Ikja nga vetvetja
(Fran Camaj, Njeriu me Mjekër të Thinjur, roman, botoi:
Toena, Tiranë 2014)
Fran Camaj, (1949, Spijë - Malësi e Madhe – Mal i Zi),
romanin e vet të parë e botoi në vitin
2004. Deri atëherë kishte bërë emër si pedagog
dhe në fushën e gazetarisë. “Njeriu me Mjekër të Thinjur” është romani i
pestë i tij brenda periudhës dhjetëvjeçare (2004-2014) dhe kjo e bën
romansierin më produktiv në gjuhën shqipe në Mal të Zi.
Shkruar nga Anton Gojçaj
Rrëfimi zë fill në fshatin
Shkorret të Dukagjinit, në kohën e mbretit Zog. Keqa dhe Sokoli, kushërinj (etërit e tyre janë vëllezër) kanë zgjedhur
dy rrugë të ndryshme në jetë, Keqa të pasurimit material (merret me blegtori
dhe bujqësi), kurse Sokoli djemtë e vet i dërgon për t’u shkolluar. E keqja ndërmjet
dy familjeve vjen nga kontestimi që i bëjnë njëri-tjetrit për pronësinë e një
shtegu. Demoni i së Keqes mishërohet në Cub Stërbythin, (një bashkëfshatar i tyre),
i cili ia mbush mendjen Keqës për ta
zgjidhur çështjen përmes vrasjes. Ekzekutimin e planit Cubi e merr vetë përsipër, për një pagesë të
majme, kuptohet. Ky rrëfim, pëveç si një
metaforë e konfliktit të “materializmit” me “idealizmin”, mund të analizohet edhe
në raport me dy arketipe universale: të
vëllavrasjes (në psikologjinë fisnore kushërinjtë e parë janënjë familje,
pra “vëllezër” - që ta sjell ndërmend
vrasjen e Abelit nga Kaini) dhe të hakmarrjes (dukuri karakteristike
sidomos për bashkësitë fisnore – në mungesë të institucioneve të shtetit ligjor).
Kufijtë kohorë të episodit të dytë të kësaj kronike njëshekullore përkojnë me periudhën e Luftës II Botërore . Djali i dytë i Sokolit, Gjini, në shenjë pakënaqësie e braktis profesionin e oficerit ushtarak sepse nuk i pëlqente regjimi “zogist”. Ai provon që të organizojë rezistencë aktive kundër pushtuesve fashistë, por kapet rob dhe dërgohet për të vuajtur dënimin në Itali. Pas kapitullimit të fashizmit, kthehet në atdhe. As pushteti komunist, pas luftës, nuk i pëlqen Gjinit, por martesa me një vajzë shkodrane dhe transferimi në Fier bën që të jetë i kujdesshëm në raport me pushtetin komunist. Në vendbanimin e ri ai provonte të harronte ato që kishte përjetuar në Shkorret. Mospërshtatja e psikologjisë dhe karakterit të malësorëve (kokëfortë) me pushtetet është një nëntemë më vete e romanit. Në raport me pushtetin e Zogut: “Pushteti nuk i shikonte me sy të mirë as nuk kishte besim ndaj shumicës së ushtarakëve dhe intelektualëve nga rajoni i Dukagjinit dhe i Mirditës. (…) se banorët e këtyre krahinave me shumicë kishin shprehur pakënaqësinë ndaj regjimit të Ahmet Zogut”. Në raport me pushtetin fashist (Gjini deklaron para fashistëve): “Ju jeni pushtues dhe nuk ju intereson bashkimi i trojeve tona. Ju keni vetëm interesa pushtuese.” Në raport me pushtetin komunist: “… komunistët, të cilëve më shumë u intereson ta marrin pushtetin, sesa interesi i përgjithshëm i Atdheut.” Malësorët e Veriut, sipas këtij romani, janë kundërshtarë të përhershëm të të gjitha sistemeve.
