DISA TË DHËNA PËR LETËRSINË SHQIPE NË MALIN E ZI




DISA TË DHËNA PËR LETËRSINË SHQIPE NË MALIN E ZI
- Degë që kapërcen gardhin -

ANTON GOJÇAJ


Letërsia shqipe në Malin e Zi zhvillohet në margjinat e letërsisë së gjithëmbarshme shqipe, degë e pandashme e së cilës, në kuptimin e traditës kulturore dhe gjuhës, është. Po ashtu, ajo mbijeton në margjinat e jetës kulturore në Republikën e Malit të Zi, në hijen e plotë të krijimtarisë në gjuhët sllave.
Vështrimet me karakter përgjithësues kërkojnë që për arsye pragmatike nganjëherë të anashkalohet e vërteta e pakontestueshme se çdo shkrimtar përfaqëson në radhë të parë vet-veten, mirëpo është e qartë se edhe veprat letrare funksionojnë në sisteme të caktuara letrare e kulturore, rrjedhimisht edhe shoqërore.

Mini-shteti në brigjet e Adriatikut, Mali i Zi, sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, ka 625.266 banorë, ndërsa komuniteti i shqiptarëve (si nënshtetas - autoktonë, në trevat përgjatë brezit kufitar me Republikën e Shqipërisë), kap 30.439 banorë, ose 4,91% i numrit të përgjithshëm të banorëve të Malit të Zi. Dukuria e shpërnguljes së shqiptarëve të këtyre viseve në shtetet perëndimore, kryesisht në SHBA, Gjermani etj. ka ndikuar që ky numër të mos rritet më ndjeshëm, kurse në regjistrimin e fundit ky grup njerëzish (mjaft i madh në raport me ata që vazhdojnë të jetojnë në trojet stërgjyshore) nuk është përfshirë në rezultatet finale të regjistrimit.   Faktikisht, shqiptarët e këtyre trojeve qytetarë të shtetit malazias (gjegjësisht të Jugosllavisë), janë përafërsisht një shekull. Pasi që në periudhën 1945-1990 ishin ndërprerë pothuaj të gjitha lidhjet kulturore me shtetin amë, mendoj se mund të thuhet se letërsisë shqipe në këto vise iu ndërtuan rrethanat dhe kushtet për të lëshuar shtat edhe si letërsi paranacionale (në kuptimin që këtij termi i jep studiuesi sllovak Dionyz Durišin, me të cilin ai emërton letërsitë e minoriteteve, si p.sh. letërsinë sllovake në territorin e (ish-) Jugosllavisë, atë hungareze në Çeko-Sllovaki, Rumani etj.)[1], njësoj siç i plotëson edhe letërsia shqipe në Kosovë, letërsia shqipe në Maqedoni etj. Kjo nuk bëhet assesi me objektivin për ta “amputuar”, ndarë apo larguar nga “korpusi” i letërsisë (unike) shqipe, sepse kriteret gjuhësore, etnike dhe historiko-kulturore e lidhin pashkëputshmërisht me të, por tërheq vërejtjen për disa veçanti të saj specifike, objektive. Ka edhe mendime se në kuadrin e letërsisë nacionale duhet të përfshihet vetëm ajo letërsi që është shkruar në një gjuhë dhe brenda kufijve bashkëkohorë të një shteti të caktuar nacional.[2]

Parimi administrativ, domethënë përkatësia një shteti apo shteteve të ndryshme, nuk është një
kategori letrare e estetike, mirëpo nuk mund të thuhet as që nuk ka, absolutisht, kurrfarë ndikimi.
Përveç brumit etnik shqiptar që ka mbijetuar edhe falë lidhjeve me Kosovën dhe letërsinë e
saj, në Malin e Zi rrethanat objektive kushtëzojnë edhe raporte të caktuara të letërsisë shqipe me
letërsinë malazeze por edhe të popujve të tjerë sllavë të jugut, ku shkëmbimet ndërkulturore,
natyrisht, janë gjithmonë deficitare për letërsinë shqipe. Domethënë në Malin e Zi ka rrethana që i shkojnë në favor ndikimit të letërsisë malazeze dhe letërsive sllave mbi letërsinë shqipe, por jo edhe anasjelltas. Mendoj se mund të thuhet se letërsia shqipe që shkruhet në Malin e Zi e begaton
qoftë edhe në përmasa minimale fondin e letërsisë (së përgjithshme) shqipe, e gjithashtu edhe spektrin e kulturave aktive në shtetin e Malit të Zi.

