Udhëzime për hartimin e punimit shkencor... –nga Anton Gojçaj

UDHËZIME PËR HARTIMIN E PUNIMIT SHKENCOR- DHE DIÇKA MË SHUMË
(GJOVALIN SHKURTAJ, Si të shkruajmë shqip, Baza të shkrimit akademik, Botimet Morava, Tiranë, 2013) 

Nga ANTON GOJÇAJ

Gjovalin Shkurtaj përfaqëson një penë të stërvitur në shkrime të natyrës shkencore-teorike. Ai ka një karrierë të gjatë dhe të pasur si pedagog universitar, rrjedhimisht edhe eksperiencën e nevojshme si mentor i kandidatëve për grada shkencore, apo si anëtar i komisioneve të doktoraturës. Ai është autor i librave shkencorë në disa disiplina albanologjike: në dialektologji, sociolinguistikë, etnolinguistikë, onomastikë, kulturë të gjuhës. Ka marrë pjesë në shumë kongrese dhe konferenca shkencore në Shqipëri dhe jashtë dhe ka publikuar qindra artikuj studimorë në revista të ndryshme shkencore. Përveç në Shqipëri, ka ligjëruar, si profesor i ftuar, në universitetet e Romës, Bolonjës, Palermos, Kozencës, Selanikut etj. Libri “Si të shkruajmë shqip, Baza të shkrimit akademik” bën pjesë në literaturën (ndihmëse, udhëzuese) për zotërimin e të shkruarit akademik mbi parime të qarta metodologjike, që vitet e fundit vjen vazhdimisht duke u pasuruar edhe te ne, qoftë përmes përkthimeve, qoftë nga vepra të autorëve shqiptarë. Teksti përçon mesazhin se hartimi i punimit shkencor, siç kërkon njohjen e mirë të problematikës që trajton, parasupozon edhe stilin e lartë të teknikës së hartimit të punimit shkencor. Të shkruarit akademik është mjeshtri ose “zanat” i cili përveç kërkesave të përgjithshme ka edhe kërkesa specifike por – mund të mësohet. Në libër përshkruhen të gjitha etapat e shkrimit shkencor, që nga zgjedhja e temës, kërkimi dhe gjetja e dokumenteve (burimeve) dhe i literaturës dytësore, si punohen skedat dhe çfarë janë skedarët, e në mënyrë të veçantë hidhet dritë mbi vetë procesin e hartimit dhe redaktimin e punimit shkencor. Teksti mund të kuptohet si doracak i të shkruarit akademik, por edhe më shumë se kaq. Autori ofron informacion mbi mënyrën e hartimit të punimit shkencor, tezës së doktoraturës ose monografisë, që nga ideimi i projektit e deri te realizimi. Përshkruhen edhe elemente të procedures akademike, për shembull për mbrojtjen e doktoraturës, për dorëzimin e punimit të strukturuar sipas metodologjisë përkatëse, për recensionet e komisionit dhe të oponencës, që nuk është e thënë të jenë krejtësisht të njëjta me ato që jepen këtu, në të gjitha vendet dhe kohët. Në disa krerë apo kapituj autori largohet nga tema e ngushtë dhe bën disa sqarime lidhur me nevojën e njohjes dhe të respektimit të normave drejtshkrimore, që në nivele akademike, logjikisht, do të duhej të ishin “të tepërta” (të vetëkuptueshme), por që, pa dyshim, si pedagog universitar me eksperiencë, e ka parë me rrugë t’i trajtojë edhe në këtë tekst. Format e komunikimit profesional si: letra, kartëvizita, kartolina, pusulla, telegramet, kumtesa për shtyp, procesverbali, Curriculum vitae, madje edhe nekrologu etj, në shikim të parë nuk shkojnë medoemos me epitetin akademik, por është e rëndësishme që një punëtor akademik të njohë standardet formale edhe të tyre. Autori jep këshilla dhe modele të dobishme për secilin prej tyre. Janë këshilla të vockla por të rëndësishme për akademikët e ardhshëm, që do t’ua bëjnë më të lehtë kryerjen e detyrave në pajtim me etiketën që kërkojnë gradat shkencore akademike. Vlerat e librit i shton fjalësi i fjalëve të huaja, të cilat mund të zëvendësohen nga fjalë të përshtatshme shqipe, që është dhënë si aneks në fund. Shkurtaj është pastrues i vyeshëm i fjalëve të huaja të panevojshme. Këtë tekst është mirë ta lexojë çdo autor me ambicie shkencore dhe akademike. Fakti që ky është botimi i tretë i tij, flet se shumë vetë e kanë kuptuar këtë gjë. 

(nga revista MALËSIA Nr. 11 / 2016)