VËSHTRIM MBI TREGIMET E ANTON GOJÇAJ-t
Tregime (si) mikrodrama
Prof. dr. Klara Kodra
Anton Gojçaj bën pjesë në ata krijues
poliedrikë që synojnë ta realizojnë individualitetin e vet krijues në shumë
fusha, duke rrezikuar të mos godasin në shenjë asnjëherë ose ta thërmojnë
talentin, po ai u ka bërë ballë sfidave që ka marrë përsipër, duke mbetur
vetvetja në çdo gjini dhe në çdo zhanër, në poezi, në tregime, në roman, madje
edhe në kritikë dhe në studime.
Përveç kësaj ai i përket një brezi
letrar të pasur me talente si një yllësi e shumëngjyrshme, një brez letrar që
synon drejt modernes në letërsi, po karakterizohet njëkohësisht nga vendosja e
një lidhjeje me traditën, e cila nuk mohohet si në shumë lëvizje avangardiste,
po vlerësohet për ato veçori që janë ende të gjalla dhe përmbajnë në vetvete
një mundësi rinovimi. Këtë lidhje midis traditës dhe modernes, Gojçaj e ka të
përbashkët me brezin e vet, po e realizon në mënyrë origjinale dhe shkrimtari e
shpreh këtë prirje që e lidh me traditat më të mira të së kaluarës dhe e
projekton drejt së ardhmes në tregimet e tij.
Në tregimet e Gojçajt vëmë re se
fillesa epike, rrëfimtari, shartohet me fillesën dramatike, kështu që krijimet
e tij në prozë janë jo rrallë mikrodrama, me një koncentrim të lartë veprimi në
të cilin fshihet edhe psikologjizmi.
Në prozën e vet të shkurtër Gojçaj
ndërthur vizatimin e karaktereve me pak vija shprehëse, si me laps karboni,
duke respektuar vizatimin tradicional të personazhit me portretin e tij fizik
dhe gjuhën e vet dhe copëzimin modern të karakterit që shpreh thërmimin e
individualitetit njerëzor nën trysninë e rrethanave; ndërthur rrëfimtarin
tradicional të gjithëdijshëm me rrëfimtarin në vetë të parë që i vështron
personazhet nga jashtë dhe di po aq apo edhe më pak se ata.
Ky autor në disa tregime fshin
dallimin e njeriut nga qeniet e tjera të gjalla, duke antropomorfizuar figura
kafshësh dhe duke zbuluar shtazërinë në disa figura njerëzish. Në këtë mënyrë
ai fshin edhe konturat që e ndajnë botën reale nga bota e fantazisë meqenëse
„vëllezërit më të vegjël“ të njeriut që jetojnë edhe ata një botë ndjenjash
nganjëherë të pasur, pajisen edhe me aftësinë e mendimit që e ka vetëm njeriu,
kurse te njerëzit autori zbulon nëpër atë shtresë të fshehtë nënvetëdijeje të
afërt me kafshërinë që super-egoja e njeriut e mohon. Kështu ndonjë tregim
tregim bëhet i afërt me fabulën, po dallon prej saj në saje të fillesës lirike
që e afron me poezinë. Kështu ndodh në dy tregime karakteristike si „Atomet,
shpirti, dashuria“ dhe „Lotët e qenit“, ku protagonistët e vërtetë janë
kafshët, papagajt në tregimin e parë dhe qeni në tregimin „Lotët e qenit“.
Në këto tregime mishërohen ide si
dashuria dhe liria, krenaria, humanizmi dhe dëshira për liri, bartës të të
cilave çuditërisht bëhen kafshët si qenie të afërta me natyrën dhe që e ruajnë
thesarin e vet të ndjenjave, të cilin njeriu i sotëm ia flijon lakmisë dhe
egoizmit. Këto tregime janë të bazuara në antitezën midis kafshëve që ngrihen
në lartësinë e njeriut dhe njeriut që zbret në nivelin e kafshëve. Papagajt e
tregimit të parë të sjellin ndërmend heronjtë romantikë që flijoheshin për
dashuri dhe liri dhe përfundonin në mënyrë tragjike se nuk i përshtateshin
mjedisit.
Edhe qeni Lac, që vë mbi të gjitha
krenarinë dhe solidaritetin me gjallesat e tjera, është një hero në përmasat e
vogla të mikrobotës së vet dhe i kundërvihet të zotit të shpërfytyruar nga
egoizmi dhe lakmia.