Si çdo shkrim mbi letërsinë, qoftë edhe i natyrës më tepër panoramike e informative, edhe ky
imponoi përcaktimin për një strategji të caktuar metodologjike. Kriteret vendimtare që i ndanë
veprat që u përfshinë nga ato të tjerat është gjuha në të cilën shkruajnë autorët, si dhe hapësira
gjeografike dhe politiko-administrative ku ata u lindën dhe krijuan (krijojnë). Pra, nëse disa autorë shkruan në një gjuhë tjetër, pa marrë para sysh vlerat ideo-estetike të opusit të tyre, madje edhe origjinën shqiptare (Zuvdija Hoxhiq, Zef Bato Dedivanoviq, Katarina Ulaj-Lucaj etj.), ata mbetën jashtë interesimit tonë, kurse në anën tjetër përmenden edhe disa autorë që shkruan vepra me vlera relativisht “modeste” letrare por që shkruan shqip. Prandaj këtu hyri edhe emri i një autori me përkatësi kombëtare jo-shqiptare, që shkruan shqip (i cili nuk bën pjesë ndër autorët modestë). Kjo është edhe arsyeja kryesore pse u përzgjodh togfjalëshi “letërsi shqipe” dhe jo “letërsi shqiptare”. Një problem të veçantë ishte a të përfshihen emrat e disa autorëve të cilët nuk kanë lindur dhe as nuk jetojnë vetë në Malin e Zi, por prindërit e të cilëve janë nga këto treva, si p.sh. Mimoza Ahmeti, Kolec Traboini e ndonjë tjetër? Pas një reflektimi delikat vendosa të mos i  përfshij në këtë korpus, megjithëse nuk jam aspak i sigurt në drejtësinë e këtij vendimi.
Përmendja apo mospërmendja e emrit të një krijuesi (apo disa…)  nuk është në funksion  vlerësimi apo mosvlerësimi për veprat e tij (tyre), por vetëm një tip “katalogizimi” i kësaj letërsie.[3]   

Libri i parë shqip, sipas disa studiuesve, “Meshari” (1555) i don Gjon Buzukut, ka gjasa të jetë shkruar (dhe botuar?) mu diku në hapësirën e Ulqinit, Tivarit, apo në afërsi. Deri te libri tjetër shqip, pas “Mesharit”, në këto treva është dashur të pritet më se 400 vjet. Prandaj është me interes fakti se përkthimi i parë integral i Biblës (Besëlidhja e Vjetër dhe e Re) në gjuhën shqipe u realizua pikërisht në Malin e Zi (dhe u botua në Kosovë), në fund të shekullit të kaluar, falë veprimtarisë shumëvjeçare të dom Simon Filipajt, në një fshat afër Ulqinit. Në Ulqin ka jetuar Hafiz Ali Ulqinaku (shek. XIX), që ka kultivuar të ashtuquajturën traditë të bejtexhinjve, që shkruan shqip – duke përdorur shumë orientalizma dhe alfabetin arab. Me studimin e autorëve të këtij orientimi letrar/kulturor, që nuk ka arritur të luajë një rol më të rëndësishëm në kulturën shqiptare, është marrë Sutki Malohoxhiqi, i cili mbi këtë temë ka botuar librin “Bejtexhinjtë e Ulqinit”.


Letërsia gojore


Derisa heshti e shkruara, lulëzoi letërsia gojore. Letërsia gojore (popullore) e shqiptarëve në Malin e Zi është e pasur në zhanre, në gjini, në tematikë, mjete poetike etj. Ajo është pjesë përbërëse e letërsisë gojore shqiptare. Mbledhja sistematike e kësaj krijimtarie ka filluar relativisht vonë, kurse vetë shqiptarët e këtyre anëve me këtë aktivitet kanë nisur të merren veç nga gjysma e dytë e shek. XX. Për vjeljen e zellshme të materialeve të folklorit në këto treva u dalluan: dr. fra Vinçenc Malaj, dom Simon Filipaj, mr. Ismail Doda, mr. Ali M. Ahmeti, P. Zef Jankaj, P. Kolë Berishaj, Idriz Ulaj, dr. Bahri Brisku, Hajro Ulqinaku dhe shumë të tjerë. Disa kanë shkruar temat e magjistraturës, disa mbase edhe kanë doktoruar mbi këtë lëmë.
Libra studimorë kanë shkruar: Mr. Ali M. Ahmeti, “Vajtimet dhe gjëmat shqiptare në Plavë dhe
Guci” (Podgoricë, 1986) dhe “Letërsia gojore e Krahinës së Plavës dhe të Gucisë” (Prishtinë,
2004); dr. Pjetër Gjuravçaj, “Malësia në këngën popullore lirike dhe epike”, (botuar në gjuhën
malazeze, Podgoricë, 2001); Gjergj Gjuravçaj “Proza popullore e Malësisë së Mbishkodrës”
(Shkup, 2003); Idriz Ulaj “Këngë popullore nga Gucia” (Prishtinë, 1978); Hasan I. Gjonbalaj “Këngët historike në krahinën e Plavës dhe Gucisë” (1996) etj.

Libri “Malësori këndon” i përgatitur nga Gjergj Hasanaj, botuar në Cetinë më 1971, një
përmledhje mjaft vëllimore e këngëve popullore, vajtimeve dhe gjamëve, paraqet një thesar të
vërtetë, me vlera enciklopedike, të krijimtarisë popullore në Malësinë e Madhe. Në vitet e fundit,
dolën edhe disa botime interesante, sidomos ato të Pater Zef Jankajt “Krijimtari gojore” (2007), Mirash Gojçajt “Thesari i Malësisë” (2006) etj., që gjithsesi e pasurojnë këtë degë të letërsisë.
Në studimin (dhe vjeljen) e krijimtarisë gojore të viseve bregdetare, që është po ashtu mjaft e pasur dhe e larmishme, u dalluan veçanërisht dr. Bahri Brisku, “Deti dhe detarët në letërsinë popullore shqiptare” (2006), pastaj Hajro Ulqinaku, “Thesar popullor” (2004) etj.


Shkrimtarët shqiptarë nga Mali i Zi


Ngjashëm si në Kosovë, librat e parë në gjuhën shqipe në Malin e Zi u botuan pas Luftës së Dytë
Botërore. Madje, disa nga autorët më të dalluar të letërsisë shqipe në Kosovë, u lindën në Malin
e Zi.

