ESEISTIKA E AGRON SHELES
Për
pluralizëm hierarkish në
letërsi
Agron Shele (1972, Leskaj – Përmet – Shqipëri) është autor i disa romaneve: Hapat e Klarës, Përtej perdes gri, Imazh i rremë etj. Aktualisht jeton në Belgjikë dhe është mjaft aktiv në veprimtaritë letrare në internet.
(Agron Shele, Ngjyrime universale – ese I, Tiranë 2014) |
Agron Shele (1972, Leskaj – Përmet – Shqipëri) është autor i disa romaneve: Hapat e Klarës, Përtej perdes gri, Imazh i rremë etj. Aktualisht jeton në Belgjikë dhe është mjaft aktiv në veprimtaritë letrare në internet.
Nga Anton Gojçaj
Stili (shkrimor) i Agron Sheles kur interpreton
krijimtarinë letrare të të tjerëve është diku në kufi, ndërmjet diskursit
shkencor dhe atij letrar-artistik. Ky stil, që ka më shumë tipare të gjuhës
letrare-artistike sesa të asaj kritike-shkencore, mund të quhet eseistik, kurse
shkrimet e Sheles – ese. Ai nuk merret
me diagnostikime “prej së larti”, të determinuara nga terminologjia analitike e
ndonjërës prej shumë metodave me proveniencë akademike që zbatohen në studimin e
letërsisë, por leximin e shijon si një fanatik i apasionuar i shprehjes dhe
mendimit të bukur, refuzues ndaj “izmave”. Përjetimin solemn të leximit e
plotëson me kënaqësinë e të shkruarit. Përshkruan pak, interpreton shumë. Një
karakteristikë që bie në sy është se esetë rrallë i kapërcejnë disa faqe, gjuha
ka elemente të një elokuence patetike, shkruan
me periudha (fjali) të gjata, të gjerbura herë pas here me neologjizma
personale të tij (p.sh. kurbëzim,
pasthirrmojnë, ankthuar,
shpresërim, epitetëzohet, largësuar, thirrmoren, iluzional ...). Veçori tjetër e
eseistit Shele është prirja për të glorifikuar, kështu për Teresinka Perreira-n
thotë se “me zërin e saj ka ndikuar drejtpërdrejt në zgjidhjen dhe përmirësimin
e shumë çështjeve globale”, për veprën studimore të Zejnepe Alili Rexhepit se
“radhitet në arshivën më të ndritshme të fushës studimore për librin tonë
shqip”, për krijimtarinë në prozë dhe poezi të Dhimitër Mitit se “përbën një
vlerë unikale në letrat shqipe”, për poezinë e Irena Gjonit se “shpreh padyshim
arritjet dhe kulmet e artit bashkëkohor shqiptar sot”, për Jeton Kelmendin se
është “një autor global”, kështu që mund të thuhet se krijon një marrëdhënie “dashurore”
me tekstet (dhe me autorët) që i trajton. Lexon me dashuri dhe shprehet me një
gjuhë admiruese për atë që trajton. Edhe atëherë kur pretendon të shkruajë
kritikë letrare, më tepër është “avokat“ i veprës që analizon sesa një “gjykatës“
neutral, kurse në karrigen e “prokurorit“ nuk ulet asnjëherë. Ai nuk artikulon vërejtje, s’ka asnjë qortim
kritik, nuk regjistron të meta, kështu që mund të quhet një përfaqësues i
“protonizmit”, siç e quan studiuesi dhe poeti shqiptar që jeton në SHBA, Gjekë
Marinaj, mënyrën e të shkruarit nga këndvështrimi ekskluzivisht afirmativ/pozitiv. Agron Shele kur shkruan për një tekst letrar
ose për krijimtarinë e një shkrimtari është
në radhë të parë shijues dhe promovues i tij/saj. Veçori tjetër e eseistit Shele
është se në shkrimet diskursive përdor rrallë citate të autoriteteve të
studimeve letrare, domethënë nuk ka shenja të theksuara të citatomanisë – për dallim nga shumë kritikë letrarë
bashkëkohorë, sidomos në kulturën shqiptare.
Shele është vetëm pjesërisht “elitarist” në përzgjedhje. Përveç
se shkruan për krijimtarinë e disa autorëve të mirënjohur (Esenin, Lame Kodra
(Sejfulla Malëshova), Lasgush Poradeci, Teresinka
Pereira, poezia italiane…), pena e tij komunikon edhe me tekstet letrare të
autorëve që kryesisht nuk bëjnë pjesë në regjistrin e vlerave më të parapëlqyera
nga autoritetet (establishmentet) akademike, por që rrugën e vet e çajnë
individualisht, ose të organizuar në grupe që i lidh një ambicie apo pakënaqësi e
përbashkët (sidomos në raport me hierarkitë e shndërruara në opinione publike
që gati janë “dogmatizuar”). Në grupin e dytë, sipas mendimit tim, bëjnë pjesë
krijuesit: Hasije Selishta – Kryeziu, Zejnepe Alili Rexhepi, Sabit Idrizi, Rami
Kamberi, Raimonda Moisiu, Lumo Kolleshi, Bilall Maliqi, Dhimitër Mati, Klara
Buda, Genta Kaloçi, Dashamir Malo, Irena Gjoni, Gentjan Banaj, Silvana Berki,
Jeton Kelmendi, Eva Kacanja, Dashnor Selimi, Namik Selmani, Tini Qerragjija… Disa
nga këta shkrimtarë, nga të gjitha trevat shqiptare, që janë mjaft aktivë në
internet, (i tillë është edhe vetë Agroni), me përpjekjen për të krijuar një
hierarki paralele (ose shumësi alternativash) të vlerave sfidojnë klanet e
ndryshme autoritare, që nganjëherë sikur pengojnë zhvillimin e sensibiliteteve
të reja.
Bie në sy numri i konsiderueshëm i krijueseve që
përmenden këtu (Teresinka Pereira, Hasije Selishta Kryeziu, Zejnepe Alili
Rexhepi, Raimonda Moisiu, Klara Buda, Genta Kaloçi, Irena Gjoni, Silvana
Berki..), si dhe një pozicionim i veçantë, plot ngrohtësi, që ai e artikulon në raport me to, gjë që qet në pah ndjeshmërinë specifike të eseistit Agron Shele në
këtë aspekt. Ky sensibilitet fisnik e bën të veçantë në kulturën shqiptare.
Agron Shele në vend të regjistruesit të ftohtë të
artefakteve ka zgjedhur të jetë një ciceron ose shoqërues inkurajues dhe
sugjerues i lexuesit, një dashamir i vërtetë edhe i shkrimtarit, edhe i
lexuesit, por para së gjithash një dashamir i letërsisë si vlerë estetike universale.