UDHËZIME PËR HARTIMIN E PUNIMIT SHKENCOR- DHE DIÇKA MË SHUMË
(GJOVALIN SHKURTAJ, Si të
shkruajmë shqip, Baza të shkrimit akademik, Botimet Morava, Tiranë, 2013)
Nga ANTON GOJÇAJ
Gjovalin Shkurtaj
përfaqëson një penë të stërvitur në shkrime të natyrës shkencore-teorike. Ai ka
një karrierë të gjatë dhe të pasur si pedagog universitar, rrjedhimisht edhe
eksperiencën e nevojshme si mentor i kandidatëve për grada shkencore, apo si anëtar
i komisioneve të doktoraturës. Ai është autor i librave shkencorë në disa
disiplina albanologjike: në dialektologji, sociolinguistikë, etnolinguistikë,
onomastikë, kulturë të gjuhës. Ka marrë pjesë në shumë kongrese dhe konferenca
shkencore në Shqipëri dhe jashtë dhe ka publikuar qindra artikuj studimorë në
revista të ndryshme shkencore. Përveç në Shqipëri, ka ligjëruar, si profesor i
ftuar, në universitetet e Romës, Bolonjës, Palermos, Kozencës, Selanikut etj.
Libri “Si të shkruajmë shqip, Baza të shkrimit akademik” bën pjesë në
literaturën (ndihmëse, udhëzuese) për zotërimin e të shkruarit akademik mbi
parime të qarta metodologjike, që vitet e fundit vjen vazhdimisht duke u
pasuruar edhe te ne, qoftë përmes përkthimeve, qoftë nga vepra të autorëve shqiptarë.
Teksti përçon mesazhin se hartimi i punimit shkencor, siç kërkon njohjen e mirë
të problematikës që trajton, parasupozon edhe stilin e lartë të teknikës së
hartimit të punimit shkencor. Të shkruarit akademik është mjeshtri ose “zanat”
i cili përveç kërkesave të përgjithshme ka edhe kërkesa specifike por – mund të
mësohet. Në libër përshkruhen të gjitha etapat e shkrimit shkencor, që nga
zgjedhja e temës, kërkimi dhe gjetja e dokumenteve (burimeve) dhe i literaturës
dytësore, si punohen skedat dhe çfarë janë skedarët, e në mënyrë të veçantë
hidhet dritë mbi vetë procesin e hartimit dhe redaktimin e punimit shkencor.
Teksti mund të kuptohet si doracak i të shkruarit akademik, por edhe më shumë
se kaq. Autori ofron informacion mbi mënyrën e hartimit të punimit shkencor,
tezës së doktoraturës ose monografisë, që nga ideimi i projektit e deri te
realizimi. Përshkruhen edhe elemente të procedures akademike, për shembull për
mbrojtjen e doktoraturës, për dorëzimin e punimit të strukturuar sipas
metodologjisë përkatëse, për recensionet e komisionit dhe të oponencës, që nuk
është e thënë të jenë krejtësisht të njëjta me ato që jepen këtu, në të gjitha
vendet dhe kohët. Në disa krerë apo kapituj autori largohet nga tema e ngushtë
dhe bën disa sqarime lidhur me nevojën e njohjes dhe të respektimit të normave
drejtshkrimore, që në nivele akademike, logjikisht, do të duhej të ishin “të
tepërta” (të vetëkuptueshme), por që, pa dyshim, si pedagog universitar me
eksperiencë, e ka parë me rrugë t’i trajtojë edhe në këtë tekst. Format e
komunikimit profesional si: letra, kartëvizita, kartolina, pusulla, telegramet,
kumtesa për shtyp, procesverbali, Curriculum vitae, madje edhe nekrologu etj,
në shikim të parë nuk shkojnë medoemos me epitetin akademik, por është e
rëndësishme që një punëtor akademik të njohë standardet formale edhe të tyre.
Autori jep këshilla dhe modele të dobishme për secilin prej tyre. Janë këshilla
të vockla por të rëndësishme për akademikët e ardhshëm, që do t’ua bëjnë më të
lehtë kryerjen e detyrave në pajtim me etiketën që kërkojnë gradat shkencore
akademike. Vlerat e librit i shton fjalësi i fjalëve të huaja, të cilat mund të
zëvendësohen nga fjalë të përshtatshme shqipe, që është dhënë si aneks në fund.
Shkurtaj është pastrues i vyeshëm i fjalëve të huaja të panevojshme. Këtë tekst
është mirë ta lexojë çdo autor me ambicie shkencore dhe akademike. Fakti që ky
është botimi i tretë i tij, flet se shumë vetë e kanë kuptuar këtë gjë.
(nga revista MALËSIA Nr.
11 / 2016)