Esad Mekuli (1916-1993), i njohur edhe me pseudonimin Sat Nokshiqi, pionieri i letërsisë
shqipe në Kosovë, themelues i revistës më të njohur për letërsi në Kosovë, “Jeta e re”, në faqet e së cilës i botuan punimet e para pothuaj të gjithë shkrimtarët e njohur të Kosovës, është i lindur
në fshatin Nokshiq afër Plavës. E. Mekuli vargjet e para i ka shkruar dhe botuar në periodikun e
kohës në gjuhën serbe, por më pastaj ka shkruar shqip. Librat e tij më të njohur janë: “Për ty”, “Dita e re”, “Avsha ada”, “Vjersha”, “Brigjet”, “Drita që nuk shuhet”. Vargjet e tij janë përkthyer në gjuhët e të gjitha kombeve të ish Jugosllavisë, si dhe në shumë gjuhë të tjera.

Nga e njëjta trevë është edhe kritiku i parë i mirëfilltë i letërsisë në Kosovë, Hasan Mekuli (1929-1996), njeriu që megjithëse nuk botoi për së gjalli ndonjë libër të veçantë autorial, në periodikun e kohës ka publikuar më se 600 njësi bibliografike, kryesisht recensione, vështrime kritike, studime letrare, por edhe poezi dhe përkthime letrare. Pas vdekjes, në vitin 2000, në Prishtinë iu botua libri “Romani shqiptar – Kritika dhe vështrime”.

Duhet përmendur se edhe më heret, mbase qysh në kapërcyellin e shekujve XIX-XX paraqiten
disa poetë malësorë, si p.sh. bashkëluftëtari i Ded’ Gjon Lulit, publicisti dhe mësuesi Palok Traboini (1888-1951), autor i poemës “Lufta e maleve” (shkruar në Prizren më 1911 dhe publikuar vetëm 84 vjet më vonë, falë angazhimit të të birit të tij, gjithashtu poet, madje mjaft produktiv e i talentuar, Kolec Traboinit), pastaj Martin dhe Mirash Ivanaj, që po ashtu në gjysmën e parë të shekullit të kaluar shkruan vargje (në gjuhën serbe, por para disa vitesh janë përkthyer dhe botuar shqip, në Tiranë, e pastaj edhe në Tuz në përkthimin e Pjetër Dreshajt), shkrimtari dhe publicisti Nikollë Ivanaj (“Lulet e pasosme”, Tiranë 1944).
Pas tyre në kohë vjen Nol Berisha (1923-1997), i lindur në Grudë, i cili gjithashtu gati gjithë jetën e kaloi në Ferizaj, Kosovë. Nol Berisha është autor i librave: “Lyra e vjeshtës”, “Thjeshtësi”, “Fije që lidhin kohë” , “Si ka mësuar Frani të lexojë”, “Shtëpiza në blerim”, “Legjenda e vaut” etj.

Personaliteti i njohur i jetës kulturore (dhe politike) në Kosovë, romansieri, tregimtari, kritiku dhe historiani i letërsisë, polemisti dhe publicisti, akademik Rexhep Qosja (1936) është lindur po ashtu në Vuthaj afër Plavës. Vepra e tij më e njohur letrare-artistike, që është përkthyer në disa gjuhë, është romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, pas të cilit ka shkruar edhe disa romane “Dashuri dhe shtatë faje” (Tiranë, 2003), “Bijtë e askujt” (Prishtinë, 2010) etj. Qosja është prodhimtar edhe në gjininë e dramës (“Sfinga e gjallë” etj). Ai është autor i studimit kapital historiko-letrar “Historia e letërsisë shqipe – Romantizmi I,II,III”, i studimit kritiko-historiko-letrar “Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne”, si dhe i dhjetëra librave të tjerë. Rexhep Qosja është një figurë markante e kritikës letrare shqipe në Kosovë dhe e kulturës shqiptare në përgjithësi.

Idriz Ulaj (1942) është një autor tjetër i lindur në Vuthaj, e që tani jeton në Prishtinë. Ai është autor i përmbledhjeve poetike “Prizma” dhe “Edhe një orë dritë”, si dhe i librit me materiale folklorike, të përmendur më lart.

Ali M. Ahmeti (1944-1990) përveç se studioi folklorin shkroi edhe poezi, por librat e tij me
poezi “Kur dritat fiken” (Ulqin 1995) dhe vëllimet “Vargu alfabetik”, “Rritem me vendlindjen”, “Dhe vazhdoj…” (Prishtinë, 2006) u botuan të gjithë pas vdekjes së parakohshme, aksidentale, të autorit.

Ali Llunji (1939) ka botuar dramën “Lugu i Xhemiles”, por shkruan edhe prozë për fëmijë,
monografi etj.

Mehmet Kraja (Krajë, 1952) është ndër penat më të spikatura të publicistikës në Kosovë. Kraja mbi 30 vjet jeton në Kosovë (me një pauzë disavjeçare në vitet ‘90, kur jetoi në Tiranë). Ka shkruar disa romane: “Gjurmë në trotuar”, “Moti i madh”, “Udhëzime për kapërcimin e detit”, “Sëmundja e ëndrrave”, “Net bizantine”, “Edhe të çmendurit fluturojnë”, pastaj librat me tregime “Vdekja pa emër”, “Portat e qiellit”, “Njëzet tregime për kohën e shkuar”, disa drama, një libër me vështrime kritike etj. Kraja për krijimtarinë e vet letrare u shpërblye me disa çmime të rëndësishme, në Kosovë dhe në Shqipëri.