Ilirit, të birit të Gjinit, i propozojnë të bëhet bashkëpunëtor i organeve të sigurimit të shtetit. Refuzimi i tij, në përputhje me kodin e tij gjenetik, megjithëse i shprehur me maturi, rezulton me pasoja. Megjithëse nxënës i shkëlqyer, ka vështirësi për t’u regjistruar në fakultet sepse lojaliteti (bindja) në një sistem totalitar çmohet më shumë sesa talenti. Shteti në vend se ta ndihmonte për ta zhvilluar talentin në dobinë e gjithë shoqërisë, e bllokonte atë përmes shantazhimeve nga organet e sigurimit.

Në kapitujt që flasin për
Shqipërinë e viteve tetëdhjetë përshkruhet, mes tjerash, njohja dhe lidhja e dy
të rinjve, Ilirit dhe Ajkunës, studentëve të dalluar të Universitetit të
Vlorës. Dashuria e tyre është e pastër
dhe reciproke, mirëpo kur ndjenjat e tyre arrijnë kulminacionin, ndodh zbulimi/rinjohja
që lëkund gjithçka. Ata marrin vesh se janë kushërinj. Iliri ishte nipi i Sokolit,
kurse Ajkuna mbesa e Keqës. Një fuqi diabolike e panjohur kishte bërë lëmsh
gjithçka. Që nyja e fatit të tyre të ishte “gordiane”, Ajkuna kishte mbetur
shtatzënë. Në gjykimin e tyre e vetmja shtegdalje ishte: “ të ikim përgjithmonë
nga ky vend. Të shkojmë në një vend tjetër, diku larg, sa më larg nga
Shqipëria.” Një alternativë fataliste që meriton të analizohet në aspekte të
ndryshme. Fjalia e shqiptuar nga Antigona, e ëma e Ilirit - “Janë bërë në të
kaluarën shumë mëkate e gabime, të cilat po duhet t’i paguani edhe ju tani”,
është një përpjekje për t’i dhënë një sqarim (metafizik) fatit jo të mirë të
pasardhësve të dy kushërinjve nga Dukagjinit. Gjatë ikjes me mjetin lundrues i
mbulon një dallgë gjigante e cila e gëlltit Ajkunen. Mbytja e Ajkunes shtatzënë në det del si një
zgjidhje “Deus ex machina” e lidhjes së ndaluar të dy të rinjve. Diçka (demoniake)
nuk i lë të bëjnë hair malësorët.
Njeriu me Mjekër të
Thinjur, e lut Petritin, që kur të kthehet në atdhe, në emrin e tij të hedh një
tufë lule në det, se “Ndoshta valët e detit do ta çojnë te Ajkuna dhe fëmija
ynë”. Aty Petriti, (por edhe lexuesi), e kupton se Njeriu me Mjekër të Thinjur
është vetë Iliri. që kishte ikur larg dhe jetonte “diku në një fshat ose qytezë
të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, larg çdokujt nga Atdheu i tij dhe larg
çdo njeriu që flet shqip,” por që, siç kuptohet në kapitullin XXIX, vazhdon të interesohet
për zhvillimet në atdhe. Njeriu me Mjekër të Bardhë i bën një analizë të
hollësishme gjendjes së shqiptarëve në Shqipëri (“Kur lexoj dhe dëgjoj për
gjërat që ndodhin atje, më neveritet çdo gjë”), por edhe në Malin e Zi (“Një
grusht njerëz jeni dhe keni dhjetë parti politike”). Pra, ia ka dalë të shkëputet
fizikisht, por jo edhe shpirtërisht nga atdheu dhe kombi i vet.
