fëmijë. Veprat e tij më të njohura janë: “Valët e detit”, “Net peshkimi”,
“Nusja e detarit”,
“Dasma e peshqve”, romani “Dashuri te palma” etj.
Ibrahim Berjashi (1948) përveç se
merret me gazetari, kohë pas kohe publikon edhe vepra
letrare
për fëmijë dhe për të rritur. Deri tani ka botuar librat : “Lule prej guri”, “E
tej Malësi e det”, “Veloret e bardha” – poezi për fëmijë, “Lundra e humbur”
–tregime dhe novela për fëmijë, “Orët e vetmisë”, “Floçka e liqenit” – tregime,
etj. Berjashi është edhe autori i një përzgjedhjeje të poezisë së autorëve
shqiptarë nga Mali i Zi, “Dritaren lëre hapur”.
Ndër
shkrimtarët nga Malësia dallohet pa dyshim prozatori Fran Camaj (1949), i cili brenda vetëm disa vitesh botoi katër
romane, : “Rruga e pamëshirshme”, “Dashuri e dhunuar”, “Mëshira e pamëshirshme”
dhe “Dosja e tmerrit”, si dhe librin publicistiko-eseistik “Kohët flasin”.
Romanet e F. Camajt u pritën mirë nga lexuesit, por edhe nga kritika. Kjo
tetralogji romanore mund të konsiderohet si Saga e Malësisë dhe kronikë e
historisë emocionale dhe psikologjike, por edhe e realiteteve politike në
Malësinë e Madhe në shekullin XX, realizuar me metodën shkrimore kryesisht
realiste.
Liriku
Haxhi Shabani (1963) ka tërhequr
vëmendjen e lexuesve dhe të kritikës me përmbledhjet poetike: “Të kërkoj”,
“Natë e portokalltë” dhe sidomos me “Jam ai që nuk jam” (Ulqin, 2010). Në vitin
2008 ai botoi edhe studimin interesant nga fusha e gjuhësisë “Rrezikimi i
gjuhës
shqipe”.
Anton Gjuravçaj shkruan poezi dhe
prozë. shtë autor i përmbledhjes “Baladë vertikale” dhe
i
librit me tregime “Memento”, që i është botuar edhe në gjuhën malazeze. Në
vitin 2009, në Tiranë doli nga radhonjtë romani i tij i parë “Vdekja e valëve”.
Anton Gojçaj (1966) deri tani ka botuar
librat: “Poezi”, “Qengj i harruar natën në mal” - tregime, “Passio” – roman,
“Tema e heroit nacional në letërsi” – ese, “Fakticiteti në letërsi” – studim,
“Shija e librit” – recensione, interpretime, ese, “Ndërmjet kapakëve” – që është
një ribotim i zgjeruar i librit me tregime të vitit 2003, si dhe librit me
vështrime dhe recensione “Biblioteka e Hirushes”. Në SHBA i është botuar një
vëllim poetik në gjuhën angleze.
Tre
vëllime me poezi ka botuar poeti anamalas, Hajredin
Kovaçi (1960): “Ecje pa mbarim”, “Fundi është larg” dhe “Vrasja e frikës”.
Pater
Pashko Gojçaj (1955) ka botuar dy
përmbledhje në gjuhën shqipe: “Sytë e shejtneshës” (2003) dhe “Takimi i kohëve”
(2009). Para shumë vitesh, librin eparë poetic e ka botuar në gjuhën kroate me
titullin “Zvonici i sjene” (“Kupanjelat dhe hijet”).
Dy
libra ka botuar edhe poetja nga Ulqini, Lumnije
Hoxha: “Shtegu i vashës” dhe “Shpirt i rrebeluar”.
Enver Mollabeqiri ka botuar disa
romane: “Fluturimi i shqiponjave”, Hijet e vdekjes”, “Një
ditë
pranvere” (Ulqin, 2006) etj.
Vepra
në gjuhën shqipe, nga Ulqini me rrethinë, botuan edhe Naim e Sami Flamuri (një
lloj
autobiografie e letrarizuar me titullin “Koha e shegës”, 2008 dhe libri “E
përjetshme është
Shqipëria”),
pastaj Rrezarta Duraku, Suzana Llolla, Zhaklina Zadrima, Senada Veliqi, Shaban
Osmanaj,
Sutki Malohoxhiqi etj.
Ali Gjeçbritaj
është një autor që jeton dhe krijon në Krajë, i cili në vitin 2009 ka botuar
përmbledhjne e poezisë me titull “Motet”. Në
Krajë, më 2011, u botua edhe një vëllim i përbashkët, "Valët e
trazuara", i katër poeteve-nxënëse: Esmeralda Lekperaj, Jasmina
Gjençiqi, Medina Cura dhe Teuta Gjeçbritaj.
Ndërkaq,
në territorin e Malësisë së Madhe viteve të fundit po ashtu kemi gjallëri në
fushën
e
botimeve shqipe. Disa nga autorët e kësaj treve veprat e veta i botuan në Tuz,
ngjashëm me autorët nga viset bregdetare që veprat e veta i botuan në Ulqin, e
disa prapë në qendrat e tjera shqiptare, qoftë në Prishtinë, qoftë në Shkodër a
Tiranë.
Rrok Gjolaj për
shembull përmbledhjen “Kulla ime” e botoi në Shkodër, kurse Rrok Berishaj
librin poetik “në mes të ditës” e botoi në Tuz.