Basri Çapriqi (Ulqin, 1960) paraqet pa dyshim njërin ndër emrat më të njohur të poezisë
bashkëkohore shqipe. Ky autor deri më tani ka botuar tetë libra, pesë përmbledhje poetike: “Ulli
me dy mijë unaza”, “Në fund të verës”, “Ma qet gjuhën”, “Frutat bizare”, “Zbutja e gjarpërit”,
pastaj edhe të natyrës kritike/shkencore, prej të cilëve më i njohuri është studimi “Simboli në
letërsi” (Prishtinë, 2005). Vargjet e tij janë përfshirë në shumë antologji të poezisë bashkëkohore
shqipe, tek ne dhe në gjuhë të huaja. Një libër i tij poetik është përkthyer në gjuhën malazeze dhe është botuar në Podgoricë.

Anton Berishaj (1965) librin e vet të parë, përmbledhjen e poezisë “Lule mëngjesi” e botoi në
Podgoricë (1986), kurse në vitin 2006, në Prishtinë, doli nga shtypi libri i tij i dytë, studimi “Retorika dhe letrarësia – Teksti i Bogdanit”. Para pak kohe (2010) në vitrinat e bibliotekave gjeti vend edhe libri i tij i tretë, studimi “Letërsia per-formative” ku trajton probleme teorike e letrare të letërsisë së vjetër shqipe, për të cilin u nderua me Çmimin për librin më të mirë të vitit në fushën e kritikës dhe studimeve letrare, në Kosovë.

Hasan I. Gjonbalaj (1935-2012) u lind në Vuthaj. Ka botuar shumë vepra: “Përmallime”, “Stina me një krah”, “Në sy një mal” dhe “Dritare e burgut tim” - të gjitha në vargje, si dhe disa vepra të tjera në gjini dhe zhanre të ndryshme.

Shkrimtari Hajro Ulqinaku (1938) shumë vjet jetoi në Prishtinë, kurse në vitet e fundit është pak atje - pak në Ulqin. Ka publikuar rreth 25 libra, më së shumti prozë për fëmijë, që janë botuar në Prishtinë, Tiranë, Shkup dhe Podgoricë. Disa nga librat e tij janë: “Fëmijët e detit”, “Margaritarët e zez”, “Çelsi i artë”, ”Mbrëmje pulëbardhash”, “ Ani, Beni, ani”, “Panorama e detit”, “Ligji i detit”, “Pulëbardhat në antenë”, “ Mos qaj Kestrina”, “Gjiri i shpresës”, “Limani i Qetësisë” etj.…

Ruzhdi Ushaku (Ulqin, 1938), pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar jashtë vendlindjes, kryesisht në Prishtinë ku punoi në Universitet, ka shkruar, krahas një numri të madh të veprave nga lëmi i gjuhësisë dhe gjuhësisë historike, edhe ese për letërsinë, kurse këtu po veçojmë librin "Paralele të ligjërimit poetik" (Prishtinë, 1986).


Autorë shqiptarë nga Mali i Zi që jetojnë dhe krijojnë në diasporë


Ndue (Nokë) Sinishtaj (1944), me banim në Lucern të Zvicrës, është autor i disa librave në
poezi: “Mogilat e Kshevës”, “Te vorret e Kshevës”, “Nga sergjeni i harruar”, “Rekuiem për fshatin tim”, “Në vend të epitafit”, “Syri i ngujuar”, “Spirale, “Kupa e thyer e heshtjes”, i romanit “Apokalipsi i Pashkut nga Bjeshkët e Nemuna”, i prozës autobiografike “Rrëfimet e një prifti të rebeluem…” etj.

Mërgimtari Lulash Palushaj (1944), me banim në SHBA, ka botuar dy përmbledhje poetike:
“Rrajë të ndame” dhe “Votra ime”,  librin publicistiko-historik “Malësia dhe fiset e saj” në dy pjesë, prozën me elemente memoareske “Oqeani që përpin” dhe romanin “Malësorja e bjeshkëve tona”.

Jaho Kollari (1961), i lindur në Ulqin por që tani po ashtu jeton në diasporë, ka botuar një libër
me poezi “Shtëpia në mes ullinjve” dhe një me tregime “Terapia”.

Gjithsesi numri i autorëve që u lindën në Malin e Zi, por që jetojnë dhe krijojnë në vende të tjera
është më i madh sesa që është paraqitur këtu, por ata nuk u përfshinë në mungesë të të dhënave të
sakta.



Letërsia shqipe në Malin e Zi


Letërsia shqipe në Malin e Zi tani zhvillohet, kryesisht, në dy qendra (të vogla), në Ulqin dhe
në Tuz - Malësi. Ulqini me rrethinë, si qendër urbane dhe turistike, ka një jetë më të pasur me
ngjarje kulturore dhe më shumë autorë e botime.
Për letërsinë shqipe në Malin e Zi më seriozisht mund të flitet vetëm pas vitit 1978, kur filloi të
botohet revista “Koha”, të cilën, deri në mbylljen e saj, e redaktoi Gjergj Gjokaj. Revista në fjalë ka dalë çdo dy muaj, gjithsej 54 numra në 11 vjet (1978-1989). Ajo ka lozur një rol shumë pozitiv për kulturën e shqiptarëve në Malin e Zi, e sidomos për nxitjen dhe afirmimin e talentëve të rinj në letërsi.
Në kuadër të bibliotekës së kësaj reviste u botuan edhe disa vepra letrare të shkrimtarëve shqiptarë të këtyre anëve. Në “Kohë”, nga numri në numër janë botuar edhe përkthime nga letërsitë e huaja, sidomos nga ajo malazeze.