Fakti
se shqiptarët shpëtimin e kërkojnë duke ikur sa më larg, është një mesazh
fatalist, por që e verifikojnë edhe ngjarjet e botës reale, jashtë letërsisë. Ikja
nga atdheu është përpjekje për të ikur nga e tashmja dhe nga e kaluara, me
fjalë të tjera: një ikje nga vetvetja. Ajo ikje nuk është aspak e lehtë, disa
madje e humbin jetën në atë përpjekje (si në rastin e Ajkunes). Romani ka dy tregimtarë (narratorë,
rrëfimtarë), të dy të gjithëdijshëm dhe rrëfejnë në vetën e tretë. I pari është
“autorial”, kurse i dyti është Njeriu me Mjekër të Thinjur, që Petritit,
respektivisht lexuesit, gjatë takimeve për tri ditë me radhë, i përcjell një
kronikë-kaskadë ku përshkruhen fatet jetësore plot telashe të dy familjeve nga
Dukagjini përgjatë periudhës gati njëqindvjeçare. Hiq bisedën ndërmjet Petriti
dhe Njeriut me Mjekër të Thinjur, që ndodh në shekullin XXI, të gjitha ngjarjet
e tjera zhvillohen në shekullin e kaluar. Ato janë të shpërndara në disa
periudha: në kohën e qeverisjes së Ahmet Zogut, gjatë Luftës II Botërore,
menjëherë pas çlirimit, në të gjashtëdhjetat, në të tetëdhjetat dhe
përfundimisht në të nëntëdhjetat. Skenat e ngjarjeve vendosen në disa shtete:
Shqipëri, Itali, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përmenden edhe trevat shqiptare në Mal të Zi.
Personazhet negative” emrat i kanë shpesh në përputhje me karakterin e vet (Cub
Stërbythi, Keqa, Arabella Karalliu). Edhe pamja e tyre fizike është në sintoni
me veprimet që bëjnë. Ja si e përshkruan shkaktarin e ngatrresës së parë, që influencoi
ngatrresat e mëpastajme: “Cubi ishte
burrë rreth gjashtëdhjetë vjeç, shkurtalaq e kokëmadh dhe me pak flokë. Duart i
kishte tepër të gjata, ndërsa këmbët e shkurtra në proporcion me trupin. Hundën
e kishte të gjerë e disi të shtypur, gojën e madhe, nga e cila dukeshin dy-tre
dhëmbë të zgjatur e të zinj. Qafën e kishte të shkurtër, aq sa krijoje
përshtypjen se kokën e kishte të kapur prej krahësh.” Përshkrim që të çon ndërmend pamjen e një majmuni.
Ndërkaq, personazhet “pozitive” janë
gjithmonë të hijshëm, shtatlartë, shpatullgjerë, “të fjalës dhe të besës”, të
virtytshëm dhe kryesisht të mençur. Ka raste kur pasoja rrëfehet para shkakut (kapitujt
XVII-XVIII, p.sh. edhe po të ndërronin renditjen nuk do të prishte asgjë në
roman). Kjo bëhet për të ngacmuar kureshtjen e lexuesit dhe për të mbajtur
zgjuar interesimin e tij.
Në aspektin teorik, mbetet intrigues
statusi i “tregimtarit të gjithëdijshëm” dhënë Njeriut me Mjekër të Thinjur. Autori,
besoj për arsye ideo-estetike, atij i jep licencën e të gjithëdijshmit edhe kur
rrëfen për ngjarjet në të cilat nuk merr vetë pjesë (që kanë ndodhur disa
dhjetëvjeçarë para se lindjes së tij), duke
përshkruar ndjenjat e personazheve për të cilat rrëfen, apo duke riprodhuar mendimet
e tyre të brendshme. Brenda konvencave të botës së letërsisë, mbase, mund të
merren si legjitime edhe dukuri dhe veprime që nuk janë gjithmonë në pajtim me
ligjet e logjikës në kohën historike dhe botën jashtëletrare.
Libri prek shumë tema dhe
trajton çështje serioze dhe e çon më tej projektin ideo-artistik të autorit për
të thelluar dhe zgjeruar trajtimin artistik të psikologjisë dhe historisë së
malësorëve shqiptarë në të dy anët e kufirit (Mal i Zi/Shqipëri), si dhe për të
përshkruar dramën jetësore të tyre në njëqind vitet e fundit.
(Koha javore nr.
625, 7 gusht 2014)