Në tregimet e tjera drama e
personazhit fshihet në disa raste pas të zakonshmes, të përditshmes, si ndodh
në tregimin me titullin ironik „Të pëlcasësh që qeshuri“ , heroi i të cilit
është njeriu i vogël që lufton për mbijetesë, po është i aftë edhe për ndjenja
të thella. Drama e tij merr tipare tragjikomike se bazohet në një keqkuptim.
Djali keqkupton interesimin, ndjenjën e solidaritetit të një vajze, duke e
ngatërruar me dashurinë. Është, pra, motivi tradicional i dashurisë pa
përgjigje, por në kushtet e sotme, i ndërthurur me dramën e emigracionit.
Në tregimin „Porosia e një analfabeti“
personazhi kryesor portretizohet edhe në fjalën e rrëfimtarit në vetë të parë,
që identifikohet me autorin. Është një personazh lidhja e të cilit e ngushtë me
traditën, e bën sa qesharak edhe sublim. Ai është lidhur ngusht me armën, e ka
gjymtyrë të trupit, gjë që ta përkujton poemën e Kadaresë „Përse mendohen këto
male“. Ky personazh analfabet, po trim e krenar, u bindet ligjeve të pashkruara
dhe për këtë sfidon ligjet e shkruara, duke rrezikuar dhe familjen e vet.
Qëndrimi i autorit ndaj tij është ambivalent, admirues por edhe kritik. Ky
personazh është mishërim i urtësisë popullore, po edhe i paragjykimeve
patriarkale, është shqiptari tipik me vetitë e veta të larta, po edhe me
kokëfortësinë dhe paaftësinë për t'u përshtatur, për t'u ndërgjegjësuar për të
renë.
Një tipar thellësisht dramatik, i
bazuar mbi atë pjesën e karaktereve, e shohim edhe te „Katarza e aktorëve“, ku
vihen përballë njëri-tjetrit viktima dhe persekutori. Që të dy viktima të
diktaturës, po edhe secili bartës i së vërtetës së vet, njëri të idealeve të
larta – që diktaturës i pengon, tjetri të një dashurie të sinqertë por që
errësohet nga xhelozia dhe çon në krimin e shkeljes së besës; që të dy të
shkelur nga rrota e historisë, po pikërisht viktima duke falur denoncuesin
arrin katarsisin dhe ndjenja e udhëheqjes së hakmarrjes ishte përligjur dhe
nxit katarsisin edhe të tjetrit, i cili kupton kotësinë e urrjetjes së vet që e
uli në nivelin e spiunit, po edhe vogëlsinë e tij ndaj forcave shoqërore me të
forta se ai dhe e shndërron brejtjen e errët të ndërgjegjes së tij në pendim të
vërtetë njerëzor.
Në ndonjë tregim protagonisti i cili
qëndron më lart nga mjedisi, përbuzet prej tij siç ndodh te tregimi “Një
pikëpyetje e padëshiruar në gjithësi”, mesazhi i të cilit është ambivalent.
Protagonisti lufton për të vërtetën e vet deri në flijim, por a ekziston në
fakt një e vërtetë e tillë për të cilën e vlen të jetosh dhe të vdesësh?
“Vazhdimi i llojit” që përkufizohet si kuptimi i jetës, a është një e vërtetë e
tillë sociale-ekzistenciale? Mos vallë kriza e idealeve e bën heroizmin të
panevojshëm? Janë pyetje që shtrohen, po nuk zgjidhen. Rrëfimtari në vetë të
parë – autori e do dhe e admiron personazhin e vet të çuditshëm, por nuk është
plotësisht i bindur që sfida e tij ndaj realitetit dhe bashkësisë së njerëzve
është frytdhënëse.
Në disa tregime është e fortë fillesa
lirike, si “Qengj i harruar natën në mal” që përshkohet nga dashuria
mallëngjyese për të gjitha qeniet e gjalla, ose “Pako në pako” ku rikrijohet
ngrohtësia e familjes në optikën fëmijërore, duke e lidhur me një episod ku
njerëzorja ndërthuret me komiken.
Në tregimet e Gojçajt ka edhe një
nënshtresë ironike që shkon nga humori deri te sarkazma, po ironia e tij nuk
është shkatërruese, autori shkatërron për të krijuar. Ai, edhe nëse e ndjen
thellë krizën e vlerave, vazhdon të besojë te vlerat si dashuria, kulti i
punës, familja, trimëria. Këto vlera duket sikur janë larguar sot, por
vazhdojnë të ekzistojnë dhe ai arrin t’i mishërojë përmes një forme me nivel të
lartë estetik.
(Mbajtur në seminarin akademik "Krijuesit shqiptarë të Malit të Zi",
Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë, nëntor 2017)