Gjergj Gjokaj (1926-1997) nuk ka botuar kurrë vargje të vetat në revistën që e redaktoi, mirëpo,
pas vdekjes së tij, miqtë dhe të afërmit i mblodhën vjershat që ai i kishte shkruar dhe i botuan me
titullin “Ma shembët folenë” (Illyricum, Tuz, 2000). Me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së tij, Shoqata "Illyricumi" nga Tuzi botoi librin "Gjergj Gjokaj - Një jetë dhuruar Malësisë" (2007).

Pater Vinçenc Malaj (1926-2000), që doktoroi në Universitetin e Romës dhe është autor i studimit “Kuvendi i Arbrit 1703”, ka shkruar gjatë jetës, në fshehtësinë e mureve të dhomës françeskane edhe vargje të ndjeshme, të cilat u përgatitën dhe u botuan nga Misioni françeskan në Tuz me titullin “Papërdhokë e gurë faqokë” (2010), në dhjetëvjetorin e vdekjes së autorit.

Asllan Bisha (1945) i mbetet besnik prozës. Bisha ka botuar disa libra me tregime për të rritur
dhe për fëmijë. Veprat e tij më të njohura janë: “Valët e detit”, “Net peshkimi”, “Nusja e detarit”,
“Dasma e peshqve”, romani “Dashuri te palma” etj.

Ibrahim Berjashi (1948) përveç se merret me gazetari, kohë pas kohe publikon edhe vepra
letrare për fëmijë dhe për të rritur. Deri tani ka botuar librat : “Lule prej guri”, “E tej Malësi e det”, “Veloret e bardha” – poezi për fëmijë, “Lundra e humbur” –tregime dhe novela për fëmijë, “Orët e vetmisë”, “Floçka e liqenit” – tregime, etj. Berjashi është edhe autori i një përzgjedhjeje të poezisë së autorëve shqiptarë nga Mali i Zi, “Dritaren lëre hapur”.

Ndër shkrimtarët nga Malësia dallohet pa dyshim prozatori Fran Camaj (1949), i cili brenda vetëm disa vitesh botoi katër romane, : “Rruga e pamëshirshme”, “Dashuri e dhunuar”, “Mëshira e pamëshirshme” dhe “Dosja e tmerrit”, si dhe librin publicistiko-eseistik “Kohët flasin”. Romanet e F. Camajt u pritën mirë nga lexuesit, por edhe nga kritika. Kjo tetralogji romanore mund të konsiderohet si Saga e Malësisë dhe kronikë e historisë emocionale dhe psikologjike, por edhe e realiteteve politike në Malësinë e Madhe në shekullin XX, realizuar me metodën shkrimore kryesisht realiste.

Liriku Haxhi Shabani (1963) ka tërhequr vëmendjen e lexuesve dhe të kritikës me përmbledhjet poetike: “Të kërkoj”, “Natë e portokalltë” dhe sidomos me “Jam ai që nuk jam” (Ulqin, 2010). Në vitin 2008 ai botoi edhe studimin interesant nga fusha e gjuhësisë “Rrezikimi i
gjuhës shqipe”.

Anton Gjuravçaj shkruan poezi dhe prozë. shtë autor i përmbledhjes “Baladë vertikale” dhe
i librit me tregime “Memento”, që i është botuar edhe në gjuhën malazeze. Në vitin 2009, në Tiranë doli nga radhonjtë romani i tij i parë “Vdekja e valëve”.

Anton Gojçaj (1966) deri tani ka botuar librat: “Poezi”, “Qengj i harruar natën në mal” - tregime, “Passio” – roman, “Tema e heroit nacional në letërsi” – ese, “Fakticiteti në letërsi” – studim, “Shija e librit” – recensione, interpretime, ese, “Ndërmjet kapakëve” – që është një ribotim i zgjeruar i librit me tregime të vitit 2003, si dhe librit me vështrime dhe recensione “Biblioteka e Hirushes”. Në SHBA i është botuar një vëllim poetik në gjuhën angleze. 

Tre vëllime me poezi ka botuar poeti anamalas, Hajredin Kovaçi (1960): “Ecje pa mbarim”, “Fundi është larg” dhe “Vrasja e frikës”.

Pater Pashko Gojçaj (1955) ka botuar dy përmbledhje në gjuhën shqipe: “Sytë e shejtneshës” (2003) dhe “Takimi i kohëve” (2009). Para shumë vitesh, librin eparë poetic e ka botuar në gjuhën kroate me titullin “Zvonici i sjene” (“Kupanjelat dhe hijet”).

Dy libra ka botuar edhe poetja nga Ulqini, Lumnije Hoxha: “Shtegu i vashës” dhe “Shpirt i rrebeluar”.

Enver Mollabeqiri ka botuar disa romane: “Fluturimi i shqiponjave”, Hijet e vdekjes”, “Një
ditë pranvere” (Ulqin, 2006) etj.

