MBI ROMANIN "PASSIO" TË ANTON GOJÇAJT
Rrok Gjolaj |
Nga RROK GJOLAJ
Ky roman është ndër
krijimet më të njohura jo vetëm në letërsinë shqipe në Mal të Zi, por edhe edhe
në mbarë letërsinë tonë që krijohet sot.
Autori me mjeshtëri
arrin të ndërthuri ngjarje që lidhen me temën e mërgimit, pikërisht me një temë
të re që rrallë është trajtuar në letërsinë tonë - me temën e kthimit në
vendlindje (përveç asaj të mërgimit që ndërlidhet në vepër).
Autori sikur ka
pasione të shumta që shtrohen në këtë roman, por më së miri kristalizohen dy:
jeta dhe arti. Në bazë të këtyre pasioneve mund të thuhet se e mori emrin edhe
titulli i romanit.
Personazhi kryesor
i kësaj vepre është Zef Gjoni, i cili përjetoi një ngjarje tragjike si fëmijë
në kohën e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe arriti të largohet e të
shkojë në mërgim, duke u munduar të harrojë çdo gjë nga e kaluara e tij. Në
kryeqendrën botërore në New York u bë piktor i famshëm që të gjithë e njihnin
me emrin Jozef Montanaro. Një ëndërr e ktheu Jozefin (ose siç e quan autori “Ai
që nuk qeshte kurrë”) në realitet dhe ndërmori kthimin në vendlindje, ku më vonë do të martohet dhe do t'i lindi
djalë. Kjo tregon vazhdimin e jetës dhe ruajtjen e kontinuitetit të identitetit.
Në roman autori
përdor shumë shtresa dhe lidhje intertekstuale sidomos me elemente biblike,
elemente të baladave, simboli i qengjit, pastaj me integrimin e personazheve
reale nga Malësia si Patër Frani që i vë kurorë, toponimet reale si Arza, Tuzi,
Trieshi, Koja, aeroporti në Gollubovc, etj., të gjitha këto e bëjnë këtë prozë
me elemente të theksuara të letërsisë postmoderniste.
(marrë nga: Rrok
Gjolaj: ZHVILLIMI I LETËRSISË SHQIPE NË MAL TË ZI, te: KUMTESAT I nga
konferenca vjetore e shkencës “Java e Shkencës” 2013, f. 383)