ANTON GOJÇAJ POEZI - “Dëgjohet një violinë në suferinë”



ANTON GOJÇAJ

MREKULLIA E EKZISTENCES

rrugëve të  prishtinës
studiova frikën
policët kah më ndiqnin
 thërrisja amerikën

lulet kur i shihja
pranë tankeve kur mbijnë
e shaja europën
lutesha për shqipërinë

për miqt e mi të atëhershëm
më pushton një mall
jo nuk bëmë çudira
çudi që mbetëm gjallë


NJERIU I MIRE

kurrë s’ma ka munguar kështu si sonte
larg nënës pa të dashurën larg nënës pa miq
zhgarravit vargje pakuptim mjer kush u besonte
shpellave të kohëve përplasen lakuriq

ujqit janë shumuar dhe kanë mall për ty
fotografohen nëpër gazeta merren me politikë
mish qengji drekojnë verë të kuqe pinë
me sex makina luajnë dhe çmallen me muzikë

dikush sonte pa një pikë loti qan përnjimënd
as i lirë as në burg as dhëndërr as murg
ulurin nëpër shi kërkon profilin tënd
poet është ndoshta apo ndoshta edhe vetë  ujk


RREFIMI I NJE LYPSI TE ÇUDITSHEM

unë kurrë s’kam pasur asgjë
vazhdoj të jetoj në pritje
i vogël i padenjë për të fshehtat
i mbrami në çdo renditje

unë kurrë s’kam lypur shumë
para as nam as titull
tepër ndoshta pata veç gjumë
dhe ndonjë yll të fikur

unë kurrë diçka nuk bëra
që të mos e shkruaj këtë këngë
sytë po mi vret rëra
tash po i fshij me mengë.


TRABOINÇE

kur me grushte marr të pi ujë
ujë traboini
kthjellët shoh nuk jam i huaj
në këtë tempull gurrë lulëzimi

kur me grushta unë ujë pi
dhe laj sy e faqe
mis kozmosi malësore je ti
bukuroshe budallaqe

të lutem në gjunj kur i penduar bie
te kroni i traboinit ta lag ballin me ujë
ngjitu ti valltare e virgjër qiejve
ende jeton malesori botëve u thuaj.


VAJZA QE ECEN ME
OMBRELLE NEPER BORE

sa shumë që duheshim
atë mbrëmje me borë
si s’ta bëra me dorë
si s’ma bëre me dorë

kur luanim qiellorë
me djallëzoren ironi
si sma bëre me sy
si s’ta bëra me sy

do të duhemi përsëri
netëve pa orë
do të vishemi me florë
do të shkrihemi në borë.
Nga vëllimi poetik:  
“Dëgjohet një violinë në suferinë” Anton Gojçaj,
Enti Botues “Gjergj Fishta”, Lezhë 2011