Vepra në gjuhën shqipe, nga Ulqini me rrethinë, botuan edhe Naim e Sami Flamuri (një
lloj autobiografie e letrarizuar me titullin “Koha e shegës”, 2008 dhe libri “E përjetshme është
Shqipëria”), pastaj Rrezarta Duraku, Suzana Llolla, Zhaklina Zadrima, Senada Veliqi, Shaban
Osmanaj, Sutki Malohoxhiqi etj.

Ali Gjeçbritaj është një autor që jeton dhe krijon në Krajë, i cili në vitin 2009 ka botuar përmbledhjne e poezisë me titull “Motet”.  Në Krajë, më 2011, u botua edhe një vëllim i përbashkët, "Valët e trazuara", i katër poeteve-nxënëse: Esmeralda Lekperaj, Jasmina Gjençiqi, Medina Cura dhe Teuta Gjeçbritaj.  

Ndërkaq, në territorin e Malësisë së Madhe viteve të fundit po ashtu kemi gjallëri në fushën
e botimeve shqipe. Disa nga autorët e kësaj treve veprat e veta i botuan në Tuz, ngjashëm me autorët nga viset bregdetare që veprat e veta i botuan në Ulqin, e disa prapë në qendrat e tjera shqiptare, qoftë në Prishtinë, qoftë në Shkodër a Tiranë.

Rrok Gjolaj për shembull përmbledhjen “Kulla ime” e botoi në Shkodër, kurse Rrok Berishaj
librin poetik “në mes të ditës” e botoi në Tuz. 
Nikollë Berishaj (1958) vëllimin e tij poetik “Sub rosa dictum”, e botoi në Tuz. Përveç kësaj N. Berishaj është edhe përkthyes i letërsisë nga sllovenishtja dhe gjuha malazeze në shqip dhe anasjelltas. Ka përkthyer në sllovenisht “Prillin e thyer” të I. Kadaresë, në shqip romanin “Asgjë s’është ajo që duket se është” të shkrimtarit malazias B. Brkoviq, ka përkthyer dhe përgatitur për shtyp një antologji të poezisë sllovene (botuar në Tiranë 2008) etj. Ai e hartoi edhe fjalorin e pare dhe të vetëm sllovenisht-shqip, i cili ka përjetuar dy botime, një në Lubjanë dhe tjetrin në Tiranë.

Një përmbledhje me poezi, “Lama e Doklit”, e ka botuar, në Tiranë, politikani poet Ferhat
Dinosha.

Dimitrov Popoviq, i lindur në Shqipëri por që aktualisht jeton në Malin e Zi, përndryshe me
përkatësi etnike jo-shqiptare, ka botuar dy libra në gjuhën shqipe, vëllimin poetik “Përtej shpresës” si dhe përmbledhjen me vështrime mbi disa vepra letrare shqipe në Malin e Zi “Një shtrëngim dore” (Podgoricë, 2008), projekt ky i veçantë në llojin e vet, deri tani, në këto treva.

Tri botime me shumë interes ka nxjerrë Art Clubi i Ulqinit: përmbledhja e disa krijimeve të autorëve pjesëmarrës të Kalimerës poetike që zhvillohet çdo vit në Ulqin, me titullin "Autobiografia" (2008), libri me studime për autorët e ftuar në Kalimerë, me titullin "Orët letrare universitare" (2009) dhe librin me ese të shkrimtarëve dhe vlerësime për piktorët "Fjala e shkrimtarit - Brusha e piktorit" (2010).

Libra të posaçëm me vjersha kanë botuar edhe Gjelosh Junçaj, Atë Kolë Berishaj, Valentina Gorvokaj, Shqipe Dushaj, Liridona Sinishtaj etj. Kurse libra në prozë kanë publikuar edhe Pjetër Gjokaj, Martin Bojaj, Kolë Ujk Gali, Martin Kolë Pjetrushi Dedvukaj etj.

Viteve të fundit është e pranishme dukuria e botimit të librave të ndryshëm, në vargje dhe në
prozë, e disa autorëve me kapacitete krijuese tepër modeste, kështu që ata nuk mund të ishin objekt i këtij vështrimi.


PËRFUNDIM

Letërsia shqipe në Malin e Zi sado që zhvillohet në margjinat e kulturës kombëtare shqiptare dhe
po ashtu edhe të kulturave në shtetin e Malit të Zi, jep fryte, gati si një dukuri subkulturore sui
generis.

Janë botuar dhjetëra përmbledhje të poezisë, libra me tregime, novela, romane, vepra për të
rritur dhe për fëmijë, madje edhe recensione dhe studime letrare, pothuaj të gjitha në gjysmën e
dytë të shekullit XX dhe në decenien e parë të këtij shekulli. Kjo është një letërsi e gjallë, e cila zhvillohet dhe pasurohet me vepra të reja nga dita në ditë. Natyrisht që një shkrim si ky nuk është shterues, por mund të shërbejë si një pikë-orientimi dhe nxitje për studime sistematike më të kompletuara në diakroni dhe analiza më të thella në sinkroni.
Herë pas here autorët nga këto troje botojnë edhe libra me vlera të konsiderueshme letrare.
Prandaj, megjithëse kjo letërsi zhvillohet në cep të hapësirës shqipfolëse, cilësia e saj nuk duhet
të nënvlerësohet. Autorët në fjalë nuk janë vetëm epigonë të autorëve të mëdhenj, as vetëm relikte ekzotike të një kulture (minoritare) në shuarje, por në mesin e tyre ka edhe krijues të cilët njohësit e artit i vlerësojnë për burimësinë dhe kontributin ideor dhe estetik që japin. Përveç R. Qosjes, M. Krajës, B. Çapriqit, A. Berishajt, Hajro Ulqinakut etj., që jetojnë në Kosovë dhe janë të njohur në nivelin mbarëkombëtar, edhe disa autorë me banim të përhershëm në Malin e Zi, si p.sh. I. Berjashi. F. Camaj, H. Shabani, A. Bisha, A. Gjuravçaj etj., janë të rëndësishëm me krijimtarinë e vet.

