ANTON GOJÇAJ - Poezi

ANTON GOJÇAJ


HERET BËHET VONË

VRAPO E DASHURA IME

buka jonë e bardhë

përngjasim vetëtime

më shpejt se yjtë e hëna

vrapo e dashura ime

shirat në ty lahen

flakërojnë vegime

dhelpër është klepsidra

vrapo e dashura ime

pritjen zgjat thëllimi

ngutuni gëzime

heret bëhet vonë

vrapo e dashura ime

24 ORË

mirëmëngjes e dashur

drita vjen nga gjinjtë

në shkretëtirën pagane

ujësjellës të rinj

mirëdita e dashur

sot rash në provim

zjarret tua vajzë

vadisin shiun tim

mirëmbrëma e dashur

e nesërmja është ve’

shumë yje ka gjithësia

ekzistojmë vetëm ne

VAJZA QË ECËN

ME OMBRELLË NËPËR BORË

sa shumë që duheshim

atë mbrëmje me bore

si s’ta bëra me dorë

si s’ma bëre me dorë

kur luheshim qiellorë

me djallëzoren ironi

si s’ma bëre me sy

si s’ta bëra me sy

do të duhemi përsëri

netëve pa orë

do të vishemi me florë

do të shkrihemi në bore

GJUHA SHQIPE ËSHTË E BUKUR

gjuha shqipe është e bukur

se ajo e flet

kur hap sytë si kroje të thella

kësaj toke i përngjet

brekë me yje ajo vesh’

pa turpin gënjeshtar

rock and roll këndon vallëzon

vajza ujëvarë

bora shkrihet prej

buzëqeshjes së saj

do të vdisja krejt pa lidhje

të më qajë ajo pastaj

AS PO AS JO

një vjershë asgjë e re as e jashtëzakonshme

miliona vjersha janë shkruar edhe një le të shkruhet

në sallën e madhe vetëm kujtoj ëndrrën e pamortshme

zoti duhet të jetë pikëlluar që na i përzieu gjuhët

një zog tragjikomik humbi këngën në ujëvarë

peshkut të artë duke dashur adhurim t’i shfaqë

ndjenjëkulluar harroi i ngrati se rrjedhja s’ka të ndalë

peshku shkoi ai mbeti lumturia zgjati kaq

ku shkëlqeu njëherë premtimi për humbësin ideal

si t ë mos kishte ngjarë kurrë një mrekulli

djaj të lëngët rrëzohen thik pikat e lumit fatal

o s’kam çka të bëj veç të thërmohem në njëqind mij’

MREKULLIA E EKZISTENCËS

rrugëve të prishtinës

studiova frikën

policët kah më ndiqnin

thërrisja amerikën

lulet kur i shihja

pranë tankeve si mbijnë

e shaja europën

lutesha për shqipërinë

për miqtë e mi të atëhershëm

më pushton një mallë

jo nuk bëmë çudira

çudi që jemi gjallë

LARGIMI ISHTE VEÇ FILLIMI I KTHIMIT

lindën e vdiqën shumë ndërkohë

as hartat s’janë si dikur

unë desha një tjetër vajzë

dhe ti a thua ke burrë

je trashur sipas zërit të botës

ke shtuar në masë ke humbur në shpirt

edhe njerëzit atje vuajnë akoma

në këtë botë vuajnë më të mirët

vendi shenjt e ruan sekretin

muzikë të devotshme ku zemrat dirigjuan

kush s’e njeh pikëllimin s’ia di jetës lezetin

ne tepër u deshëm dhe dot nuk ndryshuam

SHPIRTI

ti nuk je më emri që ke qenë

as pyetja as përgjigjja as unaza e besës

unë jam dikush tjetër se ti më ke lënë

vitet tek unë kanë peshën e vesës

pse më ther në gjoks fajin e ka koha

pa mish do të mbetet ‘i here rrethi i diellit

republikae dëshprimit mëe gjerë seç e besova

mos e festo urrejtje heshtjen e rebelit

mos më shlyej nga libri sot po të qes be

njëkohësisht jam hije edhe lëndë drite

ardhja e feniksit nis me një rrufe

dhe ushqehet me thërrime metafizike

NJERIU I MIRË

kurrë s’më ke munguar kështu si sonte

larg nënës pa të dashurën larg atdheut pa miq

shkarravit vargje pa kuptim mjerë kush u besonte

shpellave të kohëve përplasem lakuriq

ujqit janë shumuar dhe kanë mallë për ty

fotografohen për gazeta merren me politikë

mish qengji drekojnë verë të kuqe pijnë

me sex makina luajnë dhe çmallen me muzikë

dikush sonte pa një pikë loti qan përnjëmend

as i lirë as në burg as dhëndërr as murg

ulurin nëpër shi kërkon profilin tënd

poet është ndoshta po ndoshta edhe vetë ujk

RRËFIMI I NJË LYPËSI TË ÇUDITSHËM

unë kurrë s’kam pasur gjë

vazhdoj të jetoj në pritje

i vogël i padenjë për të fshehtat

i mbrami në çdo renditje

unë kurrë s’kam lypur shumë

para as nam as titull

tepër ndoshta pata veç gjumë

dhe ndonjë yll të fikur

unë kurrë diçka nuk bëra

që të mos e shkruaj këtë këngë

sytë po m’i vret rëra

tash po i fshij me mëngë

BUZËQESHJA E GJELBËR

bari është i gjelbër

si buzëqeshja e motrës

si vajzë e puthur së pari

para se t’i çelë sytë sërish

bari është i gjelbër

si thellësi e detit

mozaik në qiell netësh poetike

krejt lumturia tokësore kjo është

dhe nyje tragjike

në brigjet e lumenjve të rinisë

bari gjithmonë është i gjelbër

REGËTIMË

nuk qajnë kambanat

vetëm pranvera vonohet

për bashkimin tonë

që nuk po realizohet

më e dashura ime

GJYSMA E BOTËS

më vjen keq që nuk di të këndoj si yjet

më vjen keq që nuk di të hesht si yjet

si yllin të të shoh ngado që të shkoj

se yll je

si yllin të më shohësh ngado që të shkoj

megjithëse nuk jam yll

ENERGJIA E POEZISË

botës i duhet

edhe një botë

rrezet e yjve të largët

rrugë për në zemrën e zanafillës

fjalët notojnë oqeaneve

në kërkim të mundësisë së re

për koloninë e artit

është shkëlqim i artit

a mjegull që e fsheh të vërtetën

universit i duhet

edhe një vers

PA

po ata sy

në po atë baltë

po ajo pike

e vogël në hartë

por

pa

pa

pa