Nikollë Berishaj
(1958) vëllimin e tij poetik “Sub rosa dictum”, e botoi në Tuz. Përveç kësaj N.
Berishaj është edhe përkthyes i letërsisë nga sllovenishtja dhe gjuha malazeze
në shqip dhe anasjelltas. Ka përkthyer në sllovenisht “Prillin e thyer” të I.
Kadaresë, në shqip romanin “Asgjë s’është ajo që duket se është” të shkrimtarit
malazias B. Brkoviq, ka përkthyer dhe përgatitur për shtyp një antologji të
poezisë sllovene (botuar në Tiranë 2008) etj. Ai e hartoi edhe fjalorin e pare
dhe të vetëm sllovenisht-shqip, i cili ka përjetuar dy botime, një në Lubjanë
dhe tjetrin në Tiranë.
Një përmbledhje me poezi, “Lama e Doklit”, e ka botuar, në
Tiranë, politikani poet Ferhat
Dinosha.
Dimitrov Popoviq,
i lindur në Shqipëri por që aktualisht jeton në Malin e Zi, përndryshe me
përkatësi etnike jo-shqiptare, ka botuar dy libra në gjuhën
shqipe, vëllimin poetik “Përtej shpresës” si dhe përmbledhjen me vështrime mbi
disa vepra letrare shqipe në Malin e Zi “Një shtrëngim dore” (Podgoricë, 2008),
projekt ky i veçantë në llojin e vet, deri tani, në këto treva.
Tri botime me
shumë interes ka nxjerrë Art Clubi i Ulqinit: përmbledhja e disa krijimeve të
autorëve pjesëmarrës të Kalimerës poetike që zhvillohet çdo vit në Ulqin, me
titullin "Autobiografia" (2008), libri me studime për autorët e ftuar
në Kalimerë, me titullin "Orët letrare universitare" (2009) dhe
librin me ese të shkrimtarëve dhe vlerësime për piktorët "Fjala e
shkrimtarit - Brusha e piktorit" (2010).
Libra të posaçëm me
vjersha kanë botuar edhe Gjelosh Junçaj, Atë Kolë Berishaj, Valentina
Gorvokaj, Shqipe Dushaj, Liridona Sinishtaj etj. Kurse libra në prozë kanë
publikuar edhe Pjetër Gjokaj, Martin Bojaj, Kolë Ujk Gali, Martin Kolë
Pjetrushi Dedvukaj etj.
Viteve të fundit është e pranishme dukuria e botimit të
librave të ndryshëm, në vargje dhe në
prozë, e disa autorëve me kapacitete krijuese tepër modeste,
kështu që ata nuk mund të ishin objekt i këtij vështrimi.
PËRFUNDIM
Letërsia shqipe në Malin e Zi sado që zhvillohet në
margjinat e kulturës kombëtare shqiptare dhe
po ashtu edhe të kulturave në shtetin e Malit të Zi, jep
fryte, gati si një dukuri subkulturore sui
generis.
Janë botuar dhjetëra përmbledhje të poezisë, libra me
tregime, novela, romane, vepra për të
rritur dhe për fëmijë, madje edhe recensione dhe studime
letrare, pothuaj të gjitha në gjysmën e
dytë të shekullit XX dhe në decenien e parë të këtij shekulli.
Kjo është një letërsi e gjallë, e cila zhvillohet dhe pasurohet me vepra të
reja nga dita në ditë. Natyrisht që një shkrim si ky nuk është shterues, por
mund të shërbejë si një pikë-orientimi dhe nxitje për studime sistematike më të
kompletuara në diakroni dhe analiza më të thella në sinkroni.
Herë pas here autorët nga këto troje botojnë edhe libra me
vlera të konsiderueshme letrare.
Prandaj, megjithëse kjo letërsi zhvillohet në cep të
hapësirës shqipfolëse, cilësia e saj nuk duhet
të nënvlerësohet. Autorët në fjalë nuk janë vetëm epigonë të
autorëve të mëdhenj, as vetëm relikte ekzotike të një kulture (minoritare) në
shuarje, por në mesin e tyre ka edhe krijues të cilët njohësit e artit i
vlerësojnë për burimësinë dhe kontributin ideor dhe estetik që japin. Përveç R.
Qosjes, M. Krajës, B. Çapriqit, A. Berishajt, Hajro Ulqinakut etj., që jetojnë
në Kosovë dhe janë të njohur në nivelin mbarëkombëtar, edhe disa autorë me
banim të përhershëm në Malin e Zi, si p.sh. I. Berjashi. F. Camaj, H. Shabani,
A. Bisha, A. Gjuravçaj etj., janë të rëndësishëm me krijimtarinë e vet.
[3] U lanë jashtë emra të njohur, autorë të shumë librave nga fushat humanitare, por krijimtaria e tyre nuk bën pjesë as në
artin e letërsisë as në shkencën për letërsinë, si p.sh.
dr. Atanas Gegaj (histori), dr. Anton K. Berishaj (sociologji), dr. Martin Berishaj (politikologji), Dritan Abazoviqit (politikologji) etj.Po ashtu, nuk i
përfshimë as librat publicistikë të
Gjekë Gjonajt, dr. Nail Dragës, dr. Hajrullah Koliqit, dr .Fran Ivezajt etj.,
për çka nuk jemi krejtësisht të sigurt se kemi vepruar drejt.