[1] Dionyz  Ďurišin, Šta je svetska književnost, 1997, Sremski Karlovci, Novi Sad, f.
[2]  Ljubiša Rajić, Tekst u vremenu, 2008, Beograd, f. 197.
[3] U lanë jashtë emra të njohur, autorë të shumë librave nga fushat humanitare,  por krijimtaria e tyre nuk bën pjesë as në artin e letërsisë as në shkencën për letërsinë, si p.sh. dr. Atanas Gegaj (histori), dr. Anton K. Berishaj (sociologji), dr. Martin Berishaj (politikologji), Dritan Abazoviqit (politikologji) etj.Po ashtu, nuk i përfshimë  as librat publicistikë të Gjekë Gjonajt, dr. Nail Dragës, dr. Hajrullah Koliqit, dr .Fran Ivezajt etj., për çka nuk jemi krejtësisht të sigurt se kemi vepruar drejt. 
Kjo është një paraqitje e shkurtër, e papërfunduar, e cila do të duhej të përditësohej vazhdimisht.

 

ANTON GOJÇAJ POEZI - “Dëgjohet një violinë në suferinë”



ANTON GOJÇAJ

MREKULLIA E EKZISTENCES

rrugëve të  prishtinës
studiova frikën
policët kah më ndiqnin
 thërrisja amerikën

lulet kur i shihja
pranë tankeve kur mbijnë
e shaja europën
lutesha për shqipërinë

për miqt e mi të atëhershëm
më pushton një mall
jo nuk bëmë çudira
çudi që mbetëm gjallë


NJERIU I MIRE

kurrë s’ma ka munguar kështu si sonte
larg nënës pa të dashurën larg nënës pa miq
zhgarravit vargje pakuptim mjer kush u besonte
shpellave të kohëve përplasen lakuriq

ujqit janë shumuar dhe kanë mall për ty
fotografohen nëpër gazeta merren me politikë
mish qengji drekojnë verë të kuqe pinë
me sex makina luajnë dhe çmallen me muzikë

dikush sonte pa një pikë loti qan përnjimënd
as i lirë as në burg as dhëndërr as murg
ulurin nëpër shi kërkon profilin tënd
poet është ndoshta apo ndoshta edhe vetë  ujk


RREFIMI I NJE LYPSI TE ÇUDITSHEM

unë kurrë s’kam pasur asgjë
vazhdoj të jetoj në pritje
i vogël i padenjë për të fshehtat
i mbrami në çdo renditje

unë kurrë s’kam lypur shumë
para as nam as titull
tepër ndoshta pata veç gjumë
dhe ndonjë yll të fikur

unë kurrë diçka nuk bëra
që të mos e shkruaj këtë këngë
sytë po mi vret rëra
tash po i fshij me mengë.


TRABOINÇE

kur me grushte marr të pi ujë
ujë traboini
kthjellët shoh nuk jam i huaj
në këtë tempull gurrë lulëzimi

kur me grushta unë ujë pi
dhe laj sy e faqe
mis kozmosi malësore je ti
bukuroshe budallaqe

të lutem në gjunj kur i penduar bie
te kroni i traboinit ta lag ballin me ujë
ngjitu ti valltare e virgjër qiejve
ende jeton malesori botëve u thuaj.


VAJZA QE ECEN ME
OMBRELLE NEPER BORE

sa shumë që duheshim
atë mbrëmje me borë
si s’ta bëra me dorë
si s’ma bëre me dorë

kur luanim qiellorë
me djallëzoren ironi
si sma bëre me sy
si s’ta bëra me sy

do të duhemi përsëri
netëve pa orë
do të vishemi me florë
do të shkrihemi në borë.
Nga vëllimi poetik:  
“Dëgjohet një violinë në suferinë” Anton Gojçaj,
Enti Botues “Gjergj Fishta”, Lezhë 2011

BOTOHET POEZIA E ANTON GOÇAJ ANGLISHT NE SHBA




 
 
Një vëllim poetik i Anton Gojçajt në gjuhën angleze

Para disa ditëve doli nga shtypi përmbledhja "Dëgjohet një violinë, në suferinë" e përkthyer në gjuhën angleze, në SHBA, nga Peter Tase. Libri mban titullin "A violin is heard flowing in a tornment", është botuar nga LULU ENTERPRISES (LULU.COM) dhe ka 80 faqe.  
Përkthyesi Peter Tase, pas një pune të zellshme disamuajshe, vendosi që këtë projekt t'ia dedikojë 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Vëllimi përfshin 65 poezi, përmbajtjen dhe një shënim të shkurtër bio-bibliografik për autorin.
Anton Gojçaj ka botuar deri tani disa libra në gjuhën shqipe, me poezi, prozë dhe kritikë letrare.
Ky është libri i tij i parë në një gjuhë të huaj. Deri tash, disa poezi dhe tregime të tij janë përkthyer në gjuhën malazeze. Peter Tase, përveç tjerëash, ka përkthyer në gjuhën angleze edhe disa libra të Ndue Ukajt. 





