PREZANTIM
BOTIM
KAPITAL ME ELEMENTE ENCIKLOPEDIKE
(Monografia e Argjipeshkvisë
së Tivarit, grup autorësh, botoi: Argjipeshkvia e Tivarit,
Tivar 2017)
Nga ANTON GOJÇAJ
Argjipeshkvia e Tivarit është
institucioni më i vjetër ende funksional në territorin e shtetit të sotëm të Malit
të Zi. Monografia në fjalë nuk është e para që i kushtohet kësaj argjipeshkvie,
por është gjithsesi më autentikja dhe - institucionale.
Libri bën prezantimin e dekanatëve
dhe famullive të dioqezës dhe është rezultat i punës ekipore të famullitarëve
të Argjipeshkvisë, ku secili prej tyre e ka hartuar shkrimin mbi famullinë e
vet, që si e tillë provokon ta quajmë “auto-monografi”.
Libri hapet me artikullin e Imzot
Zef Gashi, një sintezë historike e thuktë e Argjipeshkvisë së Tivarit, për të vazhduar
me regjistrin e argjipeshkvinjve, e më
pastaj me portretet (me tekst dhe figurë) të argjipeshkvinjve nga viti 1855 e
deri më sot.
Autorët nuk janë shkencëtarë me
vokacion dhe vërehen aty-këtu inkonsekuenca metodologjike, sidomos në diskursin
(disa të paktë respektojnë kriteret shkencore, japin referencat, shënimet për burimet dhe për literaturën – dallohen sidomos
artikujt e don Nosh Gjolajt, pastaj të dom Fran Markiqit, Ivan S. Vukçeviqit, fra Mirash Marinajt, m.
Estera Radiçeviqit, Pater Pashko Gojçajt tj., kurse autorët/famullitarët e
tjerë kanë hartuar artikuj të karakterit kryesisht informativ mbi gjendjen
aktuale dhe historikun e famullive veç e veç, si dhe për objektet kishtare që
gjenden aty, duke sjellë të dhëna statistikore dhe të kronotaksës, si njëfarë
skematizimi i kishës katolike në këtë trevë), si psh. dom Simon Filipaj II, P. Fran Dushaj, dom
Simo Lulaj.
Në aspektin e gjuhës disa artikuj janë hartuar gegnisht,
e disa të tjerë në gjuhën standarde..
Vlerë e veçantë e këtij libri është kujdesi
që tegojnë autorët në raport me atë që thonë, të bazuarit në fakte të thata dhe
të verifikueshme - e jo për të kënaqur, pa argumente shkencore, pritjet e
dëshirueshme të cilësdo ideologji.
Botimi në radhë të parë ka rëndësi për
historinë e kishës, mirëpo, megjithëse ka ndonjë përpjekje për të trajtuar edhe
fillimet e krishterimit në këtë trevë, dominojnë informacione për dy-tre
shekujt e fundit. Fokusimi në shtresën pastorale e kishtare, megjithatë, nuk e shlyen
tërësisht rëndësinë e shtresave të tjera : kulturore-botuese, historike, demografike,
linguistike, sociale, politike etj. Monografia ka elemente të një enciklopedie sui generis.
Përshtypjen e leximit e dëmton fakti
se në libër ka tepër shumë gabime teknike, drejtshkrimore dhe të tjera, që me
një redaktim më serioz gjuhësor kanë mundur – dhe është dashur – të evitohen.
Sepse bëhet fjalë për një projekt me të vërtetë kapital, pas të cilit rri një
institucion mijëvjeçar, me peshë të madhe historike e kulturore – Argjipeshkvia
e Tivarit
Libri ka rreth 550 faqe dhe është i
ilustruar me shumë fotografi, të kishave të vjetra e të reja të Argjipeshkvisë,
si dhe të meshtarëve, motrave rregulltare dhe argjipeshkvinjve që përfaqësuan
dhe përfaqësojnë kishën e gjallë në këtë dioqezë.
Koha javore 21 nëntor 2019 |