Dy poezi te Gojçajt në antologji e poezisë shqipe në frëngjisht

Po ashtu për nder të 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar, në Belgjikë doli nga shtypi një antologji e poezisë shqipe, ku prezantohen 80 poetë bashkëkohorë nga të gjitha trevat shqiptare. Në mesin e tyre botohen gjithashtu edhe disa poezi të autorit shqiptar nga Mali i Zi, Anton Gojçaj. Librin e botoi "Le Taillis Pré", kurse e përgatitën përkthyesi Vasil Çapeqi dhe Francis Chenot. Antologjia është në dy gjuhë, poezitë botohen paralelisht në origjinal dhe në përkthimin frëngjisht. Përveç në formën tradicionale (shtypur në letër), antologjia është hedhur edhe në faqen e internetit, të revistës elektronike "Sources".
                                                                    


Për poezinë e Anton Gojçaj - nga Peter Tase


Subjekti trans-atlantik në poezinë moderne Shqipe

Shkruan: Peter TASE
 (me shkurtime)


Anton Gojçaj lindi në vitin 1966, në Podgoricë. Ka studiuar për letërsi dhe gjuhë shqipe në Universitetin e Prishtinës. Jeton në Tuz (Mali i Zi). Shkruan poezi, prozë, kritikë letrare, diçka më rrallë merret edhe me përkthime letrare nga gjuhët e sllavëve të jugut në shqip dhe anasjelltas. Punimet e  Gojçaj janë botuar në periodikun letrar në: Kosovë, Malin e Zi, Shqipëri, Zvicër, Maqedoni, Rumani, Greqi, Kroaci, Slloveni dhe në fund të 2012 pritet të botohet vëllimi i tij me poezi “Dëgjohet një violinë, në suferinë…” edhe në Shtetet e Bashkuara.  Vargjet të tij janë botuar në një përmbledhje të letërsisë së popujve pakicë në Malin e Zi me titullin “Nga çerdhja gjer në qiell” Podgoricë 2010, pastaj në panoramën e krijimtarisë letrare të shqiptarëve nga Mali i Zi, me titull: “Dritaren lëre hapur,” Zagreb 2010.
Deri tani ka botuar këto vepra letrare: Poezi, Illyricum, 2001, Tuz; Qengj i harruar natën në mal, tregime, Shpresa, 2003, Prishtinë ; Tema e heroit nacional në letërsi, ese, AIKD, 2004, Prishtinë; Passio, roman, Buzuku, 2004, Prishtinë; Fakticiteti në letërsi, Proza letrare e Anton Harapit, studim, Buzuku, 2007, Prishtinë; Shija e librit, vështrime, recensione, AIKD,  2009, Prishtinë; Passio, ribotim, Enti Botues “Gjergj Fishta”,  2010, Lezhë; Ndërmjet kapakëve, tregime, Art Klub, 2010, Ulqin; Dëgjohet nje violinë, në suferinë , ribotim i vëllimit me poezi, EB “Gjergj Fishta” 2011, Lezhë; Biblioteka e Hirushes – Letërsia shqipe në Malin e Zi, recensione, Art Club, 2011, Ulqin.
Në vargjet e Gojçaj vihet re qartë komunikimi midis kulturave ashtu siç mund ta vëmë re edhe në poezinë me titull “Ishulli i Ri,” ku shkrimtari ndodhet “në mes të oqeanit me një mijë kufij për një natë e krijoi njeriu i ri / duke braktisur shtëpinë e shoqërinë ngase s’e qiti më dashurinë / ky ishull që duket si tavolinë me një shishe birrë dhe një kuti cigare / ma kujton nëpër mjegull vdekjen e Mozartit / jetën tonë të dashur teatrin e çastit…/
Me një mjeshtëri për t’u patur zili, Gojçaj ndërthur fare bukur jetën e tij idilike në një kontekst më të gjerë, ku përfshihet oqeani që lag shumë brigje por edhe Mozarti që vjen nga një vend siç është Salzburgu i Austrisë, një shtet pa dalje në det.  Gojçaj shpalos një propensitet të papreçedent në formimin e lidhjeve midis kulturave të ndryshme.
Në poezinë “I biri i Frankenshtajnit”, Gojçaj me një stil të pa-parashikueshëm përmbledh në vetëm katër vargje krijimin e botës nga Eva dhe Adami por edhe elementin Historik, shume dimensional, të Kalit të Trojës; vargjet rrjedhin si vijon: / bijat e Evës e lumturojnë botën si në kohët e para / derisa Adamit po i ndryshon fara… / një engjëll o demon më rraset pranë gojës / jam brënda a përballë kalit të trojës…/
Ndërsa në poezinë tjetër, “Regëtime,” Gojçaj përshkruan rrugëtimin e gjatë krahas sentimentalizmin njerëzor, poeti tërthorazi pse jo edhe me një gjuhë paksa të drejt përdrejtë, ka përfshirë edhe temën e integrimit të Shqipërisë në familjen Europiane: /nuk qajnë kambanat / veç pranvera vonohet / për bashkimin tonë / që nuk po realizohet…/
Pasi lexojmë këto vargje, shtrohet pyetja e thjeshtë, ç’farë kuptimi ka fjala bashkim në këtë strofë? Këtu zbardhet elementi i integrimit Europian të Shqipërisë, i cili shfaqet gjatë nën-kuptimit kontekstual.